Agron KAJA/ “Boksierë” e skena dhune po “flenë” me futbollin!

515
Sigal

FOKUS/ Mes tensionit, Skënderbeu bën “gomë” në Vlorë, Kukësin s’e mbajnë gjunjët

Në javët e para të sezonit në vazhdim, dukuritë negative po rishfaqen si “emblema” tradicionale. Për pasojë, në ndeshjet e dy kategorive kryesore në futbollin shqiptar, veç rezultateve që po shënohen, ndoshta si “surprizë” po ndeshen elementë të “traditës”, të cilët më së shumti tregojnë se ky futboll do të mbetet i brishtë dhe në tranzicion shumë më të gjatë nga sa është menduar. Thënë më qartë, në javën e dytë të Superligës dhe në javën e tretë të Kategorisë së Parë është prodhuar lojë, por ka pasur edhe detaje në të cilët fshihen skena dhune që po “flenë” në çdo sezon me këtë futboll. Jo se në futbollin e kohës nuk ka elementë të tillë, por duke bërë një krahasim nivelesh e standardesh mes tyre dhe këtij tonit, duhet thënë se të tilla dukuri nuk e rrisin në progresiv nivelin që duam të kapim. Ndoshta nuk ishte menduar që dhuna në stadiumet tona të fillonte kaq shpejt në këtë edicion të ri, ku elementët e dhunës nuk të ngjanin nga njeri-tjetri. Në Kategorinë Superiore, pikërisht në ndeshjen e fundit të javës së dytë të saj, Flamurtari-Skënderbeu, dhuna u zhvendos në tribunën “VIP”, ku një “pilot” goditi më një bidon uji (realisht e goditi me grusht) presidentin e skuadrës korçare, Ardian Take. Loja u ndërpre në minutën e 37-të dhe kishte rrezik të mos fillonte, por qytetaria korçare, e ndoshta rregullorja e FSHF-së e ktheyn Skënderbeun në fushë. Po, çfarë donte ai “qitës bidoni” në këtë tribunë dhe pse lejohen njerëz të tillë pa dinjitet mashkulli që të dhunojnë në kushte befasie? Përgjigjen e marrim ngushëlluese: ky është futbolli shqiptar, këto janë masat organizative dhe masat ruajtëse nga policia në stadium. Skuadra e Skënderbeut me humbjen 2-0, nuk fiton në Vlorë që nga 17 tetori 1976,  atëherë kur i rrëmbeu fitoren e fundit Flamurtarit me rezultatin 2-0, por nga ky skandal në Vlorë ka humbur futbolli, e në këtë mes ka humbur skuadra e Skënderbeut, së cilës ju largua përfundimisht presidenti Takaj nga drejtimi i saj. “S’mund të jem pjesë e këtij llumi, nuk ky futbolli që dua unë”, është kjo shprehja e Ardian Takaj, i cili ka të drejtë ta quajë të tillë futbollin, ndërkohë që presidenti i Flamurtarit e quan këtë një faj të policisë. Këtu nuk mund të shfajësohen masat organizative të përbashkëta të klubit “Flamurtari” me policinë lokale të Vlorës. Natyrisht që rregullorja e FSHF-së parashikon edhe masa ndëshkuese për këtë rast, ndoshta edhe fitoren në tavolinë të Skënderbeut dhe mirë do bëjnë, sepse ky nuk është rasti i parë i dhunës në stadiumin e Vlorës, madje edhe në ndeshje kundër Skënderbeut. Në këtë javë të futbollit tonë, dhuna nuk mbeti e vetme në Vlorë, sepse edhe në Kukës e Kavajë nuk u kursyen shishet e ujit, pa përmendur fjalorin fyes që është përdorur në shkallët e këtyre stadiumeve. Ndërsa në Kategorinë e Parë, veç pretendimeve për gola të paqenë, për gjykime të dobëta e situata të tjera të fushës së lojës, në Mamurras ka një rast “GUINESS”, ku presidenti i skuadrës e shkrin atë pas humbjes me Butrintin dhe vetë jep dorëheqjen, ndërkohë që vazhdon telenovela “blu” e Bashkisë së Kamzës me Presidentin e skuadrës Naim Qarri, por këtë herë tifozët u bënë zot, ku pasi thyen edhe kordonin policor të kryetarit Mziu, bënë që ndeshja të zhvillohej, por pasi mbushën edhe kanalin që ishte hapur në mesin e fushës nga “minjtë e bashkisë”. Çfarë paradokse bëjnë këta njerëz kaq të pacipë para misionit që vetë futbolli ka dhe që atij ndër vite po i rrinë si “çamçakëzi pas këpucës”! Kështu u “mbars” kjo javë e futbollit në Shqipëri, me raste dhune që edhe pse nuk kanë ngjashmëri me njeri-tjetrin, topkëmbës po i bëjnë dëmin e pariparueshëm për momentin. Me shumë boksierë dhe me skena dhune, java që u mbyll do të jetë një nga fletët më të zeza të kalendarit të këtij sezoni të ri, se po të gërmosh në “arkivën” e rasteve të dhunës në futbollin shqiptar, del zbuluar fakti se fjala “dhunë” nuk e ka ditëlindjen e saj në Vlorë. Qoftë me kaq, se rasti i ditës së diel po paralajmëron “kruajtjen” e plagës, e cila i qëndron brenda futbollit dhe vetëm rastin pret që të nxjerrë prej andej qelbin e saj.

