Agron KAJA/ Futbolli sot, ky “kalë” i duruar!

444
Sigal

OPINION/ Në tregun mediatik sportiv më shumë i përvishen futbollit, nuk i përfillin sportet e tjerë

Duke parë shumë sport gjatë javës e në vazhdimësi, “live” dhe nëpërmjet ekranit të televizionit, njëherësh edhe duke lexuar e dëgjuar opinione nga më të ndryshmet që sjellin në tregun mediatik kolegë gazetarë e analistë të ndryshëm, lehtësisht dalloj njëanshmërinë prioritare që i bëhet futbollit krahasuar me sportet e tjera. Thuajse të gjithë në TV flasin për futbollin, madje ka edhe ndonjë rast kur gazetari merr statusin e specialistit, edhe pse kur e dëgjon po e lexon, e kupton qartë se vetë ai teknikisht mund të jetë larg me të, sa janë mes tyre dy polet e Tokës. Nga ky këndvështrim, të krijohet përshtypja se kritikët e ndryshëm e duan vërtet këtë futboll, dhe ngaqë e duan kaq shumë, të gjithë i bien atij në të mirë e në të keq, ndërsa për sportet e tjera, kryesisht për ato individuale, shumë syresh shfaqen vetëm kur atje ka rezultate të larta dhe jo kur këto sporte kanë nevojë për mbështetjen që ky treg mediatik duhet t’u japë atyre në mënyrë periodike. Asnjëherë nuk ka ndodhur që në tregun mediatik shumësportet shqiptare të trajtohen në vlerat e tyre reale, edhe kur kishim dikur një TV sportiv, duke përjashtuar ndonjë rast me pikatore në ekranin e ndonjë TV-je, por gjithmonë për tí “ledhatuar” rezultatet e tyre. Pra, vetëm atij, futbollit i bien të gjithë, e prandaj e krahasoj futbollin me një kalë të fortë që është duke duruar. Në këtë krahasim nuk bëhet fjalë për atë sërë gazetarësh të nderuar, të cilët me profesionalizmin e seriozitetin e tyre ndër vite, e kanë treguar veten se çfarë dinë të bëjnë në shërbim të të gjitha sporteve në vendin tonë, por fjala është për ata kolegë, të cilët nga pozicioni që kanë në redaksi gazetash, në radio apo televizione, i turren futbollit me të gjithë arsenalin e paditurisë. Nuk është e ndaluar që të shkruash e të flasësh në tregun mediatik sportiv kur të kërkohet nga redaksia një sinkron apo një paragraf, por që të dish ta drejtosh objektivin atje ku duhet, ky është misioni që duhet të kemi ne në këtë treg kaq të ashpër, e shpesh të padrejtë në trajtimin që u bëhet gazetarëve të veçantë. Se ja, u fol gjatë në javën e kaluar për kampionin e Europës në Peshëngritje, Erkand Qerimajn e Daniel Godellin pas tij, po cili nga kolegët gazetarë ka shkuar njëherë te Erkandi kur ai ishte goditur padrejtësisht dhe tí jepte atij moralin njerëzor e sportiv? Cili prej tyre e ka njohurinë profesionale që të thotë gjysmë fjale për çiklistin Eugert Zhupa, të cilin në çiklizmin italian po e quajnë një “Shqiponjë” apo edhe “Luftëtar” me arritjet që ai ka kapur. Kush flet sot për atleten Luiza Gega se ku dhe si stërvitet, kush flet sot në këtë treg mediatik sportiv në Shqipëri se ku dhe si stërviten kampionë në mundje si Sahit Prizreni apo Elis Guri? Ku është qitja shqiptare sot, sa poligone qitjeje kishim para viteve’90-të e kur atëherë kishim qitës edhe Kampionë Europe dhe ku janë ata sot? E vështirë të mbash mënd një trajtim të tillë edhe për sporte të tjerë dhe po të vazhdojmë kështu, pyetjen “Ku” mund ta vendosim për shumë sporte e sportistë të tjerë të sporteve individuale, madje edhe për sportet e tjerë kolektivë si basketbolli e volejbolli, ku me këtë të fundit dekada më parë kemi tronditur edhe Europën me rezultatet që janë arritur. Ku janë sot këto sporte krahasuar me të kaluarën, kush shkruan e kush flet sot për to në tregun mediatik sportiv, sikundër flitet e shkruhet për futbollin? Rrallë, dhe kjo ndodh vetëm në disa faqe të cunguara në gazetat sportive, të cilat e quajnë atë si një faqe shumësportësh, por më shumë e mbushin me shumësportëshin e huaj. Dhe për këtë e meritojnë një “mirë”, por jo të gjithën. E pra, ky është këndvështrimi në tregun mediatik sportiv sot: shkruhet e flitet më shumë për futbollin, se vetë ai është një sport popullor që “merr me vete” të diturin e të paditurin, vetëm se të dy udhëtojnë në njëjtën rrugë. Ndodh kështu se thonë që lexohet, shikohet e dëgjohet vetëm futbolli, i cili mbetet marketingu kryesor në median sportive shqiptare. Dakord, por kështu njëherësh injorohet pjesa tjetër sportive, kjo nëpërmjet paditurisë dhe injorancës profesionale. Futbollin e shohim dhe e prekim më shumë në raport me sportet e tjerë, por kur këta janë të “fshehur” në media, mendo se çfarë do të mësojë për rrugën e Erkandit, Danielit e Romelës një qytetar në Sarandë a në Tropojë. E kësisoj, ndoshta ka ardhur koha që rehabilitimi i disa sporteve të zvenitur në dekadat e fundit të vinte edhe nëpërmjet kontributit mediatik sportiv. Çfarë ju kanë bërë sportet e tjerë që i keni injoruar me trajtimin që ju bëni? Përgjigjen e ka dhënë futbolli!