Adriatik Dosti: Fino, larg duart nga futbolli shqiptar…!

PRAG ASAMBLEJA/ Një mesazh të fortë dhe real rreth kandidimit të Bashkim Finos për postin e Presidentit të FSHF-së, të publikuar përmes një statusi në Facebook, e jep me profesionalizëm gazetari i njohur sportiv 

Bashkim Finon e kam njohur nga afër e personalisht vetëm në atë kohë kur erdhi i propozuar e i rekomanduar nga një zot e di se prej kujt….., si Kryeministër i Qeverisë së Stabilitetit në vitin e mbrapshtë shqiptar 1997. Si për koincidencë të fatit e të historisë sonë… erdhi nga Gjirokastra, andej nga na kanë ardhur fatkeqësisht edhe Enveri, po edhe Fatos Nanua apo edhe Kadareja i tyre … dhe nisi të strapacohej dukshëm për t’u bërë sa më shpejt të ishte e mundur qytetar Tirane…

Nuk më pëlqeu kurrë, sepse rreth vetes mbante disa “trima e të fortë”… Bodigardë medemek…që e ruanin se mos i ndodhte gjë…apo edhe për t’i dhënë vetes gjoja më shumë rëndësi, seriozitet e pompozitet…Që të jem i sinqertë me këdo…ky lloj tipi… arrogant, pordhac, mendjemadh, kunjaxhi e kapadai… nuk më ngjiti asnjëherë…, shto këtu edhe faktin tjetër, se emri i tij përflitej goxha si Kreu i kontrabandës së cigareve në linjën Greqi-Shqipëri, e shumë “tregtarë të njohur duhani” e shoqëronin jo rrallë tek vinte pinte kafe jo pak herë tek Bar-Kafeja e tribunës se stadiumit “Qemal Stafa”…. ku rrinim zakonisht një pjesë jo e vogël e jona… e gazetarëve sportivë …

Kërkonte në forma të ndryshme t’i imponohej gjithkujt se çoç ishte … kur në fakt nuk ishte askush… përveçse një ish-kryetar bashkie i një qyteti 300 km larg Tiranës dhe që emrin dikush edhe mund t’ia kishte dëgjuar, por fytyrën s’ia kish parë kurrë… lëre me pastaj ta njihte personalisht…As më ka bërë gjë dhe as i kam bërë gjë… përveçse nuk ia harroj dot tangërllikun provincial që i veshi vetes kur erdhi si i pari i Qeverisë shqiptare pa pritur e pa kujtuar atë fillim pranvere të atij viti të largët e që mos u kujtoftë më kurrë për Shqipërinë e shqiptarët…!

Si qytetar i atij vendi e si nënshtetas i tij edhe Fino, sipas Kushtetutës ka të drejtë të Zgjidhet e të Zgjedhë… pasi kështu thotë ligji për qytetarët e Shqipërisë me moshën mbi 18 vjeç. Por… për të qenë në krye të FSHF-së… e të futbollit shqiptar, ka ca rregulla loje kombëtare e ndërkombëtare z. Fino që nuk e di se si ka mundësi “ajo lloj studioje ligjore” që paske prenotuar zotrote kur vendose të kandidoje, nuk t’i ka sqaruar e bërë të qarta ty, Shefit të madh të politikës së djeshme e të sotme shqiptare.

Shqipëria është anëtare e FIFA-s që më 1932 dhe e UEFA-s që më 1954, z. Fino, dhe si e tillë ka firmosur rregullat e të qenit pjesë përbërëse e tyre me të gjitha normat e parashkruara në statuset e tyre përkatëse…, ndaj edhe është e detyruar t’i zbatojë ato një për një, ose në të kundërt, t’i kthehet izolimit të dikurshëm komunist-enverist apo bolshevik-stalinian. Le të bëjë sport e futboll vetëm me veten e saj…

E ndoqa me shumë vëmendje paraqitjen e platformës tënde si kandidat për kreun e ri të FSHF-së në TV-në e Thoma Gëllçit të Partisë suaj… ashtu sikurse po ndjek çdo ditë servilizmin e neveritshëm e pervers të disa gazetave shqipfolëse të Tiranës, të cilat janë mbushur me intervistat e tua “bombastike” e të “sinqerta”… dhënë gazetarucëve që i thirri Partia në detyrë.

