Agim Çiraku: Një libër me vlerë, është një histori e “zbardhur”

730
Agron KAJA

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf” Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, vlerëson librin e Xhoxhi Vasilit “Mozaik Noti të Sarandës”

Zoti Çiraku, në këto ditë të para të vitit 2017, edhe pse ftohtë, si po e vazhdon noti aktivitetin e tij?

Tashmë për notin shqiptar nuk ka më stinë të kushtëzuara, sepse funksionon gjatë gjithë vitit. Natyrisht që sot bëhet fjalë për përgatitjen e notarëve në klubet e tyre, të cilat janë të shumta dhe të veçanta. Gjatë gjithë vitit të kaluar janë zhvilluar kampionatet dimërore për kategoritë Fëmijë, të Rinj, të Rritur dhe Veteranë, njëherësh edhe Kampionatet Kombëtare verore për të gjitha këto kategori sportive. Tashmë jemi në startin e këtij viti, të cilin e mendojmë me shtrirje gjithëstinore.

Nga mandati i parë në mandatin e dytë si President i FSHN-së, cili është ndryshimi që ju kini sjellë në krye të kësaj federate sportive?
Patjetër që në këtë mandat të dytë do të ketë një reflektim më konkret për ato çka nuk u bënë mirë më parë, njëherësh edhe për arritje më të larta. Një nga objektivat e notarëve shqiptarë për vitin 2017 është që, secili të kapë vetë normat e garimit në veprimtaritë ndërkombëtare dhe të dalim nga pritja e ftesave që periodikisht na janë dërguar në këto veprimtari.

Po me librin e Xhoxhi Vasilit, “Mozaik Noti të Sarandës”, po e “ngrohni” atmosferën e notit në këto ditë me mot të ftohtë?
Krahasimisht po, kështu është dhe unë sinqerisht ju them, se kemi tashmë një libër për tu vlerësuar. Sot, jo vetëm brezat e notit, por edhe gjithë shqiptarët të pasionuar pas këtij sporti, kanë një pjesë të historisë të shkruar ndër vite. Është një libër i punuar sa thjesht, aq edhe me kulturë e saktësi.

Vetë autori i librit ka deklaruar se e ka refuzuar vite më parë një ofertë për këtë historik, çfarë mundësoni ju sot që bashkërisht pranuat të shkruhej?
Kam biseduar me Xhoxhin për peripecitë që ai ka pasur vite më parë në punën e tij për këtë libër, dhe për gjithçka që ai ka kaluar në ato vite, mendoj se është në të drejtën e tij. Një njeri që shkruan, duhet respektuar, dhe sa lexohet më pas, apo sa shitet ky libër, kjo është punë tregu. Noti shqiptar nuk ka humbje, përkundrazi, aty duket sikur kemi një CV jetësore të këtij sporti në Qytetin e Sarandës, e më gjerë.

Kur bisedon me Xhoxhi Vasilin, ai tregon edhe për një Muze të notit në Sarandë që nuk ekziston, do të punoni ju edhe në këtë drejtim për ti sjellë brezat e notit të gjallë në kujtesë?
Natyrisht që po. Unë drejtimin e federatës nuk e kuptoj vetëm me zhvillimin e veprimtarive sipas kalendarit, sepse ashtu do të ishim të mangët në lidhjen e ngushtë që duhet të kenë historia me realitetin. Sikundër jeta është në përsosjen e saj, edhe noti është brenda kësaj atmosfere, dhe duke pasur në dorë sa më shumë libra të tillë si ky i Xhoxhit, ne do të dimë se ku ishim, dhe ku jemi. Mbi të gjitha, e ndërtojmë më profesionalisht punën tonë nga viti në vit.

Në festën e 85-vjetorit të Notit Shqiptar, jeni shprehur se federata do të jetë derë e hapur për të gjithë, këtu keni parasysh edhe këtë libër?
Edhe libri në fjalë është pjesë e kësaj “dere të hapur” që ne tashmë e aplikojmë në punën tonë. Në konceptin tim si intelektual, si bisnesmen e si qytetar, një libër ka vlerë edhe kur nuk është shumë i shitur në treg. Unë librin e veçoj si vlerë, kështu edhe këtë të fundit të Xhoxhit Vasilit.

Ju në FSHN e keni historikun e Notit Shqiptar, por do të kërkoni që sikundër Saranda, të kenë edhe durrsakët libër të tillë, të kenë edhe shkodranët e vlonjatët…?
Pas vitit 1990, individë të ndryshëm janë munduar të sjellin pjesë të aktiviteteve të notit shqiptar ndër vite, thuajse në të gjitha qytetet ku noti ka qenë sport i preferuar dhe me rezultate të larta. Por, kjo që po thoni ju është më konkrete, e ndoshta ka ardhur koha që në Klubet Shumësportëshe të merren nisiativa të tilla, ne si federatë do ti mbështesim me çdo mundësi.

