Agron KAJA/Çorba e trukimeve, lojë e pistë tavolinash

520
Sigal

OPINION/ Nuk është hera e parë që flitet për shit-blerje të futbollit, drejtësia bën sehir

Për këdo në Shqipëri dhe më gjerë që e ndjek futbollin shqiptar, nuk është hera e parë që dëgjon për raste trukime ndeshjesh, aq më shumë për Besën e Kavajës, e cila ka hyrë edhe në fokusin e drejtësisë shqiptare dhe asaj evropiane, si kreu i klasifikimit trukor në Shqipëri. Natyrisht që ndjehesh si m-t kur mendon se këtë lojë popullore po e përdhosin njerëz me tagër moral të ulët në shoqërinë tonë, të cilët në futboll kanë hyrë nga ato pesë lekë që kanë në xhepat e tyre (me apo pa djersë) dhe jo për t’i shërbyer atij dhe komunitetit që përfaqëson. Këta pseudo-futbolldashës janë jashtë misionit fisnik që ka futbolli si vlerë, e më tej, këta antivlera që kanë shkoqur ndonjë dollar apo euro si lëmoshë ndaj skuadrave ku janë si Njësha, futbollin e kanë kthyer si “lavatriçe” të vetvetes. Është e rëndë kështu? Realiteti nuk flet ndryshe, pasi edhe duke ju referuar realitetit mediatik të ditëve të fundit, është mësuar se janë thirrur në prokurori persona që kanë lidhje direkte e indirekte me futbollin, ku në mes tyre janë presidenti i skuadrës së Besës, arbitra futbolli e qytetarë anonimë në këtë futboll. Këta janë në tavolinën e organit të akuzës si të përfshirë në trukimet e ndeshjeve të Besës së Kavajës, të kësaj Bese që dikur të impononte respekt për figurat e mëdha që i dha futbollit shqiptar. Historia para Bizhdilit është nga më të kulluarat për skuadrën kavajase, por pse e “turbulloi” këtë histori ky njeri që për hir të realitetit, ka kontribuar në vite te Besa? Këtë kërkon edhe prokuroria, por këtë e kërkon edhe vetë futbolli ynë, të cilit nuk po i ndahen stërkëmbëshat nga provinca në qendër. Të flasësh për këtë lojë të pistë tavolinash në kurriz të futbollit të fushës së gjelbërt, ndoshta do të duhen romane dhe nuk mund t’i gjesh ndonjëherë fillimin dhe fundin, por kur ke fakte dhe nuk di (ose nuk do) që të godasësh faktorët dhe aktorët, ky është dëmi numër 2 që këtij futbolli po i bëhet nga sezoni në sezon. Nisur nga atmosfera që ekziston për drejtësinë shqiptare, shumëkush nuk ka besimin e duhur se kjo drejtësi do të bëjë drejtësi në këtë rast. Sepse nga kjo drejtësi shqiptare kanë dalë të pa lagur kriminelë, hajdutë, trafikantë dhe njerëz të korruptuar, të cilët nëpërmjet kësaj drejtësie e kanë blerë dëmin që kanë shkaktuar kudo të shoqëri. Dhe këtu ndoshta do të duhet kujdes që të ndalet çorba e trukimit, e cila po mban erë në fushë e në tavolina. Nga FSHF-ja, që ka edhe një Komision të posaçëm hetimi për kësi rastesh e me gjerë (Komisioni i Etikës), e deri tek organet qëndrore të akuzës, është rasti që të ndjehen më të përgjegjshëm kur bëhet fjalë për fakte konkrete. Pse jo, këta aktorë të drejtësisë duhet të jenë më të përgjegjshëm në vendimmarrjet e tyre juridike, kur edhe vetë kanë parë me sytë e tyre se si janë shitur apo blerë ndeshje të veçanta. Jo një sy qorr e një vesh shurdh! Futbolli është një lojë, por, ta kthesh atë në industri fitimi, ta kthesh atë në një sallon basti, më mirë ta ndalim rrotullimin e sferës në fushë e të luhet vetëm në tavolina. Kështu, ndoshta futbolli do të ketë kohë që mund të pastrohet paksa nga “nikotina” që i kanë lënë trukimet e një pas njëshme, e më pas, le të themi se po i hyjmë një loje të pastër në një mjedis që këtë fenomen do ta ketë të mbyllur në letër, por asnjëherë të harruar për t’u rikthyer. Trukimet e ndeshjeve të futbollit janë ato “telenovelat e zeza” që nisin dhe nuk kanë të mbaruar.

