Abdurrahman Roza Haxhiu, legjenda e fushës së blertë shqiptare

344
Abdurrahman Roza Haxhiu ose Roza Haxhiu, siç njihet nga të gjithë, lindi në qytetin e Lushnjës në lagjen “Kongresi i Lushnjës” më 30 shtator 1930. Djali i Bajram Haxhiut, një nga anëtaret e komisionit nismëtar të thirrjes së Kongresit të Lushnjës. Që në fëmijëri Roza, ëndërronte të bëhej futbollist. Një ëndërr që nisi që fëmijë në fushën e blertë të vendlindjes dhe që do të përfundonte po aty në fushën e blertë europiane nga një goditje vdekjeprurëse në kokë. Talenti i tij u duk që në moshën e re në ekipin e “Traktorit” të Lushnjës. Roza Haxhiu ishte një futbollist i shquar shqiptar i viteve 50-60, talent i rrallë si dhe golashënues i klasit të parë me ekipin kombëtar të Shqipërisë, “Lushnjen”, “Dinamon”, “Besën” e “Partizanin”. Abdurrahman Roza Haxhiu, jetoi shumë pak, rreth tri dekada e gjysmë, e thuajse gjysmën e viteve të moshës së tij, ia kushtoi futbollit, sportit të zemrës. Madje, në rast se do të thonim se sporti ka dëshmorët e tij, Roza është nga ata luftëtarë, që me të vërtetë ra në fushën e blertë të stadiumit, i aksidentuar për vdekje, nga një goditje vdekjeprurëse në kokë, e cila i ndërpreu në mes jetën që aq bukur dinte ta jetonte. Dhe kjo i ndodhi, kur ai mbante veshur fanelën e kuqe të “Partizanit”, duke nderuar jo vetëm ngjyrat e tij, por edhe të sportit mbarëkombëtar. Kësisoj ai është një nga dëshmorët më të spikatur të futbollit partizanas dhe shqiptar…
Me ekipin e Kavajës
Roza Haxhiu këpucët e futbollit i veshi fillimisht me “Besën” e Kavajës më 1950, ku u dallua si një mesfushor me vizione të gjëra. Vetëm një vit më vonë, pasi “ka rënë në sy”, kalon tek “Partizani”, përkrah emrave të shquar të futbollit tonë si Boriçi, Resmja, Kraja etj. Dhe pa kaluar dy vjet Boriçi (tashmë trajner), së bashku me Jançen i besojnë fanelën e përfaqësueses në kampionatin botëror të rinisë. Rrugët tashmë janë hapur: në vitin 1955, kur “Dinamo” do të ndeshej me “Dozhën” e Budapestit, Roza thirret si përforcim në radhët e kryeqytetasve. Hungarezi i madh i atyre viteve, Suza do të shprehej pas ndeshjeve: Roza Haxhiu është një futbollist i kalibrit europian. Në atë takim Roza ka pasur detyrën e një mbrojtësi të lirë. Ekipi hungarez ka hedhur në fushë lojtarët më të mirë të asaj kohe, që edhe pse në fushën e vet nuk ka mundur të marrin më shumë se një barazim. Lojtarët hungarezë ishin të një kalibri europian në atë periudhë. Megjithatë “Dinamo”, me lojën e saj, ka mundur të tërheqë vëmendjen e specialistëve ndërkombëtarë. 
Me kombëtaren e Shqipërisë
Roza Haxhiu luajti edhe për skuadrën kombëtare shqiptare. Nuk mund të ishte rastësi aktivizimi i Roza Haxhiut me përfaqësuesen shqiptare. E rëndësishme në atë kohë ishte aktivizimi i ndonjë ekipi shqiptar në veprimtari ndërkombëtare. Ekipi që kishte fatin i nevojiteshin lojtarë me cilësi. Teknika dhe cilësia e pakrahasueshme e Rozës, nuk kishte sesi të shpëtonte nga vëmendja e federatës. Pas kësaj, nuk mund të harrohen fitoret ndaj Çekosllovakisë 3-0 dhe fitorja me Poloninë. Në ato ndeshje Roza Haxhiu dha maksimumin, duke u kthyer në një simbol të futbollit shqiptar. Në dy vitet e mëpastajme, ai është i kudondodhuri i “Partizanit”, i papërtueshëm, i shkathët, teknik, me një diapazon të gjerë për lojën, e mbi të gjitha, me një shpirt tepër të madh. Bashkëkohësit kujtojnë padyshim Roza Haxhiun që shënoi golin e tretë dhe të fundit të ndeshjes “Partizani”-“Dinamo” në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, e cila përfundoi me fitoren e merituar të “Partizanit” 3:1 dhe që i dha titullin kampion i vitit 1957 në kampionatin e 20-të kombëtar. Dhe për të plotësuar figurën e tij komplekse si futbollist, nuk mund ta lësh pa përmendur takimet e paharruara të “Partizanit” në Leipzig të Gjermanisë, në shtator 1958 ku krahas gjithë ekipit, kontribut të veçantë për fitimin e medaljeve të argjendta dha edhe Roza Haxhiu. Në 1958 “Partizani” merr pjesë në një turne miqësor në Bullgari. Në një nga takimet e forta me ekipin e “Plevenit”, ndeshja përfundoi 2:1, në favor të ekipit tonë, Roza dëmtohet rëndë. Megjithëse i dëmtuar, me shpirt të lartë sakrifice, ai luajti për më shumë se 1 vit edhe me ekipin e “Dinamos” e më pas kthehet në qytetin e tij. 
Me ekipin e Lushnjes
Kur kthehet në Lushnje merr drejtimin e skuadrës së qytetit, duke luajtur edhe vetë. Pas dy finalesh me “Erzenin”, të fituara 3-2 e 6-2, Roza Haxhiu bën që “Traktori” i atëhershëm të futej për herë të parë në elitën e skuadrave të vendit. Ekipi sportiv i konsoliduar nga Abdurrahman Roza Haxhiu triumfon në Kampionatin e Kategorisë së Dytë duke u shpallur kampion i tij në 1960. Futja në kategorinë e parë i hapi shtegun futbollit lushnjarë për t’u përfaqësuar më 1960 në kampionatin kombëtarë të rezervave bashkë me “Partizanin”, “Dinamon”, “Vllazninë”, “Flamurtarin”, “Skënderbeun”, “Labinotin”, “Besën” dhe “Tomorrin” duke zënë edhe vend nderi. Në maj-korrik 1963 caktohet në përzgjedhjen dhe përgatitjen e një grup moshe 13-14 vjeçarësh për Spartakiadën Kombëtare që zhvillohej çdo vit në kampin e pionerëve “Qemal Stafa” në Durrës. Në periudhën shkurt-mars 1964 punoi si mësues i edukimit fizik në shkollën e mesme të qytetit të Lushnjes “18 Tetori”. Goditja e Poldovit e vitit 1958, kur “Partizani” mori pjesë në një turne miqësor në Bullgari, ku Roza u dëmtua rëndë nuk e kishte “harruar”. Ajo madje është shndërruar në sëmundjen e përbindshme që i kërcënonte jetën. 

