Adrian Aliaj: “Partizanin e Flamurtarin i dua në Europë”

79

Ish-mbrojtësi i famshëm i Kombëtares flet për gazetën “Telegraf”: “Skënderbeu nuk pati konkurrencë”

Adrian Aliaj, ish-mbrojtësi goleador i Kombëtares, tashmë në rolin e një agjenti të suksesshëm të FIFA-s, analizoi për gazetën “Telegraf” risitë e kampionatit të Kategorisë Superiore, finalen e pritshme të Kupës së Shqipërisë, formatin e Superligës, paraqitjen e lojtarëve shqiptarë në Europë dhe rinovimin e ekipeve kombëtare të moshave. “Skënderbeu e ka merituar plotësisht këto 4 vjet që të jetë kampion i Shqipërisë. Janë stabël si klub dhe kane kualitet dhe organizim. Do të doja që, Partizani të luante në Europë, pasi atje kam bërë hapat e parë profesionistë. Finalen dua ta fitojë ekipi i zemrës: Flamurtari, me gjithë respektin për Kukësin”, – tha Aliaj, i cili sot drejton agjencinë “Soçer Eleven” me bazë në Kroaci.

 – Aliaj, Kategoria Superiore tashmë është në finishin e saj. Skënderbeu e fitoi për herë të katërt rresht kampionatin, duke mos e ndjerë shumë rivalitetin e skuadrave të tjera. Cili është mendimi juaj?

– Për mendimin tim, Skënderbeu e ka merituar plotësisht këto 4 vjet që të jetë kampion i Shqipërisë. Janë stabël si klub dhe kane kualitet dhe organizim. Këto janë faktorë të rëndësishëm. Por, natyrisht s’ka pasur dhe shumë konkurrencë me rivalët.

– Lufta për në Europë është ende e hapur edhe pse ka mbetur vetëm një ndeshje, ku rivalë janë Laçi, Teuta e Partizani. Ekipet ndahen vetëm nga një pikë. Si e parashikonin atë?

– Për klubin që, mund të shkojë në Europë do të doja të ishte Partizani, pasi atje kam bërë hapat e parë profesionistë në atë klub me trajner Sulejman Starovën dhe Hasan Likën

– Edhe pse Tirana e mbylli e fundit vitin 2013, ajo ia doli të mbijetojë, ndërkohë që në rrezik rënie janë Besa e Vllaznia…

– Mendoj se, klube si Tirana, Dinamo apo Elbasani duhet të jenë klube në Superiore. Ato i japin peshë kampionatit dhe më vjen mire që, Tirana ja doli!

– Finalja e Kupës ofro ndeshen Flamurtari-Kukësi. Flamurtari e ka fituar tri herë trofeun, ndërsa Kukësi e ka për herë të parë në finale. Parashikimi i Aliajt?

– Finalja e Kupës në çdo vend është shumë interesante. Shpresoj të bëhet spektakël dhe media e televizioni t’i bëjnë reklamë kësaj loje të tërheqin sa më shumë spektatorë. Gjithsesi, finalen dua ta fitojë ekipi i zemrës: Flamurtari, me gjithë respektin për Kukësin.

– Sezoni i ardhshëm do të luhet me 10 skuadra, një skemë që rikthehet pas disa vitesh. Cili është opinioni juaj?

– Mendoj se, kampionati shqiptar në përgjithësi në 10 vitet e fundit, thuajse e ka ndryshuar sezon për sezon modulin e Ligës, gjë që për mendimin tim është vepruar shumë keq. Shqipëria mund të ketë vetëm ligë me 10 ekipe në Kategorinë Superiore dhe po 10  10 ekipe në Ligën e Dytë, ashtu siç janë në Zvicër, Austri, Slloveni, Kroaci, etj..

– Legjionarët shqiptarë po shënojnë në kampionatet ku luajnë: Hamdi Salihi në Izrael, Berisha në Australi, Meha në Gjermani, Gashi në Zvicër. Por, ka dhe që nuk luajnë për arsye të ndryshme. Cili është opinioni juaj?

– E vërteta është se nga Hamdi Salihi jam shumë i kënaqur. Po luan shumë mirë, pasi e transferova në Izrael te Hapoel Akre. Po, kështu Odise Roshi u zgjua në 5-6 ndeshjet e fundit dhe po luan me besim. Alban Meha, për mua është surpriza e madhe e vitit. Ergys Kaçe po luan gjithashtu mirë te PAOK-u në Greqi. Nuk ka Kombëtare të mitë pa lojtare të këtyre niveleve! Gjithsesi,  ka dhe legjionarë shqiptarë që, janë gjithë kohën me probleme ne klubet e tyre, ose nuk luajnë ose të dënuar dhe vuan Kombëtarja pastaj

– Kombëtarja A, U-21, U-19 janë në proces rinovimi të përhershëm, ndërkohë që ka shumë talente në Europë. Vlerësimi juaj si një ish-lojtar i Kombëtares?

– Përfundimisht, gjëja me pozitive është që po mbledhim elementin e ri në kombëtaren e moshave. Po bëhet punë e mire te ekipet U-21, U-19, U-18, U-17. Këta janë e ardhmja. Janë rritur në Perëndim dhe hapat e para të futbollit i kanë bërë në klube profesioniste dhe mentalitetin e kanë ndryshe! Duhet parë me përparësi dhe duhet investuar akoma me tepër te moshat!

