7 gola në fushën e… mbuluar nga uji

48
Nuk është hera e parë që një ndeshje të luhet normalisht, ndërkohë që fusha është e mbuluar plotësisht nga uji, saktësisht 80% e fushës, e cila i ngjasonte më shumë një “moçali” sesa një fushe loje. Në një fushë të tillë, konkretisht në fushën e Prrenjasit, ditën e diel është luajtur ndeshja mes Domosdovës dhe Skraparit, ndeshje e cila u shndërrua në një makineri golash, pasi Domosdova shënoi 7 të tillë. Në vetëm 87 minuta, që më pas u ndërpre pa përfunduar koha e plotë, pra në minutën e 87, pa marrë parasysh dhe minutat shtesë që duhet të jepeshin, një tjetër shkelje kjo që nuk u mor parasysh. Ndeshja e luajtur ditën e diel, u zhvillua në një “liqen” të vërtetë, pavarësisht se presupozohej të ishte fushë e gjelbër. Skandali kësaj radhe i kalon kufijtë e së pranueshmes, pasi nuk është hera e parë që një ndeshje të luhet në këto kushte. Nuk ka asnjë kuptim të, madje as justifikim nga ana e Institucionit të Futbollit Shqiptar dhe drejtuesit e saj, me në krye kreun e FSHF-së Armand Duka, që nuk mund të justifikojë këtë skandal të radhës, e cila është pasuese e shumë skandale të tjera të ndodhura ditë më parë, për të cilat deri më tani nuk ka dalë askush të japë shpjegim për këto skandale, që po i nxinë përfundimisht fytyrën futbollit shqiptar. Nuk mund të tolerohen nga askush këto kushte në të cilat luhen ndeshjet. Edhe pse janë premtuar financime për rregullimin e fushave të futbollit, përsëri asgjë nuk është bërë, duke thelluar akoma më shumë mangësitë në organizimin e ndeshjeve, monitorimin e tyre, marrjen e masave në rast shkelje dhe luajtjen e ndeshjeve ne fusha që vetëm të tilla nuk mund të quhen. Këto kushte çojnë në denigrimin përfundimtar të gjendjes së futbollit shqiptar, i cili kthehet në makineri golash, nga topa që lundrojnë mbi ujë në pikat e penalltive. Gjendja sa vjen dhe përkeqësohet, ndërsa shpjegime lidhur me situatën aktuale ende nuk ka, pasi drejtuesit e futbollit shqiptar marrin masa të ashpra ndaj skuadrave dhe lojtarëve. Ndërkohë që vetë si institucion FSHF-ja nuk krijon kushte për zhvillimin në normalitet të ndeshjeve dhe kampionateve në vend. Komentet lidhur me këtë situatë janë të shumta, nga sportdashës dhe specialistë, të cilët shprehen se, ky nuk është futboll. Por kush është fajtori?! Fajtor për këtë situatë të krijuar është vetëm institucioni që kontrollon futbollin shqiptar në tërësi, institucion, i cili duhet të marrë masa të menjëhershme për të shpëtuar futbollin nga “gropa” e zezë, në të cilën po fundoset dita-ditës.