90 minuta “ferri” në Vlorë

547
Sigal

Kupa e Shqipërisë/ Sot zbardhen gjysmëfinalistët. Sfida të lehta për Skënderbeun, Teutën e Kukësin

Kupa e Shqipërisë do të luajë sot aktin e dytë të fazës çerekfinale, ku në përfundim të 90 minutave (ose më shumë) do të përcaktohen emrat e gjysmëfinalistëve të edicionit të 62-të të këtij kompeticioni. Në Grupin A të Kupës së Shqipërisë, Teuta dhe Skënderbeu janë shumë pranë gjysmëfinaleve falë fitoreve në transferta në ndeshjet e para. Finalja e parakohshme luhet në Vlorë, ku Flamurtari pret Vllazninë. Barazimi pa gola në ndeshjen e parë në “Loro Boriçi” lë gjithçka të hapur, edhe pse tek të dyja skuadrat shpresojnë për një gjykim korrekt të sfidës së kthimit. Pa interes duket edhe sfida tjetër çerekfinale e grupit B, ku Kukësi pret në shtëpi Bylis. Fitorja 2-1 në ndeshjen e parë, por edhe rikthimi tek suksesi në kampionat bëjnë që për nënkampionët kjo sfidë të paraqitet si një test i mirë. Gjysmëfinalet do të jenë me short të lirë, i cili do të hidhet në përfundim të fazës çerekfinale.

GRUPI A

TEUTA-LUSHNJA

Takimi i kthimit në “Niko Dovana” pritet të mos këtë shumë histori, kjo për faktin së durrsakët fituan bindshëm 4-2 ndaj Lushnjës në “Roza Haxhiu”. E reja mund të quhet, fakti që në bankinë nuk do të jetë italiani Roberto Sorrentino, ai që drejtoi “djemtë e detit” në ndeshjen e parë, pasi ai tashmë është shkarkuar. Në ndeshjen e parë, për Lushnjën shënoi një dopjetë Mikel Canka (44’, 85’), ndërsa për Teutën realizuan: Cyrbja (47’, 84’), Osmani 60’ dhe Da Silva 90+2’. Me këtë rezultat, ndeshja e dytë pritet të jetë thjesht formalitet, pasi Lushnja duket se tani mendon për mbijetesën në Kategorinë Superiore (ndodhet në vendin e parafundit). Teuta e ka fituar tri herë Kupën e Shqipërisë në edicionet 1994/95, 1999/00, 2004/05, ndërkohë që ka qenë jo pak, por 9 herë në finale (1957, 1974/75 1993/94, 2000/01, 2002/03, 2006/07) dhe 27 herë në gjysmëfinale.

SKËNDERBEU-LAÇI

Skënderbeu është shumë pranë gjysmëfinales, kjo për faktin se doli fitues në fushën e Laçit. Sulmuesi kroat Pero Pejiç mund të konsiderohet “macja e zezë” e Laçit, pasi gjiganti i Skënderbeut ishte autori i golit të vetëm në fitoren 1-0 në transfertë të kampionëve në fuqi. Në minutën  83-të është kroati Pejiç, i cili shfrytëzoi një krosim të bukur nga Muzaka dhe me kokë e çoi topin në rrjetë. Duhet të kujtojmë se, Laçi është fituesi në fuqi i Kupës së Shqipërisë. Nga ana e tij, edhe pse ka dominuar tre sezonet e fundit, Skënderbeu nuk ka mundur ta fitojë asnjëherë Kupën e Shqipërisë, pavarësisht se arriti në finalen e vitit 2012, kur humbi me Tiranën e drejtuar asokohe nga spanjolli Hulian Rubio.

GRUPI B

FLAMURTARI-VLLAZNIA

Ndeshja e parë në “Loro Boriçi” u mbyll në barazim pa gola. Gjithsesi, sulmuesi kroat i Vllaznisë, Tomislav Bushiç, shënoi me kokë në minutën e 92-të ai që mund të quhej goli i ndeshjes (1-0), por gjyqtari anësor e anuloi atë për pozicion jashtë loje, teksa pamjet filmike treguan se goli ishte i rregullt. Tashmë, gjithçka do të vendoset në Vlorë. Flamurtari kualifikohet me çdo lloj fitoreje, ndërkohë që Vllaznisë i mjafton edhe një barazim me gola. Vllaznia e ka fituar gjashtë herë Kupën e Shqipërisë (1964/65, 1971/72, 1978/79, 1980/81, 1986/87 dhe 2007/08), ndërsa Flamurtari vetëm tri herë (1984/85 1987/88 2008/09).

KUKËSI-BYLIS

Në takimin e parë të luajtur në “Adush Muça”, Kukësi fitoi 2-1 me Bylisin. Ballshionët shënuan në minutën e 48-të me anë të Agim Metos, i cili shënoi një gol të bukur nga rreth 22 metra. Tetë minuta më vonë ishte Sokol Cikalleshi, ai që në minutën e 56-të çoi shifrat në 1-1. Goli i dytë u shënuar përsëri nga Sokol Cikalleshi në të 82. Kukësi duket më i qetë në “Zeqir Ymeri”, pasi i mjafton barazimi apo humbja 1-0 për të kaluar në gjysmëfinale. Duhet të kujtojmë faktin, se Kukësi ishte edhe sezonin e kaluar në gjysmëfinale (u eliminua nga Laçi), ndërkohë që Bylisi shkoi deri në finalen e humbur me laçjanët (1-0).

