Agim Canaj: “Jo, sportit për fushatë!”

602
Sigal

Trajneri i njohur: “Në vendin tonë mungojnë politikat sportive. Shteti nuk ka bërë asgjë”

Specialisti i njohur i futbollit, trajneri Agim Canaj, gjatë një interviste për gazetën “Telegraf” analizoi situatën aktuale që, po kalon Kategoria Superiore, formulën e gabuar të Kupës së Shqipërisë, por edhe mungesën e një strategjie të qartë në zhvillimin e futbollit në Shqipëri. Canaj tha se, shteti nuk ka bërë thuajse asgjë për të ndihmuar në zhvilimin e sportit.

  – Canaj, duhen edhe vetëm pesë javë nga përfundimi i sezonit. Duke i bërë një analizë të përgjithshme, si do ta gjykonit atë?

 – Në këtë kampionat të gjithë besoj se, jemi koshientë se diferenca që ka Skënderbeu me skuadrat e tjera është e pamundur të arrihet. Problemi është tani “biletat” për në Europë. Kush do të jetë në vendin e dytë dhe të tretë dhe cili ekip do të fitojë apo do të shkojë në finalen e Kupës.

 – Cilat janë ekipet pretendente për Ligën e Europës?

 – Për mendimin tim se, do të jenë tre skuadra në luftë për vendin e dytë dhe të tretë. Teuta dhe Flamurtari kanë ndeshje më të lehta se rivalët e tjerë. Kukësi me Tiranën do të përballen të shtunën dhe, në rast se kuskianët barazojnë apo fitojnë, atëherë Tirana i jep lamtumirë shanseve për të shkuar në Europë, nëse do të fitojë Tirana, ajo do t’u bashkëngjitet ekipeve të tjera.

 – Janë zhvilluar ndeshjet e para gjysmëfinale të Kupës, që të dyja të mbyllura në barazim. Kë parashikoni në finale?

 – Përsa i përket Kupës, është me të vërtetë një enigmë e madhe, për mënyrën sesi shkuan ndeshjet e para. Të dyja takimet e kthimit janë të hapura, si Bylis-Skënderbeu dhe po ashtu, Laçi-Kukësi. Duke parë edhe ndeshjet brenda fushave, atëherë gjykoj se Laçi dhe Bylisi janë favoritë. Gjithsesi, shanset janë 50%-50%.

 – Ju keni qenë kundër formulës që, është aplikuar dy vitet në formatin e Kupës së Shqipërisë. Përse?

 – Kam qenë kundër formatit aktual, pasi vetë rezultatet e ndeshjeve në grupe kanë krijuar shumë dyshime edhe për lojëra jo të ndershme. Nuk është efikas, lë shumë dyshime për fiksim ndeshjesh, një fenomen tashmë botëror. Shkurt, është një format pa vlerë. Janë bërë pazare në kupë, ndërsa ndeshjet nuk e kanë rritur nivelin. E mendoj si, një barrë për Federatën e Futbollit.

 – Pati akuza të ashpra nga Flamurtari, për kompromisin në Kupë midis Laçit dhe Bylisit. Cili është gjykimi juaj?

 – Akuza të tilla, në lidhje me futbollin shqiptar janë bërë edhe nga FIFA dhe UEFA. Ky është një fakt që, e dinë të gjithë. Vetë Komisioni i Etikës ka marrë vendimin për dënimin e Bylisit. Tani ne duhet të minimizojmë hapësirat për të ndikuar në rezultatin e ndeshjes.

 – Këtë sezon dolën katër skuadra nga Superliga. Si do ta konsideronit këtë skemë?

 – Personalisht, jam kundër. Ju e shikoni, Apolonia, Tomori, Luftëtari apo dhe Shkumbini, thuajse janë të dalë nga kategoria. Janë skuadra me traditë.

 – Si mund ta përmirësojmë futbollin shqiptar?

 – Mendimi im, si specialist është që të ndërhyjë shumë zhvillimin e futbollit vendas dhe jo vetëm të importojmë nga diaspora, në të gjitha nivelet e ekipeve Kombëtare. Duhet të ndiqen politika që, t’i japin jetë anës sportive. Ky fenomen mund ta mbysë futbollin tonë. Tani po punojmë për diasporën, por kur të njihet Kosova dhe të ketë kombëtaren e saj, atëherë do ta shohim se çfarë tullumbace kemi fryrë. Ne nuk po përgatisim lojtarë.

 – Si do ta vlerësonit vëmendjen e shtetit ndaj sportit?

