Agron KAJA/ De Biazi, më mirë mbylle këtu!

509
Sigal

FOKUS/ Pas dy miqësoreve të shpifura, teknikut të kombëtares ndoshta i mbaroi mandati kuqezi

Edhe me Brazilin të kishte luajtur Shqipëria në 6 ndeshje, sikundër me Hungarinë, do të kishte shënuar të paktën golin e nderit, pse jo, mund të kishte marrë edhe një fitore. Por edhe në këtë përballje historikisht të gjashtën ndaj “Magjarëve”, kuqezinjtë treguan se mbeten shumë të vegjël edhe në raporte reale, por edhe në raporte historike. Hungaria po bëhet një “gogol” për Kombëtaren, por çfarë na gatoi trajneri i Kombëtares sonë në dy ndeshjet e fundit miqësore: Shqipëri-Rumani 0-1 dhe Hungari-Shqipëri 1-0? Ndoshta këto kanë qenë dy “supat” më pa shije, në aspektin teknik të ndërtimit e organizimit të një skuadre Kombëtare. Ndoshta këto dy miqësore treguan se leksionet dhe deklaratat e atij që drejton Shqipërinë nga bankina, kanë dalë nga qarkullimi. Kjo ashpërsi në dukje, shpreh një realitet që nuk po thuhet në gjithë përmasat dhe elementët që munguan, por këto do të thosha se janë radhë që i shkroi vetë trajneri De Biazi në ato dy ndeshje miqësore, të cilat sikundër janë zhvilluar, vetëm atij i kanë vlejtur, sepse Shqipërisë ato nuk i dhanë minimumin e mundshëm. Çdo shqiptar që i ka ndjekur dy miqësoret më të shpifura të Kombëtares sonë, të paktën në 10 vitet e fundit, e ka nxjerrë konkluzionin se ato janë luajtur për statistikë, pa qenë një vlerë për të ardhmen. Le të ndalemi gradualisht në ato antivlera që prodhuan dy miqësoret e Kombëtares sonë: 0-1 me Rumaninë më 31 maj dhe 0-1 me Hungarinë më 4 qershor. Bukur, nuk është rezultati ai që të jep adrenalinë në këto radhë dhe se nuk ishin humbjet që na bëjnë të shqetësohemi për këtë Kombëtare, por tek “prodhimi hibrid” që skuadra prodhoi, falë përzgjedhjes dhe taktikave që trajneri De Biazi përdori në këto ndeshje. Në fushë u panë lojtarë të lodhur, lojtarë pa motiv dhe lojtarë shumë amatorë në veprimet e tyre në fushën e lojës, kryesisht në repartin e mbrojtjes, atje ku “vegjeton” prej vitesh kapiteni që po e bëjnë sikur të jetë një Ali Mema, një Safet Berisha, një Mujo Targaj, apo një Rudi Vata, etj, etj. Nëse do të krahasohet me këto figura, por edhe me të tjerë mbrojtës që kanë veshur fanellën kuqezi ndër vite, Cana del bilancieri më negativ kuqezi, si mbrojtës dhe si kapiten. Konkretisht, ky ishte lojtari më i dobët në këto dy miqësore, edhe pse ndoshta këtë herë mund të ketë një justifikim, pasi ka gjetur një vajzë italiane me të cilën do të lidhë kurorë këtë fundjavë. Punë e tij, të trashëgohet! Por shqiptarëve ju duhet edhe dinjiteti në ndeshje miqësore, e këtë nuk duhet që t’ia nëpërkëmbin miqësore që të tashmes