100-vitet e ekipit legjendar të futbollit shqiptar, Vllaznisë

752
Sigal

Futbolli shqiptar i ka fillimet e hershme që pas pavarësisë së Shqipërisë. Në shumë qytete të vendit filloi të luhej një lojë e re sportive me emrin “futboll”. Në Shkodër, Vlorë, Korçë e në disa qytete të tjera filluan të zhvilloheshin ndeshje të tilla futbolli. Në Shkodër shumë lagje të vjetra shkodrane filluan të ndesheshin ndërmjet tyre duke krijuar një interes të veçantë në popullsinë e asokohe. Duke parë interesimin e madh ndaj këtij sporti filluan te krijoheshin grupe të vogla sportive të cilët më vonë do të krijojnë një Shoqëri të vetme sportive me emrin Vllaznia. Shoqëria Vllaznia është themeluar me 16 shkurt te vitit 1919, ku nismëtaret ishin anëtarët e shoqatës “Mustafa Pasha” dhe “Vaso Pasha” të cilët u bashkuan duke krijuar një shoqëri të vetme me emrin “Vllaznia”. Programi i saj kuptohet nuk ishte vetëm sportiv, por pikërisht në vitet e mëvonshme do ta bënte ketë emër mjaft të njohur, jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë. Ndër themeluesit e shoqërisë “Vllaznia” mund të përmendim emrat e Hilë Mosit që u zgjodh kryetar, Hysen Draçini nënkryetar e Jonuz Tafili sekretar. Ndërsa kryetari i degës së gjimnastikës u zgjodh Kolë Margjini. Kjo shoqëri do të luante një rol shumë të madh në zhvillimin e llojeve të ndryshme të sportit në vendin tonë. Madje pikërisht në Shkodër e kanë fillesën sporte si futbolli, çiklizmi, atletika, hipizmi, etj. Kjo shoqëri do të ishte e para shoqëri e këtij lloji në vendin tonë.

Ekipi i Vllaznisë në vitin 1945

Shoqëria “Vllaznia” ka gjurmë në historinë e vendit tonë. Një histori e tërë kaluar përmes suksesesh e peripecish që ka lënë mbresa. Mbi të gjitha ka lënë të shkruar në historinë e sportit shqiptar shumë emra e personazhe që kanë të bëjnë pikërisht me këtë klub. Në vitet në vazhdim sporti i futbollit në Shqipëri filloi të bëhej popullor dhe të luhej ne rang amator ku Vllaznia ishte dhe një ndër promotorët e këtij evenimenti te ri. Pastaj më vone do të krijoheshin edhe shoqëritë e tjera si në Korçë, Tiranë, Vlorë, Durrës, Elbasan, etj. Në vitin 1930 të gjithë ekipet e krijuara do të themelonin Federatën Shqiptare të Futbollit. Po në këtë vit do të luhej edhe Kampionati i parë Shqiptar profesionist në të cilin morën pjesë 6 skuadra ku padyshim Vllaznia ishte një ndër pretendentet si edhe nismëtaret. Vllaznia gjithashtu do të jetë finaliste në edicionin e parë te kupës së Shqipërisë ne vitin 1938, ku do të ndeshej me Tiranën të cilën për fat të keq e humb. Gjatë këtyre viteve Vllaznia do të jetë gjithnjë pretendente por pa arritur të fitojë trofe. Trofeu i parë do të vijë në vitet gjatë Luftës së 2-të Botërore ku aktivitet sportive në Shqipëri u organizuan nga pushtuesit italian. Në vitin 1940, Vllaznia do të shpallej kampione e Shqipërisë, por ky kampionat së bashku me kampionatet e tjera të luftës nuk do të njihen nga FSHF. Pas mbarimit të luftës së dytë botërore do të rinisin edhe aktivitetet sportive në Shqipëri. Pas vitit 1945 për klubin Vllaznia do të nisnin sfida të reja. Në këto vite dhe saktësisht në 1945 dhe 1946 Vllaznia do të fitojë 2 herë radhazi Kampionatin Shqiptar, madje në vitin 1946 Vllaznia i fiton të gjitha ndeshjet duke marrë 100% të pikëve të mundshme.

