Agron Kaja: Kombëtarja 2016, nga “parajsa” në “ferr”

487
Sigal

FOKUS/ Brenda një viti kalendarik, Shqipëria nuk ka qenë asnjëherë në këta tregues, me dritëhije të çuditshme!

 

 

Zakonisht, në një futboll me profesionistë, rezultatet vijnë në rritje, sidomos në Kombëtare ku luajnë futbollistët më të mirë të një kombi. Kështu ka ndodhur edhe me skuadrën tonë Kombëtare të futbollit, e cila gjatë vitit 2016 pati dritëhijet më të çuditshme në historinë e saj, që nga viti 1930 që është edhe dita e themelimit të FSHF-së. Pra, nëse themi se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2016 Kombëtarja shqiptare preku kulmin e historisë së futbollit tonë, duke marrë pjesë në ndeshjet në grupe në Kampionatin Evropian “Francë 2016”. Edhe pse me 1 fitore dhe 2 humbje, atje futbolli shqiptar tregoi vlerat aktuale, por  respektoi edhe historinë. Po pas qershorit 2016, ku është Kombëtarja jonë? Në ndeshjet eliminatore të “Botërori 2018”, ndoshta është një zhgënjim i asaj çka pamë në Evropian. Në katër ndeshjet e para në Grupin G, Shqipëria ka arritur 2 fitore dhe 2 humbje, me golavarazhin negativ 4-6, e renditur në vendin e katërt. Humbja në Shkodër 0-3 me Izraelin, ndoshta ishte një trokitje e fortë se kush jemi e çfarë duhet të luajmë. Dhe, duke parë gjithë historinë e futbollit tonë kombëtar që nga themelimi i FSHF-së në vitin 1930 dhe pranimin në FIFA në vitin 1932, Kombëtarja shqiptare e futbollit ka pasur shumë dritëhije në pjesëmarrjet e saj në 20 Kampionatet Botërorë që janë zhvilluar. Për vetë kushtet në të cilët ka kaluar Shqipëria, këto dritëhije kanë qenë të imponuara dhe të justifikuara për atë çka është arritur. Sepse në fillimet e Kampionateve Botërorë 1930-1962, Shqipëria ka kaluar dy periudha mes varfërisë e luftës, momente që nuk e bënin të mundur organizimin normal të Kombëtares për të konkuruar në grupet eliminatore. Vetëm në Botërorin e vitit 1966 që finalet i luajti në Angli, Kombëtarja e Shqipërisë njohu për së pari rrugën e ndeshjeve eliminatore në grupe. Fatkeqësisht mospjesëmarrjet do të ishin prezente edhe në Meksikë 1970 dhe Argjentinë 1978, për të cilat më shumë i faturohet sistemit komunist që Shqipëria përjetonte në ato vite, i cili në atë periudhë kishte vendosur që futbollin kombëtar ta mbante larg Europës dhe Botës së futbollit. Kështu, pas 8 kampionateve që nuk morri pjesë në periudhën 1930-1962, Shqipëria që nga Botërori 1982 që u zhvillua në Spanjë e deri në Botërorin e fundit që u zhvillua në Brazil në vitin 2014, ka luajtur sistematikisht ndeshjet në grup dhe në asnjë rast nuk është kualifikuar. Kjo është një histori me bilance negative për Kombëtaren tonë, ku në 94 ndeshje kualifikuese ka fituar vetëm 13, ka barazuar po 13 ndeshje dhe ka humbur në 68 të tjera me një golavarazh negativ 62:175. Por, sot ka ardhur koha që të mendohet ndryshe, jo për vendet e “salduara” në fundin e renditjes së çdo grupi ku kemi luajtur eliminatoret. Duke e parë këtë realitet kryesisht  në gjendjen e skuadrës sonë Kombëtare në Grupin I eliminator të “Euro 2016”, le të themi se kjo histori që në grupet eliminatorë në 11 Botërorët ku ka marrë pjesë është renditur në vendet e fundit apo të parafundit, sot po ndikon në progresivitetin real. Në Botërorin e 12-të që po merr pjesë, kjo Kombëtare nuk do të bëjë “Bingo” si në Evropian. Pra, këto janë dritëhijet e çuditshme që Kombëtarja jonë e futbollit kaloi gjatë vitit kalendarik 2016.

