Abrashi “prish” planet e Panuçit, dëmtohet para çdo ndeshjeje të Kombëtares!

562
Nga Agron KAJA
KOMBËTARJA/ Në prag të miqësores së 26 marsit Shqipëri-Norvegji, trajneri i Kombëtares shqiptare ka dilema, i “sakrifikuar” në zgjedhje
Nga data 13 nëntor 2017, kur në turneun e Antalias u luajt ndeshja miqësore me Turqinë, e fituar me rezultatin 3-2, Kombëtarja jonë nuk është grumbulluar asnjëherë në 133 ditë, e për pasojë, nuk ka zhvilluar ndeshje zyrtare e miqësore në këtë periudhë. Dhe, miqësorja e 26 marsit me Norvegjinë në “Elbasan Arena”, pritet që të jetë testi i radhës i kuqezinjve, të cilët janë në formatimin e skuadrës që do të jetë e gatshme në ndeshjet eliminatore të “Euro 2020” dhe për Ligën e Kombeve. Gjatë kësaj periudhe, italiani i bankinës kuqezi ka qenë më rrallë në Shqipëri, duke u përqendruar më shumë në vëzhgimin e futbollistëve të rinj, të cilëve ai mendohet t’i afrojë, apo edhe t’u besojë një vend në formacion, si alternativa ndeshje pas ndeshjesh. Por, në fundjavën e shkuar, Panuçi ka marrë lajmin e parë të dëmtimeve, pasi ka qenë mesfushori Amir Abrashi që luan në Bundesliga 1 me Frejburgun, ai që është dëmtuar, pikërisht në minutën e 29-të në sfidën me Hertën e Berlinit. Mjekët e kësaj skuadre e mendojnë të gjatë në kohë rikuperimin e tij, dhe nëse rikthehemi në kohë katër muaj më parë, nëntor 2017, pikërisht Abrashi ishte lojtari që u grumbullua i dëmtuar në ‘zborin’ stërvitor të Turqisë, i cili nuk ia doli të rikuperohej, të paktën për miqësoren e 13 nëntorit. Dhe atëherë Panuçi thirri Kamer Qakën, futbollistin që luan në kampionatin rumun me skuadrën CSM Politehnika Iasi, por që kishte pasur përvojë edhe në kampionatin norvegjez të futbollit. Për këtë rast kanë folur dje edhe mediat sportive italiane, ku Abrashi konsiderohej si një “prishës” i planeve të Panuçit në prag të miqësores me Norvegjinë, më 26 mars në Elbasan. Edhe pse lista e kësaj miqësoreje do të bëhet publike ditën e premte nga italiani Panuçi, duket se alternativa zëvendësuese e Abrashit në mesfushë, do të jetë përsëri Qaka. Njëherësh, për trajnerin Panuçi do të ketë dhimbje koke edhe për titullarë të tjerë, kryesisht për sulmuesin kryesor Armando Sadiku, i cili pasi u përplas rëndë dy javë më parë në ndeshjen e Levantes përballë Getafes, është në rikuperim. Ai nuk luajti këtë fundjavë me Levanten në Kampionat, e gjatë javës është shfaqur me maskë në fytyrë, duke mbetur kështu një nga dilemat e formacionit tonë për miqësoren me Norvegjinë, e cila do të luhet në stadiumin e qytetit të tij të lindjes, Elbasan. Për Kombëtaren tonë, lajmi i mirë në prag të kësaj miqësoreje është forma e mirë e dy portierëve, Berisha e Strakosha që luajnë në Serinë A, e po kështu mbrojtësit Hysaj te Napoli, Ajeti te Krotone e Gjimshiti te Benevento. 
Mbrojtësi i Kombëtares, Frederik Veseli, që luan me Empolin kryesues në Serinë B të Italisë, është dëmtuar në ndeshjen e fundjavës së shkuar përballë Virtus Entelës. Dëmtimi i tij duket serioz, e do të mungojë në ndeshjen e fundjavës ndaj Venecias, por në dyshim mbetet edhe për miqësoren me Norvegjinë
SKEDA E MIQËSORES ME TURQINË
E hënë 13 nëntor 2017, ora 18:00 në stadiumin e Antalias, ndeshja miqësore

TURQI-SHQIPËRI 2-3
Shënues: Under 47’, Akbaba 60’/ Sadiku 24’, 39’, Grezda 55’
Turqia (1-4-2-3-1): Babaçan, Jardimçi (Tufan 46’), Aziz (Demirok 46’), Sojunçu, Turan (Kobajashi 46’), Jukuslu, Ozjakup, Çalhanoglu (Yazisi 74’), Under (Unal 71’), Karaman (Akbaba 60’), Tosun. Trajner: M. Luçesku
Shqipëria (1-4-2-3-1): Berisha, Hysaj, Mavraj, Veseli, Lenjani (Ajeti 66’), Lilaj (A. Lila 87’), Xhaka, Memushaj, Roshi (Qaka 66’), Grezda (Ajdareviç 81’), Sadiku (Aliji 66’). Trajner: K. Panuçi 
Gjyqtar: Georgi Nikolov Kabakov (Bullgari)
Kartonët: KV Aziz, Tufan, Sojunçu / Memushaj (2)
KK Memushaj
Abrashi do t’i nënshtrohet operacionit
Mesfushori Amir Abrashi, ka lënë fushën e lojës në minutën e 29-të, në ndeshjen ndaj Hertës së Berlinit, për shkak të një dëmtimi. Në kontrollin më të detajuar në fillim të kësaj jave, është përcaktuar më qartë dëmtimi i tij, ku mjekët kanë konstatuar këputje në ligamentin e kryqëzuar në këmbën e djathtë. Kështu që, mesfushori duhet t’i nënshtrohet një operacioni, e pas këtij dëmtimi, duket se do të jetë larg edhe nga Kombëtarja, një vlerë e humbur për formacionin e Panuçit në miqësoren e 26 marsit me Norvegjinë.
Pas një viti, rikthehet Balaj në Kombëtare
Në kujtesën e të gjithëve nuk mund të mos veçohet goli i Bekim Balajt, shënuar ndaj Norvegjisë, në ndeshjet eliminatore në grup për “Botërori 2018”. Dhe shkodrani duket se do të jetë i grumbulluar nga Panuçi për miqësoren e 26 marsit, pas thuajse 1 viti mes dëmtimit, operacionit dhe riaftësimit. Në Kombëtare, sulmuesi shkodran nuk ishte grumbulluar që nga miqësorja me Bosnje-Hercegovinën e zhvilluar në “Elbasan Arena” në 28 mars 2017.
Sigal