12 deputetët e lidhur me sportin

962
Sigal

Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Edi Rama, ka qenë një ish-basketbollist i Kombëtares

Në listat e 66 partive që garuan në zgjedhjet e 23 qershorit, u paraqitën 37 kandidatë, të lidhur në një mënyrë apo një tjetër me sportin: sportistë dhe ish-sportistë, presidentë apo ish-presidentë klubesh, prej të cilëve fituan të mandatin për të qenë pjesë e Kuvendit Popullor, 12 prej tyre. Pati kandidatë nga të gjitha spektret politike dhe dhe nga të gjitha sportet, për zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare të 23 Qershorit, të shpërndara në dy koalicione të mëdha: “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, të kryesuar nga PS, dhe “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, të kryesuar nga PD, dhe dy partive që garojnë të vetme, si Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit dhe Aleanca Kuqezi e Kreshnik Spahiut. Nuk mund të mungonin kurrsesi, edhe ata që në rininë e tyre kanë pasur një të kaluar sportive, madje kampionë të mirënjohur, futbollistë të ekipit kombëtar apo klubeve më të njohur në vend, si dhe presidentë apo trajnerë klubesh. Ajo që është më e rëndësishme në listën e fituesve, pra të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, ka të bëjë me faktin sesi Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ashtu dhe ai i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kanë një të kaluar sportive: kryesocialisti me basketbollin, ndërsa kreu i LSI-së me peshëngritjen. Partia Socialiste u paraqit me tetë kandidatë, ku pesë prej tyre ishin ish-mundës të njohur: Edi Ramën, Fidel Yllin, Paulin Stërkajn, Sait Fishtën, Blendi Nallbanin, Ilir Beqjan, Shkëlqim Troplin dhe Sokol Sulën, por vetëm katër prej tyre do të kenë mandatin e deputetit: Rama, Ylli, Stërkaj dhe Beqja, por ajo që vlen më shumë është fakti se, Edi Rama do të jetë Kryeministri i ri i Shqipërisë. Lëvizja Socialiste për Integrim u paraqit me të gjitha versionet sportive: president futbolli (Agron Çela), trajner futbolli (Artan Bushati), futbollist (Parid Xhihani), por dhe me ish-presidentë (Shkëlqim Selami), shto këtu dhe Ilir Metën, Viron Bezhanin, Petrit Vasilin apo Ilir Dashin. Fitues dolën: Ilir Meta (në Tiranë), Agron Çela (në Shkodër), Shkëlqim Selami (në Vlorë) dhe Petrit Vasili (në Fier). Partia Demokratike u paraqit me gjashtë kandidatë, të cilët kishin lidhje të ngushtë me sportin: Vasil Bicin, Armir Grimën, Klodiana Shalën, Dashnor Sulën, Flamur Reçin dhe Alban Zenelin, por vetëm ky i fundit fitoi një mandat (në Kukës). Partia Republikane kishte në listat e saj pesë kandididatë:

Agron Duka (ish-volejbollist), Agustin Kola (ish-futbollist, trajner), Lulzim Sallaku (president futbolli, Partizani), Afrim Tole (ish futbollist) dhe Salih Tagani (ish-administrator i Tiranës dhe zëvendësministër i Sporteve), por fitues doli vetëm Agron Duka (në qarkun e Durrësit). Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU) u prezantua me tre kandidatë, dy prej të cilëve dolën fitues: Tahir Muhedini (ish-volejbollist, në qarkun e Tiranës) dhe Shpëtim Idrizi (ish-futbollist, në Qarkun e Fierit), ndërkohë që nuk fitoi Krenar Alimehmeti (ish-futbollist, trajner, në Qarkun e Tiranës).

12 DEPUTETËT E ZGJEDHUR

 Partia Socialiste (PS)

Edi Rama – Ish-basketbollist

Fidel Ylli – Ish-mundës

Paulin Sterkaj – Ish-mundës

Ilir Beqja – Ish-basketbollist

Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI)

Ilir Meta – Ish-peshëngritës

Shkëlqim Selami, Ish-president futbolli

Petrit Vasili –  Ish-anëtar bordi i Tiranës

Agron Çela –  President futbolli

Partia Demokratike (PD)

Alban Zeneli – Ish-president i mundjes

Partia Republikane (PR)

Agron Duka – Ish-volejbollist

Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU)

Tahir Muhedini –  Ish-volejbollist

Shpëtim Idrizi, Ish-futbollist