Në fundvitin e kaluar, për gazetën “Telegraf” keni deklaruar se si federatë do të keni një binjakëzim me Federatën Greke të Notit dhe me një skuadër prestigjioze të notit në Greqi. Besoj se edhe këtë libër do ta keni në tryezën e bisedimeve?
Pse jo, kur ne të bëjmë njohjen e gjithë historisë së Notit në Shqipëri, ai libër do ta veçojë Sarandën si një nga qytetet që i ka dhënë shumë vlera këtij sporti. Aty ka pasur notarë rekordmenë, ka patur skuadra të kompletuara me sportistë cilësorë. Madje, maratonën e parë në liqenin e Ohrit, e ka fituar një notar sarandiot, Pano Xhixho, sot një gazetar profesionist në RTSH.

Qëndrojmë ende tek atmosfera e librit të Xhoxhi Vasilit “Mozaik Noti të Sarandës”, autori ka falënderuar për ndihmesën që ka i ka dhënë atij FSHN-ja. Çfarë të veçante keni bërë me këtë rast?
Unë jam në mandatin e dytë si President i FSHN-së, por asnjëherë nuk i kam thënë “JO” nicsiativave të tilla. Konkretisht, i kemi vënë në dispozicion shumë dokumente të pasvitit 2007. Sepse në fund të fundit, ai po shkruan për ato që janë të shkruara e qëndrojnë të mirëmbajtura në sirtarët tanë.

Përpos axhendës së këtij viti kalendarik sportiv, do të shohim të tillë libra për notin?
Unë ja u përmenda më sipër se, ne si federatë do të simulojmë çdo nisiativë të tillë. Librat në vetvete janë vlerë e shtuar për shoqërinë, ndërkohë që këto për notin e afrojnë komunitetin më shumë me historinë e tij.

Sot (dje) është (ishte) dita e të dashuruarve, Shën Valentini, mos ndoshta ishte kjo një rastësi për tu treguar edhe ju “Shën Valentin” me librat?
Kur ka rastësi të tilla, mendoj se është më bukur për të kuptuar gjithçka folëm në këtë bashkëbisedim. Rëndësi ka që, noti shqiptar sot ka një libër më shumë, një histori që nëpërmjet tij do të mbetet e gjallë për brezat e ardhshëm. 
Një njeri që shkruan një libër, duhet respektuar për punën që bën, dhe sa lexohet më pas apo sa shitet libri i tij, kjo është më shumë punë tregu. Noti shqiptar nuk ka humbje, përkundrazi, aty duket sikur kemi një CV jetësore të këtij sporti në Qytetin e Sarandës, e më gjerë
CV
Agim Çiraku
Datëlindja: 31 maj 1958
Vendlindja: Tiranë
Arsimimi: Në vitin 1992 ka mbaruar Universitetin e Tiranës, Dega Inxhinieri Mekanike, në vitin 2006 ka përfunduar studimet në Fakultetin Juridik
Sporti që ka ushtruar: Not
Garat e preferuara: 400, 800 dhe 1500 m, stil i lirë
Aktiviteti si sportist: Nga viti 1973 e deri në vitin 1979, ka ushtruar sportin e Notit në Klubin Sportiv “17 Nëntori” me trajner Esat Muzina. Nga viti 1979 e deri në vitin 1983, e ka ushtruar këtë sport me Klubin “Dinamo” me Emin Gripshin
Largimi si sportist: Në vitin 1983 e ka lënë si sport në mënyrë të organizuar me klube, por atë e vazhdon dhe sot në mënyrë individuale
Aktiviteti në biznes: Botues i gazetës “Telegraf” 
Gjuhët e huaja: Zotëron gjuhën Angleze
Aktualisht në sport: President i Federatës Shqiptare të Notit, në mandatin e dytë
Statusi: I martuar me dy fëmijë
Angazhimet: Familja, Sporti i notit, biznesi 