Ti, që nuk të lidh absolutisht asgjë me futbollin, veç faktit se je shok bythë e brekë me Gazin, Olsin, Erionin e sigurisht edhe Edvinin, e jo shok i rastësishëm, nuk mund të jesh dot kurrsesi në krye të futbollit shqiptar për shumë e shumë arsye krejtësisht objektive, logjike e të përligjura, të cilat duhet të ta mbyllin derën që sot, pasi nesër do të jetë tepër vonë. E sa më shpejt edhe t’i vetë t’i kuptosh, aq më mirë do të jetë edhe për ty…

As fakti qesharak se je dashamirës futbolli e ke luajtur futboll për qejfin tënd me gazetarët sportivë e parlamentarët turq, italianë, kroatë, etj, etj apo edhe fakti tjetër se ke qenë disa herë i pranishëm nëpër studio televizive e ke folur për futbollin si “specialist”, nuk të ndihmojnë dot që të marrësh këtë lloj guximi të çmendur për të kandiduar për kreun e FSHF…

Nuk të ndihmojnë dot as Purua e Havanës së Fidel Castros së ngordhur, të cilën s’e heq nga goja, as replikat e ashpra e fjalori skandaloz që përdor në Parlament ndaj kundërshtarëve të tu politikë, e as “Range Roveri” me të cilin shëtit nëpër rrugët e Shqipërisë sikur të jesh njëri prej pronarëve e agallarëve të këtij vendi…

Lëre më pastaj faktin tjetër qesharak që kandidimi yt vjen si propozim i klubit të futbollit Lushnja… material i denjë ky për humorin e “Portokallisë” së Agron Llakës…

Sa për korrektesë njerëzore e profesionale…, atë takimin e famshëm simbolik për të vrarë frikën mes shqiptareve dhe mes Gazetarëve sportivë e Politikanëve më 1997 në stadiumin “Qemal Stafa” ku vërtet erdhën gati 20 mijë shikues, nuk e organizove ti siç thua me mburrje në intervistat e tua, por ishte iniciativa kurajoze e imja, e Gëzim Sinematit dhe të ndjerit Mirjan Hakani… sepse na dhimbseshin bashkëqytetarët tanë, qyteti ynë, por edhe futbolli që na mblidhte, na bashkonte e argëtonte, të cilit ju raca e poshtër e politikanëve të pafytyrë sot po kërkoni gjoja t’i dilni për zot…

Në platformën tënde dëgjova për futboll të pastër, për rikthim të tifozëve nëpër stadiume, për ndërtimin e 5 stadiumeve bashkëkohore, për ndërtimin e fushave dhe terreneve stërvitore, për ekipet e Superligës, por edhe për ato të Kategorisë së Parë, për rikthimin e klasave sportive, për rikthimin e dinjitetit të Gjyqtarëve etj, etj…

Në letër e në teori, t’i paska mësuar mirë Partia objektivat e kandidimit, por terreni e realiteti i futbollit shqiptar janë ku e ku me oratorinë e Partisë tënde o z. Fino…

Edhe Elvisi juaj i Kavajës, por edhe Fred Peza po i juaji, në kandidimet e tyre politike iu premtuan kavajasve e peqinasve stadiume të reja e moderne, por aty në Partinë tuaj nuk lë Larua të hajë Balua joooo… sepse gënjeshtra, mashtrimi e hajdutëria janë pjesë e shpirtit dhe karakterit tuaj politik e partiak…

Të them të drejtën, as gjuha jote kërcënuese për kallëzime në Prokurori ndaj “të pabindurve e ilegalëve”, krijesë e Dukës, siç i etiketove ti…, nuk më çuditi fort, pasi ne shqiptarëve tashmë na është bërë lëkura shollë me gjuhën gangstere të politikës e politikanëve shqiptarë të sojit e kallëpit tënd, e tuajit në rastin konkret.

Z.Fino, ato që premtove e shpalose në TV e Thomait të Partisë, të garantoj me jetën time që jo TI, por edhe një shtet i tërë të ngrihet në këmbë nuk i bëni dot, për shumë arsye, por më erdhi keq e mirë bashkë për faktin se, duke dashur të tregoheshe një Dhëndër i mirë i futbollit, vajte e re brenda si një Kollovar i keq e i shëmtuar i Politikës së Partisë tënde… Sepse vetëm një njeri i lidhur ngushtësisht me politikën, pushtetmbajtësit, partinë e qeverinë në pushtet e që ka përkrahjen politike të tyre, mund të guxojë të shpalosë me aq kurajë premtime të tilla gati utopike…

Mjafton të kujtosh ardhjen në futboll të Gazit të Partizanit… pas tij të Olsit në krye të ekipit të Gazit… Të mbështetjes tënde prej Safetit të PS së Kukësit, e për konjukturë, sot për sot edhe të Sinanit të Vlorës…, dhe kandidimi yt përballë Dukës është krejtësisht një dëshirë a urdhër Partie që të ngjyros edhe ty personalisht me kolorin e saj të njohur…Mavi…

Z. Fino, në krye të shtetit e të qeverisë ke qenë kaq kohë, çfarë bëre ti personalisht DJE për futbollin, i cili SOT t’u dhimbska vërtet kaq shumë, e që me të drejtë thua se ka degjeneruar në korrupsion, shitblerje ndeshjesh, prishje imazhi, mungesë terrenesh sportive, arbitrime skandaloze, garë jo të ndershme, etj etj…?