 

Loro Boriçi në vitin 1946 merr kupën e Ballkaniadës

Në këto vite nuk mund të lemë pa përmendur lojtarët me famë si Loro Boriçi, Muhamet Dibra, Xhelal Juka, Bimo Fakja, Met Vasija e shumë e shumë të tjerë që kanë bërë historinë e Vllaznisë. Në vitet në vazhdim Vllaznia paraqitet gjithmonë si pretenduese duke qenë ekipi i vetëm nga rrethet që do të konkurrojë treshen e ekipeve të kryeqytetit.

Viti 1946 Vllaznia kurorëzohet kampione e vendit

Në vitin 1961 Vllaznia fiton kupën e Gazetës “Sporti Popullor”. Në vitin 1965 Vllaznia do t’i kthehet trofeut duke fituar Kupën e Shqipërisë kundër Skënderbeut të Korçës. Në tre edicionet që vijojnë, Vllaznia do të jetë sërish protagoniste. Në këto edicione Vllaznia do të jetë serish finalist, por kësaj radhe kundër Partizanit dhe saktësisht në vitet 1966, 1968, 1970, të cilat do t’i humbasë.

Vllaznia, fituese e Kupës së Shqipërisë më 1965-n

Në evenimentet e viteve 1971-72 Vllaznia do të jetë fituese si e Kupës po ashtu edhe e Kampionatit. Në këto vite do te spikasin emrat e njohur të futbollit si Mehdin Zhega, Sabah Bizi, Paulin Ndoja, Ramazan Rragami, Ismet Hoxha, Esat Rakiqi, etj. Një edicion më vonë 1972-1973 ku po ai brez lojtarësh do ta shpallin Vllazninë sërish kampione të vendit. Ne vitin 1977-78 Vllaznia do të jetë serish kampione e Vendit.

Vllaznia, kampione e vendit në 1977-78

Po në këtë vit Vllaznia do të marrë pjesë në kupat evropiane ku do të ndeshet me ekipin e Austrisë të Vjenës. Ndeshja e parë luhet në Shkodër dhe Vllaznia do e fitojë me rezultatin 2-0, me gola të shënuar nga Zhega dhe Ballgjini, kurse ndeshjen e kthimit Vllaznia e humb me rezultatin 4-1 duke u skualifikuar nga Liga e Kampionëve.

Vllaznia-Austria Vien, viti 1978, Kupa e Kampionëve. Goli i parë shënuar nga M. Zhega

Një vit më vonë 1979 Vllaznia do të fitojë Kupën e Shqipërisë kundër Dinamos. Me pas, në vitin 1981, Vllaznia do të shpallet për herë të 4-të fituese e Kupës së Shqipërisë kundër Besës së Kavajas, kurse 1 vit me vonë 1982-83 do të fitoje kupën e gazetës “Bashkimi” si edhe Kampionatin Shqiptar. Në këtë brez lojtarësh që arritën këto suksese përmendim; Ferid Rragami, Hysen Zmijani, Astrit Hafizi, Hysen Dedja, Ferid Borshi, Seit Çanga etj.

Ekipi i Vllaznisë, më 1982

Në vitin 1987 Vllaznia do të fitojë sërish Kupën e Shqipërisë kundër Flamurtarit të Vlorës. Në vitin 1992 Vllaznia shpallet përsëri Kampione e Shqipërisë. Ky sukses do të vinte pas 7 vitesh pritjeje. Ndër lojtaret më të spikatur të atij edicioni ishin; Avenir Dani, Astrit Premçi, Hysen Dedja, Brikeno Bizi, Zamir Shpuza, Edi Martini etj. Vitet ’90 për Vllazninë do të sjellin edhe shumë risi. Lideri i dhjetorit Azem Hajdari do të bëhet presidenti i parë i Vllaznisë, por jo me shumë sukses. Pas tij do të vijë edhe njeriu më i suksesshëm në krye të Vllaznisë Myftar Çela. Ky njeri i thjeshtë nga qyteti i Bajzës fillon menjëherë punën duke nxjerrë ekipin shkodran nga shumë peripeci, e në fakt në sezonin 1997-98 do të vijë edhe gëzimi i parë i presidentit shkodran dhe i të gjithë tifozëve kuq e blu. Falë talenteve të reja që kishte ekipi si Edi Martini, Vioresin Sinani, Suad Lici, Armando Cungu etj., Vllaznia shpallet Kampione e Shqipërisë për të 8-n herë duke lenë prapa si Partizanin ashtu edhe Tiranën. Po këtë vit në stadiumin “Qemal Stafa” të Tiranës, Vllaznia mund 5-4, me penallti Apoloninë e Fierit dhe fiton Superkupën e Shqipërisë.