27 vendime për dënimin e fushave

  Ngjarjet e këtyre dy javëve të para të këtij edicioni të Superligës janë një kambanë alarmi për kompeticionin më të rëndësishëm në vend. Në fakt, kemi të bëjmë me një “film” të parë dhe të riparë disa herë. Duke u ndalur vetëm te dënimet e fushave, edicionin e kaluar u dhanë 27 vendime, nga Komisioni i Disiplinës, ku nëntë i përkasin klubeve të Kategorisë Superiore, dhjetë të Kategorisë së Parë dhe gjashtë të Kategorisë së Dytë. Janë të paktën shtatë nga 14 klubet e Kategorisë Superiore (ose 50%), që janë ndëshkuar nga Komisioni i Disiplinës, për të luajtur pa shikues, apo zhvilluar ndeshje në fushë asnjanëse. Shkaqet janë të ndryshme që, herë lidhen me sjelljen jo korrekte të tifozëve dhe herë me ekzaltimet e tejkaluara të ultrasve në përdorimin masiv të fishekzjarrëve, por dhe gurrëve. Gjatë sezonit të kaluar u ndëshkuan pesë lojtarë me pezullim të përjetshëm: Ervis Peci, Renato Saliko, Hyserion Shupe dhe Efiliano Lico (të katër të Gramozit), si dhe Donald Harizi i Memaliajt. Me pezullime të përjetshëm është dhe Dritan Pica i Besëlidhjes U-19, i cili u tregoi thikën kundërshtarëve dhe gjyqtarit gjatë një ndeshje me Flamurtarin e asaj moshe.

Për momentin mesfushori i Kombëtares shqiptare është pezulluar nga aktivitet e ekipit të parë

 PAOK-u ka frikë ta dënojë Ergys Kaçen

 Klubi grek, PAOK-u i Selanikut ende nuk ka marrë ndonjë masë ndaj mesfushorit të Kombëtares shqiptare, Ergys Kaçe, pasi nuk dëshiron që të konfliktohet hapur me UEFA-n. Sipas portalit sportiv grek, “Sport24.gr”, drejtuesit selanikas janë duke studiuar çdo mundësi për ndëshkimin e lojtarit shqiptar, i cili pak ditë më parë postoi në rrjetin social një foto të tij me bluzën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila konsiderohet si një organizatë terroriste në Greqi.

DËSHMIA

Ergys Kaçe dha dje në mesditë në selinë e PAOK-ut shpjegimet e tij në lidhje me foton, duke kërkuar, sipas mediave greke, falje për veprimin e kryer. 20-vjeçari ishte i shoqëruar nga xhaxhai i tij, me të cilin ai është rritur në Greqi dhe kërkoi falje përpara tre drejtuesve të lartë, përfshirë presidentin Zisis Vrisas, Panajotis Pikilidis dhe Ilia Gjerontidhi, por edhe të German Ciastiakorit dhe këshilltarit Ivan Savidhi. Gjithmonë sipas “Sport24.gr”, Kaçe u shfaq i penduar për veprimin e tij, duke kuptuar njëherësh edhe shkallën e reagimeve që ai shkaktoi në klubin e PAOK-ut, mbështetsve të tij si dhe në përgjithësi në shoqërinë greke. Mesfushori i ri tha se, ai personalisht nuk dëshironte të shkaktonte asnjë lloj problemi për grekët, dhe se ai nuk do ta përsëriste më një gjë të atillë. Kaçe “luajti” me paditurinë e tij në lidhje me UÇK-n, duke theksuar edhe faktin se, faqja me emrin e tij në “Facebook” ishte bërë nga të tjerët, por gjithsesi “fantazisti” i ri i skuadrës greke dhe ekipit tonë kombëtar kërkoi falje nga administratorët e PAOK-ut. “Dënimi (me gjobë dhe izolim), për momentin mund të supozohet, – shkruan “Sport24.gr”, – megjithatë, asnjë vendim nuk do të merret përpara se konsultohet edhe me këshilltarin Ivan Savidhis (takimi i parashikuar dje në mbrëmje vonë në Selanik).

