Agim Çiraku: “Strategjia jonë, masivitet e cilësi”

224

Presidenti i Federatës së Notit: “Është koha që noti shqiptar të dalë në nivele ndërkombëtare”

Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Z. Agim Çiraku, tha për gazetën “Telegraf” se ka ardhur koha që noti shqiptar të përfaqësohet me rezultate të mira edhe në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar. Kupa e Shqipërisë do t’i përmbushë ato pritshmëri që pret komuniteti i notit. Notarët janë përgatitur mjaft mirë, si gjatë sezonit dimëror ashtu dhe atë veror. Presim rekorde kombëtare, ashtu siç ndodhi edhe në Kampionatin Kombëtar për Fëmijë në të cilën u vendosën 14 rekorde të reja”, – tha Presidenti Çiraku.

 -Zoti President, Federata Shqiptare e Notit po organizon Kupën e Shqipërisë në not. A besoni se ajo do të përmbushë pritshmëritë?

– Patjetër, unë besoj se Kupa e Shqipërisë, si një nga aktivitetet e planifikuara vjetore që organizon Federata do t’i përmbushë ato pritshmëri që presim ne si drejtues dhe komuniteti i notit. Notarët janë përgatitur mjaft mirë, si gjatë sezonit dimëror ashtu dhe atë veror. Sot, ata janë të gatshëm t’i zhvillojnë garat e tyre me dinjitet. Presim rezultate të kënaqshme, por dhe rekorde kombëtare, ashtu siç ndodhi edhe në Kampionatin Kombëtar për Fëmijë të zhvilluar në fillim të muajit (2-3 korrik), në të cilën u vendosën 14 rekorde të reja Kombëtare.

– Mendoni se noti shqiptar, tani mund të përfaqësohet me dinjitet në arenën ndërkombëtare?

– Tashmë ka ardhur koha që edhe në not, Shqipëria duhet të përfaqësohet me rezultate të mira edhe në nivele ndërkombëtare. Rezultatet kanë qenë në rritje. Shpresoj se, këtë vit sportiv, notarët shqiptarë të marrin pjesë në eventet ndërkombëtare duke i kapur vetë normat e përfaqësimit në to, duke mos u përfaqësuar vetëm me ftesa nga Federata Europiane e Notit apo ajo Botërore.

– Zoti President, në muajin gusht do të zhvillohen Lojërat Olimpike Rinore “Nanjing 2014” në Kinë (16-28 gusht), noti shqiptar do të përfaqësohet me dy notarë. Çfarë mund të presim prej tyre?

– Po, Shqipëria do të përfaqësohet në Lojërat Olimpike Rinore me dy notarë, Noel Borshin, e cila ka kapur normën e kualifikimit dhe një notar tjetër me ftesë. Shpresojmë të arrijmë rezultate të mira për Shqipërinë, pasi atje do të konkurrojnë notarët e rinj më të mirë në botë.

– Cilat janë objektivat e Federatës së Notit?

– Federata Shqiptare e Notit po punon vazhdimisht për përmirësimin e kushteve dhe krijimin mundësive, çka ka reflektuar edhe vendosjen e shumë rekordeve të reja dhe të përfaqësohemi denjësisht në eventet ndërkombëtare të ardhshme.

Ka një masivitet të notit në vendin tonë, ndërkohë që vërehet edhe një hop cilësor në rezultate. Ka të bëjë me strategjinë që o ndjek Federata e Notit?

– Masiviteti i notit vjen gjithmonë në rritje, pasi dhe kushtet e garave janë gjithmonë në rritje. Vite më parë nuk kemi pasur pishina dimërore, ndërkohë që tani, si rezultat edhe i sipërmarrjeve private kemi disa të tilla, gjë e cila ka ndikuar shumë në cilësinë e rezultateve në not.

