Agron KAJA/“Brazil 2014” nuk duhet të mendohet si një ëndërr

500
Sigal

KOMBËTARJA/ Fitorja me Norvegjinë dhe miqësorja me Lituaninë, test i fituar nga De Biazi

Po, tani kjo Kombëtare të imponon vetë për ta thënë një fjalë të mirë. Pas dy ndeshjeve të fituara ne Norvegjinë dhe me Lituaninë, ndoshta edhe skeptiku më i fundit duhet të jetë bindur se rruga e kësaj Kombëtareje tashmë është drejt të pamundurës së vjetër, është një rrugë që Shqipëria e futbollit vetëm e ka ëndërruar, por si në këtë rast, asnjëherë nuk ka qenë më pranë për ta prekur. Kur humbëm me Zvicrën në transfertë në ndeshjen e dytë eliminatore të Grupit E, u kërkua një trajner që e njeh mirë lojën jashtë fushës së tij, ndërsa kur na mundi Islanda në Tiranë, të gjitha mendimet shkonin me kokë poshtë, pra në një renditje që do të ishte pjesë e traditës së Kombëtares shqiptare, në vendet e fundit të saj. Por, me këto dy fitore duket se identiteti i salduar vite me radhë nga Kombëtarja jonë, po heq skorrjet e para, ato që e kishin mbërthyer në një ndryshk të vështirë për ta shqitur. Çfarë ka ndodhur me Kombëtaren tonë? Realisht duhet thënë se taktikat e De Biazit tashmë kanë hyrë në qarkullim në lojën e skuadrës sonë Kombëtare. Në dy ndeshjet e fundit u pa se skuadra nuk ndjehej më inferiore ndaj kundërshtarëve, nuk u ndëshkua nga goditjet standarde dhe nuk u dorëzua në minutat e fundit. Të tria këto dukuri që na kanë mbajtur larg Evropës për gati gjysmë shekulli, në këto takime të fundit nuk u dukën si një “pronë e vjetër” e Kombëtares, por një harresë që s’ka ekzistuar kurrë. Nga porta në sulm, në skuadrën tonë ndryshimi kryesor është mentaliteti i lojës në raport me kundërshtarin, gjë të cilin kishin kërkuar ta ndryshonin trajnerët e tjerë, por që nuk ia gjetën asnjëherë çelësin e duhur. Portieri Berisha dha sigurinë kryesore se Kombëtarja e ka mundësinë që të tregojë “muskujt” e saj drejt autostradës Shqipëri-Brazil 2014, ndërsa Hamdi Salihi me golin që i  shënoi Norvegjisë, tregoi se kopertinat e revistave dhe e kanaleve televizive në Botë mund të hapen edhe me një “perlë” shqiptare. Mbrojtja ishte më e konsoliduar, mesfusha më e qartë në organizim dhe sulmi më taktik e energjik në gjetjen e rrjetave kundërshtare. Kështu funksionuam dhe prandaj jemi duke shkruajtur këto radhë ndryshe nga herët e tjera. Ndoshta nuk do e marrim në sy skuadrën tonë deri më 7 qershor, kur Norvegjia do të na kthejë vizitën e saj në Tiranë. Në rast se do të kalohet edhe këtu skuadra nordike, atëherë koka e grupit duhet të jemi ne. Sepse, nëse do t’i shkojmë me laps në dorë një llogarie në Grupin E eliminator, Shqipëria në 5 ndeshjet që duhet të luajë deri më 15 tetor në Qipro, minimalisht duhet të grumbullojë 12 pikë, duke e konsideruar të vështirë për fitore vetëm transfertën në Islandë më 10 shtator. Pra, në harkun e 7 muajve, De Biazi dhe Kombëtarja jonë duhet që të gatuajnë menunë më të mirë në historinë e futbollit tone kombëtar. Duhet që të fitojnë me Norvegjinë, me Slloveninë, Zvicrën e Qipron për ta lënë skuadrën zvicerane në vendin e 2-të, sepse Zvicra me atë çka ka treguar në dy takimet e fundit, nuk duket shumë e aftë që të prodhojë më shumë lojë e rezultate pozitive, e për pasojë nuk do të imponojë “diktatin” e saj si kryesuese aktuale e grupit. Nëse do ta donim fort Kombëtaren tonë, porosia kryesore është Islanda, sepse ishullorët duken më seriozë në këto eliminatore duke fituar dy takime në trasnfertë, të barabartë me 6 pikë, nga 9 që ka së bashku me skuadrën tonë kombëtare. Kështu, parë në këndvështrimin e këtyre radhëve, “Brazil 2014” nuk duhet të shikohet më si një ëndërr për Kombëtaren tonë, por si një realitet që na është shtruar për zgjidhje. Sa do ta zgjidhim, kjo mbetet detyrë shtëpie për trajnerin De Biazi, për të gjithë futbollistët e Kombëtares, pse jo edhe për FSHF-në, e cila ka vite që përkushtohet për një Kombëtare të këtij niveli. Të presim, janë edhe 202 ditë që eliminatoret e “Botërori 2014” të përfundojnë për të marrë të plotë përgjigjen “PRO ose KUNDËR” Brazilit.

