Agron KAJA/ Fushata dhe Franca, dy F-të që s’bashkohen sot!

45
Nëse do t’i referohemi situatës aktuale politike në Shqipëri dhe njëherësh, nëse atë do të kërkojmë ta përafrojmë krahasimisht me tërkuzën që UEFA është duke e zgjatur me vendimin e saj për ngjarjen e Beogradit në ndeshjen e ndërprerë Shqipëri-Sërbi, ndoshta do të ishte një moment sa sportiv aq edhe jetik. Kësisoj, muaji qershor 2015 në historinë e popullit tonë po veçon dy data për t’u parë si të tilla, të cilat në hapësirat që mbulojnë dhe për vetë rëndësinë që ato kanë, mund të quhen edhe historike. Së pari, është 13 qershori, dita kur skuadra jonë Kombëtare e futbollit do të luajë kundër Francës, një ndeshje luksi ndaj një skuadre të madhe në futbollin europian dhe në atë botëror, me 90 minutshin e së cilës do të jetë një kolaudim i formacionit kuqezi në vazhdimësinë e ndeshjeve eliminatore të “Euro 2016”. Ndërsa data e dytë është 21 qershori, dita kur do të zhvillohen zgjedhjet e reja lokale mbi bazën e hartës së re Administrative, për të cilën radhët e këtij komenti janë të kufizuara. Por, nëse gjatë këtyre ditëve dëgjuam premtime e fjalë se çfarë s’do të bëhet prej tyre pas 21 qershorit 2015, asnjëra nga këto parti politike të përfshira në fushatën elektorale nuk e ka patur në axhendë ndeshjen me Francën, qoftë edhe për ta cekur atë si një datë, më pas si ndeshje ku Kombëtarja jonë kërkon të pasurojë historinë me një ndeshje luksi. Politika shqiptare duke mbyllur sytë para një ngjarjeje kaq madhore të veçantë për topkëmbën tonë, natyrisht që futbollin tonë kombëtar e fyen, sepse kjo ndeshje me Francën është më e rëndësishme për kombin tonë se sa ajo e Champions Leauge ku Barcelona u shpall kampion Europe dhe u ndoq mediatikisht nga personalitete të vendit e të politikës shqiptare, pavarësisht se në këtë periudhë janë në fushatë elektorale. Duke e ndjekur në ritmikën e saj këtë fushatë elektorale për zgjedhjet e reja lokale në vendin tonë, nuk është dëgjuar nga goja e politikanëve qendrorë e lokalë që të thonë një fjalë për ndeshjen e 13 qershorit me Francën, e cila midis të tjerave ka edhe ngjarjen e ditës: trajneri De Biazi për herë të parë në karrierën e tij në Kombëtaren shqiptare, do ta drejtojë atë me pasaportën shqiptare në xhepin e tij. Të jetë kjo një “tallava” e radhës nga të gjitha ekstremet e politikës, këtë deri tani na duhet ta besojmë, por pse kjo lojë “symbyllazi” për Kombëtaren e futbollit tonë, e cila në edicionin e “Evropianit 2016” po tregon se ëndrra për një përfaqësim në këtë event futbollistik duket se po del nga sirtari që qëndron i mbyllur në historinë 95 vjeçare të futbollit tonë, këtë “PSE” po e cekim në këto radhë. Duke e parë këtë qëndrim indiferent elektoral edhe në këndvështrimin qytetar sportiv, pse të mos themi se partitë politike shqiptare dhe kandidatët e tyre (kryesisht në Tiranë) po tregohen aguridhë në fushatën e tyre elektorale. Duke kërkuar më shumë shou në skena dhe duke bërë më shumë “bla bla bla” të tipit premtues në tribuna e lëndina dhe duke e