EMRAT E PËRMENDUR NGA PROKURORIA

SHPËTIM BIZHDILI – president i KS Besa

DAVID SEKULARAC – shtetas serb

ERVIS PEZA – arbitër në kampionatin shqiptar

DENIS AGARAJ – arbitër anësor në kampionatin shqiptar

DOJANDO MYFTARI – arbitër anësor në kampionatin shqiptar

FATION SEFA – lojtar i KS Besa

ILIRIAN BERATI – shef i KS Besa

YLLI TELITI – trajner i U-17, të KS Besa

LLAZAR HAXHIA – shtetas shqiptar

BARDHYL PASHAJ – arbitër në kampionatin shqiptar

ERGIN DODA – arbitër anësor në kampionatin shqiptar

GERANT QIRICI – arbitër anësor në kampionatin shqiptar

Ndeshjet e përmendura në aktakuzë nga Prokuroria

APOLONIA-BESA 2-1

SHËNUES: Ribaj 76′ (p), Papa 80′/ F.Sefa 25′

GJYQTARË: Ervis Peza/ D.Agaraj dhe D.Myftari

TOMORI-BESA  1-0

SHËNUES: Muxhaj 33′

KARTON I KUQ: Sundaj 61′, Arbri 90+5′/ Krasniqi 90+5′

GJYQTARË: Laver Alla/ D.Korreshi dhe N.Dragoj

BESA-SHKUMBINI 1-1

SHËNUES: Bajaziti 12′/ Lluca 64′ (p)

GJYQTARË: Bardhyl Pashaj/ E.Doda dhe G.Qirici

U-17 LUSHNJA-BESA 1-2

SHËNUES: Jonuzi 50′/ A.Kapidani 25′, Rroci 69′

GJYQTARË: E.Begaj, H.Troka, M.Troka

U-17 DINAMO-BESA 1-0

SHËNUES: Xhabrahimi 30′

GJYQTARË: R.Muska, E.Morina, A.Bame

PROKURORIA

Futbolli shqiptar është i trukuar. Të paktën ky përfundim duket se do të dalë nga hetimet që, Prokuroria po i bën klubit të Besës dhe presidentit të saj, Shpëtim Bizhdili, ku janë të paktën katër ndeshje me rezultat të parafiksuar, ku përfshihen edhe ndeshje të moshave.

SHULKU

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, numri i dy i futbollit shqiptar, tha se ai nuk ka asnjë informacion në lidhje me hetimet e Prokurorisë për disa presidentë klubesh. Shulku, ish-shefi i Sektorit të Garave, pohoi se nuk ka asnjë ankesë nga arbitrat në lidhje me faktin se, janë thirrur ditët e fundit nga Prokuroria.

KASTRATI

Shefi i Arbitrave dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Tahir Kastrati, bëri të ditur se, ai personalisht nuk ka asnjë informacion nga Prokuroria në lidhjen me pyetjen e katër gjyqtarëve: Ervis Peza, Denis Agaraj, Bardhyl Pashaj dhe Ergin Doda, në kuadër të një hetimi kundër ndeshjeve të trukuara. Kastrati tha se, do ta mirëpriste informacionin e Prokurorisë.

Sipas analizave të “Sport Radar”, Shqipëria lë pas Italinë me 77 ndeshje dhe Moldavinë, me 66 ndeshje

97 ndeshje të trukuara, mbajmë rekordin në Europë

Shqipëria është “kampione” për trukimin e ndeshjeve. Kjo gjë u konstatua pak javë më parë nga një raport i detajuar i një kompanie lider në botë për analizat dhe hulumtimet në shitjen e ndeshjeve, sikundër është “Sport Radar”. Nëpunësit e kësaj të fundit e patën vendosur futbollin shqiptar në krye të listës për sa i përket kontinentit europian por, më shumë sesa për topkëmbën tonë, ata u ndalën te vendi fqinj: Italia. Në fakt, kjo e fundit ishte direkt pas nesh në listë, çka tregon për korrupsionin që ka pllakosur edhe njërin nga kampionatet më të dashura (të paktën për ne shqiptarët) në botë. Kompania pat bërë analiza të hollësishme të një numri të madh të ndeshjeve të kampionatit shqiptar, kryesisht në dy vitet e fundit, duke arritur në një konkluzion të frikshëm: jemi të parët për korrupsion dhe manipulim të rezultateve të ndeshjeve në futboll. Sipas saj, brenda një periudhe prej dy vitesh e gjysmë, në Shqipëri dyshohet se janë manipuluar 97 ndeshje futbolli, përfshi kampionat dhe kupë. Po sipas saj, këto ndeshje mund të jenë manipuluar për qëllime përfitimi financiar, dhe gjithçka ka ndodhur gjatë 30 muajve të fundit. Shqipëria renditet e para dhe pas saj vjen Italia, me 70 ndeshje të dyshuara si të manipuluara, 20 prej të cilave janë të Serisë A, 36 të serisë B dhe 14 të Lega Pro. Në vendin e tretë ishte Moldavia me 66 ndeshje të dyshuara, më pas Estonia me 46 ndeshje, Greqia me 45 ndeshje, Rusia 42 ndeshje, Maqedonia 37 ndeshje, Bullgaria 35 ndeshje, Letonia dhe Estonia me 31 ndeshje. Sipas “Sport Radar”, vendi me futbollin më të pastër në Europë konsiderohej Belgjika, me vetëm një ndeshje të dyshuar, e cila i paraprinte Holandës dhe Francës me vetëm dy ndeshje të dyshuara.

