Agron KAJA/Kupa Kombëtare “Panajot Pano”, një trofe i munguar

477
Sigal

REAGIM/ Në futbollin shqiptar mungojnë Kupat për figurat e mëdha, FSHF-ja dhe biznesi qëndrojnë pasivë

Në këtë mot të nxehtë korriku kur shumëkush kërkon të relaksohet në plazhe apo në vende malore, futbolli shqiptar ndoshta do të kërkonte më shumë aktivitet në këtë periudhë ku skuadrat më shumë bëjnë merkato e faza përgatitore stërvitore, ndërsa pak prej tyre (dhe më vështirësi të mëdha) kapin ndonjë ndeshje miqësore brenda Shqipërisë, aq më pak ndonjë ndeshje jashtë saj. Kjo periudhë i ka “salduar” skuadrat në një program tip që nuk ndryshon, të paktën që pas vitit 1990, e kësisoj ato janë të “goditura” në përgatitjen e tyre sa nga moti i nxehtë, aq edhe nga mungesa e takimeve zyrtare që mund të luanin në këtë periudhë. Fjala është që kjo hapësirë kohore stërvitore të kishte në mesin e saj edhe ndonjë veprimtari zyrtare, p.sh një kupë federate, një kupë të një emri të madh në futbollin tonë, apo edhe një kupë që mund ta organizonte ndonjë kompani e madhe biznesi. Deri tani nuk ka ndodhur kështu, ndërsa shohim që në futbollin evropian forma të tilla kanë vite që praktikohen dhe ecin paralel me fazat përgatitore, me ndeshjet miqësore, me ndeshjet në Ligën e Kampioneve dhe në Europa Ligë. Skuadrat tona pak sukses kanë pasur në Europë, përjashtuar këtë sezon Skënderbeun e Kukësin, dhe koha e tyre është e bollshme që të marrin pjesë në veprimtari të tilla brenda harkut kohor stërvitor veror, pse jo edhe në atë dimëror. Dikur, në këto periudha kohore përgatitore, veç Kupës së Shqipërisë që starton tradicionalisht në muajin gusht apo në shtator, kishte edhe Kupa me emrin e gazetave, Kupë të datave historike, apo Kupë e kryeqytetit, dhe si do që e kishin emrin, ato kanë dhënë shtysat e tyre në ngritjen e nivelit të futbollit tonë në vitet kur ato janë organizuar, duke i mbajtur skuadrat në tonusin e ndeshjeve zyrtare. Dhe me këtë rast le të themi se një Kupë me emrin e Panajot Panos mund të ishte servirur në futbollin tonë, madje me akses pas Kupës së Shqipërisë. Në futbollin tonë pak futbollistë e kanë shkruar emrin e tyre si “Legjendë” dhe në mesin e kontributeve të emrave të shumtë që ka përcjellë topkëmba shqiptare, ndoshta nuk i është thënë shumëkujt ky epitet sportiv. Një legjendë duhet të jetë e gjallë edhe kur nuk jeton dhe emri i Panajot Panos duket se troket më fort në dyert e atyre që duhet ta mendojnë këtë dy herë: Së pari për ta mbajtur emrin e kësaj Legjende edhe më të gjallë e për ta respektuar më shumë futbollin e tij të madh, e së dyti, për t’i mbushur skuadrave kohën stërvitore me më shumë ndeshje të karakterit zyrtar. Këtë herë fjala është për ta ngritur më lart emrin e Panajot Panos, jo në nivele të ulëta të futbollit tone, ndërkohë që edhe një Kupë e Federatës Shqiptare të Futbollit do ta kishte të plotë këtë funksion, pasi edhe ajo mund ta mbulojë atë periudhë (verore ose dimërore) ku futbolli shqiptar zyrtarisht fle. Shqipëria nuk është vend tropikal apo nordik me temperatura verore të larta dhe me temperatura dimërore të ulëta që ta pengojë një kupë të tillë, aq më shumë një kupë të përvitshme në nderim të të madhit Panajot Pano. Pas vitit 1990 në futbollin shqiptar kanë lindur shumë organizime kupash lokale me emra futbollistësh dhe institucionesh, të cilat nuk janë brenda strukturave të FSHF-së dhe si të tilla ato nuk kanë shprehur vullnetin e institucionit shqiptar të futbollit dhe nuk mund ti sjellin këtij futbolli aromën zyrtare të munguar që nga muaji maj kur zyrtarisht mbyllet çdo sezon futbollistik. Nuk është vonë për të tilla veprimtari.

 E VETMJA KUPË KOMBËTARE

 Kupa e Republikës

 Kjo është Kupa e cila ka rezistuar që nga viti 1938, ku për herë të parë është fituar në nga skuadra e Tiranës. Organizatorë ishin drejtuesit e FSHF-së, institucion ky që atëherë ishte vullnetar dhe më pas, në vitet e diktaturës  filloi të varej nga shteti duke mos qenë një organizatë e pavarur. Dhe për rëndësinë e saj, Kupa e Shqipërisë vlerësohet në Evropë me pjesëmarrjen në Ligën e Europës.