nënvleftësuar ndeshjen me Francën, politikanët po i venë stërkëmbësh ekipit tonë kuqezi. Kjo strategji elektorale e tyre nuk mund të paragjykohet në aspektin politik, por në aspektin kombëtar sportiv, duke qenë se 13 qershori si datë që do të luajmë me Francën është më parë 21 qershori që do të zhvillohen zgjedhjet lokale, i jep të drejtën çdo shqiptari që e ndjen kombëtaren e tij, të mendojë ndryshe. Dje u publikua edhe një lajm sportiv që ka lidhje me Kombëtaren tonë në vazhdimësinë e “Euro 2016”. KAS-i e shtyu për në datën 10 korrik vendimin për ndeshjen e ndërprerë më 14 tetor 2014, Serbi-Shqipëri, por edhe për këtë politika shqiptare nuk gjeti ndonjë paragraf për ta cekur, se në fund të fundit ata lojtarë të Kombëtares dhe ata që e shohin atë, janë shqiptarë që do të votojnë më 21 qershor 2015. Kësisoj, Kombëtarja jonë e futbollit duket si një kozmetikë për klasën tonë politike, si një “Hirushe” ku ata duhet të duken më shumë se sa kombëtarë ndaj saj gjatë 90 minutave të ndeshjes, madje për të na përmalluar edhe më shumë ne si popull, do na shfaqen me ndonjë shall kuqezi në qafë. Kaq është për këtë politikë kjo Kombëtare, e cila sot për sot, me De Biazin trajner dhe me mbështetjen serioze e profesionale të FSHF-së, po bën gjithçka që historia e topkëmbës sonë kombëtare të ndryshojë për mirë. Kombëtarja nuk ka nevojë vetëm në ato 90 minuta lojë, pasi aty më shumë do të luajë skuadra me taktikat e trajnerit. E nevojshme është edhe mbështetja para ndeshjes, një element mëse i domosdoshëm sportive, por në fund të fundit, çdo shqiptar, çdo politikan e shtetar që e ndjen veten shqiptar edhe në fushën e lojës, këtë duhet ta kishte bërë si një detyrim ndaj Kombit. Edhe pse ne mund të flasim më gjatë këtu në gazetën “Telegraf” për tregues të politikës sonë elektorale në aspektin sportiv, ajo nuk ka kohë që ta riparojë këtë mangësi sepse sot në ora 18:00 në “Elbasan Arena” do të luhen 90 minutat anti-Francë, ndeshje e cila nuk është vetëm detyrim i FSHF-së! 

Sot ka “xixa” në Kopenhagen
Në kuadrin e ndeshjeve eliminatore të “Euro 2016”, në Grupin I eliminator sot luhen dy ndeshje të rëndësishme sa i përket vazhdimësisë së renditjes. Në Danimarkë do të luajë Serbia, ku nëse do të ketë një rezultat pozitiv për serbët, qoftë edhe barazim, mundet që skuadra jonë Kombëtare të mos përfitojë të drejtën e saj ligjore për ndeshjen e ndërprerë në Beograd më 14 tetor 2014, Serbi-Shqipëri. Fitorja e Danimarkës e nxjerr tërësisht jashtë loje Serbinë për një synim në vendin e tretë në grup, duke i hapur njëherësh rrugën Kombëtares sonë për marrjen e tri pikëve nga KAS-i në datën 10 korrik. Ndërkohë edhe në Armeni nuk do të jetë e lehtë përballja e Portugalisë, e cila kryeson Grupin I me 9 pikë. Edhe armenët janë në një këndvështrim për vendin e tretë në grup që të çon në ndeshje play-off për në Evropian, çka e bën këtë sfidë interesante. Nga këto rezultate do të marrë më shumë “zjarr” ndeshja e Kombëtares sonë kundër Danimarkës, e cila do të luhet në datën 4 shtator 2015 në Kopenhagen.

