Agron KAJA/ Europa “viktimizoi” Botërorin

40

OPINION/ Ja pse u eliminuan që në grupe disa nga skuadrat e mëdha të kontinentit tonë

Pas 15 ditëve të nxehta e të shoqëruara me futboll, janë mbyllur 48 ndeshjet në 8 grupet kualifikuese të “Botërori 2014”. Dhe gjëja e parë që reflekton dukshëm pas këtyre ndeshjeve, është eliminimi i skuadrave të mëdha evropiane si Spanja, Anglia dhe Italia, të cilat së bashku kanë fituar 6 Botërorë në 19 që janë zhvilluar, pa marrë parasysh Botërorin që po zhvillohet, “Brazil 2014”. Dhe nëse do të bashkonim njëherësh edhe eliminimin e Portugalisë, Rusisë, Kroacisë e Bosnje Hercegovinës, në total nga 13 skuadra evropiane që morën pjesë në këto ndeshje në grupe, 60% e tyre u eliminuan (7 skuadra) e 40% (56 skuadra) u kualifikuan për 1/8 e finaleve. Ky ishte njëri nga treguesit negativë që u shfaq realisht në ndeshjet në grupe, ku më pas, bukuria e futbollit në Botëror do të ketë shumë pak aromë futbolli evropian. Gjithsesi, duke parë më vëmendje edhe disa dukuri të tjera që u evidentuan nga skuadrat e eliminuara, konstatimi i parë është se ato shfaqën mangësi të trashëguara nga sezonet në shtetet ku luajnë futbollistët, nga stilet e drejtimit të trajnerëve të kombëtareve, që sillnin njëherësh edhe nivele të ndryshme të futbollit nga njeri kontinent në tjetrin.

Skuadrat e mëdha

Duke qëndruar fillimisht në dukuritë negative të skuadrave evropiane, duhet thënë se ato më shumë janë penalizuar nga ngarkesa e madhe fizike që kanë marrë futbollistët e tyre në kampionatet e shteteve ku luajnë. Kështu, Spanja, Anglia e Italia që kanë përvojë të madhe edhe prej fituesi në Botërorë, gjatë sezonit futbollistik 2013-2014 i shfrytëzuan keq futbollistët në 38-40 ndeshje Kampionati, në 6-10 ndeshje Kupe, në 8-12 ndeshje të Ligës së Kampioneve apo të Europa Ligë, e më pas, po këta futbollistë ju nënshtruan edhe ndeshjeve me Kombëtaret e tyre, që në total, ishin 10-12 të tilla (zyrtare e miqësore). Në total, një futbollist mund të ketë luajtur mesatarisht 55-60 ndeshje dhe duke parë këtë mbingarkesë sezonale, skuadrat evropiane patën në shërbimin e tyre jo më shumë se 50% të vlerave të futbollistëve. Kjo nuk ndodhi me Gjermaninë, pasi në këtë vend me futboll të madh, ekonomizimi i vlerave të futbollistëve ka qenë ritmik në raport edhe me kombëtaret, e njëherësh në kombëtaren gjermane bazë ishin futbollistët që luajnë në kampionatin e tyre. Ndoshta kështu mund të thuhet edhe për Belgjikën, ndërsa për Holandën treguesi më pozitiv i kualifikimit ishte forca e grupit, edhe pse jo në nivele të larta, por edhe pse në kampionatet e tyre nuk ka ndeshje të shumta dhe me ngarkesë sikundër në Spanjë, Angli e Itali. Ndërkohë që te Portugalia, e cila në përbërje ka futbollistë që luajnë me skuadrat më të mëdha në Europë, kjo dukuri ishte plotësisht evidente, madje që në ndeshjen e parë kundër Gjermanisë.

Lojtarët e mëdhenj

Duke e vazhduar këtë mangësi tek emrat e përveçëm të futbollistëve të quajtur të mëdhenj, duhet thënë se ata ishin viktimë e kampionateve të tyre, çka bëri që fizikisht të kishin një nivel deri në 60%, ndërsa nga ana psikologjike kjo ngarkesë e uli kurbën e përballimit të plotë nga ana e tyre. Kështu ndodhi me Kristiano Ronaldon e Portugalisë, i cili edhe pse vinte me statusin e futbollistit më të mirë në Botë, te Reali i Madridit kishte dhënë gjithçka nga mundësitë fizike të tij, për të mos dhënë më shumë se 1 gol në tre ndeshje. Në Botëror, ai u shfaq nën nivelin e një futbollisti mesatar, e po kështu ndodhi me Balotelin te Italia, me Runin te Anglia, apo me Iniestën e Torresin te Spanja. Dhe për ta përforcuar këtë dukuri, në një formë të dobët u paraqitën edhe Kavani me Luis Suaresin te Uruguai, edhe pse skuadra e tyre u kualifikua. Nuk u shfaq kjo dukuri te futbollistët e Holandës e Gjermanisë, pasi jo vetëm bashkëpunimi i mirë i grupit, por edhe forma fizike e tyre ishte normale, si rezultat i konstatimit të mësipërm tek skuadrat. Parë në përgjithësi, tek të gjitha skuadrat e eliminuara, ky ishte një dështim edhe për futbollistët e mëdhenj që ato kishin në përbërjet e tyre.

