Agim Canaj: Partizani e Vllaznia, këtë javë janë në prag të provës “gjenerale” të synimeve

791
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Flet për “Telegraf” ish-mesfushori i Flamurtarit, Dinamos dhe i Kombëtares, ja këndvështrimi i tij për aktualitetin e skuadrave
Këtë fundjavë luhen ndeshjet e javës së 26-të të Superiores, ka hyrë Kampionati në fazë të vështirë?
Në fakt, Superiorja nis dhe përfundon me ndeshje të vështira, por tashmë le të themi se kemi hyrë në “pikun” e vështirësive. Duke përjashtuar Skënderbeun në krye, dhe Lushnjen në fundin e renditjes, të gjitha skuadrat kanë ndeshje prove për synimet e tyre.

E kanë zbehur rivalitetin Skënderbeu e Lushnja me pozicionet që kanë në renditje?
Nëse do ti referohemi javës së kaluar kur Skënderbeu barazoi në limit me Teutën, them se jo. Lufta do të jetë e hapur deri në fund, për të gjitha skuadrat, dhe këtë ato nuk duhet ta harrojnë. Se ndodh që edhe Lushnja, e më shumë Skënderbeu të mundin, e kështu s’kanë vlerë synimet.

Po ndeshjet e javës së 25-të, ishin tregues i vlerave që kanë skuadrat në këtë fazë të tretë?
Edhe po, por edhe jo. Luftëtari po tregon vlera e vazhdimësi në rezultatet pozitive, e për mendimin tim, po i shërben këtij kampionati. Skuadrat e tjera i kanë të vonshme ndryshimet, sepse oshilacionet që kanë pasuar nga java në javë, nuk u japin shumë garanci.

Në “mbipopullimin” në zonën e Evropës, mendoni se deri në fund do të kemi lëvizje vendesh?
Çdo gjë mund të ndodhë, dhe skuadrat për këto duhet që të përgatiten. Nëse flasim sot, pas ndeshjeve të javës së 25-të, Kukësi e Laçi kanë hyrë në zonën e Evropës, por Luftëtari, Partizani apo edhe Flamurtari, nuk besoj se do të qëndrojnë indiferentë në këtë synim.

Skuadrat për mbijetesë, mund të jenë një “fjalëkryq” mes Vllaznisë e Teutës?
Për të qenë më korrektë, Lushnja matematikisht mund të shpresojë mbijetesën, ndaj kjo do të jetë një luftë treshe mes sa, Vllaznisë e Teutës. Të vjen keq që këtu janë dy skuadra të mëdha në futbollin tonë, por gjithçka për këtë situatë, përgjegjësia mbetet vetëm e tyre.

Ka një ngjeshje datash të zhvillimit të ndeshjeve, ndikojnë këto në gjendjen psikike-fizike të skuadrave?
Ndikojnë dhe shumë, sepse ne nuk kemi skuadra që të kenë alternativa cilësore kur kanë dëmtime apo dënime të futbollistëve të tyre. Kjo ngjeshje i ve më shumë në vështirësi, skuadrat që synojnë mbijetesën, te të tjerat emocionet janë më të vogla.

Si i shikoni pesë ndeshjet e javës së 26-të?
Nëse do ti shohim të gjitha çiftet në raport me renditjen aktuale të skuadrave, të gjitha paraqiten sfida të vështira. Kukësi-Vllaznia e mendoj si kryendeshjen e kësaj jave, e më pas atë mes Partizanit e Flamurtarit. Takimi Skënderbeu-Luftëtari do të jetë sfida e provës për gjirokastritët.
Në këto 11 ndeshje që kanë mbetur deri në fundin e Kampionatit, të gjitha skuadrat duhet të tregojnë gjendje normale fizike, sepse aty kanë çaluar më shumë në këtë fazë të tretë. Në fazën e katërt, ekipet më të përgatitura fizikisht do të bëjnë diferencën
Ndeshjet-Java e 26-të
Të dielën, 18 mars 2018 
Laçi-Kamza 14:00
Lushnja-Teuta 14:00
Skënderbeu-Luftëtari 17:00
Të hënën, 19 mars 2018 
Kukësi-Vllaznia 14:00
Partizani-Flamurtari 17:00

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 25 57
2. Kukësi 25 42
3. Laçi 25 39
4. Luftëtari 25 37
5. Flamurtari 25 37
6. Partizani 25 36 
7. Kamza 25 34
8. Vllaznia 25 27
9. Teuta 25 23
10. Lushnja 25 10
Sigal