Vllaznia-Skënderbeu dyshohet si e trukuar

Një raport i UEFA-s për ndeshjen e parë të këtij sezoni ka tronditur sërish futbollin shqiptar. Edhe pse FSHF ka mbajtur të fshehtë gjithçka, mësohet se në javën e parë të shtatorit UEFA ka dërguar në institucionin e futbollit një raport me dyshimet që ka mbi ndeshjen e 24 gushtit, Vllaznia-Skënderbeu 1-3. Ky takim dyshohet se ka qenë i fiksuar për llogari të kompanive të basteve. “Sistemi i Zbulimit të Mashtrimeve të Basteve”, një strukturë e ngritur nga UEFA, ka dalë në konkluzionin se në këtë takim koeficientet kanë qenë të dyshimtë dhe për më tepër janë luajtur shuma të mëdha në baste. Ky sistem monitoron paratë e vendosura për ndeshjet e dyshuara dhe lëvizjen e koeficienteve.

Europoli heton Tiranën dhe Vllazninë

Stabaek-Tirana dhe dy ndeshjet e Vllaznisë me Rapidin e Vjenës për Kupat e Europës në sezonin 2009-2010 janë të trukuara. Lajmi “bombë” vjen nga Gjermania, ku e përditshmja prestigjioze “Bild” ka arritur që të publikojë një pjesë të listës së gjatë prej 380 ndeshjesh, të konsideruara si të trukuara nga “Europol”-i.

Në Shqipëri, asnjë i dënuar për trukim

Në Shqipëri askush nuk është dënuar deri tani, për trukimin e ndeshjeve. Edhe pse studimet ndërkombëtare na rendisin te një nga kampionatet më të korruptuar në botë, thuajse nuk ka pasur asnjë masë për trukim ndeshjesh. Në Federatën Shqiptare është ngritur një Komisioni Etike, por askush s’e ka të qartë se mese merret, përtej ndonjë deklarate.

Erodiani: “Shqipëria, vend ideal për paratë e basteve”

Që Shqipëria është një vend tranzit jo vetëm për organizatat kriminale, por edhe për pastrimin e parave, ky është një fakt të cilin Europa e ka cituar me qindra herë gjatë këtyre viteve të tranzicionit. Së fundmi vendi ynë është përfshirë edhe në të ashtuquajturën “parajsë për paratë e basteve”. Një gjë të tillë e thotë në vetë të parë ish-shefi i organizatës që trukonte ndeshje në kampionatin italian, Masimo Erodiani. Sipas informacione në mediat italiane, Erodiani ka theksuar se Shqipëria ishte një vend perfekt për kalimin e parave të basteve. “Kalonim pa problem me mijë prerje pesëqindëshe eurosh. Të gjitha këto parà shkonin e vinin nga Shqipëria”, – pohon ai, duke përfshirë kështu Shqipërinë në skandalin e basteve që ka shpërthyer prej disa muajsh në vendin fqinj. Në fashikullin prej 611 faqesh së Prokurorisë së Kremonës, sipas Guido Salvinit (prokurori), Erodiani ishte epiqendra e basteve dhe në pak vite ai kishte kaluar nëpër duar një “lumë parash”, shifra gati të paimagjinueshme, duke trukuar ndeshje në të gjitha kategoritë në Itali, si dhe duke implikuar edhe emra të mëdhenj të futbollit të këtij vendi, sikundër ishte Bebe Sinjori apo Kristiano Doni.