Agron KAJA/ Kush gënjen për merkaton, klubet apo FSHF-ja?

475
Sigal

MERKATO/ Sekretari i FSHF-së nxjerr zbuluar thashethemet e lëvizjeve të futbollistëve në periudhën dimërore

Ditë më parë, në një gazetë të përditshme sportive, sekretari i FSHF-së Ilir Shulku lëshonte një apel për federimet e reja në lëvizjet gjatë kësaj merkatoje dimërore. Kjo thirrje e tij bëhej edhe më evidente, pasi vetë Shulku pohonte faktin që nga skuadrat e Superiores nuk ka ende zyrtarizime. Pas saj, duke parë zyrtarizimin e afrimeve e largimeve, klubet dalin të zbuluar me deklarimet e janarit në merkaton e tyre, pasi deri tani vetëm një largim zyrtar është bërë, ai i Glendi Micit nga Flamurtari te Kukësi, e njëherësh, vetëm një largim zyrtar, ai i Arsid Krujës nga Vllaznia te Hajer Club në Arabinë Saudite. E kështu, duke i mbledhur të gjitha deklarimet e drejtuesve të skuadrave të Kategorisë Superiore në një tabelë përmbledhëse, dalin 87 emra futbollistësh që lëvizin sa në një skuadër në tjetër, sikur të themi se “laj-thaj” e këta janë. Pse? Sepse prej tyre vetëm 4 janë emra të rinj të thirrur rishtas për provë në skuadrat e tyre gjatë këtij muaji ku vetë fjala “merkato” duket e kuptuar në sensin: “… gënje, gënje se diçka do të mbetet”. Dhe këtë staturë e kanë marrë përsipër klubet e Superiores, të cilët të mbështetur verbërisht edhe nga mediat, sjellin e largojnë emra futbollistësh që i mendojnë t’i kenë në përbërjet e tyre. Të jetë kjo një “luftë e ftohtë” që bëhet nga këta aktorë të merkatos, të cilët nga ana e tyre duket se nuk e përfillin rregullin e FSHF-së për federimet, ku nëse ato nuk kryhen brenda 5 ditëve nga nënshkrimi i kontratave, mund të quhen të pavlefshme më vonë ose pranohen me penalitete. Parë nga ky këndvështrim, del qartë se thashethemet e merkatos janë më shumë driblime mediatike që bëhen ose nga skuadrat për interesa të tyre, ose nga gazetarët të cilët çfarë mund të dëgjojnë nëpër tavolina apo nga gojë të paautorizuara, e hedhin në rreshtat ditore të lajmeve të tyre. Shumë prej këtyre skuadrave kanë shtegtuar jashtë Shqipërisë për të bërë një minifazë përgatitore, madje edhe në kampingje stërvitore luksi që kërkojnë shpenzime financiare të kripura dhe të shtrenjta për skuadrat shqiptare të futbollit. Nga ana tjetër, ky pazar i ç’akorduar i mban të ngritura “frenat e dorës” në ecjen para të çdo skuadre, pasi në këtë hapësirë kohe që flitet për merkato, nuk kemi parë një klub futbolli që të ketë ndërtuar strategjinë e tij teknike dhe financiare për merkaton e sezonit, të paktën askush nuk e ka shpallur mediatikisht. Në Evropë, në këtë periudhë merkatoje shohim drejtues klubesh e skuadrash që publikojnë shifra që përfitohen nga shitjet, por deklarohen edhe shifrat e tjera që do të përdoren për blerjet e reja. Tek ne nuk ndodh kështu, ndaj nuk mund të pretendohet se kjo është një merkato cilësore, si për pjesën e futbollistëve, ashtu edhe në atë të trajnerëve që gjatë këtij dimri duket se po i lenë “rehat” në punën e tyre, ku deri tani vetëm Apolonia e vendit të fundit ka ndërruar bankinën. Në këtë vorbull që është krijuar kështu e hallakatur, kush mendon se kemi një merkato cilësore gjatë këtij dimri, gënjen vetëm vetveten. Ka shumë pikëpyetje për këta futbollistë e trajnerë që xhirojnë në këtë merkato, së pari: kur ata do t’i marrin pagat e tyre të prapambetura e pastaj ata le t’i mendojmë se do të jenë në gjendje për vazhdimësinë e mirë të tyre dhe të skuadrave. Së dyti, kur kemi të bëjmë me “limonë të shtrydhur”, apo me “xhaketa të kthyera”, nuk mund të presim kurs të ri me shoferë të vjetër. E së fundmi, kur duhen edhe 5 ditë që të rinisë Kampionati dhe 10 ditë deri në mbyllje të merkatos e jemi në limit të zyrtarizimit të lëvizjeve, gënjeshtrat që hidhen në tregun e lëvizjes së futbollistëve, ose duhen bërë realitet, ose duhen mohuar zyrtarisht. Në Europë dhe në Botë kështu ndodh, por ndoshta drejtues të skuadrave tona të Superiores po presin që Europa dhe Bota të marrë përvojë nga merkatoja shqiptare e futbollit!