 8 gola

ka realizuar Adrian Aliaj në 29 ndeshje me Kombëtaren shqiptare

 10 ekipe

pati gjatë mbrojtësi i fuqishëm gjatë karrierës së tij 15-vjeçare

 

45 transferime në pesë vjet

 Adrian Aliaj është një nga agjentët e njohur shqiptarë, që operojnë në fushën e futbollit. Agjencia e themeluar nga ish-futbollisti i Kombëtares dhe me një karrierë të gjatë ndërkombëtare, më shumë se 12 vjet midis Kroacisë, Gjermanisë, Belgjikës, Francës e Izraelit quhet “Soçer 11”. “Qëndrën e kemi në Kroaci, – thotë 37-vjeçari Aliaj, – por kemi një rrjet të madh në të gjithë Europën dhe partnerë në gjithë botën. Merremi me karrierën e lojtareve dhe kjo është filozofia jonë të këshillojmë lojtarët. Të ruajmë raportet me klubet dhe të transferojmë në klubet më elitare të Europës. Është një proces i komplikuar. Shumë njerëz nuk janë në dijeni se, çfarë lloj biznesi është, kërkon shumë përkushtim shumicën e kohës jemi në udhëtim me klube dhe persona të klubeve, drejtorë sportivë, skout, etj.. Gjatë pesë viteve të kompanisë, Aliaj dhe agjencia e tij kanë realizuar mbi 45 transferime. “Përsa u përket lojtarëve shqiptarë, kemi realizuar transferimet e Jahmir Hykës te Mainc 05 dhe Odise Roshit te Këlni në Gjermani si dhe Hamdi Salihit në Izrael. ‘Soçer 11’ ka realizuar transferimet e gjithashtu lojtarë të shteteve të tjerë ne Seria A, Bundesligë, Ligue 1 në Francë, Belgjikë, Austri, Rusi, Ukrainë, Dubai, Katar, Poloni. Ne kemi faqen tonë të internetit me adresën Soçer-eleven.com, ku pasqyrohen çdo gjë nga puna jonë”, – thotë Aliaj, i cili gjatë karrierës së tij të nisur te Partizani, u transferua te Hajduku i Splitit në Kroaci, e më pas me luajti me Hanover 96, Standard Liege Charleroi, Rot Vais Oberhausen, Makabi Petah Tikva, Stade Brest. “Arrita të bëja ëndrrën realitet dhe kjo është me e rëndësishmja. Sporti më ka dhënë gjithçka në jetë dhe jam krenar për karrierën time dhe respektin që kam marrë si Adrian nga futbolli!”, – thekson Aliaj, mbrojtësi goleador.

 Goli historik kundër Greqisë

 Adrian Aliaj pati një karrierë të shkurtër me Kombëtaren shqiptare (2002-2006), duke luajtur vetëm 30 ndeshje, por mbrojtësi i famshëm shënoi jo pak, por 8 gola, duke qenë realizuesi i tetë më i mirë historik i Kuqezinjve, pas Erjon Bogdanit (19, rekord), Alban Bushit (14), Ervin Skelës (12), Altin Rrakllit (11), Hamdi Salihit (11), Sokol Kushtës (10) dhe Igli Tares (10). Ai u ka shënuar Portugalisë (2), Estonisë (1), Suedisë (1), Islandës (1), Greqisë (1), Lituanisë (1) dhe Lituanisë (1). Një nga golat më të bukur të tij është ai kundër Greqisë, në atë fitore të madhe 2-1, më 4 shator 2004. Një gol i shënuar me një gjuajtje perfekte standarde, e denjë për lojtarë të kalibrit të madh si Platini, Pirlo, Ronaldo apo Mesi. “Kombëtarja është diçka tjetër, aty zemra rreh fort. Nuk është biznes, është ndjenjë, dashuri për Kombin dhe fanellën e kuqe. Të bën të jesh krenar, kujtoj mezi prisja te merrja avionin për Tiranë të grumbulloheshim. Ishte kënaqësi të shikoje shokët e skuadrës të qeshur dhe tifozët që mezi prisnin të fillonte ndeshja! Ndeshja me Greqinë ishte historike për shume arsye. E para, shqiptaret emigrantë kalonin momente të vështira në Greqi: ekonomike dhe politike, dhe pastaj fakti që Greqia ishte kampion e Europës në atë moment. Përsa i përket golit, dua të them se ishte me të vërtetë spektakolar, por po u le të tjerëve ta gjykojnë. Ishte ndjenje e paharruar fitorja dhe kënaqësia që u dhamë gjithë shqiptarëve anembanë botës. Le ta përmbledhë kështu: ishte goli i të gjithë shqiptareve!”, – thotë Aliajn, për një nga golat më të bukur të gjitha kohërave me Kombëtaren shqiptare.

Shqipëria, e dyta në turneun e Moldavisë

 Ekipi kombëtar U-17 humbi në ndeshjen e tretë kundër Sllovakisë, në Turneun miqësor të Moldavisë “UEFA Development”, që ka nisur më datë 2 maj. Ndeshja u mbyll me rezultatin 1-0 për ekipin sllovak. Skuadra e drejtuar nga trajneri Xhemal Mustedanagiç ka bërë një paraqitje për gjithësisht të mirë në këtë takim dhe është ndëshkuar në një moment episodik për pakujdesi të saj. Gjatë këtij turneu, Shqipëria barazoi 0-0 me Greqinë (fitoi me penallti 3-2), fitoi me Moldavinë 1-0 dhe humbi me Sllovakinë 1-0. “Në përgjithësi performanca e futbollistëve tanë te rinj ishte e mirë, është shprehur trajneri kuqezi. Shpresoj se në të ardhmen me një punë më të mirë ky kontingjent futbollistësh do të arrijë një nivel më të lartë”. Moldavia ka arritur të fitojë në ndeshjen e fundit me Greqine me rezultatin 3-2. Në këtë mënyre Shqipëria ka arritur vendin e dytë ne turneun “UEFA Development”, pas Sllovakisë.