Agron KAJA /“Alarmon” Liga Profesioniste: Jo si një tender bashkie!

102
Ndërsa jeta social-ekonomike nuk është shumë e mirë dhe njerëzit gjenden të hallakatur për një punë apo për një banesë, futbolli në ritmikën e tij duket sikur kërkon t’i sfidojë të gjithë këto problematika të jetës së përditshme në vendin tonë. Duke e vazhduar periodikisht rrugën e tij nga sezoni në sezon, edhe pse gjatë tyre ka shkelur në pengesa e mangësi që në misionin e tij duken sa të zakonshme aq edhe të trillta për mënyrën e kohën që ato vijnë dhe ikin pa një gjurmë progresi, sot ky futboll po kërkon të ndryshojë. Dhe ky ndryshim nuk qëndron vetëm në atë performancë të Skenderbeut në Champions apo edhe të Kombëtares, por edhe në atë futbollin e përditshëm dhe më të prekshëm për të gjithë ata njerëz që preken ose jo nga elementët social-ekonomikë në Shqipëri, në Kategorinë Superiore e më gjerë. Themi kështu sepse në mesin e këtyre konstatimeve, ditët e fundit para startit të Kampionatit të 77-të Kombëtar të Kategorisë Superiore, për herë të parë nga FSHF-ja u dha një sinjal profesionalisht i domosdoshëm sa i përket krijimit të Ligës Profesioniste në futbollin shqiptar. Natyrisht që ky është një lajm i mirë për këtë futboll, i cili ka vite që luhet nën “komandën” e FSHF-së, nën sqetullat e shtetit dhe të bashkive të qyteteve që financojnë skuadrat e tyre për të luajtur në fushën e lojës. Kishte kohë, për kujtesë më shumë se 10 vite, që shikonim e dëgjonim në mediat tona sportive se është duke u gatuar një “tallava” lidhur me Krijimin e Ligës Profesioniste në futbollin shqiptar. Kjo nismë dukej si qesharake dhe e pabesueshme kur në krye të saj viheshin kryebashkiakë që futbollin në qytetin e tyre e kishin vënë “tuç” duke e përdorur kryesisht për qëllime elektorale. Duket e tillë sepse njerëz të zgjedhur për të drejtuar një qytet shfrytëzonin postin dhe nga djersa e taksapaguesve të tyre u bënë liderë edhe në organizimin e topkëmbës shqiptare. Këta qytetarë të parë provizorë, edhe në këtë periudhë u munduan ta shisnin veten si specialistë kur uleshin në tavolina e kolltuqe që sipas tyre po “prodhonin” këtë strukturë të domosdoshme në futboll. Kështu, ky nuk është ekstremi i të menduarit për këtë sipërmarrje kaq të guximshme që është duke u gatuar ditët e fundit, me shpresën e mirë e besimin profesional tek FSHF-ja, por “paterica” që shfaqet në kësi rastesh në këtë sipërmarrje organizative të futbollit tonë me standardet e kohës të bën që të mos besosh në atë çka thuhet. Cila është ajo? “Sëmundja presidenciale”, e cila si për paradoks e ka bërë një “tallava” domosdoshmërinë për krijimin e Ligës Profesioniste në futbollin shqiptar. Nga vetë FSHF-ja për ngritjen e Ligës Profesioniste në futbollin tonë, mediatikisht janë angazhuar vetëm presidentët e klubeve, ndërsa anashkalohen profesionistët. Është mëse normale që sita e profesionistëve tu sillte atyre në tavolinë çdo lloj forme të ngrritjes së saj dhe të gjithë ata presidentë klubesh të nderuar që po i japin frymëmarrjen ekonomiko-financiare aq të dëmosdoshme këtij futbolli, nuk duhet të ngatërrohen me krijimin e Ligës Profesioniste sikur të ishin specialistë të fushës. Nga ana tjetër, krijimi i Ligës Profesioniste në futbollin shqiptar duhet parë edhe në gjendjen e pastabilizuar ekonomiko-financiare dhe sociale të vetë vendit tonë në këtë periudhë. Kushtet aktuale e zhvendosin këtë hallkë të rëndësishme si në planin e dytë edhe për një moment tjetër, pasi disa skuadra marrin financime nga bashkitë duke mos e mundësuar kështu të plotë pavarsinë e Ligës në ecurinë e saj. Nëse këto momente duhet të mbahen në qendër të vëmendjes në rastin e krijimit të Ligës Profesioniste, kjo ligë do të mund të jetë e shëndoshë pas “kurimit” profesional të tyre, jo vetëm nga FSHF-ja. Mungesa e kësaj strukture e bën edhe më të dobët përfaqësimin e skuadrave tona në Europë, edhe pse kemi sot një Skënderbe që me paraqitjen e tij po tregon më shumë se sa vlera bart në vetvete futbolli ynë. Kësisoj, Skënderbeu po u “tërheq veshin” organizatorëve të kësaj strukture elitare në futbollin tonë, të cilët kanë vite që ulen nëpër kolltuqe e mbështeten në tavolina, por prej andej kanë prodhuar vetëm fjalë.