Vllaznia kampione e vendit, më 1997-98

Pas dy sezonesh ku dominoi Sk Tirana vjen radha e Vllaznisë. Është sezoni 2000-2001, presidenti Çela shpenzon shumë dhe blen lojtarët më të mirë në treg. Falë cilësive të Sinanit, Klodian Duros, Edi Martinit, Saimir Patushit, Luan Zmijanit etj., Vllaznia shpallet Kampione e Shqipërisë për të nëntën herë. Në Shkodër fillon festa dhe, padyshim që njeriu kryesor i këtij suksesi cilësohet presidenti Myftar Çela. Stadiumi “Loro Boriçi” në ndeshjen e fundit kundër Shkumbinit ishte i mbushur plot e përplot sa që ishte e vështirë të gjeje vend në këmbë. Ndeshja përfundon me rezultatin spektakolar 6-4 për ekipin shkodran. Të dyja ekipet dhuruan spektakël për 16.000 të pranishmit në shkallet e stadiumit.

Vllaznia kampione e vendit, 2000-2001

Pas këtij suksesi në Shqipëri, për Vllazninë erdhi koha e ndeshjeve evropiane. Kundërshtari i shkodranëve në turin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve është ekipi islandez i FC Reykjavik. Në Islandë ndeshja përfundon me rezultatin e ngushtë 2-1 për vendasit, duke lenë të hapur kualifikimin. Ndeshja e kthimit luhet në Tiranë në stadiumin “Qemal Stafa”, në atë kohe i vetmi ndërkombëtar në Shqipëri. Ndeshja përfundon me një fitore të madhe te Vllaznisë 1-0 me gol të Klodian Duros. Shorti vë përballë Vllazninë me ekipin turk të Gallatasarait. Në Turqi pas një lojë të shkëlqyer, Vllaznia mundet 2-0. Në Tiranë ndeshja përfundon si mos me keq për Vllazninë. Sinani me anë të golit të parë bëri që të gjithë të besojnë në një përmbysje të madhe, por dalja me karton të kuq të mbrojtësit Dibra vështirësoi gjithçka, dhe ndeshja mbaron me rezultatin 1-4 në favor te Gallatasarait. Po në vitin 2001, Vllaznia korr një tjetër sukses duke fituar Superkupën e 2-të.

Ish-presidenti i Vllaznisë, i ndieri Myftar Çela

Pas vdekjes së presidentit Myftar Çela, për Vllazninë fillojnë edhe problemet financiare, ku ekipi gati sa nuk rrezikon te shkrihet. Por nën drejtimin e profesorit të madh Medin Zhega, falë edhe ndihmës financiare të disa biznesmenëve shkodranë ekipi ngrihet në këmbë përsëri dhe behet gati për sfidën e Kupës UEFA. Përballe do të jenë skocezët e Fc Dundee. Ndeshjet për Vllazninë nuk kanë shumë histori, duke i humbur të dyja ato. Me ardhjen e biznesmenëve shkodranë në krye të ekipit dhe falë edhe forcimit ekonomik, Vllaznia në sezonin 2003-04 arriti në vendin e dytë në klasifikim duke marrë pjesë në kupën UEFA. Në sezonin 2006-07 në krye të Vllaznisë zgjidhet president ish-zv.presidenti Valter Fushaj, i cili premton një Vllazni të madhe të denje për emrin e saj që mbart, por pa arritur të siguroje fitimin e kampionatit apo të Kupës së Republikës.

Vllaznia fituese e Kupës së Shqipërisë, 2008

Në 2008 Vllaznia merr pjesë në kupën UEFA ku arrin të kualifikohet në turin e parë, kurse në turin e dytë Vllaznia luan kundër skuadrës italiane Napoli, të cilat i humb që të dyja. Në sezonet në vazhdim Vllaznia merr pjesë rregullisht në Kupën UEFA ku bën paraqitje dinjitoze duke kaluar turin e parë eliminator.