Agron Kaja: Kontigjenti ynë frenon synimet e larta

68

INTERVISTA/ Një ditë para startit të fazës së
tretë, flet për “Telegraf” trajneri i Vllaznisë Armando Cungu, i gatshëm për
sfidën me Tiranën


Në bashkëbisedimin e tij të parë me gazetën “Telegraf”, trajneri i Vllaznisë Armand Cungu, pranoi se skuadra që ai drejton nuk ka shumë elementë cilësorë, për shkak të merkatos. Por tekniku shkodran, deklaron se me këtë kontingjent, Vllaznia do të marrë më të mirën. “Dëshira është e madhe, por duke ditur kontingjentin që kemi, ne do të marrim më të mirën sa të jetë e mundur në kampionat, dhe deri në finalen e Kupës. Duke luftuar në të dy frontet me këtë kontingjent, do të jetë e vështirë të përballohet, të paktën fizikisht, por ne do bëjmë maksimumin, e këto do t’ia lemë kohës”, theksoi mes të tjerave trajneri i Vllaznisë Armand Cungu, i cili në këtë intervistë foli edhe për detaje të tjera për skuadrën që ai drejton.
Synimi për Vllazninë mbetet mbijetesa apo do të kërkoni një renditje më të mirë?
Unë e kam thënë shpesh për sa i përket synimit në këtë sezon, se me këtë kontingjent nuk kemi shumë lojtarë cilësorë. Do bëjmë maksimumin e mundur që të jemi në këtë vend (i gjashti), ndërkohë që ekipet e tjera janë përforcuar me 3-4 futbollistë të rinj.
Pas fazës përgatitore në Ulqin, cila është gjendja e Vllaznisë sot?
Në Ulqin ne zhvilluam një periudhë stërvitore jo të plotë dhe me këtë kontingjent që kemi aktualisht në skuadër, duke shtuar këtu edhe virozat e stinës e ndonjë dëmtim të vogël, do të thosha se kemi bërë më të mirën në këto rrethana.
Sa ka shërbyer kjo fazë përgatitore e shkurtuar për ju si trajner?
Unë besoj se na ka shërbyer për mirë, por jo aq sa e kisha parashikuar. Këtu na u bënë pengesë moti me reshje dëborë, njëherësh edhe mungesa e ndeshjeve miqësore. Në këto kushte ishim të detyruar që stërvitjen ta zhvillonim shpesh edhe në pallat sporti, të alternuar edhe me vrapime në dëborë.
Por ju, a zhvilluat edhe ndeshje miqësore gjatë kësaj periudhe përgatitore?
Një ndeshje normale zhvilluam vetëm me U19 të Vllaznisë, sepse situata e motit në Ulqin ishte shumë e rënduar. Kur shkuam ne aty, u larguan disa skuadra të huaja që kishin zhvilluar përgatitjet. Një fazë përgatitore që nuk u përmbush ashtu si do të donim nga klubi, sepse munguan ndeshje miqësore, pasi dihet mirë se vetëm në bazë të tyre bëhet plani stërvitor.
Në Ulqin, Vllaznia luajti edhe një ndeshje miqësore me një ekip aziatik, e cila nuk zgjati shumë minuta, pse?
Ne kërkuam një ndeshje miqësore, dhe na u paraqit një ekip aziatik, thoshin se ishin japonezë. E pranuam me kënaqësi, sepse na interesonte të luanim, por pas 10 minutave ajo u ndërpre. Në fakt e kërkova unë ndërprerjen e lojës, sepse kundërshtarët po luanin shumë rëndë. Unë i kërkova edhe stafit të tyre që të luanin si një ndeshje miqësore, por ata e rënduan situatën me ndërhyrje shumë më të rënda. Kështu që u detyruam ta ndërprisnim ndeshjen dhe vazhduam më pas me një takim kontrolli brenda skuadrës sonë.
Pas rikthimit në Shkodër, si kanë vijuar përgatitjet në skuadrën tuaj?
Kanë qenë normale në kontingjent, korrekte dhe në ritmin e duhur. Kemi luajtur edhe një ndeshje miqësore në Lezhë, ku do të thosha se fusha aty ishte shumë e dobët. Në të tilla kushte skuadra nuk motivohet në maksimum, e për pasojë prej saj kemi marrë pak nga sa mendonim.
Ditën e premte, ju luani me Kukësin ndeshjen e parë të fazës së tretë, si e keni përgatitur skuadrën?