Pse nuk e dhe ndihmesën tënde që dje sa pa u trashur gjërat deri në këtë fare derexheje, e pse nuk fole kur ishte për të folur, por u kujtove vetëm sot që të tha Partia “hajde ta marrim edhe futbollin se vetëm ky na ngeli e se aty ka goxha para e se prej tij mund t’i përmirësojmë së tepërmi imazhin partisë e qeverisë sonë….”.

Z. Fino, ju keni gati 20 e kusur vjet në krye të politikës shqiptare…, fatkeqësisht në krahun e keq majtist, të saj që shqiptarët më të drejtë e identifikojnë si krahun pasues së fatkeqësisë së tyre të djeshme kombëtare, diktaturës komuniste…

Keni qenë Kryetar Bashkie, Kryeministër, Zv. Kryeministër, Ministër, Deputet, Kryetar i Komisionit të Ligjeve në Parlamentin shqiptar, Anëtar i forumeve të larta të Partisë Socialiste në pushtet, etj etj…

Do të mjaftonte vetëm një CV e juaja politike e djeshme dhe e sotme dërguar prej njerëzve të ndershëm, profesionistë e që iu dhimbset futbolli shqiptar nga ana e Komunitetit të futbollit në drejtim të FIFA-s dhe UEFA-s, e të siguroj se Kandidatura juaj do të konsiderohej menjëherë e pavlefshme, skandaloze dhe krejtësisht në kundërshtim flagrant me rregullat e statutet e organizmave të lartë drejtues të futbollit botëror dhe evropian, në të cilat Shqipëria aderon prej dekadash.

Ahhh, ndryshon krejtësisht problemi e puna nëse ju publikisht e zyrtarisht do të bënit publike dorëheqjen tuaj nga të gjitha funksionet shtetërore e politike, nga mandati i Deputetit të një force politike qeverisëse e në pushtet, nga ato në forumet drejtuese të Partisë e të Parlamentit etj etj… dhe nuk do të kishte fare rëndësi qenia juaj formale si një anëtar i thjeshtë ose simpatizant i Partisë tënde a i forcës politike në të cilën ke bërë pjesë deri dje…

Në këto kushte, bujrum, dhe e ke derën e hapur të kandidosh për të qenë, jo në krye, por edhe mbi krye të FSHF e jo me Dukën rival, por edhe me këdo tjetër nga pjesa e futbollit shqiptar… i vetëm ti si qytetar i Shqipërisë e i quajtur Bashkim Fino,… e pa Partinë tënde nga pas e pa nxitjen e kryeministrit tënd aventurier e të klaneve të tij mafioze që kërkojnë të kapin futbollin shqiptar prej fyti për qëllimet e përfitimet e tyre personale.

Z. Fino, larg duart nga futbolli shqiptar, sepse të garantoj se si një njohës i shkëlqyer i statuteve të organizmave ndërkombëtare të futbollit, ku ndërhyrja e përzierja e politikës në sport e në futboll në veçanti, dënohen e ndëshkohen ashpërsisht. Kandidimi yt, e lëre më pastaj fitorja jote, do t’i sjellin dënime e dëme të konsiderueshme e të pariparueshme futbollit tonë, duke çuar deri në përjashtimin drastik të tij, aq më tepër që Shqipëria e ka rast të përsëritur një gjë të tillë dhe e ka marrë vite më parë një dënim ekstrem të kësaj natyre.

Në mbyllje të këtij shkrimi-apel timin për JU personalisht, por jo pak edhe për të zgjuar reagimin e menjëhershëm të Komunitetit shqiptar të futbollit, po ju bëj me dije se në kapitullin për ndërhyrjet dhe interferimin e politikës në futboll apo edhe qeverisë e strukturave të lidhura me to, artikujt 14 e 17 të FIFA-s e përcaktojnë fare qartë e saktë se:

“…The electoral procedure of nationals football associations should guarante e the indipendence of elections from politics and politicians , goverment and all forms those kinds…

FIFA is againts political interference in football and ëhether ist interventions is appropriate ….ect ect.

Ndaj edhe njëherë z. Fino: larg duart nga futbolli shqiptar dhe mos luaj me zjarrin, se jo vetëm që do digjesh vetë brenda tij, por do djegësh edhe të tjerë që të kanë fryrë në vesh për të ndërmarrë këtë lloj aventure për t’i hyrë detit me këmbë mes këtij dimri të egër e zemërak. E më keq akoma, do t’i shkaktosh një dëm kolosal futbollit shqiptar, e ku më pas zemërimin e tij nuk mund ta ndalësh dot as ti e as ai që të nxit e që ke mbi krye, as lloji i pështirë i zuzarëve që ke rreth vetes e që sot po mbështesin fuqishëm e me të gjitha format e mënyrat zgjedhjen tënde në majën e futbollit halleshumë shqiptar…