“5 Shtatori” në 60 vjetorin e krijimit

2214
Sigal

Rrëfen Hysen Caka: Pse skuadra u cilësua si ekipi i intelektualëve, futbollistët ndër vite dhe tifozeria e zemrës. Çorovoda qyteti i vetëm me tifozeri të organizuar femërore dhe pëllumba

“5 Shtatorit”, në 60-vjetorin e krijimit ë tij.Hysen Caka

President FK “Skrapari”

Çorovoda, qyteti i vetëm në Botë me tifozeri të organizuar femërore, qyteti ku ndeshjet fillonin me lëshimin e pëllumbave të paqes

Sot mbushen 60 vjet kur “magjia” e futbollit do të zbriste edhe në Çorovodën tonë, në atë Çorrovodë që do ta dashuronte këtë futboll deri ne “marrëzi”. Po futbolli nuk ishte “rrufe” në qiell të pastër, por rrjedhojë e një dëshire dhe pasioni që kishte kohë që shfaqej në fushën e sportit nga të rinjtë e qytetit. Në Çorovodën e asaj kohe zhvilloheshin aktivitete të shumta futbollistike, por jo vetëm. Aktivitetet sportive të fshatrave dhe atyre minindërmarrjeve kishin kohë që organizoheshin nga pushteti lokal, por gjithsesi në arenën kombëtare Skrapari ngelej një ishull i “frikshëm”, pse jo më mbrapa nga rrethet e së njëjtës kategori ! Ishte koha kur fusha e vetme e qytetit popullohej çdo pasdite nga grupe të shumta djemsh pasionant të futbollit, që luanin me porta të vogla. Pra “transheja” ishte e shtruar duhej vetëm zyrtarizimi. “Thirrja” për t’u organizuar në ekipin e futbollit më shumë se askund do gjente mbështetjen e mësuesve, të cilët do ta shfrytëzonin rastin edhe për ndryshimin e emërimit. Syrja Çarçani, Koço Bixho, Enver Kahremani, Hektor Bregasi, Bardhyl Dardha, Muharrem Memollari, Zihni Hasanaj, Abaz Beqollari etj do të përbënin “komisionin nismëtar” të bërthamës së ekipit që po ngjizej. Fati do t’i dhuronte “5 Shtatorit” një “Emir”, që do të bëhej protagonist i të gjitha zhvillimeve që të çonin në formimin e ekipit “lehonë”