E kam përgatitur si çdo trajner që të bëjnë më të mirën. Ekipi është në gjendje të mirë, pasi do të kemi përballë një kundërshtar që është i fortë e me ambicie për titullin kampion.
Do të keni mungesa në këtë sfidë?
Në fakt, Bardulla ka një tërheqje, ndërsa Kalaja ka të dëmtuar kaviljen dhe unë nuk mendoj se do të jenë të gatshëm ndaj Kukësit. Lajmi i mirë është për mbrojtësin Antonio Marku, pasi stafi mjekësor mendon se ai mund të jetë i gatshëm, ndonëse me rezerva.
Cilët janë problemet që e shqetësojnë aktualisht skuadrën e Vllaznisë?
Në përgjithësi, unë jam i kënaqur me skuadrën për atë çka ka dhënë në dy fazat e para të këtij kampionati. Nuk u mundësua një merkato e mirë në verë, ndërkohë që financat nga Bashkia kanë qenë korrekte, edhe pse ndonjëherë me pak vonesa.
Vllaznia është edhe çerekfinaliste e Kupës së Shqipërisë, e synoni finalen e këtij kompeticioni?
Dëshira është e madhe, por duke ditur kontingjentin, të marrim më të mirën sa të jetë e mundur deri në finale. Sepse duke luftuar në të dy frontet me këtë kontingjent, do të jetë e vështirë të përballohet, të paktën fizikisht. Do bëjmë maksimumin, e këto do t’ia lemë kohës.
Cilat skuadra ka Vllaznia si rivale në këtë pjesë të dytë të sezoni?
Të gjitha skuadrat poshtë vendit të katërt janë rivale me ne. Gjithsesi, futbollit shqiptar nuk i dihet, sepse janë edhe 18 javë për tu luajtur e mes tyre mund të ndodhin edhe ndryshime të tjera, të cilat ne do të dëshironim të ishin pozitive për Vllazninë.
Ju ka mbetur ndonjë merak për t’u përmirësuar deri në ndeshjen me Kukësin?
Tashmë nuk ka më kohë para ndeshjes me Kukësin, por deri në fundin e muajit janar që mbyllet merkatua, mbetet plotësimi i skuadrës me lojtarë më cilësorë. Kohë ka, por edhe kohë nuk ka.
Vllaznia nuk ka qenë shumë aktive në këtë merkato të janarit, cila është arsyeja?
Unë si trajner kam kërkuar me listë përforcimet me futbollistë nga kampionati shqiptar, sepse përforcimet janë detyrë e drejtuesve të klubit. Dy lëvizje kemi deri tani me futbollistë shqiptarë, por edhe një kongolez, për të cilin nuk besoj se do të jetë në ritmin e skuadrës.
Në fund të sezonit, në Kampionat dhe në Kupë, ku e mendon Vllazninë trajneri Cungu?
I lutemi Zotit dhe do të jemi të kënaqur që në Kampionat të jemi në këtë vend si aktualisht në dy fazat e para, ndërsa për Kupën, të shkojmë deri në finale. Si trajner, do të isha i gëzuar si të dilja kampion, edhe të qëndrojmë në renditjen aktuale.
Somario
Të gjitha skuadrat poshtë vendit të katërt janë rivale me ne. Gjithsesi, futbollit shqiptar nuk i dihet, sepse janë edhe 18 javë për t’u luajtur e mes tyre mund të ndodhin edhe ndryshime të tjera, të cilat ne do të deshironim të ishin pozitive për Vllazninë 
Boks
Kapiteni iKukësit, Hallaçi: Bëmë merkato cilësore
Për kapitenin e Kukësit, Rahman Hallaçi, merkatua e janarit në këtë skuadër ka qenë e studiuar e cilësore. Në deklarimin e tij dje gjatë veprimtarisë me FSHF-në, Hallaçi i quajti të mjaftueshme dy përforcimet me Rrumbullakun e Kale. “Ne, me këtë grup lojtarësh jemi pozicionuar në vendin e parë, që do të thotë se e ka bërë shumë mirë detyrën. Çdo skuadër ka nevojë për merkato dhe ne kemi bërë disa ndërhyrje, ku dy blerjet e reja, Rrumbullaku dhe Kale do ta ndihmojnë Kukësin. Për ndeshjen me Vllazninë, Duam me patjetër të paraqitemi sa më mirë në këtë fillim të fazës së tretë, në mënyrë që të jemi të gatshëm të rivalizojmë me këdo skuadër”.