MASA

Siç bëhet edhe e ditur, PAOK-u dëshiron ta ndëshkojë lojtarin për ta bërë shembull, por ende nuk e di se cili do të ishte masa ndëshkimore perfekte, me qëllim që të mos krijonte efekte anësore. Siç, u bë e ditur edhe nga klubi i PAOK-ut, për momentin Kaçe do të qëndrojë larg aktiviteteve të ekipit të parë, derisa të merret një vendim për rastin e tij. Disa ditë më parë, mediat greke i bënë jehonë një deklaratë të Partisë për Drejtësi dhe Integrim, PDIU, e cila doli në mbrojtje të lojtarit, ku ndër të tjera e cilësonte si një “fushatë shpifje dhe dëshmi të regresionit të shoqërisë greke që, ka mbetur peng i aleatëve të saj të vjetër (Serbisë)”. Sipas portalit grek “Gazzetta.gr”, pak ditë më parë klubi grek i PAOK-ut i ka dërguar një letër Federatës Greke të Futbollit, EPO, në lidhje me trajtimin e çështjes së Ergys Kaçes dhe masat e mundshme ndaj tij. “Omospondhia” (Federata Greke) pyeti UEFA-n, e cila nga ana e saj ktheu një përgjigje evazive, duke deklaruar se nuk është një çështje në kompetencën e saj dhe se, ajo është çështje e brendshme e PAOK-ut dhe Superligës greke.

PRECDENTËT

Klima në Selanik, atje ku ka dhe qendrën PAOK-u ka qenë e nderë ditët e fundit, madje ka pasur edhe dy organizime në kontrast me njëra-tjetrën: nga njëra anë, tifozët e PAOK-ut sulmuan selinë e Partisë “Agimi i Artë”, një parti e ekstremit të djathtë, të konsideruar si e afërt me filozofinë naziste, e që përfundoi me rreth 46 të arrestuar dhe të liruar më pas nga gjykata e Selanikut. Situatat e rënda të krijuar në Selanik ndaj lojtarëve shqiptarë nuk është një gjë e re. Qyteti ka disa ekipe në një rivalitet plot urrejtje ndaj njëri-tjetrit, dhe këtë lloj situate më parë e kanë përjetuar edhe Indrit Fortuzi dhe Edvin Murati, kur këta të dy luanin për Iraklisin e Selanikut në fillim të viteve 2000. Për t’i shpëtuar një situate edhe më të keqe, e për të qetësuar gjakrat, prindërit e Ergysit, sipas asaj që raporton “Voria.gr”, u larguan nga Selaniku për në drejtim të Italisë. PAOK-u nuk ka vetëm një lojtar shqiptar, por madje dy. Përveç Ergys Kaçes me “zebrat” e Selanikut luan edhe 23-vjeçari Sotir Nini, apo Sotiris Ninis, siç është dhe emri i tij zyrtar në Greqi. Ish-mesfushori i Panithinaikosit, i lindur në Himarë më 3 prill 1990, shpenzoi gjashtë sezone me atë skuadër, por asnjë herë nuk iu përgjigj ftesave të Federatës Shqiptare dhe Kombëtares sonë, duke preferuar Greqinë, ku ndryshoi edhe emrin duke i shtuar nga një “s”: nga Sotir Nini në Sotiris Ninis. Gjithsesi, dje “Novaspor.gr”, shkruante për “pendimin e Kaçes”.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA IIL

Të mërkurën, 18 shtator

Lushnja-Laçi         14:00

Vllaznia-Tirana      14:00

Teuta-Flamurtari           14:00

Kastrioti-Besa       14:00

Partizani-Bylis      14:00

Skënderbeu-Kukësi    17:00

RENDITJA

1    Flamurtari      2    +2   6

2    Teuta           2    +1   4

3    Laçi            2    +1   4

4    Tirana          2    +1   4

5    Vllaznia        2    +1   3

6    Partizani       2    +1   3

7    Bylis           2    +0   3

8    Skënderbeu      2    +0   3

9    Lushnja         2    +0   3

10   Besa            2    -1   1

11   Kukësi          2    -3   0

12   Kastrioti       2    -3   0