“5 Shtatori”, ekipi i intelektualëve

Në traditën dhe në kohët moderne nuk ka pasur një rast të tillë kur në një ekip futbolli dhe aq më tepër rishtar të aktivizoheshin më shumë se 9 futbollistë intelektualë të fushave të ndryshme. Ironia “do luante” edhe në fushën e lojës, teksa mungesa e frikshme e intelektualëve e një vendi në zhvillim, sikur ishte Çorovoda, do të ishte pararoja e ekipeve që kishte një numër kaq të madh intelektualësh sikurse ishin mësuesit që kishin ardhur në Skrapar jo vetëm për të mësuar nxënësit, por në mënyrë autodidakte edhe futbollin. Tradita nuk do të qëndronte këtu sepse edhe në vazhdim ekipi i “5 Shtatorit” do të kishte në dominancë futbollistët intelektualë. Plejada e P Kuçit, A. Ibro, N. Dingo, G. Sulçes, N Çarçanit, R. Idërshajit, Sh. Pëllumbit, V. Begës, A Bregut, A Qafokut, R. Ajdinit, F. Cërrit, M. Nanos, Sh. Hitos, K. Mjekrra, A. Tares, R. Zylyftarit etj., etj., do ta ruante me fanatizëm këtë nivel. Nuk ishte se ishte ndonjë futboll konkurrues, por ajo që nuk e konkurrohej ishte pasioni për të luajtur futboll edhe pse në nivel modest. Ishte koha kur futbolli ishte i nivelit amator, ku skemat taktike ishin të “huaja”, por profesioniste ishte dëshira dhe pasioni pa kufi, për të luajtur futboll. Ishte koha kur qytetet e tjera të së njëjtës kategori e kishin marrë më herët këtë iniciativë duke krijuar ekipet e tyre të futbollit. Ishte koha e “5 Shtatorit” që do ngjizej atë vjeshtë të 12 Shtatorit 1959, kur Emiri, Hektori, Koço, Bardhyli, Myslymi, Syrjai, Enver Kahremani, Gaqo Dume, Abazi, Zihniu etj etj intelektualë, por jo vetëm, do të gjenin gatishmërinë e drejtuesve të kohës H. Sevdarit, S. Satkës, M. Bregut etj., etj., që të zyrtarizonin themelimin e më të riut ekip futbolli me emrin e të çliruarit të parë të Luftës II Botërore, Skraparit, në atë ditë të “5 Shtatorit”. Nuk ishte thjesht një datë rutinë çlirimi, apo inaugurimi politik, por dita kur filloi tërheqja e aleancës humbëse të Luftës së II Botërore. Ndoshta kjo do të ishte një arsye më shumë që edhe sot jashtë politizimit të jetë “5 Shtator” . Fillesën e parë informale ekipi i “5 Shtatorit”e ka pasur më 13 Mars 1959, atëherë kur do të ndeshej në një takim miqësorë me ekipin e Tiranës Rreth (Dajtit). Takimi u luajt në fushën e Çorovodës. Dokumentin e këtij takimi na e sjell me fotot e kohës i pari fotograf i ekipit, por edhe i qytetit Bektash Çela.. Nën drejtimin e trajnerit autodidakt Emir Qafa do të niste marshimin ky “5 Shtator” që vetëm dy vite më pas, në 1961 do të shpallej nënkampion i kategorisë III. Më tej në atë vit të 1968 krenarinë do t’ia “menaxhonte” legjenda e futbollit shqiptar Gëzim Kasmi që së bashku me një tjetër të tillë si portieri i famshëm Paulin Ndoja do ta çonin atë “5 Shtator” në krye për t’u ndëshkuar nga kushedi se çfarë “gabimi”, për të nxjerrë Luftëtarin në kategorinë e I. Më tej “5 Shtatori” do të vazhdonte të konkurronte denjësisht atëherë kur në vitin 1972 grupit të drejtuar nga trajneri Muharrem Baze do ti shtoheshin dinamovitët M. Xhafa, F. Mersimi dhe kryeqytetasi bardheblu P. Brahja. Do të afroheshim sërish në objektiv dhe sërish vetëm kemi dhuruar gola dhe spektakël pa mundur më tej. Rruga e “5 Shtatorit” do tentonte në atë kampionat 1977-78 ku forcën së pari do ta provonte Partizani i Loro Boriçit, në atë miqësore “gladiatorësh” një ndeshje të luajtur në një stadium amfiteatër dhe me një numër rekord spektatorësh. Ishte një takim që do ta kalonte shfaqen e një spektakli. Barazimi 1-1, nuk ka qenë aspak tolerancë “partizanase”, por një realitet që do të befasonte kryeqytetasit e kuq. Ky vit futbollistik mbahet si një nga më të suksesshëm të futbollit skraparas. Ishte koha kur një grup futbollistësh të talentuar do të mblidheshin në kohën dhe vendin e duhur për të shkruar historinë e futbollit modest të “5 Shtatorit”. Ishte ai vit dhe ai “5 Shtator” që mbasi barazoi me Partizanin në Skrapar, një javë më pas, “aksidentalisht” Besa e famshme e Bajazitit, Shtinit, Arkaxhiut apo Mullaliut do t’i “vidhte” barazimin në një ndeshje të dominuar totalisht. Më tej forcën do t’ia njihte “Skënderbeu” i Jani Kaçit dhe i Xhambazit në ato ndeshje kur “5 Shtatori” do ti merrte barazimin në Korçë për ta mundur 2-0 në ndeshjen e kthimit në Çorovodë…! Gjithsesi më mirë i …madh se i vogël, thotë proverbi mitik. Kështu ka ndodhur “5 Shtatorit” i është dashur të respektoj traditën por edhe kualitetin e asaj Bese që na ka mohuar kategorinë I. Natyrshëm fati dhe historia është treguar e “pamëshirshme” me “5 Shtatorin”, teksa nuk i ka dhënë meritën për të qenë pjesë elitë së futbollit edhe në vitet 1981, 1984, por edhe në “epokën” e re atë të vitit 2008, kur përbërja dhe kualiteti i futbollistëve të këtyre viteve nuk ndryshonte nga ato të ekipeve të kategorisë I. Historia e futbollit të këtyre 60 viteve nuk është ndonjë histori rrezatuese, por është një histori që suksesin e ka pasur tek ajo atmosferë magjike që krijonte falë lojës dhe grintës së futbollistëve të saj ndër vite, atyre djemve që nuk shkëlqenin vetëm në futboll por edhe në përditëshmëri. Futbollistë të nivelit Përparim Kuçi, Sabri Dyli, Maksim Bregu, Vladimir Bega, Selam Satka, Gani Tusha, Avdyl Korçari, Haxhi Ibro, Astrit Guri, Resmi Idërshaji, Fatos dhe Gëzim Hasko, Hysen Hysenllari, Tefik Hasanago, Riza Ajdini, Aljosha Qafoku, Edmond Ago, Fredi Cërri, Agron Hysi, Hazis Çeço, Albert Musai, Marko Koçi, Feta Guri, Daut Naço, Arben Tare, Refat Zylyftari, Arben Jaupi etj., etj., ishin shembulli i sportistëve dhe i qytetarisë çorovodase. Ndoshta shumë prej tyre nuk e “meritonin” ta digjnin talentin dhe karrierën në këtë nivel që u ballafaqua “5 Shtatori” Gjithsesi ata do të mbeten heronjtë e qytetit se e jetësuan qytetin në atë kohë që kishte më shumë nevojë se kurrë.

