Agim Çiraku: Ky brez i ri rekordmenësh, garanci për progresin e së ardhmes në notin shqiptar

1484
Sigal

Nga Agron KAJA

KUPA E SHQIPËRISË/ Në pishinën 50 m të Akuadromit të Tiranës, garuan rreth 200 notarë nga 11 ekipe shqiptare dhe të diasporës, flet për “Telegraf” Presidenti i FSHN-së dhe protagonistët

Si u zhvilluan garat e Kupës së Shqipërisë, të cilat duket sikur me “keqardhje” po i mbyllni sot (dje)?

Në të dyja ditët, garat u zhvilluan shumë mirë, dhe për gjithçka, unë falënderoj të gjitha skuadrat pjesëmarrëse, të gjithë notarët pa përjashtim. Në aspektin sportiv, në veçanti rekordmenët, edhe pse të gjithë vinin pas një periudhe verore të lodhshme, dhanë më të mirën e tyre.

Ju, çfarë mendoni se i mungoi kësaj Kupe, në aspektin e pritshmërive?

Pritshmëritë ishin për rezultate më të larta, por më duhet të përsëris edhe një herë arsyen, sepse notarët vinin në këto gara pas pushimeve verore. Ky është një defekt në Kupë, ndoshta do të duhet për ta riparë periudhën e zhvillimit, por që nuk është ky argumenti justifikues për më shumë.

U thyen 9 Rekorde Kombëtare vetëm nga femrat, nga të cilët 1 për të rritura, 1 për të reja dhe 7 të tjerët te fëmijët, çfarë tregon kjo e veçantë?

Për 9 Rekordet Kombëtare që u thyen në garat e kësaj Kupe, do të veçoja faktin se ato u thyen vetëm nga femrat. Ndoshta është edhe një e veçantë e kësaj veprimtarie, por edhe meshkujt mendoj se dhanë gjithçka të mirë. Kjo tregon se vazhdimësia e rekordeve vazhdon.

Butrinti zuri vendin e parë për meshkuj, po rikthehet si dikur në notin shqiptar atmosfera sarandiote?

Notarët sarandiotë treguan se tradita “zhytet”, por asnjëherë nuk “mbytet”. Por, edhe ekipet e notarët e tjerë nuk u ndanë nga rezultatet e mira, dhe ata ishin nga ekipe të ndryshme. Nga 11 ekipe, vetëm 2 prej tyre nuk nxorën kampionë, dhe në vendin e 2-të e të 3-të të gjithë kishin notarë.

Ndoshta këtu duhen përmendur edhe fituesit për meshkuj e femra?

Po, dhe dua të them se janë dy notarë të mëdhenj, Nikol Merizaj e Tiranës dhe Frenc Bërdaku i Teutës. Të dy treguan seriozitet e progres në këto gara, por për ta, veç fjalëve të mira, njëherësh kam edhe porosi, që duhet të punojnë më shumë, sepse mundësitë e tyre janë.

Kupa e Shqipërisë është veprimtaria e fundit për vitin 2018 në pishinë 50 m, e keni një përmbledhje të shkurtër të të gjitha garave që keni zhvilluar?

Noti i ka filluar aktivitetet e këtij viti me garat në pishinë 25 m, dhe po e mbyllim me Kupën e Shqipërisë në pishinë 50 m. Nëse ka një vend për të thënë fjalën e mirë, ato shkojnë për notarët e trajnerët e tyre, sepse në çdo veprimtari kanë garuar me seriozitet e përkushtim.

Cila është veprimtaria e radhës, me të cilën ju si Federatë e Notit do të mbyllni vitin 2018?

Pas një javë në Sarandë do të zhvillohet Maratona e Notit. E kemi konceptuar si një maratonë brezash, duke qenë se këtu e mbyllim vitin 2018 e kemi menduar të jetë sa më masive. Presim edhe surpriza, të cilat në sportin e notit nuk konvertohen vetëm me rekordet kombëtare.

Në 9 Rekordet Kombëtare në garat e kësaj Kupe, do të veçoja faktin se ato u thyen vetëm nga femrat. Ndoshta është edhe një e veçantë e kësaj veprimtarie, por edhe meshkujt mendoj se dhanë gjithçka të mirë. Kjo tregon se vazhdimësia e rekordeve vazhdon

Presidenti i KOKSH, Viron Bezhani

Rezultatet janë në rritje, noti shqiptar ka sportistë cilësorë

Duke qenë i pranishëm në dy ditët e garave të Kupës së Shqipërisë në not, Presidenti i KOKSH-it, Viron Bezhani, për gazetën “Telegraf”, deklaroi se në këtë sport garat zhvillohen me standarde dhe me progres të dukshëm. “Ka disa vite që garat e notit në Shqipëri zhvillohen me standarde dhe me progres. Kjo kishte munguar prej vitesh në këtë sport, dhe me seriozitetin më të madh veçoj punën e mirë të Presidentit të FSHN-së, Agim Çirakut, pasi këtë federatë më parë e kanë drejtuar prindër të fëmijëve garues. Tashmë noti është kthyer në një sport cilësor, të cilin KOKSH-i e ka vlerësuar edhe me një bursë olimpike, notaren e talentuar Nikol Merizaj”, ishte kjo deklarata e Presidentit të KOKSH-it, Viron Bezhani.

Gersi Troka bën të veçantën, në garë si i barabartë

Nuk mund të mos e dallosh një notar, i cili edhe pse me sindromën Daun, garon si i barabartë me gjithë notarët e tjerë. Ky është Gersi Troka i Tiranës, i cili në ditën e parë, në garën 50 m Stil Delfin për meshkuj, Kategoria B, shënoi kohën 42.50. “Unë e kisha menduar që do ta përmirësoja kohën time në këtë garë. Do garoj edhe në Kampionatin Botëror në Kanada vitin e ardhshëm, dhe aty do thyej rekord kombëtar në 100 m dhe 200 m stil i lirë”, kështu deklaroi dje Gersi Troka për gazetën “Telegraf”.