 – Mendoj se, asnjëherë nuk është folur seriozisht për sportin nga ana e qeverisë, kushdo qofshin ato. Ka vetëm retorikë në fushatë. Jo të përdoret vetëm për qëllime elektorale. Ministria e Sporteve dhe Federata Shqiptare të punojë për të ardhmen, për investime në infrastrukturë dhe krijimin e të gjitha kushteve për klubet, për rritjen e nivelit të futbollit.

Tomori bie nga Superliga

 Asnjë surprizë në takimet e para për javën e 22-të Kategorisë Superiore. Dy skuadrat favorite, Laçi dhe Bylis kanë fituar respektivisht kundër Luftëtarit (3-0, në Gjirokastër) dhe Tomorit (në Ballsh). Me humbjen e djeshme, Tomori ra edhe matematikisht nga Superliga, dhe po kështu Apolonia e Fierit. Shanse mbijetesë, por vetëm matematikore ka Luftëtari. Erion Vucaj është konfirmuar edhe një herë tjetër lideri i padiskutueshëm i Laçit, teksa ka shënuar sërish një dygolësh kundër Luftëtarit në minutat 49’ dhe 85’ (11-m). Mesfushori Alfred Zefi, në çastet e fundit, fiksoi shifrat 0-3. Me këtë fitore Laçi është ngjitur në kuotën e 34 pikëve dhe provizorisht mban vendin e 6-të në renditje. Ndërsa në Ballsh, golat për vendasit në fitoren 4-1 janë shënuar nga Arbri në minutën e 21-të, Bakiu në minutat 42’ dhe 45’, si dhe Izucuku në minutën e 77-të. Për beratasit, golin e vetëm e shënoi Mitraj në minutën e 53-të.

KATEGORIA SUPERIORE

JAVA 22

Dje, 12.04.2013

Luftëtari-Laçi

Bylis-Tomori

Sot, 13.04.2013

Apolonia-Shkumbini

Kukësi-Tirana

Skënderbeu-Besa

Kastrioti-Flamurtari

Neswr, 14.04.2013

Vllaznia-Teuta

1    Skënderbeu      21   +26  49

2    Flamurtari      21   +21  39

3    Teuta           21   +10  39

4    Kukësi          21   +12  37

5    Tirana          21   +6   35

6    Laçi            22   +3   34

7    Vllaznia        21   +4   32

8    Bylis           22   +6   29

9    Kastrioti       21   -7   28

10   Besa            21   +0   27

11   Shkumbini       21   -17  19

12   Luftëtari       22   -17  18

13   Tomori          22   -24  12

14   Apolonia        21   -23  9

Shqipëria, miqësore me Armeninë

 Shqipëria dhe Armenia ranë dakord që, të luajnë një miqësore midis tyre, të programuar për t’u luajtur më 14 gusht 2013, në vendin tonë. Kombëtarja jonë ndodhet në vendin e 48-të në renditjen e FIFA-s, ndërsa armenët në vendin e 90-të. Në miqësoren e fundit, Kombëtarja jonë fitoi 4-1 me Lituaninë (26 mars 2013). Shqipëria dhe Armenia numërojnë vetëm dy precedentë në përballjet e tyre. Të dyja ndeshjet janë zyrtare, te vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Francë 1988”. Bilanci më armenët është negativ: një barazim 1-1 në Tiranë (trajner Neptun Bajko) dhe një humbje 3-0 në Jerevan (trajner Astrit Hafizi). Kombëtarja jonë ndodhej në grupin 9, së bashku edhe me Gjermaninë, Ukrainën, Portugalinë, Armeninë dhe Irlandën e Veriut. Ajo që duhet veçuar nga ato ndeshje janë rezultatet e ngushta me Gjermaninë: humbëm 3-2 në Granada të Spanjës dhe 4-3 në Hanover. (Në të dyja trajner ishte Astrit Hafizi). Në takimin e parë kundër Armenisë, më 9 nëntor 1996 (në “Qemal Stafa”), Shqipëria vinte pas humbjes 3-0 me Portugalinë (në Tiranë). Ndeshja u mbyll 1-1: shënoi e para Shqipëria me anë të Bajram Frahollit në minutën e 57-të, ndërsa Armenia barazoi në minutën e 90-të me anë të zëvendësuesit Hakob Ter-Petrosyan. Një fitore e ikur nga duart. Bajko dha dorëheqjen pas ndeshjes së humbur 2-0 me Irlandën e Veriut, ndërsa drejtimin e mori Astrit Hafizi. Pas katër humbjeve rresht me Ukrainën (0-1, në fushë asnjanjës, në Granada të Spanjës), Gjermaninë (2-3, po në Granada), Portugalisë (0-2, në Porto) dhe sërish Ukrainën (0-1, në Kiev) erdhi ndeshja me Armeninë (6 shtator 1997). Një humbje 0-3 në Jerevan, por Rrakllin tonë që doli me të kuqe, kur ai shkaktoi penalltinë e golit të tretë. Pjesa e parë u mbyll 0-0, ndërkohë që në të dytën Armenia shënoi tre gola: Vardanyan 56′, Asadourian 81′, Avalyan 87′ (pen). Shqipëria në ato eliminatore grumulloi katër pikë: një fitore me Irlandën e Veriut dhe një barazim me Armeninë, duke u renditur e fundit. Armenia doli e treta në grup me 8 pikë.