“EURO 2016”
GRUPI I ELIMINATOR
Ndeshje të luajtura
7 shtator 2014
Danimarkë-Armeni 2-1
Portugali-Shqipëri 0-1
Balaj 52’
Serbi-Francë 1-1
11 tetor 2014
Armeni-Serbi 1-1
Shqipëri-Danimarkë 1-1
Lenjani 38’/ Vibe 81’
Francë-Portugali 2-1
14 tetor 2014
Serbi-Shqipëri 3-0
(Rezutat i kontestuar)
Danimarkë-Portugali 0-1
Armeni-Francë 0-3
14 nëntor 2014
Portugali-Armeni 1-0
Serbi-Danimarkë 1-3
Francë-Shqipëri 1-1
Griezman 73’/ Mavraj 41’
28 mars 2015
Shqipëri-Armeni 2-1
Mavraj 77’, Gashi 81’/ Mavraj (aut) 4’
Portugali-Serbi 2-1
Danimarkë-Francë 2-0
13 qershor 2015
Shqipëri-Francë 18:00
Arbitër: Halis Özkahya (Turqi)
Stadiumi: Elbasan Arena
Armeni-Portugali 18:00
Danimarkë-Serbi 20:45
(Sqarim: Ndeshjet e Francës
janë miqësore, nuk pikëzohen)
RENDITJA/ GRUPI I
Skuadrat Nd Pikë
1. Portugalia 4 9
2. Danimarka 4 7
3. Shqipëria 4 7
4. Serbia 4 1
5. Armenia 4 1
Ndeshjet e mbetura të Shqipërisë
4 shtator 2015
Danimarkë-Shqipëri 20:45
7 shtator 2015
Shqipëri-Portugali 20:45
8 tetor 2015
Shqipëri-Serbi 20:45
11 tetor 2015
Armeni-Shqipëri 18:00
PËRBALLJET ME FRANCËN
17.11.1990/ Kamp. Europian
Shqipëri-Francë 0-1
30.03.1991/ Kamp. Europian
Francë-Shqipëri 5-0
02.09.2011/ Kamp. Europian
Shqipëri-Francë 1-2
07.10.2011/ Kamp. Europian
Francë-Shqipëri 3-1
14.11.2014/ Miqësore
Francë-Shqipëri 1-1
BILANCI: Nd 5, F 0, B 1, H 4, Golat 2:12
HISTORI / SHQIPËRIA
Takimi i parë ndërkombëtar
Në Tiranë, 7 tetor 1946 
Shqipëri-Jugosllavi 2-3
Fitorja më e thellë
Në Bastia H, Itali, 12 shkurt 2003
Shqipëri-Vietnam 5-0
Humbja më e thellë
Në Budapest, 24 shtator 1950
Hungari-Shqipëri 12-0
Takimi i fundit ndërkombëtar
Në Tiranë, 28 mars 2015 
Shqipëri-Armeni 2-1
HISTORI / FRANCA
Takimi i parë ndërkombëtar
Në Bruksel, 1 maj 1904
Belgjikë-Francë 3-3
Fitorja më e thellë
Në Okser, 6 shtator 1995
Francë-Azerbajxhan 10-0
Humbja më e thellë
Në Londër, 22 tetor 1908
Danimarkë-Francë 17-1
Takimi i fundit ndërkombëtar
Në Paris, 7 qershor 2015
Francë-Belgjikë 3-4
HIMNI “EURO 2016”
Këndon francezi David Gueta
Duke qenë se Euro 2016 do të zhvillohet në Francë, edhe këngëtari është përzgjedhur nga ky vend. Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e UEFA-s duke qartësuar se këngëtari francez David Gueta do të jetë ai që do të këndojë himnin e “Euro 2016”. Institucioni i futbollit në Evropë i’a ka besuar këngën e Kampionatit Evropian francezit Gueta, e cila pritet të jetë e zhanrit “dance”, ndërkohë që në vazhdimësi do të mësohen edhe detaje të tjera rreth saj. Gueta do të përformojë në ceremoninë e hapjes së Botërorit në Francë në datën 10 qershor 2016.