 

 

Somario

Pas qershorit 2016, Kombëtarja jonë në ndeshjet eliminatore të “Botërori 2018”, ndoshta është një zhgënjim i asaj çka pamë në Evropian. Në katër ndeshjet e para në Grupin G, Shqipëria ka arritur 2 fitore dhe 2 humbje, me golavarazhin negativ 4-6, e renditur në vendin e katërt. Humbja në Shkodër 0-3 me Izraelin, ndoshta ishte një trokitje e fortë se kush jemi e çfarë duhet të luajmë

 

 

Europiani 2016/ Grupi A

Skuadrat    Nd     P

1.Franca     3        7

2.Zvicra      3        5

3.Shqipëria 3        3

4.Rumania  3        1

 

 

Botërori 2018/Grupi G

Skuadrat    Nd     Pikë

1.Spanja     4        10

2.Italia        4        10

3.Izraeli       4        9

4.Shqipëria 4        6

5.Maqedoni 4        0

5.Litehshtei 4        0

 

 

 

 

LEGJIONARËT

Cikalleshi në stol, menaxherët mendojnë Austrinë

Edhe pse vetë Sokol Cikalleshi ka deklaruar nëpër mediat turke se nuk do të largohet nga skuadra e Bashakshehirit, por do të luftojë për të zënë një vend titullari, lajmet e merkatos së dimrit e zhvendosin atë në kampionatin austriak të futbollit. Nga dritëhijet e tij në këtë skuadër, kavajasi detyrohet që të pranojë largimin, pasi ai në këtë sezon e ka humbur vendin e titullarit. Por, si për ironi të Cikalleshit, skuadra e Bashakshehirit në këtë sezon i ka surprizuar të gjithë, pasi renditet në vendin e parë, çka do të thotë se po lufton për titullin kampion. Mungesa e aktivizimit gjatë këtij sezoni në kampionat, ka bërë që Cikalleshi të humbasë edhe vendin në Kombëtare. Trajneri De Biazi nuk e grumbulloi për ndeshjen ndaj Izraelit, duke i dhënë një sinjalin se kështu nuk rifitohet kombëtarja. Cikalleshi pëlqehet nga dy skuadra të Bundesligës austriake, por si zakonisht në këtë periudhë, emrat e tyre nuk bëhen publike.

 

 

 

Mavraj: Aspekti njerëzor më solli në Hamburg

Klubi i Hamburgut ka publikuar dje edhe intervistën e parë zyrtare të Mërgim Mavrajt si futbollist i klubit të Bundesligës pas firmës. Në këtë intervistë, ai ka treguar PSE-në e këtij transferimi, njëherësh edhe atë çka ai mendon të tregojë në këtë skuadër. “Ndryshimi i skuadrës për mua ishte një surprizë, por edhe për faktin se me Këlnin kontrata ime po përfundonte. Drejtuesit e Hamburgut, me të cilët jam takuar disa herë, shprehën interes për mua, dhe unë ndjeva kënaqësi që ata më vlerësuan. Hamburgu është një klub i madh, ka një skuadër të mirë që shumëkush nga futbollistët aktualë mund ta ketë edhe si një ëndërr për të qenë pjesë e kësaj skuadre. Aspekti njerëzor në vlerësim, më solli këtu në Hamburg”, kështu ka deklaruar dje Mavraj, i cili më pas ka thënë se është në pritje të rifillimit të ndeshjeve. “Njoh disa lojtarë të kësaj skuadre dhe dua që ndeshjet të vijnë shpejt, që të përshtatem me ta”.