 Rekordmenët flasin për “Telegraf”

 Klavio Meçe, djaloshi që thyen rekordet e të rriturve

 Klavio Meçe ishte protagonisti dhe heroi i ditës së parës të Kupës së Shqipërisë, pasi notari i Akademisë së Notit “Te Stela” vendosi dy rekorde për të rritur: në 400 metra stil i lirë për të Rritur, me kohën e re 4’12”38, duke përmirësuar kohën e vjetër të mbajtur po nga ai vetë me 4.15”38 dhe në 800m stil i lirë me kohën e re 8’48”88 (e vjetra 8’54”94, po nga Klavio). “Rekordet vijnë si rezultat i një punë sistematike, serioze dhe tepër të lodhshme që kam bërë gjatë gjithë vitit, dimër e verë, duke u stërvitur dy herë në ditë. Për mua, rekordet si në 400m ashtu dhe në 800m stil i lirë ishin të pritshme. Arrita ta përmirësoj me më shumë se 3 sekonda në 400m dhe më shumë se 6 sekonda në 800m, nga kohët që kam arritur në mitingun e Lubjanës në Slloveni. Bëj një stërvitje goxha të madhe në ditë, notoj 12 km në ditë, një distancë e madhe. Tani synimi i radhës është të thyej rekordin në 1500m. Trajnerët e mi janë Pavllo Kisi, cili formon programin tim, Sadik Mema, si dhe një trajner që bën stërvitjen speciale Aleks Gjini. Familja më ka mbështetur shumë. Ia kushtoj asaj rekordet mia”, – tha Klavio Meçe.

  Ledia Allaraj, 15 rekorde në dy vjet

 Notarja e talentuar e Partizanit, Ledia Allaraj, nuk mund të mungonte për të firmosur rekordin e radhës. Sportistja më e mirë e kategorisë B në Kampionatin për Fëmijë (deri në moshën 14 vjeç) vendosi në Kupën e Shqipërisë një rekord të ri Kombëtar në 100 metra flutur për moshën 11-12 vjeç me kohën e re 1’17”94, duke e thyer me gati 9 sekonda rekordin e vjetër të mbajtur nga Rashel Demko (2009) me kohën 1’26”72. “Jam shumë e lumtur për rekordin e vendosur. Kam punuar shumë fort për ta arritur. Jam një sportiste që kam pretendime të mëdha. Kam marrë pjesë në shumë mitingje ndërkombëtare, por ëndrra ime është të marr pjesë në një kampionat botëror, me normë të kualifikuar dhe jo me ftesë”, – tha Allaraj, e cila stërvitet nga trajneri Dashamir Bregu. Ledia, edhe pse ka vetëm dy vjet që ushtrohet në not sportiv, ka thyer tashmë 15 rekorde moshash, ndërkohë që ajo numëron mbi 25 vende të para, në aktivitet kombëtare apo ato ballkanike ku ajo ka marrë pjesë.

 Alesia Neziri, rekordi i radhës

 Rekordi i radhës nga Alesia Neziri e Tiranës, kësaj radhe në 50m shpinë, për moshën 11-12 vjeç me kohën e re 35”58. Një përmirësim prej një sekondë ndaj atij atë të mëparshëm të Klea Konoplevias me kohën 36”55 (2011). “Është një rekord, për të cilin kam punuar shumë. Jam e kënaqur se, e vendosa në një garë të bukur dhe në rivalitet me Ledia Allarajn. Është bukur të garosh me të. Dola në vend të parë për moshën time dhe të vendosja rekordin e ti në 50m shpinë”.

  Sonja Kapediani, sërish me rekord

 Kur shikon Sonja Kapedanin nuk mund të mendosh kurrë se një sportiste e vogël si ajo mund të mundë në pishinë rivale më të mëdha në moshë e në trup, por jo qa notarja e Tornados e arrin këtë. Sonja vendosi rekord në 200 metra katërnorim për moshën 9-10 vjeç, duke fiksuar kronometrin në kohën e re 3’11”97. “Jam shumë e lumtur për fitoren e rekordin. Ia dedikoj familjes sime dhe trajneres Rovena Marku”, – tha “bukuroshja” e Durrësit.