Agim Çiraku: Rekordi historik 30 vjeçar, pjesë e progresit të notit shqiptar

Nga Agron KAJA

NOT-KUPA E SHQIPËRISË/ U mbyllën dje garat e ditës së dytë, Butrinti me rekorde dhe Stela me ekipet, ndërsa Nikol Merizaj dhe Frenc Bërdaku më të mirët. Flet Presidenti FSHN-së

Dje u mbyllën garat e ditës së dytë të Kupës së Shqipërisë në Not, meshkuj e femra, në të cilën morën pjesë 14 skuadra nga e gjithë Shqipëria. Nëse në ditën e parë Tirana me trajner Arjan Fetishaj u bë “padrone” me 11 gara të fituara, në ditën e dytë Te Stela, Butrinti dhe Teuta, rivalizuan denjësisht. Dhe vetëm me 1 pikë më shumë se Tirana, Te Stela e fitoi Kupën si ekipi më i mirë për femra, ndërsa edhe për meshkuj, Stela grumbulloi 150 pikë, duke i kaluar 13 skuadrat e tjera. Gjithsesi, në këtë event të fundit për Notin shqiptar, thyerja e 5 rekordeve Kombëtare (4 për moshat nën 14 vjeç dhe 1 për të rritur), tregoi se ky sport, në vazhdimësinë e punëve, është i orientuar më shumë drejt progresit. Në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, deklaroi se, të gjithë vinin pas një periudhe verore të lodhshme, e duke shtuar motin e nxehtë këto ditë, të gjithë dhanë më të mirën e tyre. “Kemi edhe dy notarë të mëdhenj, Nikol Merizaj e Tiranës për femra, dhe Frenc Bërdaku i Teutës për meshkuj, të cilët po tregojnë seriozitet e progres nga gara në garë. Natyrisht që për ta janë fjalët më të mira, njëherësh edhe porositë që të punojnë më shumë, sepse mundësitë e tyre janë për rezultat shumë më të mira se kaq”, kështu deklaroi dje Presidenti i FSHN-së, pas përfundimit të garave të Kupës së Shqipërisë.

Presidenti i Federatës e ndjek me shumë pasion eventin e Kupës, ndjeheni ende për garë?
(Qesh) Në fakt, të gjithë këta notarë e notare të imponojnë respekt, dhe duke u bashkuar me pasionin tim për notin, më duket sikur edhe unë jetoj me ujin, me garat. Në fakt kishte rivalitet, dhe ai bëri që të ndjehesha më pranë këtyre garave, të cilat sot (dje) bënë edhe mbylljen e sezonit tonë kalendarik.

Dhe, si mendoni se u zhvilluan këto gara të Kupës së Shqipërisë, që si me “keqardhje” detyroheni ‘ti mbyllni sot (dje)?
Mendoj se në të dyja ditët, garat u zhvilluan shumë mirë, dhe për gjithçka, unë falënderoj të gjitha skuadrat pjesëmarrëse, të gjithë notarët pa përjashtim. Në aspektin sportiv, dhe në veçanti rekordmenët. Të gjithë vinin pas një periudhe verore të lodhshme, e duke shtuar motin e nxehtë të këtyre ditëve, besoj se të gjithë dhanë më të mirën e tyre.

Çfarë mendoni se i mungoi kësaj Kupe?
Në fakt, pritshmëritë ishin për rezultate më të larta, por më duhet të përsëris edhe një herë arsyen, sepse notarët vijnë në këto gara edhe pas pushimeve familjare. Ky është një defekt në Kupë, ndoshta për ta parë në vitet e ardhshme, por që nuk mund të jetë ky argumenti justifikues për më shumë.