Agim Çiraku

Një notar i kryeqytetit
Në periudhën 1973-1979, ushtron sportin e notit në klubin sportiv “17 Nëntori”
Në periudhën 1979-1983, ushtron sportin e notit në klubin sportive “Dinamo”
President i FSHN-së
Në postin e Presidentit të Federatës Shqiptare të Notit, është zgjedhur në dy mandate: Në mandatin e parë, në periudhën 2014-2016 dhe në mandatin e dytë, 2016- e në vazhdim
Si qytetar i Tiranës
Nëse troket në “portën” e Gim Çirakut, ajo mbetet e hapur për cilindo që ka menduar, se tek ai do të gjente mirësinë, respektin, por edhe ndihmën financiare për njerëz në nevojë
TROFETË E NOTIT TË SARANDËS NDËR VITE
Ekipi i të rriturve: 10 herë Kampion: 1973, 1974, 1975, 1976, 1988, 1995, 1996, 1997, 2000, 2001
Ekipi i të rriturave: 20 herë kampion: 1970, 1971, 1972, 1973, 1974, 1991, 1993, 1994, 1996, 1998, 2001, 2002, 2003, 2004
Ekipi i të rinjve: 13 herë kampion: 1970, 1971, 1972, 1973, 1974, 1976, 1979, 1980, 1981, 1982, 1989, 2000, 2001
Ekipi i të rejave: 22 herë kampion: 1960, 1965, 1966, 1967, 1968, 1969, 1970, 1971, 1972, 1973, 1974, 1978, 1979, 1982, 1983, 1984, 1987, 1990, 2005, 2006
Ekipi i fëmijëve, djem:17 herë kampion: 1968, 1969, 1970, 1971, 1972, 1973, 1974, 1975, 1977, 1978, 1979, 1980, 1988, 1989, 1990, 2001, 2005
Ekipi i fëmijëve, vajza 16 herë kampion: 1968, 1970,1972, 1973, 1974, 1976, 1978, 1979, 1981, 1982, 1984, 1987, 1990, 2005, 2006
Fitues të Kupës së Shqipërisë dhe të trofeve të tjerë: Trofe të fituara: 42
Notari Shpëtim Kote është shpallur si Notari më i Mirë i vendit për vitet, 1971, 1972, 1974
Ekipi i femrave dhe notarja Pranvera Rrapushi, janë fitues të Anketës ”5 sportistët më të mirë të vendit” në vitet 1969 dhe 1972
OBJEKTIVAT E FEDERATËS SHQIPTARE TË NOTIT, VITI 2017
•Arritjen e normave kualifikuese nga sportistët cilësorë për pjesëmarrje në Kampionatin Botëror 50 m në datat 14-30 korrik 2017 në Budapest.
•Kualifikimi në finalet e garave në Lojërat Mesdhetare që do të zhvillohen në Tarragona të Spanjës në datat 30 qershor e deri më 9 korrik 2017.
•Promovimi i sportit të notit në shkolla.
•Gjetja, promovimi dhe mbështetja e talenteve të reja në sportin e notit.
•Shtimi i anëtarësisë në Federatën Shqiptare të Notit.
•Shtimi numrit të trajnerëve femra në sportin e notit.
•Organizimi i seminareve trajnuese me gjyqtarë dhe trajnerë.
•Promovimi i misionit dhe vizionit të FSHN-së në opinionin e gjerë publik.

Dopingu i ruses, medalje e Argjendi për Luiza Gegën
Ditë më parë, atletja jonë Luiza Gega ka zhvilluar garën e parë ndërkombëtare për vitin 2017, duke zënë vendin e 3-të në edicionin e 6-të të Mitingut Ndërkombëtar në Paris. Në garën 3000 metra në sallat e mbyllura, koha e realizuar nga atletja shqiptare ishte 8’52”53, ndërkohë që dje ajo ju rikthye garave ndërkombëtare, ku në Ostrava të Çekisë në garën 1500 m, do të ketë një tjetër test para zhvillimit të Kampionatit Ballkanik dhe Kampionatit Evropian për të rritura në sallat e mbyllura, i cili do të zhvillohet në Beograd në datat 25 shkurt-3 mars 2017. Dhe mes kësaj atmosfere, është zbardhur vendimi për një skandal doping në atletikë, në Universiadën e 27-të Botërore në Kazan të Rusisë, që u zhvillua në datat 6-17 korrik 2013. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv vendosi t’i shpallë të pavlefshme rezultatet e Ekaterina Sharmina, ato mes 17 qershorit 2011 dhe 5 gushtit 2015, duke e dënuar njëherësh me tri vite. Kështu, përfituese e këtij vendimi mbetet atletja Luiza Gega, e cila në Universiadën e 27-të Botërore në Kazan të Rusisë ka fituar Medaljen e Bronztë në garën e 1500 metrave, me kohën 4’08”71, duke dalë pas dy atleteve ruse, Ekaterina Sharmina dhe Elena Korobkina.
Sigal