Agron KAJA/ De Biazi, “hero” ose “mëkatar” pas Sllovenisë e Islandës!

494
Sigal

KOMBËTARJA/ Në dy ndeshjet e “Botërori 2014”, trajneri kërkon thyerjen e tabusë

Na ndajnë vetëm 24 orë dhe 90 minuta lojë deri në sfidën e Lubjanës kundër Sllovenisë, ku Kombëtarja jonë e futbollit do të guxojë të ndryshojë historinë, e ndoshta për ta pasuruar më shumë atë me fitore në 90 minutat e tjera në Islandë. Edhe pse kjo Kombëtare nuk është shquar shumë për ndeshje të mira në transfertë, aq më shumë kur bëhet fjalë për fitore në fushat kundërshtare, pas fitores në Norvegji duket se ajo e ka krisur pak  tabunë që e ka shoqëruar topkëmbën shqiptare ndër vite. Ndoshta nga ky pozicion, tekniku kuqezi Xhani De Biazi kërkon që të “gatuajë” dy transferta të tjera për t’u fituar, e fjala është për dy takimet e radhës për eliminatoret e “Botërori 2014” më 6 shtator në Slloveni dhe më 10 shtator në Islandë. Për këto 180 minuta të mëdha që Shqipërinë e bëjnë të dalë nga ëndrra në realitet, vetë tekniku është shfaqur optimist, edhe pse nuk ndodh ndryshe me çdo trajner që në “luftë” e çon skuadrën e tij vetëm për të fituar. Ndërsa ditën e hënë kur vetë De Biazi doli në konferencën për shtyp dhe foli për dy ndeshjet “ëndërr”, në fytyrën e tij dhe në gjestet e përgjigjeve që ju dha gazetarëve të pranishëm, dalloje qartë si shpresën për fitore, por edhe dyshimin në kapjen e 4 apo edhe të 6 pikëve në Slloveni e Islandë. Kësisoj, e rëndësishme është se më në fund Shqipëria ka nisur udhën e guximit e të matjes së barabartë me kundërshtarët, të cilët në të tilla kompeticione kanë më shumë histori pozitive. Dhe, pse duhet ta besojmë ne De Biazin se do t’i fitojmë 90 minutat e Sllovenisë, e më pas 90 minutat e tjera në Islandë? Të besosh nuk është gjë e keqe, por kur e ke një argument besueshmërie, atëherë vetëm guximi e zgjidh se sa arsenal ke që synimin ta bësh realitet. Por, nëse tekniku kuqezi në këtë rast do të niset nga vendi i dytë në renditjen e Grupit E të Shqipërisë, ky ndoshta nuk mund të quhet një argument për të besuar plotësisht, sepse renditja aktuale nuk mund të quhet gjithçka për çdo skuadër. Por nëse këto dy kundërshtarë ai i shikon realisht për ndeshjet që kanë luajtur në fushat e tyre, atëherë nga ky tregues ndoshta ka të drejtë të guxojë për optimizëm. Sepse në ndeshjet në fushat e tyre në këto eliminatore, si Sllovenia ashtu edhe Islanda më shumë kanë humbur me kundërshtarët që janë ndeshur. Kështu, Sllovenia në fushën e saj ka luajtur 3 ndeshje dhe ka arritur të fitojë vetëm 1 ndeshje, ndërkohë që edhe Islanda në 3 ndeshjet që ka luajtur në fushën e saj 1 herë ka fituar dhe 2 herë ka humbur. Deri këtu jemi në fushën e parashikimeve, por për trajnerin këto janë “armë plus” në kolaudimin që ai do t’i bëjë skuadrës për dy sfidat në fjalë. Sepse ka thirrur 28 futbollistë për këto dy sfida të vështira, prej të cilëve do të kërkojë të nxjerrë “xhevahirët”, pikët e përforcimit të vendit të dytë në grup. Gjithsesi, nisur nga ajo çka vetë tekniku kuqezi shprehu në konferencën e shtypit të ditës së hënë, e kemi të drejtën të mendojmë se, nëse realizohen synimet për këto dy ndeshje (6 apo edhe 4 pikë), De Biazi do të jetë një “hero” i Kombëtares sonë, por nëse këto synime të guximshme nuk do të bëhen realitet, atëherë pas Sllovenisë e Islandës do të kemi një “mëkatar” më shumë në hapësirën kuqezi! Rruga duket e hapur për ndryshe, këtë ëndërr e kemi afër në 180 minuta lojë, në aksin e largët Slloveni-Islandë.

Somario

Nëse realizohen synimet për këto dy ndeshje (6 apo edhe 4 pikë), De Biazi do të jetë një “hero” i Kombëtares sonë, por nëse këto synime të guximshme nuk do të bëhen realitet, atëherë pas Sllovenisë e Islandës do të kemi një “mëkatar” më shumë në hapësirën kuqezi

Eliminatoret “Botërori 2014”

Ndeshjet e Shqipërisë

Grupi E

Janë luajtur

Shqipëri-Qipro            3-1

Zvicër-Shqipëri           2-0

Shqipëri-Islandë          1-2

Shqipëri-Slloveni         1-0

Norvegji-Shqipëri         0-1

Shqipëri-Norvegji         1-1

BILANCI:

