Agim Canaj: Arbitrat nuk janë të stabilizuar në vendimet e tyre

635
Nga Agron KAJA
INTERVISTA/ Për situatën në Kategorinë Superiore, flet për “Telegraf” ish-futbollisti i Flamurtarit e Dinamos, trajner në disa skuadra
Ditët e fundit jeni përfolur në media si alternativë për stolin e Lushnjës, sa i vëretë është lajmi?
Së pari, do të thosha se jeni të parët që më kontaktoni direkt për këtë problem, dhe ju falënderoj. Së dyti, po ju them se mua asnjëri nga drejtuesit e Lushnjës nuk më ka kontaktuar për të qenë trajner i skuadrës. Dhe së treti, po ju deklaroj se, unë jam i hapur për çdo ofertë që do të më vijë.

Ndoshta ky lajm që ju e quani të vërtetë tregon edhe faktin se ju jeni aktiv në tregun e trajningut shqiptar?
Ndoshta mund të jetë edhe ky një fakt, por ka edhe të tjera arsye që aludohet emri im. Unë këtë e quaj njëherësh edhe respekt për punën që kam bërë në drejtimin e disa skuadrave të futbollit shqiptar.

Jashtë bankinave, si e keni ndjekur Kategorinë Superiore shqiptare?
Ndeshjet i kam ndjekur në ritmikën e shtatë javëve të saj që janë luajtur. Jo vetëm si specialist futbolli, por edhe si analist teknik në emisionin sportiv “Fayr-Play” të Enkeleida Zekos në News24, unë jam munduar që tregoj njohuritë e mia në shërbim të futbollit.

Si e përshkruani situatën e skuadrave në shtatë javët e luajtura?
Natyrisht që skuadrat nuk janë shprehur të gjitha në një nivel, kjo edhe për faktin se nuk kanë të njëjta përbërje, financa e mundësi. Gjithsesi, mund t’i përmbledh me një fjali, se skuadrat nuk kanë diferenca të mëdha mes tyre, duke përjashtuar Skënderbeun, i cili po tregohet skuadër e niveleve evropiane.

Pse mendoni se nuk janë përshtatur skuadrat në këto shtatë javë të luajtura?
Sepse ende ka skuadra që nuk janë ambientuar në lojërat e tyre, ka ekipe që gradualisht po tregojnë rritje, por kontingjentet që ato kanë, nuk garantojnë për më shumë. Ndërkohë që katër të parat: Skënderbeu, Kukësi, Flamurtari e Partizani, mendoj se tashmë e kanë treguar profilin e tyre të këtij sezoni, pasi kanë kontingjente më cilësorë.

Ka ndikuar në gjendjen e skuadrave kjo ngjeshje e ndeshjeve edhe në mesjavë?
Kategoria Superiore shqiptare ka treguar se po hyn në nivele evropiane, dhe kjo dendësi e ndeshjeve nuk mendoj se ju prish ndonjë punë. Përkundrazi, kështu ato kanë mundësinë që ta shohin e lexojnë mirë veten, që më pas të gjejnë sa më shumë alternativa përmirësuese gjatë lojës.

Kanë ndikuar arbitrat në këtë situatë të skuadrave për shtatë javët e luajtura në Kategorinë Superiore?
Arbitrat kanë mbetur ende “Thembra e Akilit” në futbollin shqiptar. Edhe në këto shtatë javë të Superiores, gjykimet e tyre nuk kanë qenë të stabilizuara, edhe pse në disa ndeshje të veçanta ata kanë vendosur fatin e lojës.

Gjithsesi, ju e quani një situatë të dobët, apo një situatë gri me gjykimet në këto shtatë javë?
Me sa kam parë unë, ka një grup arbitrash të rinj që premtojnë shumë për vazhdimësinë, por ata duken të pa konsoliduar dhe të pa përshtatur me nivelin e Superiores. Mungesa e eksperiencës së tyre ka sjellë probleme në ndeshje të veçanta, ndërsa arbitrat cilësorë numërohen me gishtat e njërës dorë në futbollin tonë elitar.

Java e 8-të nis të shtunën dhe mbyllet të hënën, si i shikoni çiftet që do të luhen?
Të gjitha janë ndeshje delikate, pasi brenda tyre skuadrat do të kërkojnë arritjen e synimeve. Ndërsa si ndeshje më të veçanta do të thosha se janë Skënderbeu-Flamurtari dhe Kukësi-Vllaznia, pasi aty luhet për të dy ekstremet e renditjes. Ndoshta Lushnja do të ketë mundësinë për tri pikët e para, ndërsa Laçi-Kamza mendoj se do të jetë sfida më e paparashikuar e kësaj jave.
Ka një grup arbitrash të rinj që premtojnë shumë për vazhdimësinë, por ata duken të pa konsoliduar dhe të pa përshtatur me nivelin e Superiores. Moseksperienca e tyre ka sjellë probleme në ndeshje të veçanta, ndërsa arbitrat cilësorë numërohen me gishtat e njërës dorë në futbollin tonë
7 ndeshje
Kaq janë luajtur në fazën e parë të Kategorisë Superiore, ndërsa mbetet edhe 2 ndeshje për tu mbyllur kjo fazë
19 pikë
Kaq pikë ka grumbulluar Skënderbeu në shtatë ndeshje, me 6 fitore, 1 barazim dhe 0 humbje, me golavarazhin 17:5
KATEGORIA SUPERIORE
Ndeshjet-java e 8-të
Të shtunën, 28 tetor 2017 
Lushnja-Teuta 14:00
Skënderbeu-Luftëtari 17:00
Të dielën, 29 tetor 2017
Kukësi-Vllaznia 15:00
Partizani-Flamurtari 18:00
Të hënën, 30 tetor 2017 
Laçi-Kamza 14:00
RENDITJA
Skuadrat Nd P
1.Skënderbeu 7 19
2.Kukësi 7 16
3.Flamurtari 7 12 
4.Partizani 7 11 
5.Laçi 7 10
6.Kamza 7 9
7.Teuta 7 7
8.Luftëtari 7 5
9.Vllaznia 7 5
10.Lushnja 7 2
Sigal