U thye një Rekord i vjetër Kombëtar, çfarë tregon kjo për ju si President i Federatës?
Për thyerjen e rekordit, më duhet të falënderoj notarin e Butrintit të Sarandës, Justin Arapaj, i cili në garën 200 m stil shpinë, me kohën 2.21.17, e uli nga “froni” rekordmenin shkodran Ilir Ymeri, pikërisht pas 29 vjetësh. Është një arritje jo vetëm për notarin, i cili meriton përgëzime dhe respekt, por edhe për faktin tjetër, se, gjeografia e rekordeve tashmë po del nga Tirana e Durrësi.

Që tregon se po rikthehet Butrinti i dikurshëm në notin shqiptar?
Pse jo, duke parë që nga notarët sarandiotë, katër prej tyre ishin kampionë, dhe njeri rekordmen, kjo tregon se tradita “zhytet”, por asnjëherë nuk “mbytet”. Butrinti i Sarandës e tregoi më së miri, por edhe ekipet e notarët e tjerë nuk u ndanë nga rezultatet e mira, dhe ata ishin nga ekipe të ndryshme, ku nga 14 ekipe, vetëm 4 prej tyre nuk nxorën kampionë, por në vendin e dytë dhe të tretë të gjithë kishin notarë.

Ndoshta këtu duhen përmendur edhe fituesit për meshkuj e femra?
Patjetër, dhe dua të them se janë dy notarë të mëdhenj, Nikol Merizaj e Tiranës për femra, dhe Frenc Bërdaku i Teutës për meshkuj, të cilët po tregojnë seriozitet e progres nga gara në garë. Natyrisht që për ta janë fjalët më të mira, njëherësh edhe porositë që të punojnë më shumë, sepse mundësitë e tyre janë për rezultat shumë më të mira se kaq.

Ky ishte eventi i fundit për vitin 2017, e keni një përmbledhje të shkurtër të të gjitha garave që keni zhvilluar?
Në fakt, e kemi filluar me garat në pishina 25 m, dhe po e mbyllim me Kupën e Shqipërisë në pishinë 50 m. Nëse ka një vend për të thënë fjalën e mirë, ato shkojnë për notarët e trajnerët e tyre, sepse në çdo veprimtari kanë garuar me seriozitet e përkushtim. Një përmbledhje vjetore ndoshta do ta bëjmë më vonë, sepse kemi edhe një tjetër veprimtari në natyrë për këtë vit. 

Dhe cila është kjo veprimtaria e radhës, me të cilën ju si Federatë e Notit do të mbyllni vitin 2017?
Maratona Mbarëkombëtare do të zhvillohet në Sarandë në datat 9 dhe 10 shtator, ku do të kemi maratonë brezash. Duke qenë se këtu e mbyllim vitin 2017, e kemi menduar sa më masive këtë Maratonë, pse jo, presim edhe surpriza, që tashmë në not konvertohen me rekorde kombëtare.

Për thyerjen e rekordit kombëtar, më duhet të falënderoj notarin e Butrintit të Sarandës, Justin Arapaj, i cili në garën 200 m stil shpinë, me kohën 2.21.17, e uli nga “froni” rekordmenin shkodran Ilir Ymeri, pikërisht pas 29 vjetësh. Kjo është një arritje jo vetëm për notarin, por edhe për faktin se, gjeografia e rekordeve tashmë po del nga Tirana e Durrësi

REKORDET KOMBËTARE
REKORD KOMBËTAR TË RRITUR
#200 m stil shpinë/ Meshkuj
Justin Arapaj-Butrinti 2.21.17
(Rekordi i vjetër ishte 2.21.40, dhe 
mbahej nga Ilir Ymeri i Vllaznisë 
që nga viti 1998)
#100 m stil flutur/ Meshkuj (14 vjeç)
Renaldo Serjani-Butrinti 1.04.06
#50 m stil flutur/ Meshkuj (14 vjeç)
Renaldo Serjani-Butrinti 28.00
#800 m stil i lirë/ Femra (11-12 vjeç)
Sara Dande-Stela 10.52.78
#1500 me stil i lirë/ Femra (11-12 vjeç) 
Sara Dande-Stela 20.58.78