Nd 6, F 3, B 1, H 2, Golat 7-6

RENDITJA

Ekipi           N    P

1. Zvicra       6    14

2. Shqipëria    6    10

3. Islanda      6    9

4. Norvegjia    6    8

5. Sllovenia    6    6

6. Qipro        6    4

Do të luhen

Datë 6 shtator 2013

Norvegji-Qipro       19:00

Zvicër-Islandë       20:30

Slloveni-Shqipëri    20:30

Datë 10 shtator 2013

Norvegji-Zvicër      18:00

Qipro-Slloveni       20:30

Islandë-Shqipëri           21:30

Datë 11 tetor 2013

Slloveni-Norvegji

Islandë-Qipro

Shqipëri-Zvicër

Datë 15 tetor 2013

Norvegji-Islandë

Qipro-Shqipëri

Zvicër-Slloveni

BILANCI ME SLLOVENINË

Nd 6, F 1, B 2, H 3, Golat 2-5

Drejtori sportiv i KF “Elbasani”, Erion Sqapi, flet për “Telegraf”: “Përkon me 100-vjetorin”

  “Objektivi, rikthimi në Superligë”

 Këtë sezon futbollistik, Elbasani ka hyrë me pretendime të mëdha në Kategorinë e Parë, teksa kur po luan sezonin e tretë radhazi jashtë elitës së futbollit shqiptar, po kërkon rikthimin në Superiore. Takimin e parë hapës, atë ndaj Tërbunit në “Ruzhdi Bizhuta”, elbasanasit e nisën me këmbën e mbarë, teksa fituan 2 me 1, por ka ende shumë punë përpara për të arritur aty ku duan. Në një intervistë për “Telegraf” është drejtori sportiv i K. F. Elbasani, Erion Sqapi, ai që tregon për gjithçka ndodhi në merkaton e verës, emocionet e takimit të parë, rikthimin e tifozerisë në stadium, ndeshja e radhës me Luftëtarin, si edhe përgatitjet me rastin e 100 vjetorit të klubit.

 – Sqapi, e nisët me këmbën e mbarë kampionatin, teksa mundët Tërbunin. Si ju duk paraqitja e skuadrës?

– Përgjithësisht do ta konsideroja një paraqitje të kënaqshme, ku ne luajtëm më mirë se kundërshtari dhe në fund besoj se e merituam fitoren. Vërtet vuajtëm pak, pasi goli i fitores erdhi në minutat e fundit, por kjo tregon se Kategoria e Parë ka shumë skuadra të forta dhe nuk është asnjëherë e lehtë t’i mundësh.

– Një nderim special, për ndarjen nga jeta të ish trajnerit të Elbasanit, Artan Bushati…

– Ishte një ndarje e parakohshme nga jeta që tronditi të gjithë futbollin shqiptar për këtë humbje të madhe. Elbasani e ndjeu ndoshta më shumë, pasi e ka pasur trajner dikur dhe për aq sa qëndroi la shenjë dhe do të mbahet mend gjithnjë. Ndaj, ishte më e pakta që mund të bënim si klub.

– Merkato ka pak ditë që u mbyll. Si do ta konsideroni atë?

Mund të them se Elbasani është skuadra që ka bërë lëvizjet më cilësore në këtë merkato vere, pasi mjafton të shohësh emrat që janë afruar, për ta kuptuar. Ka ardhur mbrojtësi Arjan Pisha, një lojtar me shumë eksperiencë, sulmuesi Ledio Koçi, portieri Elvis Kotorri dhe të gjithë me radhë. Pa harruar edhe grupin që ka qenë si Merxha, Dalipi etj. që të gjithë së bashku bëjnë vërtet një grup ambicioz për këtë sezon.

– Këtë javë do të udhëtoni në Gjirokastër. Një ndeshje jo e lehtë me Luftëtarin apo jo?

– Është e vërtetë nuk do të jetë një ndeshje aspak e lehtë, pasi edhe kundërshtari ka objektivat e veta. Së pari, më duhet të them që këto dy qytete me traditë duhet ta luanin këtë takim në Superiore, sepse aty e kanë vendin, por futbolli kështu e ka. Ne do të hyjmë për të marrë tri pikët në fushë dhe këtë do ta bëjmë përballë çdo kundërshtari, por në Gjirokastër edhe nëse dalim me një pikë, është rezultat i pranueshëm.

– Superiorja mbetet objektivi juaj i madh. A do t’ia arrini?

– Absolutisht ky është objektivi i vetëm i yni dhe nuk e mendon njeri dështimin në këtë qytet. Të gjitha gjërat janë në rrugë të drejtë, ndaj nuk kemi arsye pse të dështojmë.

– Tifozët janë rikthyer në stadium, një tjetër sinjal i mirë…

– Në takimin e parë me Tërbunin u pa një prezencë e kënaqshme e tifozerisë në shkallët e stadiumit, të cilët gjatë gjithë kohës e mbështetën skuadrën. Më vjen mirë që u rikthyen ultrasit, si edhe sportdashësit e zakonshëm. Do të jenë një armë plus për ne në këtë kampionat.

– Këtë sezon keni 100-vjetorin e klubit, keni ndonjë plan për festimet?

– Po, kemi në plan ta festojmë këtë vit jubilar, pasi njëherë bëhesh “100 vjeç” dhe nuk mund të rrimë pa bërë gjë. Kemi filluar me përgatitjet, por nuk dua të zbuloj detajet. Mund të them vetëm se do të jetë një ditë festive në të gjithë qytetin.