Agim Çiraku: Në Sarandë, e gjithë Shqipëria e Notit

616
PRESIDENTI FEDERATËS SHQIPTARE TË NOTIT
VEPRIMTARIA/ Sot në Sarandë zhvillohet Maratona Kombëtare e Notit, marrin pjesë të gjitha grupmoshat, si edhe veteranë të këtij sporti nga e gjithë Shqipëria, pritet spektakël
Bashkëpunimi mes Federatës Shqiptare të Notit dhe kryetares së Bashkisë Sarandë, sjellin sot një atmosferë festive, pasi do të garojnë grupmosha dhe veteranë të këtij sporti, nga e gjithë Shqipëria
Nga dita e djeshme, “zbarkimi” në Sarandë i të gjithë pjesëmarrësve në Maratonën Kombëtare të Notit, i ka dhënë një atmosferë festive qytetit bregdetar, i cili po përgatitet për të mbyllur sezonin veror. Në këtë veprimtari, e cila organizohet nga Federata Shqiptare e Notit në bashkëpunim me Bashkinë e Sarandës, do të marrin pjesë notarë dhe notare nga e gjithë Shqipëria, për të gjitha grupmoshat, madje edhe për veteranë. Nga Saranda, dje për gazetën “Telegraf”, Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, deklaroi se, kjo do të jetë një veprimtari, e cila jo vetëm do të mbyllë vitin kalendarik, por sipas tij, ajo do të çelë më shumë rrugë bashkëpunimi. “Së pari, më duhet të falënderoj Bashkinë e Sarandës dhe Kryetaren Floriana Koka, me të cilët kemi bashkëpunuar seriozisht, jo vetëm për këtë Maratonë Kombëtare të Notit. Kjo veprimtari është traditë në këtë qytet bregdetar, dhe ne si federatë ndjehemi të respektuar me bashkëpunimin që na është ofruar”, kështu theksoi fillimisht Njëshi i Notit shqiptar, i cili më pas tregoi edhe organizimin e kësaj maratone. “Kjo Maratonë, nuk do të jetë një garë e thjeshtë vetëm për profesionistët. Sepse është konceptuar si një garë masive, në të cilën do të marrin pjesë të gjitha grupmoshat e sportit të notit, njëherësh edhe veteranë të këtij sporti. Pra, vetëm nga ky këndvështrim, presim që të ketë garë, por edhe argëtim. Notarët kanë shumë nostalgji, dhe kur takohen, tregojnë respekt ndaj njeri-tjetrit, një vlerë e shtuar kjo që sporti i notit e bart ndër vite”. Si një ish-notar, Presidenti Agim Çiraku, vlerësoi edhe pjesëmarrjen e shumë veteranëve të notit në Shqipëri, të cilët sipas tij, jo vetëm që do ta zbukurojnë këtë veprimtari, por do tu tregojnë brezave se ky sport meriton vlerësim e respekt. “Shoqata e Veteranëve të Notit ka bërë një punë shumë të mirë në organizimin e kësaj maratone të notit. Janë shumë emra të këtij sporti, që sot edhe pse me thinja, apo edhe me problematikat e kohës, sfidojnë çdo moment për të qenë këtu në Sarandë, e cila falë tyre, sot duket se ka një gumëzhitje me fllad vjeshte. Uroj një garë të mbarë për të gjithë, respekt për pushtetin vendor që na e bëri më të lehtë organizimin e kësaj Maratone Kombëtare të Notit”.
Për këtë organizim, më duhet të falënderoj Bashkinë e Sarandës dhe Kryetaren Floriana Koka, me të cilët kemi bashkëpunuar seriozisht, jo vetëm për këtë Maratonë Kombëtare të Notit. Kjo veprimtari është traditë në këtë qytet bregdetar, dhe ne si federatë ndjehemi të respektuar me bashkëpunimin që na është ofruar
Maratona e 7-të në bregdetin e Sarandës 
Në qytetin e Sarandës, janë organizuar gjashtë Maratona Kombëtare të Notit, kjo është e shtata, e cila mbështetet nga Federata Shqiptare e Notit dhe Bashkia e Sarandës. Më parë, këto maratona edhe janë emërtuar, si dy vite më parë Maratona “Spiro Koça”, ndërkohë që sot, kjo quhet thjesht Maratona Kombëtare e Notit. Pjesëmarrja e notarëve nga e gjithë Shqipëria, e koordinuar edhe me veteranët e notit, bashkon brezat dhe vlerat e këtij sporti.
Sigal