Tifozeria zemra e suksesit

Lëshimi i pëllumbave në fillimin e lojës ka qenë një nga traditat më të bukura të tifozerisë “pesështatorase” që paralajmëronte paqen e “fair playt” në një qytet epik

Tradita e futbollit skraparas nuk është se ka ndonjë hershmëri apo specifikë dalluese nga ajo e zhvillimit të këtij sporti në Shqipëri. Edhe pse në një vend të vogël dhe me traditë modeste ajo është e tejngjashme me atë të qyteteve homologe ku futbolli ka qenë dhe është i shenjtë, sa është vetë Zoti. Por, ashtu sikur luhej dhe jetohej futbolli në Milano, Londër, Rio, Shkodër, Kavajë etj të njëjtën simbiozë përjetonte edhe Çorovoda, por ajo që na dallonte dhe që ja u kalonte këtyre ishte se “stadiumi” jonë natyral kishte për dushe dhe dhoma veshje, lumin me bregun e tij si dhe nuk mbante as 10, 20, 60 dhe as 80 000 spektatorë, por 100% të popullsisë së qytetit. Futbolli kishte aq fuqi sa e tjetërsonte gjithçka, pse jo, krijonte një atmosferë të një bote tjetër. Ishte ky futboll që nxirrte nga “rreshti” të gjitha rregullsitë, pa përjashtim ! Si askund tjetër në atë kohë kur as mund të kuptohej, korin e “ultrasve” e udhëhiqte, mbështetja e pakontrolluar e “First lady”-it që kishte për ekuivalencë, znj e sekretarit të parë, dhe kjo nuk ishte pak por një “kartabiankë” në prapavijë, për tifozët e “çmendur”. Të gjithë pa përjashtim, të shtruarit e spitalit, rojet, burrat, pleqtë e gratë do të ishin “ultras”, me kohë të plotë në ndeshjet e futbollit, madje si askund tjetër me “partiturën” dhe nën drejtimin e “dirigjentëve”, Bardhyl Dyrmishi dhe Syrja Begolli do të performonin në një “kor” gjigant mbështetjen për magjinë “5 Shtatori”. Ishte një ole “muzikore” në miniaturë bash në zemër të sistemit fanatik, që jehonte nga gjithë qyteti amfiteatër. Ka qenë një “simbiozë” e vështirë, por edhe e çuditshme, e të lejueshmes me të kundërtën por kur kishte futboll edhe fanatizmi ideologjik, liberalizohej, kishte “liridalje”, ose më açik mund të thuhej që vigjilenca kishte marrë “leje” për të mos e pasur “mendjen”.

