13 fitoret e Shqipërisë në kampionatet europiane

604
Sigal

E para është ajo kundër Finlandës, në tetor 1973; ndërsa ajo e fundit me Slloveninë, në tetor 2012

Shqipëria ka arritur të fitojë vetëm 13 nga 88 sfidat zyrtare, të vlefshme për kualifikueset e kampionateve botërore (11 barazime dhe 65 humbje). Fitorja e parë në eliminatoret e një Botërori i përket trajnerit Ilia Shuke, 1-0 kundër Finlandës (10 tetor 1973) për eliminatoret e Botërorit të vitit 1974, të përsëritur ndaj këtij kundërshtari edhe nga Zyber Konçi, por me rezultatin 2-0, më 3 shtator 1980, për Kupën e Botës së vitit 1982. Triumfi pasues i përket Shyqyri Rrelit me një 2-0 madhështore kundër Belgjikës në Tiranë (22 dhjetor 1984) për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Meksikë 1986”, me golat e Arben Mingës dhe Mirel Josës, një fitore që vinte pas një barazimi spektakolar 2-2 në Poloni. Bejkush Birçe ditët e tij me fat i pati, 26 maj 1991 kur mundi 1-0 Islandën dhe më 3 qershor 1992, kur mundi Lituaninë me rezultatin 1-0. Astrit Hafizi mundi Irlandën e Veriut (2-1, një ndeshje e zhvilluar në fushë asnjanëse, në Zyrih të Zvicrës, për shkak të trazirave të vitit 1997) dhe Gjeorgjinë (1-0), ndërkohë që Medin Zhega ishte i pari që fitonte ndaj Greqisë në një ndeshje zyrtare: 2-0, më 11 tetor të vitit 2000, një ndeshje e vlefshme për Botërorin e vitit 2002. Më pas nis edhe seria e fitoreve me trajner të huaj në bankinë. Gjermani Hans-Peter Brigel ishte i pari, madje me fitoren me të bujshme dhe simbolike, aji kundër Greqisë (2-1), më katër shtator 2004, kur helenët sapo ishin kurorëzuar kampionë të Europës. Brigel arriti dhe dy fitore me Kazakistanin: 1-0 në Alma Ata dhe 2-1 në Tiranë. Holandezi Ari Han fitoren e vetme e regjistroi kundër Maltës (3-0), për eliminatoret e Botërorit 2010. Fitorja ndaj Qipros (3-1) ishte e 12-ta në eliminatoret e Botërorit, e arritur me Xhani De Biazin në bankinë, ndërkohë që ajo me Slloveninë është e 13-ta, e vendosur nga një gol i Odise Roshit.

 Na gjykon Kevin Blom, me holandezin humbëm kundër Bosnjës

Norvegji-Shqipëri do të gjykohet nga holandezi Berni Rajmond Blom, i njohur me emrin Kevin Blom. Gjyqtari nuk është i panjohur për Kombëtaren tonë, pasi na ka gjykuar në ndeshjen Bosnjë-Shqipëri 2-0, më 7 qershor 2011 (në Zenica), për eliminatoret e Euro 2012. Në atë takim, Blom ndëshkoi me karton të kuq mbrojtësin Andi Lila. 39-vjeçari ka një përvojë të gjatë në arbitrim dhe ka gjykuar, përveç ndeshjeve në kampionatin holandez, Eredvisie, edhe në Ligën e Kampioneve. Ai i përket “grupit elitar” të gjyqtarëve të UEFA-s, çka i mundëson të gjykojë ndeshje të nivelit të lartë. Në vitin 2007 ai nderua me “Kartonin e artë”, si gjyqtari më i mirë, një çmim i dhënë nga Federata Holandeze e Futbollit, ku tani ai është punësuar me kohë të plotë. Gjatë gjykimeve të tij ka pasur vendime kontradiktore, siç rasti në ndeshjen Çeki-Skoci, kur dha një penallti të paqenë për çekët, duke shuar shpresat e Skocisë për një kualifikim në finalet e Euro 2012. Nisur edhe nga disa gjykime jo të mira në kampionatin holandez, Federata Holandezi vendosi të mos ta nominojë atë si gjyqtar në finalet e Euro 2012-ës.

 Festa e Pashkëve boshatis “Uleval”-in

 Deri tani, sipas burimeve nga Federata Norvegjeze e Futbollit, janë shitur diku midis 9 mijë dhe 10 mijë biletave, për ndeshjen midis Norvegjisë dhe Shqipërisë, por drejtuesit norvegjezë besojnë se, deri të ditën e ndeshjes, të premten e 22 marsit, në tribunat e “Uleval”-it do të jenë të paktën 12 mijë shikues. Kapaciteti i stadiumit, të ndërtuar në vitin 1926 dhe të rikonskruktuar pesë herë gjatë viteve (i fundit, në 1998-n), është aktualisht 25 572 shikues. Fakti që, në stadium do të jenë të pranishëm gati gjysma e shikuesve që mundëson impianti, sipas mediave nordike, ka të bëjë me festën e Pashkëve, ku shumë prej norvegjezëve kanë zgjedhur t’u hipin makinave dhe ta festojnë atë jashtë shtëpive të tyre. Në “Uleval” do të jenë të pranishëm edhe shumë tifozë shqiptarë, kryesisht nga vendet nordike, por dhe nga grupim i famshëm “Tifozët Kuq e Zi”.

