Agron KAJA/ Barazimi në derbi, fitorja për “Lojtarin e 12-të”

499
Kur ditë më parë në gazetën “Telegraf” e përshkruam rrugën drejt titullit Kampion në Superiore si: “Një serenatë korçare nën flladin bardh e blu”, pas derbitë të 142-të Partizani-Tirana 2-2, ndoshta na jepet e drejta të themi se nuk kemi qenë shumë emocional e frymëzues në atë këndvështrim, sepse vetë rezultati i mbrëmjes së të hënës tregoi që rruga e elitës do ta ketë deri në fund këtë atmosferë. Edhe pse deri këtu jemi në vorbullën e hamendësimeve profesionale që në zhargonin gazetaresk sportiv quhen “prognoza” të cilat në çdo fund sezoni janë bërë të modës në faqet e shtypit apo në ekranet e televizioneve, ndeshja e fundit e javës së 33-të në Kategorinë Superiore i zbardhi përfundimisht dilemat e “kokës” së Kampionatit të 76-të Kombëtar të kësaj kategorie elitare në futbollin shqiptar. Kësisoj, duke qëndruar fillimisht në këtë argument, brenda këtyre radhëve në Gazetën “Telegraf” kemi kurajën që ta quajmë Skënderbeun Kampion edhe si një “produkt” të kësaj gazete, dhe deri këtu le të themi se kemi bërë mirë detyrën. Por, ajo çka na joshi më shumë pas mbylljes së javës së 33-të ishte panorama e derbit Partizani-Tirana 2-2, jo vetëm për golat dhe atë çka prodhoi fusha e lojës, por më tepër për dekorin në shkallët e stadiumit që krijuan të dyja tifozeritë, për të cilin realisht na kishte marrë malli. Personalisht u ndjeva i rinuar që e përjetova këtë atmosferë pikërisht aty ku ajo u “gatua dhe u shfaq”, në organizim, në drejtim, në dekor dhe në ritmikë. Të shohësh si gazetar sportiv një derbi mes tifozerisë, është një mision sa i vështirë, aq edhe emocional, e duke i kaluar të dy këta tregues, ndoshta aty në shkallët e stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” janë shpalosur emocionet e fundit para rikonstruksionit të tij (i cili çuditërisht po vonon të fillojë). Më lind një pyetje: Pse duhen shkruar këto radhë për produktin e shkallëve të stadiumit në derbin Partizani-Tirana? Dhe përgjigja është konkrete: Sepse për atë produkt ka shumë nevojë futbolli shqiptar. Parë kështu, tifozeria “Guerrils”-at e Partizanit dhe “Fanatiks”-at e Tironës, po i japin futbollit tonë frymëmarrjen e munguar për vite me radhë, kryesisht që pas vitit 1997, i cili me realitetin që prodhoi i dha një eksod të paparë edhe tifozerisë në futbollin tonë. Kjo është arsyeja që këtë derbi të barabartë në rezultat po e quaj si një fitore të tifozerisë, ndërkohë që po ta shohim edhe në këndvështrimin e statistikave, “derbi” i 145-të Partizani-Tirana me 4 golat që u shënuan, mund të veçohet sepse njëherësh ai rezultat theu edhe rekordin e Kampionatit të 76-të Kombëtar 2014-2015 për golat e shënuar në një javë të. U shënuan plot 18 gola, ndërkohë që në javën e 13-të ishin shënuar 17 gola, shifër kjo që rezistoi të ishte më e larta për 21 javë resht në këtë kampionat. Sa për të rikujtuar “maniakët” e shifrave, më pak gola në këtë kampionat deri në javën e 33-të janë shënuar në javën e katërt, pikërisht 4 të tillë. Ndërkohë që duke qenë në logjikën e shifrave, brenda prognozës që gazeta “Telegraf” e ka bërë ritmikisht në 12 Kampionatet e fundit, le të themi se tre javë para përfundimit të Kampionatit të 76-të Kombëtar të futbollit shqiptar, janë përcaktuar vetëm skajet e tabelës së renditjes: Skënderbeu Kampion dhe Elbasani i zbritur në Kategorinë e Parë. Kësisoj, gjithçka e “pështjelluar” në këto radhë ndoshta na çon edhe në konkluzionin se tri javët e mbetura të Superiores do të jenë më se interesante në dy pozicione: në kreun e renditjes për vendin e dytë dhe të tretë që realisht i çon skuadrat në Turin paraeliminator të Uefa Europa Ligë, dhe në fundin e tabelës për mbijetesë, në vallen e së cilës janë Teuta e Apolonia. Por, duke mos menduar që në këto 270 minuta të mbetura të na shfaqen dukuritë e së shkuarës me ndeshje që rezultatin e vendosnin në tavolinë, le të kujtojmë se skuadra e Skënderbeut duke fituar titullin e gjashtë në historinë e 76 Kampionateve, bëhet edhe skuadra e parë kampione e kampionateve të fituara radhazi. Ky është Kampionati i pestë radhazi që fitohet nga skuadra korçare, fakt i cili nuk ka ndodhur me asnjë nga skuadrat e tjera të futbollit shqiptar që e kanë fituar këtë titull, pse jo edhe me Tiranën 24 herë Kampione. Të gjitha këto të dhëna në këto radhë na i “trazoi” ndeshja “derbi” Partizani-Tirana 2-2, por na i frymëzoi “Lojtari i 12-të” në këtë sfidë. 
PAS DERBIT
Titulli Kampion
Edhe 3 ndeshje=9 pikë
Java e 34-t/ 9 maj 2015
Tirana- Skënderbeu 1
Java e 35-të/ 16 maj 2015
Skënderbeu- Flamurtari 1
Java e 36-të/ 23 maj 2015
Vllaznia- Skënderbeu 2
PËRFUNDIMI
Skënderbeu+6 pikë=78 pikë
Kampion për të gjashtën herë
Mbijetesa
Edhe 3 ndeshje=9 pikë
Java e 34-t/ 9 maj 2015
Teuta- Kukësi 2
Apolonia- Elbasani 1
Java e 35-të/ 16 maj 2015
Teuta-Apolonia 1X2
Java e 36-të/ 23 maj 2015
Tirana-Teuta 1
Apolonia- Laçi 1
PËRFUNDIMI
Teuta+0 pikë=26 pikë
Apolonia+6 pikë=28 pikë
Vendimtar rezultati
Teuta-Apolonia 1X2
Ndeshjet-Java e 34-t
Datë 9 maj 2015
Apolonia-Elbasani
Vllaznia-Laçi
Flamurtari-Partizani
Tirana-Skënderbeu
Teuta-Kukësi
(Të gjitha ndeshjet do të luhen në të njëjtën ditë dhe në të njëjtën orë)
RENDITJA
Skuadrat Nd Pikë
1.Skënderbeu 33 72
2.Tirana 33 67
3.Kukësi 33 66
4.Partizani 33 64
5.Laçi 33 60
6.Flamurtari 33 38
7.Vllaznia 33 35
8.Teuta 33 26
9.Apolonia 33 22
10.Elbasani 33 14
Sigal