e së ardhmes nuk i vlejnë. Duke ecur mbi ato minuta që pamë në dy ndeshjet miqësore të Kombëtares sonë, natyrisht që në mbrojtje luajtëm të paorientuar në raport me kundërshtarët, në mesfushë nuk pati ndonjë harmonizim loje, jashtë çdo taktike me prioritet sulmin. Dhe vetë sulmi ju besua Cikalleshit, një nga sulmuesit më të mirë në Superioren shqiptare, por nuk mund t’i besohej vetëm atij kjo peshë në sulm. Të dyja miqësoret që luajti Kombëtarja jonë, parë nga këto mangësi, në ekstrem duhet tí themi “arrivederci” (mirupafshim) trajnerit De Biazi? Kësisoj, ai nuk po jep sinjale të mira për një përfaqësim dinjitoz të Shqipërisë në finalet e Evropianit 2016. Vërtet që në një ndeshje miqësore çdo trajneri do ti duhet të provojë dhe të bëjë ndonjë eksperiment, por me Rumaninë e Hungarinë nuk u bënë as eksperimente, por nuk u pa se kush u provua dhe se çfarë diference bënë të përzgjedhurit për provë. Kemi edhe një miqësore tjetër ditën e diel më 8 qershor, ku përballë do të jetë San Marino, një shpëlarje për dy humbjet me Hungarinë e Rumaninë. Me një skuadër modeste nën nivelin tënd, nuk mund të shohësh asgjë për kolaudim, ndërkohë që në mesin e muajit gusht, në miqësoren e fundit para ndeshjeve eliminatore për “Euro 2016”, do të jenë të gatshëm edhe futbollistë të tjerë që munguan në këto dy miqësore, por deri tani grupi i skuadrës sonë po çalon në çdo repart. Le ta quajmë një “gomone që fut ujë në çdo qoshe të saj. Pra, një Kombëtare e dobët, pa fantazi në lojë e me lojtarë që nuk sakrifikojnë, këto mund të jenë elementë që Kombëtarja i ka pasur të mangët edhe kur në bankinë ishin trajnerë shqiptarë, edhe kur në këtë bankinë kanë provuar të drejtojnë trajnerë të huaj, nga Dosena e deri tek De Biazi. Por kur ato nuk korrigjohen, lind detyrimi atdhetar në radhë të parë që të evidentohen. Sepse do të ishte fatale për Shqipërinë që të mos kërkonte një kualifikim për Europianin 2016, i cili për nga formula e re, pranon 32 skuadra në ndeshjet finale që do të luhen në Francë. Nga realiteti. Kjo do të duket e largët, madje dhe një ëndërr, sepse deri më tani, në stolin kuqezi me 22 ndeshje: 8 fitore, 5 barazime, 9 humbje, me golavarazhin negativ 19:22, tekniku De Biazi, më i mirë duket për përdorimin e biçikletës së tij dhe për opinione në TV, ndërsa në fushë po na zhgënjen ne shqiptarët dhe emrin e tij. Nga muaji shkurt 2012 që italiani ka marrë timonin e Kombëtares sonë, përveçse disa ngjitje në renditjen mujore të FIFA-s, asgjë ndryshe nga të tjerët nuk ka bërë. Kjo gjendje nuk do të thotë se De Biazi ka bërë më të mirën që di e ka mundësi ta bëjë, ka bërë atë që, të qëndrojmë të “salduar” atje ku historia na njeh edhe pa De Biazin!

