Agim Canaj: “Shanset janë 50% me 50%”

529
Sigal

Trajneri i Vllaznisë flet pas barazimit me Partizanin: “Gjyqtari gaboi që më çoi në tribunë”

Trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, ishte i kënaqur me barazimin pa gola me Partizanin në “Qemal Stafa” në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, por tekniku i shkodranëve u shpreh me tone të ashpra ndaj vendimit të gjyqtarit Cjapi për ta të dërguar “komisarin” kuqeblu në tribunë. Canaj është vetëdijshëm se, rezultati është në favor të skuadrës së tij, por me një kundërshtar cilësor si Partizani, ai tha për gazetën “Telegraf” se, shanset janë të barabarta për të dyja skuadrat. “Nuk duhet të flemë mbi dafina, pasi janë edhe 90 minuta të tjera, madje ato janë vendimtaret, pasi në përfundim të tyre do të përcaktohet edhe skuadra që do të kalojë në turin tjetër. E konsideroj akoma dhe më të vështirë ndeshjen e kthimit, pasi do të gjejmë një kundërshtar edhe më të motivuar”, – tha Canaj.

 – Canaj, Vllaznia barazoi pa gola me Partizanin në “Qemal Stafa”. Sa i kënaqur jeni me rezultatin?

– Kur flitet për ndeshje kupe dhe me sistem eliminimi direkt, atëherë duhet të kemi parasysh edhe specifikën e kompeticionit. Gjithsesi, rezultati është i kënaqshëm. Duke e parë lojën, mendoj se ishte një ndeshje e luftuar në një terren jo dhe aq të mirë. E përsëris, rezultatin e ndeshjes e konsideroj pozitiv. Nuk duhet të flemë mbi dafina, pasi janë edhe 90 minuta të tjera, madje ato janë vendimtaret, pasi në përfundim të tyre do të përcaktohet edhe skuadra që do të kalojë në turin tjetër. E konsideroj akoma dhe më të vështirë ndeshjen e kthimit, pasi do të gjejmë një kundërshtar edhe më të motivuar.

– U larguat në tribunë nga kryegjyqtari Kreshnik Cjapi. Si do ta komentonit?

– Si një shqetësim goxha të madh. Mu duk shumë e çuditshme që, të protestosh në mënyrë shumë të rregullt te delegati i ndeshjes, zoti Hito Hitaj, për të cilin kam shumë respekt dhe ruaj marrëdhënie mjaft të mira, ndërkohë që gjyqtari, i cili pasi kishte frenuar pa të drejtë një aksion tonin për gol, më detyron mua të shkoj unë në tribunë. Më duket e çuditshme që, një arbitër me përvojë si Cjapi të bëjë gabim të atilla. Kjo na ka shoqëruar shpesh gjatë këtij sezoni. Shqetësohem, pasi unë dhe skuadra ime po dalin në tribunë. Nuk e kuptoj logjikën e gjyqtarit në rastin tim.

– Duke e parë ndeshjen në aspektin teknik, çfarë ofroi më shumë Vllaznia nga ndeshja e fituar me Partizanin në kampionat?

– Ndryshimi i parë ka të bëjë me aspektin psikologjik që shoqëroi takimin e kampionatit me atë të Kupës që, për mendimin tim është në kontrast të plotë. Në ndeshjen e kampionatit, ne vinim pas disa fitoreve rresht dhe ishim shumë herë më të motivuar, ndërkohë që Partizani vinte pas një humbje (me Lushnjë) dhe  kishte luhatje psikologjike. Sot, (dje) e dija që kjo ngarkesë negative psikologjike do të ishte në anën tonë, por ne arritëm të mbyllnim çdo hapësirë, duke mos i dhënë asnjë mundësi Partizanit të shënonte.

– A mund të shënonte Vllaznia?

– Sigurisht, me patëm momentet tona, por nuk arritëm të shënonim. Një nga momentet flagrante ishte rasti, kur ne dolëm me dy lojtarë përballë portierit të Partizanit dhe jepet një faull i çuditshëm. Por, ky është futbolli dhe ne duhet të vazhdojmë.

– Duke marrë për bazë rezultatin e ndeshjes së parë, sa janë shanset për t’u kualifikuar?

– Rezultati 0-0 të jep gjithmonë të drejtën të pretendosh më shumë për t’u kualifikuar, por me një kundërshtar si Partizani unë do të thosha se shanset janë 50% me 50%.

– Canaj, Vllaznia ka regjistruar disa rezultate negative rresht. A konsideronit veten të rrezikuar pas kësaj ndeshjeje?

