25 mijë euro ndajnë Rubion nga Tirana: “Gjeneralin” spanjoll e presin në Vlorë

512
Sigal

Presidenti Gjika e pëlqen shumë teknikun, që ka luajtur me Barcelonën dhe ka drejtuar Seviljen

Nuk kishte ndodhur kurrë më parë në Shqipëri që, dy trajnerë të largohen nga drejtimi i skuadrave të tyre pas javës së parë të sezonit. Shkëlqim Muça u shkarkua nga Flamurtari, pas barazimit 1-1 me Bylisin, në fushën asnjanëse të Beratit, ndërkohë që spanjolli Hulian Rubio, i cili në fakt, përgatiti ndeshjen e fituar 1-0 ndaj Tomorit në transfertë, por nuk ishte në bankinë – skuadrën nga stoli e drejtoi ndihmësi i tij, Sokol Bulku. Të dy këta janë të larguarit e parë nga bankinat e 14 skuadrave, në një nga kampionatet më të vështira, pasi do të bien direkt 4 skuadra.

TIRANA

Në fakt, largimi i të parit trajner spanjoll që ka drejtuar një klub shqiptar, Hulian Rubios, kishte kohë që përgatitej: kushtet e vendosura në kontratë, ku do t’i mbahej 20 për qind të rrogës, nëse skuadra nuk do të fitonte kampionatin, e barabartë kjo me rreth 25 mijë euro nga kontrata e tij prej 110 mijë eurosh në sezon; trajtimi i tij jo shumë aristokrat, së fundi e kishin lënë dhe pa makinë; largimi i ndihmësit të tij spanjoll, Gabriel Rejes, ishin shenja më e qartë se dashuria midis Tiranës dhe Rubios ishte në përfundim e sipër, pavarësisht se Huliani fitoi Superkupën e Shqipërisë, vetëm dhjetë ditë më parë, dhe për më tepër ndaj kampionit në fuqi, Skëndërbeut. Edhe pse konsumoi drekën e planifikuar me drejtuesit e klubit bardheblu, përfshirë administratorin Salih Tagani, dhe kryebashkiaku Lulzim Basha, disa herë e kishte deklaruar se Rubio, ishte i preferuari i tij, rrugët e teknikut spanjoll dhe rekordmenëve të Shqipërisë u ndanë përfundimisht. Rubio nuk i pranoi kushtet e vendosura në kontratë dhe në këtë mënyrë largohet nga kryeqytetasit. Tani, spanjolli simpatik 60-vjeçar nuk do të jetë më në krye të rekordmenëve të Shqipërisë. Rubio u largua dje, duke u përshëndetur më të gjithë futbollistët. Hulian Rubio mbërrti në Shqipëri, në kohën kur te Tirana, president ishte Refik Halili. Rubio e mori drejtimin e Tiranës më 21 qershor të vitit 2011 dhe në harkun e 14 muajve ai arriti të fitonte tre trofe me skuadrën, dy Superkupa dhe një Kupë të Shqipërisë. Në paraqitjet ndërkombëtare, Tirana e Rubios u eliminua nga Stabaek i Norvegjisë në sezonin e 2011-2012 të Ligës së Europës (në turin e dytë eliminator), ndërkohë që këtë sezon, po në Ligën e Europës, bardheblutë eliminuan në turin e parë luksemburgasit e Grevenmaherit dhe u ndalën në të dytin, nga norvegjezët e Alesundit. Bardheblutë do të kërkojnë një trajner të ri, ku synimi është pista e drejtuesi të stolit nga jashtë vendit. Pista malazeze është e fortë, por nuk përjashtohet edhe emërimi i Krenar Alimehmetit.