DRIBLIMET NË MERKATO

Lëvizje: 87 emra (2 zyrtarë)

Të rinj: 4 emra (jo zyrtarë)   

Largime: 52 emra (1 zyrtar)

Afrime: 35 emra (1 zyrtar)

 

 

SKUADRAT NË MERKATO

KUKËSI

Larguar: J. Brahja, I. Periç, I. Bejte, I. Allmuça

Afruar: G. Mici (zyrtarisht), K. Tavera, R. Dushku, K. Stanlei, D. Stazhilla, N. Halili, K. Lushtaku

PARTIZANI

Larguar: A. Mustafa, I. Dishiev, R. Dushku

Afruar: D. Bylykbashi, G. Krasniqi

SKËNDERBEU

Larguar: A. Dimo, A. Ribaj, M. Soza

Afruar: A. Stojkov, L. Latifi

TIRANA

Larguar: F. Olaki, M. Kagere

Afruar: Gj. Muzaka, J. Sefa, K. Ristevski, F. Kahata

LAÇI

Larguar: J. Sefa, M. Memelli, E. Llani, M. Bilibashi

Afruar: A. Mitraj, A. Meto, R. Soza, A. Rexhepi, A. Mustafa

FLAMURTARI

Larguar: G. Mici (zyrtarisht), Gj. Muzaka,  A. Meto, G. Fortunat, G. Krasniqi, D. Mendez, L. Liçaj, A. Sakaj, G. Lika, Sh. Metaj, H. Begaj

Afruar: A. Hodza, B. Nikoliç, L. Maxhuni, V. Tomiç, A. Pepa

TEUTA

Larguar: F. Hasanbelliu, B. Pepa, Xh. Shabani, B. Krasniqi, F. Bardulla, M. Fall, M. Ulliri

Afruar: J. Brahja, B. Kuli, M. Çota, Sh. Stafa, F. Beqja

VLLAZNIA

Larguar: A. Kruja (zyrtarisht), R. Shala, E. Mehemdoviç, E. Mujkoviç, M. Ciofi, G. Aguirre

Afruar: F. Bardulla

ELBASANI

Larguar: D. Bylykbashi, S. Çela, M. Çota, E. Shazivari, M. Rodrigues, A. Tahirllari