KATEGORIA SUPERIORE
“Kërcënojnë” pretendentët, “çalojnë” debutuesit
Java e parë e Kategorisë Superiore i prezantoi katër ndeshjet e para, ku tetë skuadrat që luajtën 360 minutat lojë treguan se çfarë kishin “gatuar” në dy muaj përgatitorë brenda e jashtë Shqipërisë. Edhe pse është vetëm ndeshja e parë dhe skuadrat teknikisht nuk mund të shprehnin plotësisht vlerat e potencialet e tyre, vetë rezultatet që u fiksuan duket sikur i japin një konfirmim skuadrave që në sezonet e fundit kanë pretenduar titullin kampion, e njëherësh dy debutueset i shfaqi të brishta në përballjet me kundërshtarët. Kukësi me fitoren 2-0 ndaj Bylisit duket sikur e shpërfill situatën e rënduar pas eliminimit në Europa Ligë dhe luhatjeve të presidentit Gjici, ndërsa Tirana me fitoren në transfertë 2-1 ndaj Tërbunit debutues “kërcënoi” që javën e parë. Nndërsa për pukjanët, ata vetëm sa shijuan 90 minutat e para në elitë pas 78 viteve të krijimit, ndryshe nga historia e tyre. Teuta “dinake” morri tri pikë ndaj Flamurtarit të “fryrë” mediatikisht nga merkatua e trajneri çek, ndërsa Partizanin e frenoi Laçi në një ndeshje që edhe mund ta kishte humbur. Kjo ishte java e parë e Superiores 2015-2016 në të cilën u shënuan 8 gola në 4 ndeshje, një mestatare e kënaqshme me 2 gola për ndeshje. Duke pritur edhe 9 shtatorin për ndeshjen Skënderbeu-Vllaznia, kjo javë e parë do të ketë më shumë për të thënë.
Ndeshjet-Java e parë
Datë 21 gusht 2015
Partizani-Laçi 1-1
Datë 22 gusht 2015
Flamurtari-Teuta 0-1
Datë 23 gusht 2015
Kukësi-Bylis 2-0
Tërbuni-Tirana 1-2
Datë 9 shtator 2015
Skënderbeu-Vllaznia
Renditja
Skuadrat Pikë
1.Kukësi 3
2.Tirana 3
3.Teuta 3
4. Laçi 1
5.Partizani 1
6.Skënderbeu (-1) 0
7.Vllaznia (-1) 0
8.Flamurtari 0
9.Tërbuni 0
10.Bylis 0
Ndeshjet-Java e dytë
Datë 28 gusht 2015
Partizani-Flamurtari 20:00
Datë 29 gusht 2015
Laçi-Tirana 17:00
Skënderbeu-Kukësi 20:00
Datë 30 gusht 2015
Bylis-Tërbuni 17:00
Teuta-Vllaznia 20:00