 Kupa para vitit 1990         

 Kupa “Sporti Popullor”

Kupat me emrin e gazetave të ndryshme të kohës organizoheshin çdo vit, para fillimit të sezonit futbollistik. Në Kupën “Sporti Popullor” merrenin pjesë skuadrat e Kategorisë së Parë të ndara në dy grupe, ndërsa më pas, kupa të tilla u pasuan edhe nga gazeta të tjera të kohës si “Bashkimi”, “Puna”, “Mësuesi”, etj.

 Kupa e Kryeqytetit

Ka qënë kupa e vetme që organizonte FSHF-ja, në të cilën merrnin pjesë tre skuadrat nga kryeqytetit, Tirana, Partizani dhe Dinamo duke ftuar edhe një skuadër rrethi si Vllaznia, Elbasani, Teuta, etj. Kjo kupë zgjaste vetëm një ditë, sepse ndeshjet zhvilloheshin me eliminim me nga 30 minuta një pjesë loje.

 Kupa “11 Janari”

Kjo ishte më shumë një kupë që luhej në kryeqytet gjatë periudhës së dimrit, para datës 11 janar që përkonte me ditën e shpalljes së Republikës së Shqipërisë. Në të luanin vetëm tre skuadrat e Tiranës, ku edhe kjo zhvillohej në një ditë me ndeshje eliminimi me kohë të reduktuar loje (sot quhen triangolare).

 Kupa e Paqes

Ka qenë një kupë e veçantë dhe e përvitshme, e cila organizohej vetëm para fillimit të sezonit futbollistik. Organizatorë ishin drejtuesit e Komitetit për Mbrojtjen e Paqes dhe ngjyrat e kësaj kupe një ditore ishin më shumë politike se sa më përfitim profesional. Gjithsesi ishte një kupë e kohës.

 Juxhin Marra, në provë te Bauvais në Francë

 Futbollisti shqiptar, Juxhin Marra, është në provë te klubi francez, AS Bauvais-Oise. Mbrojtësi 19-vjeçar vjen nga Olimpiku i Tiranës, një skuadër që luan në Kategorinë e Dytë në vendin tonë, por që te klubi francez i kategorisë së katërt është duke lënë përshtypje të mirë. Vetë Mara tha për mediat franceze: “Për mua është një ëndërr dhe një privilegj që të jem në Francë. Objektivi im është të luaj në nivele më të larta sa të jetë e mundur”. Trajneri Alber Falete vlerëson: “Ai kishte bërë më parë një provë dy ditore përpara se të mbyllej sezon. Është një lojtar interesant. Ka treguar potencial, ka treguar shumë dëshirë, por varet nga ai sa do të zhvillohet. Pengesa e gjuhës është pak problem, por për fat të mirë ai flet anglisht dhe ka gjetur një ‘tutor’, një nga portierët tanë, i cili bën edhe përkthimet”.

 Henri Shiba firmos për Saron në Itali

 Ish-sulmuesi i Kombëtares U-21, Henri Shiba, firmosi me klubin italian Sora Kalço, i serisë D. Shqiptari 25-vjeçar (i lindur në Tiranë, më 16 mars 1988), jeton prej vitit 2003 në Itali dhe në karrierën e tij ka luajtur me Rexhinën e presidentit Foti, duke luajtur për tre sezone, madje është përfshirë dhe në grupin e lojtarëve që luajtën në Serinë A në sezonin 2006-2007. Shiba është aktivizuar edhe dy sezone me Kavezen (Seria C1), Çelanon, Barletën dhe së fundi në Serinë D me Ravenën (34 ndeshje dhe 13 gola) dhe Sanbenetesen (32 ndeshje dhe 14 gola). Sipas gazetës lokale të qytetit të Saros, Shiba konsiderohet një përforcim cilësor.

  Elvis Kabashi nënshkruan me Juventusin

 Futbollisti i ri shqiptar, Elvis Kabashi ka nënshkruar kontratë të rregullt me gjigantin Italian, Juventus pasi që më herët ishte vetëm si huazim. Në një transferim të dyfishtë, Juventusi ka blerë dyshen Kabashi-Rugani nga Empoli të cilët kanë impresionuar stinorin e kaluar në kategorinë e të rinjve siç njihet Primavera.

Mirëpo edhe pse 19-vjeçari tashmë zyrtarisht është futbollist i Juventusit ai pritet që të huazohet edhe për këtë edicion te Empoli për t’iu ndihmuar atyre në Serie B, ku edhe do të ketë hapësirë më të madhe për tu zhvilluar si lojtarë.