Agron KAJA/ Barazimi me Francën, shuplaka e radhës ndaj Platinisë

504
Sigal

KOMENT/ Ja pse këtë muaj duhet ta quajmë “Nëntori i Artë” në sportet shqiptare, peshëngritje e futboll

Ky nëntor i 2014-ës, duket se nisi dhe po mbyllet me shumë fat në sportet shqiptare. Nga tri medaljet e Arta në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes e deri tek barazimi 1-1 me Francën, këto janë kulmet sportive në këtë nëntor që përkon edhe 70-vjetorin e çlirimit të Shqipërisë, për të cilët edhe mund të themi me krenari se ka ardhur si një “Nëntor i Artë” për Shqipërinë në arenën sportive botërore dhe europiane. Por, duke thënë së pari konsideratat më të mira dhe me shumë respekt për dy peshëngritësit tanë Kampionë Bote, Daniel Godellin e Romela Begën, le të shkojmë pak më tej, aty në Francë ku Kombëtarja jonë e futbollit arriti të marrë një barazim të merituar kundër skuadrës së “Gjelave”. Këtu do të ndalen edhe këto radhë, të cilat kësisoj, kërkojnë që këtë barazim ta quajnë një “dron të ulur mbi shtëpinë e Platinisë” dhe kjo jo pa qëllim. Sepse ka kaluar më shumë se një muaj nga ajo ndeshje e shëmtuar në Beograd në sfidën Serbi-Shqipëri, ende nuk janë mbushur 40 ditët e vendimit po aq të shëmtuar që UEFA morri ndaj skuadrës sonë Kombëtare, ndërsa Presidenti i UEFA-s, francezi Mishel Platini nuk e ka pasur kurajën që të flasë sikundër mërmëriti pa u dhënë vendimi nga Komisioni i Etikës dhe i Disiplinës. Është bërë publik ky vendim i padrejtë për Shqipërinë, ndërkohë që në mbrëmjen e 14 nëntorit, një muaj pas shëmtirës serbe në Beograd, Kombëtarja jonë shënoi një barazim historik me skuadrën që ka dalë Kampione Bote dhe Kampione Europë, Francën. Pse duhet parë ky barazim përtej historisë, ku në 4 ndeshjet e luajtura më parë me skuadrën franceze kishim një bilanc negativ me 4 humbje e me golavarazhin 1-11? Sepse ky barazim erdhi kuptimplotë për gjendjen e mirë të skuadrës sonë, e cila fitoi më 7 shtator 1-0 në transfertë kundër Portugalisë, barazoi më 11 tetor 1-1 me Danimarkën e fortë, luajti me dinjitet kundër Serbisë më 14 tetor, në atë ndeshje të ndërprerë në minutën e 42-të, dhe kulmoi në barazimin 1-1 në stadiumin e Rene-së. Të gjitha këto të dhëna flasin shumë për Kombëtaren tonë, të cilat duke i parë me objektivitetin profesional, qartazi ato prezantohen si pjesa kundërshtuese ndaj vendimit të UEFA-s për ndeshjen me Serbinë. Njëherësh, pas humbjes në fushën e saj që Serbia shënoi kundër Danimarkës, e bëjnë edhe më dyshues atë vendim, për të cilin ende nuk ka folur Apeli, e përtej tij, pse jo edhe KAS-i. Por, ky rezultat 1-1 që Shqipëria arriti ndaj Francës, e çuditi edhe vetë trajnerin e saj Didie Deshamp, i cili duke mos hyrë në ambientin politik, hapur e thotë se humbja 0-3 në tavolinë për Shqipërinë, dhënia e fitores 3-0 Serbisë, e më pas heqja e 3 pikëve asaj, tregojnë për një vendim të paqartë. Pra, Deshamp thotë se, ato tri pikë tashmë nuk i ka askush vetëm nga ai vendim, një thirrje kjo për UEFA-n që vjen nga një Kampion Bote dhe Europe. Më pas, duke qenë se kjo deklaratë e trajnerit aktual të Francës është bërë menjëherë pas ndeshjes të luajtur ditën e  premte më 14 nëntor, Francë-Shqipëri 1-1, vjen edhe si një kritikë e hapur mediatike ndaj Mishel Platinisë si President i UEFA-s, me të cilin ai vetë pati fatin të bashkëpunonte në pozicionet trajner-lojtar. Ndoshta kjo çiltërsi e Deshamp do të bjerrë në veshët e radhës që të dëgjojnë mirë juridikisht, në Komisionin e Apelit të UEFA-s,i cili më 2 dhjetor do të flasë pas vendimit që dha Komisioni i Etikës dhe i Disiplinës në mesin e muajit tetor. Ndërsa për ta respektuar me disa radhë modeste barazimin me Francën, ne kthehemi në Kombëtaren tonë, e cila me këtë barazim bën krenar çdo shqiptar. Një rezultat jo i rastësishëm nën drejtimin e italianit Xhani De Biazi, ku në total në 27 ndeshje janë arritur 10 fitore, 7 barazime dhe 10 humbje. Historikisht, rezultate të tilla nuk kishte mundur t’i  arrinte asnjë nga pasardhësit e tij në stolin kuqezi, që veç krenarisë e shtojnë edhe më shumë “dozën” e përkrahjes e mbështetjes që i duhet bërë në vazhdimësi. Këtu ndoshta ka nisur edhe kthesa për të realizuar atë ëndrrën e madhe që edhe Shqipëria e futbollit të futet në sërën e elitës dhe më afër është “Evropiani 2016”, i cili do të luhet pikërisht aty ku dy ditë më parë u barazua me meritë ndaj Francës. Të martën në Xhenova do të luhet një miqësore  kundër Italisë, kjo është Shqipëria e goditur nga dhuna e Beogradit, që nuk e meriton atë ndëshkim racist që UEFA i dha si kompensim ndaj nacionalizmit serb.

Shkarkimi i Advokaad, “mallkim” shqiptar

Ndodhitë në kombëtaren serbe të futbollit duket se po marrin rrugën e shtruar nga vetë kupola e futbollit në vendin e tyre. Dalëngadalë, të gjithë ata që e gatuan, por edhe ata që e përkrahën dhunën ndaj shqiptarëve në stadiumin e Beogradit po e “gjejnë veten”. Një ndër ta ishte edhe holandezi Dik Advokaad, i cili i ulur në stolin e kombëtares serbe në muajin korrik 2014, për atë çka ndodhi në ndeshjen Serbi-Shqipëri, foli sikur shqiptarët ishin shkaktarët e fajtorët e asaj çka ndodhi, ndërkohë që përpos emrit të tij, ai u shfaq sikur ishte trajner i një skuadre të madhe në Europë, pse jo, sikur drejtonte skuadrën e “engjëjve”. Humbja e Serbisë me Danimarkën që solli largimin e tij si trajner i Serbisë, nuk ishte një rastësi, sepse skuadra serbe edhe në ndeshjen me Shqipërinë për ato 42 minuta që u luajtën, nuk tregoi ndonjë paraqitje që të frikësonte, të paktën nga dy-tre emra që ka në përbërjen e saj. E kështu, largimi i Advokaad është ndëshkimi i parë që i bëhet kombëtares serbe për atë ndodhi shëmtirë të 14 tetorit, ndoshta le të vijë si një “mallkim” shqiptar ndaj dënimit të pamerituar që UEFA i dha Shqipërisë si kompensim ndaj pikëve që i dha Serbisë. Kësisoj, duket se do të presim ndodhi të tjera, që do ta zhveshin lakuriqësinë e dhunës nacionaliste serbe, por edhe të gjykimin skandaloz të UEFA-s.