Agron KAJA/Europa ngel stadiumet, s’luhet më në “kioska”

489
Sigal

Pikëpyetjet se ku do të luajnë skuadrat në Europa Ligë, kusuret e injorancës menaxhuese

 Turi i Parë Eliminator në Europa Ligë, përveçse është treguar me fat për skuadrat tona pjesëmarrëse në të, është edhe pak kapriçioz sa i përket stadiumeve të këtyre skuadrave. Jo se është një problem i ri ky, por se në mendësitë e shqiptarëve që merren me futbollin e ambientet e tyre të lojës, ka vetëm stadiume “kioska” të cilët Evropa ka më shumë se 50 vite që i ka hequr nga qarkullimi. Teuta, Kukësi e Laçi janë tre skuadrat tona të futbollit që po marrin pjesë në këtë tur të sezonit 2013-2014 dhe prej tyre vetëm durrsakët kanë stadium të licencuar për këto ndeshje, por jo se kanë ndonjë impiant gjigant. Ndërkohë që si Laçi ashtu edhe Kukësi, për stadiume të palicencuar për këto ndeshje duhet të bëjnë emigrantin për vete dhe për tifozët e tyre. Kësisoj duket se po bëjmë telenovela çdo vit me Evropën, pasi me stadiumet problemet janë nga më të ndryshme, por edhe të shumtë. Para çdo ndeshjeje ndërkombëtare që duhet të luajnë skuadrat tona në Evropë, janë të pakta ato që i përcjellin skuadrat e huaja pa vërejtje. Sepse dikush prej tyre është ankuar për banjat apo për mënyrën e hyrjes në stadium e në fushën e lojës, dikush për mediat të cilat masakrohen për të gjetur një vend ku të kryejë detyrën, e të tjera për stolat e vendosur alla-fshtaçe në shkallët e stadiumit. Natyrisht që nuk ndjehesh mirë teksa vit për vit shikon e dëgjon po të njëjtat problematika me stadiumet, duke u ndjerë para Evropës si adoleshentë të përjetshëm në këto punë. E gënjyem Presidentin e UEFA-s, Mishel Platininë katër vite më parë, se në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë do të kishim një impiant gjigant me 33 mijë vende, ndërkohë që sot jemi në vitin 2013 dhe Kryeministri aktual që e bëri këtë mashtrim, as që do t’ia dijë se çfarë dëmi i ka shkaktuar futbollit tonë kombëtar në veçanti, por edhe skuadrave që luajnë në kryeqytet. Dhe këtë stil janë duke përdorur edhe në skuadrat e rretheve, ku duhet thënë se asnjëra nga bashkitë që menaxhon skuadra me status edhe si presidente të tyre, nuk ka menduar një herë qoftë edhe një tullë të vendosë ndryshe, për t’i “mbyllur gojën” Evropës nga viti në vit. Mirë FSHF-ja që e bën “një vesh shurdh e një sy qorr” për garën që ajo organizon në këto stadiume me të gjitha nivelet e futbollit tonë, por ja që Evropa nuk të fal. Si për ironi, në 80% e investimeve që janë bërë nëpër disa stadiume ka qenë kontributi i FSHF-së me projektet e saj, të cilët e kanë mbajtur deri tani të gjallë këtë lojë në parametra të pranueshëm. Të vjen keq që në Korçë stolat në shkallët e stadiumit “Skënderbeu” nuk janë konformë rregullit të UEFA-s, e po kështu të vjen keq për stadiumet në Kukës e në Laç, ku janë bërë investime, por jo me mend në kokë. Të pranojmë ndëshkimin, se Evropa nuk luan më si në “kohën e qepës”, sepse jemi në vitin 2013 dhe së paku drejtuesit e skuadrave të Kategorisë Superiore duhet të mendonin një herë për stadiumin, jo më ta përdorin atë rëndom edhe për seancat stërvitore periodike të skuadrave të tyre. Nisur nga kjo problematikë e përsëritur, ndoshta ka ardhur koha që edhe FSHF-ja të jetë më strikte në pranimin e kushteve të stadiumeve, t’u imponojë bashkive e drejtuesve të skuadrave që të hartojnë e të zbatojnë projekte me afate të ndryshme, të cilët nga viti në vit t’i nxjerrin stadiumet e tyre nga gjendjet jo të pranueshme për Evropën. Por, edhe qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit, ndoshta duhet të jetë më bashkëpunuese me FSHF-në dhe imponuese me bashkitë, të cilat ta kthejnë një herë kokën nga tenderat për stadiumet, mjaft me tenderat që na kanë çuditur gjatë gjithë këtyre 22 viteve demokraci. Të bëhemi edhe ne evropianë në stadiume, sepse anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk mund të mendohet vetëm si një qëllim politik. Aty kanë vend edhe sportet, dhe më shumë futbolli.