ELIMINATORET E BOTËRORIT

“FRANCË 1998”

SHQIPËRI-ARMENI 1-1

Shënues: Fraholli 57’/ H.Ter-Petrosyan 90’

9 nëntor 1996, Tiranë

ARMENI-SHQIPËRI 3-0

Shënues: Vardanyan 56′, Asadourian 81′, Avalyan 87′ (pen)

6 shtator 1997, Jerevan

Çiftet e gjysmëfinaleve të Ligës së Kampioneve: Bajern Munih-Barcelona dhe Dortmund-Real Madrid

 Përplasje gjigantësh

Bajern Munih–Barcelona dhe Borusia Dortmund–Real Madrid. Ky është verdikti i shortit të hedhur dje në Nyon të Zvicrës, për gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Pra, dy duele të mëdha, Gjermani-Spanjë. Ndeshjet gjysmëfinale luhen më 23/24 prill dhe 30 prill e 1 maj. Finalja e Ligës së kampionëve luhet më 25 maj në Uemblej të Londrës. Interesant është fakti, se trajneri i ardhshëm i Bajernit të Munihut, Pep Guardiola, do të t’i japë këshilla skuadrës gjermane kundër ish-ekipit të tij, Barcelonës, me të cilën fitoi dy Liga të Kampioneve. Reagimet nga skuadrat.

BAJERN MUNIH – “Mendoj se do t’i shohim dy ndeshje shumë të mira. E dimë se çfarë na pret. Nuk ka favorit të pastër në asnjërën ndeshje”, tha drejtori ekzekutiv i Bajernit, Karl-Hajnc Rumenige.

 BARCELONA – “Është ndeshje ndërmjet dy ekipeve të mëdha. Janë dy skuadra me stile të ndryshme të lojës. Do të mundohemi të bëjmë atë që dimë si ta bëjmë më së miri”, – tha drejtori i Barcelonës, Andoni Zubizarreta.

 REAL MADRID – “Është kënaqësi që jemi këtu. Kemi shumë respekt për Borusia Dortmundin. Kemi luajtur dy herë me ata (në fazën grupore), por nuk ia kemi dalë t’i mposhtim”, tha drejtori i klubit Emiljo Butragenjo.

 BORUSIA DORTMUND – “Reali nuk na frikëson, por presim të na respektojë. Mezi presim duelet tona. Qëllimi ynë është të kënaqim shikuesit tanë”, – tha shefi ekzekutiv i Borusia Dortmund, Hans-Joakim Vatcke.

LIGA E EUROPËS

 Fenerbahçe-Benfika,ndeshja e “ferrit”

 Fenerbahçe-Benfika dhe Bazel-Çelsi, këto janë dy çiftet gjysmëfinale të Ligës së Europës. Ndeshjet gjysmëfinale luhen më 25 prill dhe ato të kthimit më 2 maj. Finalja e Europa League luhet më 15 maj në stadiumin Amsterdam Arena. Ja dhe reagimet e klubeve.

 FENERBAHÇE – “Benfika është një skuadër shumë e madhe. Do të jetë një përballje shumë pasiononte”, tha drejtori i Fenerbahçes, Hasan Yilmaz.

 BENFIKA – “Është hera e dytë që jemi në gjysmëfinale në tri vitet e fundit. Qëllimi ynë është finalja”, tha Rui Kosta, drejtues i Benfika.

 ÇELSI – “Bazeli eliminoi Totenhemin. Vitin kaluar nuk lejoi Mançester Junaitid të kalonte fazën e grupeve”, tha sekretari i Çelsit, David Barnard.

 BAZEL – “Festa për ne ende nuk ka përfunduar. Mezi presim të kthehemi në Londër. Synojmë finalen”, tha presidenti i Bazelit, Bernhard Heusler.