Eliminatoret “Brazil 2014”

GRUPI E

 22.03.2013

Slloveni-Islandë           1-2

Norvegji-Shqipëri    0-1

23.03.2013

Qipro-Zvicër         0-0

RENDITJA

Ekipi           N          P

1. Zvicra       5          11

2. Shqipëria    5          9

3. Islanda      5          9

4. Norvegjia    5          7

5. Qipro        5          4

6. Sllovenia    5          3

NDESHJET E SHQIPËRISË

2012

Shqipëri-Qipro       3-1

Zvicër-Shqipëri            2-0

Shqipëri-Islandë           1-2

Shqipëri-Slloveni    1-0

2013

Norvegji-Shqipëri    0-1

Shqipëri-Norvegji    07.06

Slloveni-Shqipëri    06.09

Islandë-Shqipëri           10.09

Shqipëri-Zvicër      11.10

Qipro-Shqipëri       15.10

ZYRTARE

NORVEGJI-SHQIPËRI  0-1

Shënues: Salihi 67’

Stadiumi “Ulevall”, Oslo, 12 mijë shikues

Kualifikueset “Botërori 2014″

SHQIPËRIA: E.Berisha, Dallku (Hysaj 80’), Cana, Mavraj, Agolli, A.Lila, E.Bulku, Basha, Roshi, Salihi (90’ Curri), Çani (Bogdani 75’). Trajner: Xhani De Biazi

MIQËSORE

SHQIPËRI-LITUANI  4-1

Shënues: Meha 33’, Çani 37’, Basha 43’, Palionis 59’ (autg.)/ Raziulis 75’

E martë, 26 mars 2013, stadiumi “Qemal Stafa”

SHQIPËRIA: E.Berisha (Ujkani 23’), A.Lila (Hysaj 79’), Mavraj, Osmani, Agolli (Veliu 83’), Meha (Hyka 76’), Basha, S.Lilaj (Vila 81’), Rama (Vajushi 64’), Çani (Sadiku 64’), Bogdani (Cana 70’). Trajner: De Biazi

Deklarata për mediat italiane

 De Biazi: “Mund të largohem nga Shqipëria!”

 Duket e pabesueshme, pasi italiani është shumë i adhuruar në Shqipëri. Xhani De Biazi ngrin buzëqeshjen e shqiptarëve pas dy sukseseve rresht ndaj Norvegjisë dhe Lituanisë, duke dhënë sinjale lamtumire në fund të kontratës që skadon tetorin e këtij viti. Në një intervistë dhënë për mediat italiane (gazetën “Tuttosport”), tekniku i stolit kuqezi nuk e përjashton mundësinë që të rikthehet në drejtimin e një klubi në Itali ose Spanjë. 56-vjeçari sqaron se kontrata e tij skadon pas disa muajsh (tetor 2013), dhe do ta vlerësonte seriozisht një ofertë tunduese nga Italia ose Spanja. Në vijim, ai sjell në kujtesë aventurën në stolin e Levantes, duke pohuar se ka kujtime pozitive nga skuadra iberike. Tekniku italian e mori drejtimin e kombëtares shqiptare në 14 dhjetor të vitit 2011 duke zënë vendin e kroatit Josip Kuzhe dhe nën drejtimin e tij, ka promovuar lojtarë të rinj dhe premtues për të ardhmen e ekipit si Mërgim Mavraj, Edgar Çani, Migjen Basha, Etrit Berisha, Alban Meha, Elsid Hysaj, Valdet Rama apo Burim Kukeli. Nën drejtimin e tij, kombëtarja shqiptare ka arritur 6 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje, ndërsa në grupin eliminator të botërorit 2014, kuqezinjtë mbajnë vendin e dytë me 9 pikë, 2 më pak se Zvicra. Gjatë karrierës si trajner, ai ka drejtuar ekipe me emër si, Udineze, Torino, Breshia e Levante. De Biazi është trajneri i dytë që, ka drejtuar Shqipërinë, pas Xhuzepe Dosenën në vitin 2012 (maj-tetor).