Tifozeria femërore e “5 Shtatorit”, rast “sui generis” në botën e futbollit

Tifozeria femërore ka qenë një nga risit specifike të “5 Shtatorit”. Askund nuk mund të imagjinohet jo vetëm në atë kohë por edhe sot në kohët moderne që në ndonjë stadium të Tiranës, Shkodrës, Kavajës, Korçës etj., etj., të mundet të ketë prani të “organizuar” të tifozerisë së femrave sikur në Skrapar. Minimalisht mbi 500 tifoze femra kanë qenë mbështetëse të vëllezërve, fëmijëve, të afërme të tyre në ndeshjet që “5 Shtatori”, luante në fushën e tij. Natyrisht ka pasur një “racizëm”, sepse tribunat e femrave ishin të përcaktuara dhe të ndara, por kjo ua shtonte më tej pavarësinë këtyre nënave dhe motrave kaq të emancipuara.

Pas viteve 1990, FK “Skrapari” nga mungesa e ekzistencës në kandidate të Superiores

Ndryshe nga çdo ofronte sistemi i ri, krejt ndryshe ndodhi pas viteve 1990, atëherë kur pritej që futbolli të integrohej në ligjet e ekonomisë së tregut dhe të bëhej më produktiv se kurrë ai shkoi drejt rrënimit, dhe pse jo drejt shuarjes në shumë qytete me traditë të hershme futbolli. Një politikë aspak inkurajuese e politikë-bërësve do ta dërrmonte futbollin jo vetëm në Skrapar por edhe më gjerë. Edhe “5 Shtatori” jonë i transformuar “padrejtësisht” në ekipi me emrin “Skrapari” nga vitet 1994 deri në 2006 do të përjetonte vitet më të errëta të historisë së saj, teksa do të ballafaqohej me mos ekzistencën e saj. Edhe pse e kam trajtuar disa here çështjen e emrit të ekipit i rikthehem edhe njëherë për mos rënë në vesh të shurdhër. Emri “5 Shtatori” nuk ka specifikisht datën e çlirimit të një qyteti, sikur rastet e “politizuar”; 31 Korriku, 22 Tetori apo 24 Maji, por fillimin e çlirimit të fituesve të Luftës së II Botërore dhe si i tillë, ne nderojmë fituesit e aleancës fituese me këtë emër.

2006, rikthimi një nisje e bukur e mbetur “rrugëve”

Fk “Skrapari” do ta rigjente veten në kampionatin e vitit 2006, atëherë kur nën interesimin e ish-deputetit të zonës z Ilir Meta si dhe me mbështetjen financiare të një grupi biznesmenësh të kryesuar nga Vladimir Metani do të riorganizohej duke ia marrë frytet që në vitin e parë. Vetëm dy vjet më pas në sezonin 2007- ’08, Fk “Skrapari” nën drejtimin e trajnerit të shquar, Luftëtar Guri, zv trajnerëve Gazment Tabaku dhe Edmond Dalipi me një grup futbollistësh të talentuar kryesisht me origjinë skraparase si Lame, Bregu, Hebibasi, Dalipi, Çaushi, Arka, Bytyçi, Sekseri, Kelmendi, Guri, Ymeri do të “rrezikonte” që në mes 18 ekipeve të ishte një nga kandidatët më seriozë dhe më të fortë për ta merituar ngjitjen ne kategorinë superiore. Por më shumë se kaq kjo arritje tregoi se kur dëshira kooperohet me forcat financuese edhe rezultate nuk kanë pse të mungojnë. Ecuria deri në sezonin e fundit, Fk Skrapari nuk ka qenë në nivelet e dëshiruara. Edhe pse në vitin e fundit pati një përpjekje serioze për t’u ngjitur një kategori më sipër, kjo nuk ka mjaftuar për të arritur këtë objektiv. Sot situata e ekipit Skrapari kërkon mobilizimin e të gjithë biznesmenëve të rrethit, të cilët fatmirësisht janë të shumtë dhe të suksesshëm në ekonominë e tregut që ne po aplikojmë dhe si të tillë ndihma për ringritjen e ekipit në nivele që e meriton ky emër duhet të jetë një paktet kryesore të ringritjes së sportit në Skrapar dhe kjo e organizuar në kuadër të formimit të akademive sipas disiplinave sportive.