 Norvegjia nis përgatitjet

 Norvegjia nisi dje në mbrëmje përgatitjet për ndeshjen kundër Shqipërisë. Lajmin e raportuan mediat e vendit nordik, që theksojnë edhe rëndësinë e përballjes kundër Kombëtares sonë. Pas katër ndeshjeve, Zvicra kryeson grupin tonë me 10 pikë, tri më shumë se Norvegjia, me shtatë. Shqipëria renditet e treta me gjashtë pikë.

Eliminatoret “Brazil 2014”

GRUPI E

22.03.2013

Slloveni-Islandë           18:00

Norvegji-Shqipëri    19:00

23.03.2013

Qipro-Zvicër         17:30

RENDITJA

Ekipi           N    F    B    H    P

1. Zvicra       4    3    1    0    10

2. Norvegjia    4    2    1    1    7

3. Shqipëria    4    2    0    2    6

4. Islanda      4    2    0    2    6

5. Sllovenia    4    1    0    3    3

6. Qipro        4    1    0    3    3

NDESHJET E SHQIPËRISË

2012

Shqipëri-Qipro       3-1

Zvicër-Shqipëri            2-0

Shqipëri-Islandë           1-2

Shqipëri-Slloveni    1-0

2013

Norvegji-Shqipëri    22.03

Shqipëri-Norvegji    07.06

Slloveni-Shqipëri    06.09

Islandë-Shqipëri           10.09

Shqipëri-Zvicër      11.10

Qipro-Shqipëri       15.10

Lorik Cana në 11-shin ideal të Serisë A

Lacio humbi 1-0 me Torinon, por kjo nuk e penalizoi aspak Lorik Canën të përzgjidhet në 11-shin me të mirë të javës së 29-të të Serisë A, ku më i miri u votua sulmuesi i Milanit, Mario Baloteli. Kapiteni i Shqipërisë e nisi takimin si titullar, duke bërë një performancë të shkëlqyer, pavarësisht punës së shumtë që pati në mbrojtje, për shkak të kartonit të kuq të Sianit. Ai është vlerësuar me notën 8.3. Në vijën e mbrojtjes, në një formacion të ideuar 4-4-2, Cana formonm dyshen qëndrore se bashku me Kielinin e Juventusit, ndërkohë që nga e majta është Del Groso i Atalantës dhe nga e djathta, Darmian i Torinos. Në mesfushë janë: Xuniga (Napoli), Vidal (Juventus), Montilivo (Milan), Kuardrado (Fiorentina). Sulmi përbëhet nga Baloteli (Milan) dhe Kavani (Napoli). Kjo është hera e dytë që, Cana bën pjesë në një formacion “Top 11”. Më parë, Loriku ishte përfshirë në formacionin më të mirë për ndeshjet e kthimit të raundit të 1/32-ave të Ligës së Europë, kur Lacio eliminoi Borusia Mënshlengladah, duke fituar një biletë për 1/16-at e finaleve të Ligës së Europës. Në sfidën Torino-Lacio, të dyja skuadrat kishin nga një lojtar shqiptar: Migjen Basha për torinezët; Lorik Cana për romanët. Por, nëse Loriku luajti 90 minuta të plota, Migjeni qëndroi në bankinë. Dje, të dy ishin së bashku në Durrës, në grumbullimin e Kombëtares shqiptare, në kuadër të ndeshjeve me Norvegjinë (zyrtare) dhe Lituaninë (miqësore).

Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”, caktohen ekipet pjesëmarrëse

 Komisioni Teknik i Komitetit Olimpik Shqiptar, i drejtuar nga z. Viron Bezhani, në mbledhjen e tij ka përcaktuar kuotat për pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013”. Komisioni Teknik ka vlerësuar faktin që, vërtet Lojërat Mesdhetare janë një vitrinë shumë e mirë e prezantimit të vlerave të sportit tonë, por për të prezantuar këto vlera është e rëndësishme që ne të shkojmë me sportistet më cilesorë dhe potencial për medalje.

Edhe në takimet e zhvilluara me Federatat Sportive, Komisioni Teknik ka kërkuar që federatat të propozojnë sportistet më cilësorë, të cilët janë potencial për medalje. Tashmë na ndajnë vetëm 93 ditë nga Edicioni i 17-të i Lojrave Mesdhetare dhe Komisioni Teknik po vijon punën për konfigurimin e ekipit Mesdhetar që do të përfaqësojë Shqipërinë në këto lojëra. Në mbledhjen e fundit, bazuar në konfirmimin zyrtar per pjesëmarrje si dhe propozimet e sportistëve kandidatë të dërguara nga Federatat sportive, ka përcaktuar kuotat për çdo sport.

Sportistët

 Atletikë 4

Boks 3

Çiklizëm 3

Gjimnastikë 2

Karate 2

Mundje 4 (2GR + 2 SL)

Not 3

Peshëngritje 4

Ping pong 2

Qitje 3

Taekëondo 2

Volejboll (Ekipi Meshkuj)

Xhudo 3