Afruar: A. Çyrbja, B. Veseli, E. Papa

APOLONIA

Larguar: M. Canka, A. Mitraj, D. Dosti, A. Karakaçi, E. Xhafa, B. Erkoçeviç

Afruar: A. Dimo

NDESHJET

Ndeshjet-Java e 19-të

Datë 24 janar 2015

Vllaznia-Kukësi

Laçi-Partizani

Elbasani-Skënderbeu

Tirana-Apolonia

Flamurtari-Teuta

Renditja

Skuadrat             Nd     Pikë

1. Kukësi              18      38

2. Skënderbeu       18      36

3. Partizani            18      36

4. Tirana               18      35

5. Laçi                  18      27

6. Vllaznia             18      23

7. Flamurtari         18      22

8. Teuta                 18      16

9. Elbasani            18      9

10. Apolonia                   18      9

De Biazi: Jam “martuar” me një shqiptare……dua edhe nënshtetësinë

 Një intervistë interesante e trajnerit të Kombëtares Xhani De Biazi me tifozët Kuq e Zi, ku e ka mirëpritur ftesën e këtyre të fundit për t’i zhvilluar një intervistë disi ndryshe. Trajneri nuk ka ngurruar që tu përgjigjet pyetjeve që nga ardhja e tij në Shqipëri e deri tek dëshira e tij më e madhe sa i përket Shqipërisë.

 A është dashur shumë mund t’iu bindin për të pranuar ofertën për të marrë drejtimin e Shqipërisë?

Le të themi që ishte një eksperiencë që doja te bëja, ajo e trajnerit të një kombëtareje dhe mundësia e Federatës, më zuri pak në befasi. Në fillim isha pak i pasigurt se ç’ duhej të bëja, por pastaj u hodha në këtë “aventurë” të re me një entuziazëm të madh.

 Tifozët shqiptarë ishin më të shumtë në numër në ndeshjen kundër patriotëve të tu në Xhenova, u bëtë xheloz ?

Në Xhenova kemi treguar se për çfarë jemi te afte me një tifozeri fantastike dhe ajo çfarë më ka gëzuar më shumë është këndimi i te dy himneve nga tifozeria jonë. Kemi luajtur në shtëpi. Shumë bukur.

 A e ëndërroni Shqipërinë në Europian dhe një stadium i mbushur me tifozë shqiptarë?

Besoj se në rast se arrijmë të kualifikohemi për kampionatin europian, Shqipëria do ishte kombëtarja me më së shumti tifozë në Francë.

A dini ndonjë thirrje të tifozëve kuq e zi në stadium?

Po, tashmë besoj se kuptoj, mbase jo fjalë për fjalë, por sensin e sloganeve që ju këndoni në stadiume: “O sa mirë me qenë shqiptar!” Pastaj, “Shqipëri Etnike!” E ajo që mbase më pëlqen më shumë është: “Xhamadani vija-vija është Kosova është Shqipëria”.

Cila ka qenë ndeshja para të cilës nuk keni mundur te flini?

Fle gjithmonë pak në ditë të qeta, para çdo lloj ndeshjeje fle pak e rimendoj gjithçka që kemi studiuar e rishikoj atë që duhet të bëjmë të nesërmen.

Kush është urimi me i mirë që keni marrë pas një ndeshje?

Për mua gjëja më e bukur është të shoh skuadrën që shkon tek këndi i tifozerisë tonë, sepse e di sa shumë për zemër e kanë të dy palët realizimin e një ëndrre.

Për fund, mund të na e zbuloni një dëshirë tuajën?

Ah…e di çfarë do më pëlqente? Që miku im kryeministër të më jepte “Nënshtetësinë shqiptare”. Do isha me të vërtetë shumë krenar. Tek e fundit jam martuar me një shqiptare… Kombëtaren kuq e zi, ka 3 vite e pak.

FSHF fillon punën për përzgjedhjen e futbollistëve të rinj

 Një program i plotë i FSHF merr jetë për futbollistët e rinj e të talentuar të Shqipërisë, ku aktualisht po bëhen grumbullime në qytetet e Durrësit dhe të Tiranës për të fëmijë me vitin e lindjes në 1999. Sektori i Ekipeve Kombëtare në FSHF po e vazhdon këtë trajnim në bazë të programit të detajuar për të zbuluar fëmijë që duhet të investohet në sajë të talentit të tyre. Ky grumbullim do të vazhdojë deri në datën 29 janar, e sot përzgjedhja do të vazhdojë për qytetet e Fierit dhe të Korçës. Specialistët që po i përcjellin me shumë kujdes këta talente janë Altin Lala, Paolo Tramezzani, Xhani De Biazi, Redi Jupi, Bujar Kasmi dhe Xhemal Mustedanagic.