FRANCA
“Gjelat” në Tiranë dy ditë para ndeshjes, mungon Benzema
Skuadra e Francës duket se e ka vlerësuar në maksimum ndeshjen e sotme me skuadrën tonë Kombëtare. Të enjten pasdite “Gjelat” zbarkuan në Rinas, ndryshe nga guidat e zakonshme që shkojnë në transfertë një ditë para ndeshjes. Duke qenë skuadra e vendit organizator të “Euro 2016”, Franca zhvillon vetëm ndeshje miqësore në Grupin I ku bën pjesë edhe skuadra jonë, e cila deri tani ka luajtu5 ndeshje dhe ka arritur 2 barazime 2 fitore dhe 1 humbje, me golavarazhin 7-5, por rezultatet e saj nuk pikëzohen dhe ajo nuk renditet në grup. Nisur nga kjo gjendje aspak në synimet e kësaj skuadre për Evropianin, trajneri Deshamp ka grumbulluar për ndeshjen me Shqipërinë të gjithë titullarët e saj të zakonshëm, edhe pse dihet që shumica e futbollistëve vijnë pas sezoneve me ndeshje të shumta kampionati, kupe, Champions, Europa Ligë, etj. Por, te skuadra franceze do të mungojë sulmuesi kryesor Karim Benzema, i cili e mbylli këtë sezon me një ngarkesë të lartë te Reali i Madridit. Te enjten selfie në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, kryesisht me Pol Pogba e Patris Evra, si dhe stërvitje me dyer të mbyllura në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, kjo ishte axhenda e parë e skuadrës franceze. Ndërsa dje trajneri Deshamp përveç stërvitjes kishte menduar edhe një konferencë për mediat, ku midis të tjerave gjatë saj tregoi edhe synimin final për ndeshjen e sotme, vetëm fitore. Logjikës së synimit të teknikut francez i bashkangjiten edhe parashikimet e kompanive të basteve sportive, ku ato më në zë në Europë e në Botë e kuotonin me koefiçient të ulët fitoren e Francës, deri në 1.45 (fitore e francezëve), barazimi kuptohej deri në 3.04, ndërkohë që fitorja e kombëtares sonë kapte koefiçientë të lartë, deri në 5.50 (që do të thotë se Shqipëria është larg fitores në këtë përballje). Dhe në këtë hapësirë përgatitore, në Elbasan që nga dita e djeshme u përcaktuan edhe masat e policisë, ku së pari tifozët janë të detyruar të hyjnë në stadium 2 orë para fillimit të ndeshjes. Sikundër edhe në ndeshje të tjera që janë luajtur në “Elbasan Arena”, sot janë angazhuar një numër i madh i forcave të policisë për mbarëvajtjen e rendit para-gjatë-pas ndeshjes. Nga ana e tij trajneri Deshamp e qartësoi edhe formacionin që do të hedhë sot në fushën e lojës në orën 18:00 në “Elbasan Arena”, ku me renditjen taktike 1-4-4-2 Loris do të jetë në portë, në mbrojtje Varane, Sakho, Zhaliet dhe Evra, në mesfushë Payet, Sisoko, Pogba dhe Fekir, në sulm do të luajnë Griezman dhe Lakazate.
Federata Shqiptare e Futbollit
Viti themelimit: 1930
Pranuar në FIFA: 1932
Pranuar në UEFA: 1954
President: Armand Duka
Trajner i Kombëtares: Xhani De Biazi
Kapiten i Kombëtares: Lorik Cana
Stadiumi: “Elbasan Arena”
Kapaciteti: 12.500 vende
Federata Franceze e Futbollit
Viti themelimit: 1919
Pranuar në UEFA: 1954
President: Noël lë Graët
Trajner i Kombëtares: Didier Deshamp
Kapiten i Kombëtares: Hugo Loris
Stadiumi: Stade de France
Kapaciteti: 81.338 vende
RREGULLORJA “EURO 2016”
Tetë prej nëntë Kombëtareve që pozicionohen në vendin e tretë të grupit, do të marrin pjesë në fazën “play-off”. Pas hedhjes së shortit dhe përcaktimit të çifteve, në përballjen mes tyre do dalin edhe katër skuadrat fituese që do të sigurojnë kualifikimin për në Europian. Ndërkohë që, kombëtarja e cila është pozicionuar e treta, por ka grumbulluar më tepër pikë se të tjerat, nuk do të ketë nevojë për të marrë pjesë në “play-off”, pasi kualifikohet menjëherë. Por, për të qenë e treta më e mirë, nuk llogariten të gjitha ndeshjet. Saktësisht, për grupet që kanë gjashtë ekipe, pikët që skuadra e vendit të tretë ka marrë me atë të fundit, do zerohen. Shqipëria “konkuron” me pikë të plota, për shkak se është në të vetmin grup me pesë ekipe, ku merr pjesë edhe Franca, por si vend organizator i kompeticionit ndeshjet kundër saj janë miqësore. Aktualisht kuqezinjtë kryesojnë në garën për të tretën më të mirë me shtatë pikë, po aq sa Skocia dhe Hungaria. Këto të fundit kanë marrë më tepër pikë në grupet respektive, por që u janë zbritur ato kundër ekipit më të dobët. Në rast barazimi të pikëve, hyn në fuqi golavarazhi i ekipeve. Momentalisht, ky element e penalizon skuadrën e De Biazit, për shkak të humbjes 0-3 ndaj Serbisë, si dënim i UEFA-s. Gjithashtu, edhe në rast barazimi të golavarazhit, diferencën e bën sasia e golave të shënuar.