KUPA E SHQIPËRISË

ÇEREKFINALET

NDESHJET E KTHIMIT

GRUPI A

TEUTA-LUSHNJA 13:30

Ndeshja e parë, 12.02

Lushnja–Teuta 2-4

Shënues: Canka 44’, 85’/ Cyrbja 47’, 84’, Osmani 60’, Da Silva 90+2’

SKËNDERBEU-LAÇI     13:30

Ndeshja e parë, 12.02

Laçi-Skënderbeu 0-1

Shënues: Pejiç 84’

GRUPI B

FLAMURTARI-VLLAZNIA 13:30

Ndeshja e parë, 12.02

Vllaznia–Flamurtari 0-0

KUKËSI-BYLIS 13:30

Ndeshja e parë, 12.02

Bylis-Kukësi 1-2

Shënues: Meto 48’ / Cikalleshi 56’, 82’

Asnjë kryeqytetase në Kupë

 Asnjë nga tri skuadrat e kryeqytetit nuk merr pjesë në këtë fazë të Kupës së Shqipërisë. As Tirana dhe as Partizani nuk ia dolën të kualifikoheshin në çerekfinale gjatë këtij sezoni. Tirana u eliminuan nga Lushnja, Partizani nga Vllaznia dhe Dinamo nga Bylisi. Ia vlen të kujtojmë se Tirana dhe Partizani e kanë fituar nga 15 herë trofeun, ndërsa Dinamo 13 herë. Tirana është skuadra e fundit e kryeqytetit që e ka fituar këtë trofe në vitin 2012, kur mundi Skënderbeun në finale.

 Sorrentino: “Me Teutën, një aventurë e bukur”

 Trajneri italian Roberto Sorrentino e cilësoi me nota pozitive aventurën e tij të shkurtër tek Teuta. Ai u shkarkua nga presidenti Edmond Hysenbelliu, për shkak të rezultateve të dobëta dhe të mospërshtatjes me klubin durrsak dhe filozofinë e futbollit shqiptar. Dje, ai u përshëndet me lojtarët, por nuk munguan  falënderimet. “Ishte një aventurë e bukur. Ajo që më kënaq më shumë është se skuadra në këto momente po luan një futboll të nivelit europian, dhe e programuar për një të ardhme të ndritur. Unë e bëj futbollin në këtë mënyrë ndërsa klubi e mendon ndryshe. Dua të them që u ndamë në mënyrë paqësore. I uroj skuadrës dhe lojtarëve një finale të sezonit të bukur. Uroj gjithashtu edhe tifozët pavarësisht se ndonjëherë më kanë kritikuar. Nuk ishte ndarja e duhur por marr me vete kujtimet më të mira nga një qytet i mrekullueshëm, një publik i shkëlqyer dhe një klub që më dha mundësinë për të punuar”, – tha ai. Seancën e fundit stërvitore përpara sfidës së kthimit të çerekfinales së kupës së Shqipërisë ndaj Lushnjës e drejtoi Ilir Biturka, ish-asistenti i Sorrentinos.

Disiplina pezullon Osmanin

 Komisioni i Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit pezulloi me katër javë mbrojtësin e Teutës, Tefik Osmani, për sjellje jo sportive ndaj gjyqtarit të ndeshjes Laçi-Teuta (2-1).

LIBRI I ARTË I

KUPËS SË SHQIPËRISË

1939 Tirana

1948 Partizani

1949 Partizani

1950 Dinamo

1951 Dinamo

1952 Dinamo

1953 Dinamo

1954 Dinamo

1957 Partizani

1958 Partizani

1960 Dinamo

1961 Partizani

1963 Tirana

1964 Partizani

1965 Vllaznia

1966 Partizani

1968 Partizani

1970 Partizani

1971 Dinamo

1972 Vllaznia

1973 Partizani

1974 Dinamo

1975 Labinoti

1976 Tirana

1977 Tirana

1978 Dinamo

1979 Vllaznia

1980 Partizani

1981 Vllaznia

1982 Dinamo

1983 Tirana

1984 Tirana

1985 Tirana

1986 Flamurtari

1987 Vllaznia

1988 Flamurtari

1989 Dinamo

1990 Dinamo

1991 Partizani

1992 Elbasani

1993 Partizani

1994 Tirana

1995 Teuta

1996 Tirana

1997 Partizani

1998 Apolonia

1999 Tirana

2000 Teuta

2001 Tirana

2002 Tirana

2003 Dinamo

2004 Partizani

2005 Teuta

2006 Tirana

2007 Besa

2008 Vllaznia

2009 Flamurtari

2010 Besa

2011 Tirana

2012 Tirana

2013 Laçi