Afrim Tole: Kampionati ka hyrë në fazën më të vështirë

651
Nga Agron KAJA
KATEGORIA SUPERIORE/ Flet për “Telegraf” ish-mbrojtësi i Partizanit dhe i Kombëtares, ja fokusi i tij për aktualitetin në këtë kategori
Për ish-futbollistin e Partizanit dhe të Kombëtares, Afrim Tole, ndeshjet e javës së 25-të kanë qenë të gjitha të forta. Në bisedë me gazetën “Telegraf”, Tole analizoi këto ndeshje, duke veçuar edhe disa dukuri, njëherësh, ai u ndal edhe tek situata që kanë skuadrat në tabelën e renditjes. “Ndeshjet e javës së 25-të, mendoj se ishin shumë të forta. “Në këndvështrimin tim, Skënderbeu ka vazhdimësi në rezultatet pozitive, dhe vendimi i UEFA-s për të do të pritet me shumë interes. Kampionati tashmë ka hyrë në fazën më të vështirë, natyrisht dhe interesante, sepse të gjitha skuadrat e tjera, matematikisht janë në lojë për synimet e tyre”, kështu theksoi fillimisht në deklarimin e tij Afrim Tole, i cili më pas u fokusua edhe te situata e skuadrave në tabelën e renditjes, ku sipas tij, 8 skuadra mbeten “peng” i 11 javëve të mbetura në Kategorinë Superiore. “Nisur nga renditja aktuale, veç Skënderbeut e më pak Kukësit në kreun e renditjes, do të luftojnë pesë skuadra të tjera për një vend në Evropë, dhe unë këtu shikoj Laçin, Flamurtarin, Luftëtarin e Partizanin. Duke qenë edhe 33 pikë në lojë, të gjitha skuadrat i kanë mundësitë që të tregojnë se i arrijnë synimet, e këtu më pranë shikoj Partizanin, i cili me Dalipin në bankinë ka ndryshim cilësor. Ai është një trajner i përkushtuar, që kërkon mbështetje dhe garanci, ndërsa në këtë grup, mendoj se do ketë rivalitet të madh”. Në renditjen e 25 javëve të Kategorisë Superiore, natyrisht që tërheqin vëmendjen edhe Vllaznia me Teutën, dy skuadra të mëdha, të cilat në këtë sezon luftojnë për mbijetesë. Por, Afrim Tole fut në këtë “valle” për mbijetesë edhe Kamzën, që sipas tij, nuk është ajo skuadër si në dy fazat e para. “Nuk them se janë vetëm Vllaznia me Teutën në “vallen” e mbijetesës, sepse edhe Kamza po orientohet më shumë drejt zonës së mbijetesës. Barazimi në Vlorë, për të nuk ishte tregues i fortë për vazhdimësinë, ndërsa në çiftin mes Vllaznisë dhe Teutës, unë shoh Vllazninë më të rrezikuar. Cila prej tyre do të marrë më shumë pikë në transfertë, ajo do të qëndrojë”, vazhdoi në deklarimin e tij Afrim Tole, i cili nuk la pa përmendur arbitrat, por prognozën e tij për ndeshjet e javës së 26-të. “Arbitrat mund të kenë gabuar, madje edhe me ndikim në rezultate, por unë i quaj njerëzore, asnjëherë nuk dyshoj se janë të qëllimshme. Ndërsa për ndeshjet e javës së 26-të, sfidat të gjitha janë të vështira. Nëse i shohim të gjitha një nga një, aty luhet Evropa dhe mbijetesa. Për mendimin tim, Kukësi-Vllaznia do të jetë kryendeshja e javës së 26-të”, përfundimi deklarimin e tij Afrim Tole, ish-mbrojtësi i Partizanit dhe i Kombëtares.
Rezultatet-Java e 25-të 
Datë 14 mars 2018 
Lushnja-Laçi 1-3
Luftëtari-Kukësi 2-1
Vllaznia-Partizani 0-0
Teuta-Skënderbeu 1-1
Flamurtari-Kamza 2-2

RENDITJA
Skuadrat Nd P
1. Skënderbeu 25 57
2. Kukësi 25 42
3. Laçi 25 39
4. Luftëtari 25 37
5. Flamurtari 25 37
6. Partizani 25 36 
7. Kamza 25 34
8. Vllaznia 25 27
9. Teuta 25 23
10. Lushnja 25 10

Ndeshjet-Java e 26-të
Të dielën, 18 mars 2018 
Laçi-Kamza 14:00
Lushnja-Teuta 14:00
Skënderbeu-Luftëtari 17:00
Të hënën, 19 mars 2018 
Kukësi-Vllaznia 14:00
Partizani-Flamurtari 17:00
Sigal