Agron Kaja/ Çakmaku i kuksianit dhe siguria zero në stadium

405
Mbrëmja e kësaj së enjte që lamë pas, ndoshta do të jetë nga më të zezat e futbollit kuksian, jo vetëm në Europë, por njëherësh ajo ndërprerje e lojës në përballjen Kukësi-Legia e Varshavës, sikundër u trajtua, do të mbetet edhe si një njollë që do ta nxijë gjithë futbollin shqiptar në sytë e Europës. Sidomos pas asaj beteje që FSHF-ja fitoi pas ngjarjes në stadiumin e Beogradit në ndeshjen Serbi-Shqipëri, që nuk ishte e këtyre përmasave, ai çakmak që u shfaq në sytë e arbitrit nga një futbollist polak, do të kujtohet në përmasat e një “bombe atomike” për futbollin tonë. Duke qenë prezent në ato situata që u prodhuan pas ndërprerjes së ndeshjes në pjesën e dytë kur rezultati ishte fiksuar në shifrat 1-2 në favorin e skuadrës polake, rasti u zmadhua aq shumë sa ndëshkimi pritet të jetë ekstrem për Kukësin. Arbitri suedez Klosner, ishte shumë i rreptë në qëndrimin e tij, e po kështu delegati me vëzhguesin e kësaj ndeshjeje, të cilëve ju bashkua edhe zëri i futbollistëve polakë që kjo ndeshje të ndalej nga çakmaku “bombë”. Për ne si shqiptarë, kjo mund të duket edhe si një fryrje e momentit, mund të na duket edhe si një dashakeqësi e qëllimshme, ndoshta e arbitrit që këmbënguli për ndërprerjen e ndeshjes, etj, etj, por për Europën çakmaku nuk ndëshkohet vetëm nga përmasat e tij dhe dëmin që mund të shkaktojë, por si një gjest që tregon se kombëtarisht kemi tifozë të dhunshëm dhe injorantë që në stadium vijnë për luftë dhe jo për kënaqësi. 
Këto janë mendimet jo vetëm emocionale në të tilla rastesh, por le të themi se për këtë ndodhi ka edhe një tjetër arsye që duhet thënë me forcë se ka ajo qenë njëra nga shkaqet për hedhjen e atij çakmaku në kokën e futbollistit polak. Arsyeja është se kushtet teknike të stadiumit “Qemal Stafa” nuk japin siguri për parandalimin e veprimeve të tilla si çakmaku i kuksianit në minutën e 52-të të ndeshjes. Nëse do të shkonim krahasimisht në një stadium tjetër në Europë, në të tilla ndeshje nga ana e sigurisë në stadium nuk do të ishte pranuar që tifozeria të qëndronte kaq e zbuluar me fushën e lojës. Teknikisht ky është një gabim, ndërsa qëndrimi i tyre prapa portave do ta bënte më të sigurt vazhdimësinë normale të ndeshjes.
Organizimi i tifozerisë në stadium për këtë ndeshje ngjante si në kohën e diktaturës në Shqipëri, ndërsa ndryshimi ishte vetëm një kordon simbolik i policëve ndërmjet dy tifozërive që nuk mundën ta kryenin detyrën e tyre para çakmakut në kokën e lojtarit polak Duda. Ky është një gabim që faturën e tij së pari do ta mbajë siguria në stadium, hallkë kjo që në Shqipërinë e futbollit shpesh nënvleftësohet, ose aty vendosen edhe njerëz që nuk ja kanë haberin fare detyrave të tilla. Por ky moment ndoshta do të bëhet edhe një shkak për t’i thirrur arsyes shtetare për ndërtimin e stadiumeve të futbollit më funksionalë për kohën. Edhe nëse nuk ndërtohen stadiume të reja, në Shqipëri të gjithë stadiumet ekzistues kanë nevojë emergjente për ndërhyrje që janë kërkesa normale për kohën. Nga ky këndvështrim le ta shohim edhe çakmakun që ndërpreu ndeshjen Kukësi-Legia, nga ky këndvështrim le ta shohim mënyrën se si punësohen njerëzit që duhet ti bëjnë mirë këto punë në stadiume, pse jo, prej këtej të ndryshojë kursi i drejtimit të sporteve në bashkitë e reja. Shqipëria nuk është shtet që funksionon mirë vetëm në teori!
Sigal