Trajnerët e eliminuar

Skemat dhe idetë e trajnerëve që drejtuan skuadrat evropiane të eliminuara në ndeshjet e grupeve, ndoshta nuk u përshtatën mirë me gjendjen reale të futbollistëve, të cilët erdhën fizikisht të lodhur, për arsyet e analizuara më sipër. Prej këtyre trajnerëve nuk u arrit përshtatja e vlerave të futbollistëve në fushën e lojës, për atë nivel fizik që ata kishin realisht. Dukshëm u pas se trajnerët kërkonin maksimumin në fushën e lojës nga lojtarët e tyre, çka solli për pasojë dëmtimet e shpeshta, në ndonjë rast solli edhe kartonë. Të gjithë këta trajnerë tashmë të eliminuar, skemat e tyre i mbështetën tek lojtarë të veçantë, e që për këto arsye ata i zhgënjyen. Pra, trajnerët nuk u mbështetën tek realiteti i skuadrave, por tek idetë e skemat e tyre, të cilat kësisoj i nxorën jashtë loje. Shumë nga këta trajnerë nuk i njohën në tërësi formën fizike të lojtarëve, njëherësh edhe anën psikologjike të tyre, e cila është e lidhur ngushtë me formën fizike në përballimin e ndeshjeve.

Skuadrat amerikane

Pse skuadrat e Amerikës në total (Veriu, Qendrore e Jugu) u kualifikuan 80% (8 skuadra) dhe u eliminuan 20% (2 skuadra)? Konstatimi i parë është se këto skuadra nuk u mbështetën vetëm tek futbollistët e tyre që luajnë në Europë, edhe pse Nejmar te Brazili e Mesi te Argjentina u bënë protagonistë të kualifikimeve dhe bënë diferencën. Por, çfarë mund të thuhet ndryshe për Meksikën, Kolumbinë, Kilin, Kosta Rikën e Uruguain, ku si bazë e suksesit të tyre ishte forma e mirë fizike e lojtarëve në grup, tregues që nga trajnerët respektivë u shfrytëzua me zgjuarsi. Një element jo pak i rëndësishëm te Brazili, Argjentina e te skuadrat e tjera amerikane, ishte prania më e madhe e tifozerive të tyre, ndoshta kjo edhe nga afërsia e tyre gjeografike me Brazilin ku luhen ndeshjen e këtij Botërori të 20-të.

Skuadrat e tjera

Nga Azia dhe Oqeania, nuk mundi të kualifikohej asnjë skuadër, madje duhet thënë se këto skuadra luajtën ndeshjet më të dobëta në grupe. Kjo gjendje tregoi nivelin e dobët që kanë këto kontinente në futbollin e tyre, por edhe pamundësinë e përzgjedhjes më të plotë të trajnerëve seleksionerë që drejtuan në Botërorin “Brazil 2014” skuadrat e këtij kontinenti. Ndryshe ndodhi me skuadrat e Afrikës, nga të cilat 70% (3 skuadra) u kualifikuan, ndërsa 30% (2 skuadra) u eliminuan. Këtu, veç faktorëve të mësipërm që u shfaqën te skuadrat evropiane, ka ndikuar edhe niveli i dobët i futbollit në vendet e tyre, njëherësh edhe niveli i ulët ekonomik që këto shtete trashëgojnë aktualisht. Përmbledhur në këto radhë, ky Botëror duket më larg Europës, edhe pse aty janë ende tre skuadra të mëdha: Gjermania, Franca dhe Holanda.

EUROPA

U kualifikuan: Gjermania, Franca, Holanda, Belgjika, Zvicra dhe Greqia.

U eliminuan: Italia, Spanja, Anglia, Portugalia, Rusia, Kroacia e Bosnje Hercegovina.

AMERIKANET NË TOTAL

U kualifikuan: Brazili, Argjentina, Uruguai, Kolumbia, Kili, Meksika, SHBA-ja dhe Kosta Rika.

U eliminuan: Ekuadori dhe Hondurasi

AFRIKA

U Kualifikuan: Algjeria e Nigeria

U eliminuan: Kameruni, Bregu i Fildishtë dhe Gana.

AZIA-OQEANIA

U eliminuan: Irani, Japonia, Koreja e Jugut dhe Australia