– Natyrisht, çdo trajner e ka të qartë detyrën dhe pozitën e tij. Rezultatet, sigurisht influencojnë, por unë nuk kam pasur objektiva te Vllaznia. Objektivi i vetëm është të shpëtojmë nga Kategoria Superiore, pasi dhe investimi është me lojtarë vendas apo që ishin në skuadër. Unë s’kam marrë asnjë futbollist gjatë mërkatos. Kam punuar me lojtarët, për të rritur efektshmërinë e tyre. Shpresoj të bëjmë më të mirën me këta lojtarë. Ky barazim besoj se do të ndikojë psikologjikisht në moralin e skuadrës, që ditën e shtunë të mundohemi të bëjmë maksimumin për të marrë pikë (ndaj Tiranës).

 Njëshi i të kuqve: “Gjithçka vendoset në Shkodër. Luajtëm me mendjen në Ballsh”

 Lika: “Duhet të jemi më inteligjentë para portës”

 Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, mbeti pjesërisht i kënaqur nga rezultati i ndeshjes, për vetëm mënyrën sesi shkoi loja. Tekniku i të kuqve tha për gazetën “Telegraf” se, tani gjithçka do të vendoset në ndeshjen e kthimit në “Loro Boriçi”. “Sigurisht, rezultati zero me zero kundërshtarin, por pavarësisht kësaj ne shkojmë në ndeshjen e dytë me pretendimin për t’u kualifikuar”,- tha ai. Lika nuk nguroi të shprehte kritikat për efikasitetin e lojtarëve të tij, sidomos para portës. “Dy-tri herë u bllokuam edhe për meritë të kundërshtarit. Na mungoi lojtari që duhet të shtynte topin në rrjetë. Duhet të jemi më kërkues ndaj vetes dhe më inteligjentë për të zgjidhur disa situata”, – tha ai për gazetën.

 – Lika, një rezultat që la gjithçka të hapur për takimin në Shkodër.

– Sigurisht, rezultati zero me zero kundërshtarin, por pavarësisht kësaj ne shkojmë në ndeshjen e dytë me pretendimin për t’u kualifikuar. Gjithsesi, tani duhet të fokusohemi të ndeshja e kampionatit kundër Bylisit. Deri diku ky rezultat na shqetëson, pasi vinim pas disa fitoreve rresht dhe dëshironim ta ruanim entuziazmin e tyre. Shpresoja që, futbollistët të shpreheshin më mirë

– A mendoni se ky barazim 0-0 ishte më mirë se një 1-1?

– Padyshim, është një rezultat më leverdishëm sesa kur pëson gol në fushën tënde dhe del barazim, pasi kjo veçori e Kupës shpesh herë të ndëshkon. Gjithsesi, ishte një ndeshje që ne kërkuam ta fitonim, por që nuk ia dolëm të shënonim. Dy-tri herë u bllokuam edhe për meritë të kundërshtarit.

– Një ndeshje në kontrast, përsa u përket pjesëve…

Në pjesën e parë luajtëm më mirë, ndërsa në të dytën nuk ishim shumë të qartë, pavarësisht se përpjekjet tona në drejtim të portës së Vllaznisë ishin të vazhdueshëm.

– Ku çaloi Partizani?

– Një pjesë e lojtarëve nuk i interpretuan mirë momentet e fundit, në përfundim të aksioneve. Në disa momente funksionuam mirë, në disa të tjera jo. Çështja qëndron tek zgjidhja e situatave. Na mungoi lojtari që duhet të shtynte topin në rrjetë. Duhet të jemi më kërkues ndaj vetes dhe më inteligjentë për të zgjidhur disa situata.

 – Skuadra çaloi në lojën në krah. Sa ndikoi terreni i “Qemal Stafës”?

– Terreni ishte i vështirë, si për ne ashtu dhe për kundërshtarin. Ishte një terren që u jep shumë vështirësi futbollistëve dhe për mendimin tim ata e ndjenë shumë, sidomos te pasimi. Kjo nuk është, për të justifikuar futbollistët por terreni i stadiumit “Qemal Stafa” lë shumë për të dëshiruar.

– Sa mund të ndryshojë skuadra deri të dielën, kur është dhe ndeshja me Bylisin?

– Mendoj se skuadra është në gjendje. Historia e ndeshjes së Kupës mbaroi për momentin dhe tani fillon ajo e kampionatit. Kundër një kundërshtari tjetër dhe me motive krejt të tjera, besoj se Partizani do të dijë të shprehet më mirë dhe të jetë më rezultativ. Gjithsesi, kemi tri ditë kohë për t’u përgatitur për ndeshjen e radhës.