De Biazi në stolin kuqezi

Bilanci: 22 ndeshje, 8 fitore, 5 barazime, 9 humbje, golat 19:22

Ndeshje me Hungarinë

Data        Ndeshja                    Kompeticioni

20. 08.1947 Hungari-Shqipëri 3-0        Kamp. Europës Qëndrore

23.05.1948  Shqipëri-Hungari 0-0        Kamp. Europës Qëndrore

24.09.1950  Hungari-Shqipëri 12-0      Miqësore

11.10.2008  Hungari-Shqipëri 2-0        Elimin. Botërori 2010

28.03.2009  Shqipëri-Hungaria 0-1      Elimin. Botërori 2010

04.06.2014  Hungari-Shqipëri 1-0        Miqësore

Bilanci: 6 takime, 0 fitore, 1 barazim, 5 humbje, golat 0:19

TË GJITHA NDESHJET

MIQËSORE E DE BIAZIT

Gjeorgji-Shqipëri      2-1

Katar-Shqipëri           1-2

Iran-Shqipëri             0-1

Shqipëri-Moldavi      0-0

Kamerun-Shqipëri     0-0

Shqipëri-Gjeorgji      1-2

Shqipëri-Lituani        4-1

Shqipëri-Armeni              2-0

Shqipëri-Bjellorusi    0-0

Shqipëri-Maltë          2-0

Shqipëri-Rumani              0-1

Hungari-Shqipëri       1-0

Bilanci: 12 ndeshje; 5 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje

Programi i miqësoreve

31 maj, Zvicër

Shqipëri-Rumani 0-1

4 qershor, Budapest

Hungari-Shqipëri 1-0

8 qershor, Serravalle

San Marino-Shqipëri 20:30

96 ndeshje

Shqipëria ka zhvilluar 96 ndeshje miqësore në total. Bilanci është pozitiv: 36 fitore, 26 barazime dhe 34 humbje.

Ish-trajneri i Partizanit u preferua nga Presidenti Edmond Hasanbelliu. Synimi është Europa

 Hasan Lika, trajneri i ri i Teutës

 Hasan Lika u zyrtarizua si trajneri i ri i Teutës për sezonin e ri futbollistik 2014-2015. Presidenti Edmond Hasanbelliu rikthen kështu në krye të “djemve të detit” një trajner me eksperiencë, dhe që e njeh mirë ambientin durrsak me të cilin është shpallur nënkampion i Shqipërisë dhe ka fituar madje ka arritur ta çojë në finalen e Kupën e Shqipërisë në vitin 2000 (në finale mundi Lushnjën me penallti). Lika pason kështu trajnerin Ilir Biturku, i cili e drejtoi skuadrës pas shkarkimit të italianit Roberto Sorrentino (ky zëvendësoi Gugash Maganin). Lika drejtoi sezonin e kaluar Partizanin, por dha dorëheqjen më 8 shkurt pas humbjes së të kuqve me Tiranën. Ish-trajneri i Partizanit është një njohje e vjetër për Teutën, pasi e ka drejtuar formacionin bregdetar në tri periudha të ndryshme pas vitit 2000: nëntor 2002-mars 2004, korrik 2006-qershor 2007, korrik 2011-gusht 2012, duke e drejtuar atë në disa ndeshje ndërkombëtare. Detyra e 54-vjeçarit është të ndërtojë një grup pretendent për sezonin e ardhshëm, ndonëse për momentin nga skuadra që mbylli sezoni ka pasur më së shumti largime. Xhafaj, Batha dhe Osmani zyrtarisht nuk janë më futbollistë të Teutës, sikurse janë ndërprerë marrëdhëniet me lojtarët që mbërritën me shumë bujë në merkaton e janarit, ndërsa kërkojnë një eksperiencë jashtë Shqipërisë Dosti dhe Nika. Gjithsesi mësohet së me bregdetarëve u është bashkuar mbrojtësi Elvis Prençi, i cili u shpall i padëshiruar nga Partizani. Teuta nuk arriti të futet në zonën e Ligës së Europës, pasi u rendit në vendin e katërt me pikë të barabarta me Laçin e vendit të tretë, me kurbinasit që do të luajnë në Europë. Trajneri Hasan Lika ka drejtuar disa skuadra, përfshirë Partizanin, Teutën, Besën, Apoloninë.

Shqipëria ngjitet 4 pozicione në FIFA

 Kombëtarja shqiptare fiton 4 pozicione në renditjen e përpiluar nga FIFA pak ditë përpara fillimit të Botërorit “Brazil 2014”. Kuqezinjtë tanë janë ngjitur në vendin e 66-të në këtë klasifikim me 495 pikë të grumbulluara. Humbjet e pësuara nga Rumania dhe Hungaria duket se nuk kanë ndikuar shumë tek kombëtarja jonë që përmirësoi pozitat e saj. Ndërkaq, vendin e parë në këtë renditje vazhdon ta mbajë Spanja me 1485 pikë, e ndjekur nga Gjermania me 1300 pikë. Në vendin e tretë ngjitet Brazili duke spostuar Portugalinë në të katërtin. Fituan pozicione edhe Argjentina e Zvicra që renditen respektivisht në vendin e pestë dhe të gjashtë. Italia mbetet në pozicionin e nëntë, ndërkohë që dhjetëshja më e mirë e renditjes së FIFA-s plotësohet nga Anglia.