FLAMURTARI

Hulian Rubio i ka të gjitha shanset të vazhdojë aventurën e tij në Shqipëri, dhe tek një tjetër emër prestigjioz i futbollit tonë, Flamurtari. Skuadra vlonjate shkarkoi të hënën në mbrëmje ish-trajnerin Shkëlqim Muça, dhe tani stoli është bosh. Rubio ka kredenciale të forta, është fitues i lindur, ka shumë përvojë si trajner, është i preferuari i presidentit Shpëtim Gjika, dhe për më tepër do të punojë në një klub me aromë spanjolle. Flamurtari do të luajë, më 9 shtator me Seviljen, dhe do të ishte interesante që në bankinë të kishte po një spanjoll. Intriga bëhet edhe më e madhe, kur shikon karrierën e Hulian Rubios, që është e lidhur ngushtësisht me Seviljen: ka luajtur si lojtar me Seviljen në periudhën 1972-1979, përpara se ai të shitej te Barcelona, por dhe e ka drejtuar atë si trajner në vitet 1996-1998. Duke vazhduar me këtë logjikë, vlonjatët po përgatiten edhe për një ndeshje me Barcelonën, me të cilën vetë Hulian Rubio ka luajtur në vitet 1979-1981. Flamurtari ka shpenzuar këtë vit një shumë “astronomike”, besohet rreth 900 mijë euro, si dhe ka një grup shumë të mirë lojtarësh. Presidenti Gjika në më shumë se një rast e ka shprehur simpatinë e tij ndaj Rubios dhe ai është i gatshëm t’i besojë stolin, për të realizuar objektivin e fitimit të titullit kampion. Flamurtari nuk fiton një titull kampionat nga sezoni 1990-1991, kur në bankinë kishte Edmond Liçajn. Vlonjatët kanë fituar edhe tre Kupa të Shqipërisë dhe dy Superkupa të Shqipërisë.

___________________________________________________________

KOMBËTARJA U-21 NIS DITËT ANTI-MOLDAVI

Ekipi Kombëtar U-21 të Shqipërisë nisi grumbullimin, në prag të ndeshjes së fundit te eliminatoreve të Euro 2013, ajo kundër Moldavisë në Kishiniev. Rezidenca për kuqezinjëe të Shpresave është përsëri “Resort Tropikal”, në Durrës. Trajneri Skënder Gega ka thirrur këta lojtarë: portierë Stivi Frashëri dhe Xhino Sejdo. Futbollistë të tjerë janë: Geri Likaj, Agonit Sallaj, Alfred Deliallisi, Albi Dosti, Mërgim Bajraktari, Bruno Dita, Elvis Premçi, Shpend Matoshi, Gjelbërim Taipi, Gers Delia, Idriz Batha, Bekim Balaj, Armando Vajushi, Mërgim Brahimi, Arbnor Fejzullahu, Vasil Shkurtaj, Edon Hasani. Shqipëria ka grumbulluar pesë pikë nga shtatë ndeshjet e para, duke fituar me Moldavinë (4-3), barazuar 2-2 me Portugalinë dhe 0-0 me Rusinë.

___________________________________________________________

DËMTOHET CANA, LORIKU STËRVITET NË UJË

Mesfushori shqiptar i Lacios, Lorik Cana, është duke kryer seanca fizioterapie dhe punë të diferencuar në ujë dhe në fushë, për shkak të një dëmtimi. Për momentin, kapiteni i Shqipërisë është në dyshim të fortë edhe për ndeshjen e së enjtes në mbrëmje, kur Lacio të përballet me ekipin slloven, ND Mura, në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Europës. Në takimin e parë në Slloveni, Lacio fitoi 2-0 (Cana ishte në bankinë), duke bërë kështu një hap të madh drejt kualifikimit. Gjithashtu, Lacio fitoi 1-0 në transfertë kundër Atalantës, në ndeshjen e parë të kampionatit italian, por Loriku luajti vetëm gjashtë minuta. Shqetësimet fizike të Canës mund të jenë një mesazh jo i mirë për trajnerin Xhani De Biazi, në prag të dy ndeshjeve zyrtare për eliminatoret e Botërorit, ato kundër Qipros (7 shtator) dhe Zvicrës (11 shtator).