Ndarja nga jeta

Pas shumë përpjekjesh burokratike, arrin të sigurojë leje-kalimi për t’u operuar në Itali. Por është tepër vonë…19 maj i vitit 1964 rrëmben Rozën nga gjiri i familjes, shokëve, miqve, të afërmve dhe bashkëlojtarëve. Abdurrahman Roza Haxhiu iku si rrallëkush:ai pati fatin të ndahet nga jeta duke merituar respektin, vlerësimin dhe përjetësinë. Mijëra sportdashës lushnjarë e nga rrethet e tjera, banda nga Kavaja drejtonte kortezhin. Ashtu me duart e lëshuar Xha Bami (i ati) hedh vështrimin rreth e qark. Mijëra njerëz dhe dashamirës. Përkulet tek koka e arkivolit: “Ah mor bir. Nuk e dija se kishe pasur kaq miq e shokë”. Roza Haxhiu ka vdekur vetëm fizikisht,ai do të mbetet i pavdekshëm në fushën e blertë shqiptare. Roza Haxhiu u nderua pas vdekjes në 1971 me titullin e lartë “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, në 1999 nga ministri i Kulturës Edi Rama i është dhënë titulli “Nderi i Sportit Shqiptar” dhe nga Bashkia e Lushnjes në 1994 u nderua me titullin “Qytetar Nderi”. 
Nderimi në qytetin e lindjes
Edhe për ta kujtuar gjithnjë këtë legjendë të futbollit shqiptarë në tribunën e stadiumit të qytetit të lindjes në Lushnje është shkruar një emër i nderuar Abdurrahman Roza Haxhiu, në shenjë respekti për kontributin që ka dhënë ky futbollist dhe trajner në futbollin lushnjar dhe atë shqiptar. Por ka edhe një kuriozitet që lidhet me emrin e kësaj legjende të futbollit lushnjar. Emri i vërtetë i Roza Haxhiut është Abdurrahman.Vëllai i tij Ali (Lika) Haxhiu e sqaron edhe “pagëzimin” e Abdurrahmanit në Roza. “Fundi i viteve ‘40, dera e dhomës së vizitave u hap dhe në prag të saj një djalë i gjatë, mjaftë simpatik u shfaqë para dr. Çabej. Ishte Abdurrahmani, që kishte ardhur për t’u vizituar. Në formën e një supersticioni dr. Çabej propozoi që atij t’i ndryshohej emri. Ai ishte i pari që e quajti Roza, për të simbolizuar më shumë një lule të bukur, siç është trëndafili. Roza,trëndafil, ai përcaktim i doktorit doli jashtë dhomës dhe nuk u desh shumë kohë që Roza të zëvendësonte Abdurrahmanin që sportdashësit lushnjarë e më gjerë të mos e ndanin emrin e parë nga i dyti, Abdurrahman Roza Haxhiu. Roza-Trëndafil e quajti sepse trëndafil qe në jetë dhe në fushën e futbollit. Prandaj dhe populli e thithi këtë emër menjëherë dhe nisi ta quaj Roza-Abdurrahmanin”, tregon vëllai i tij.