1.4 milion euro për trajnerët e huaj

513
Sigal

Brigel ka marrë 400 mijë euro; Bariçi, 300 mijë. Kuzhe arkëtoi 360 mijë. De Biazi, 440 mijë

 Federata Shqiptare e Futbollit ka shpenzuar 1.4 milionë euro për të paguar trajnerët e huaj, të cilët i ka punësuar rregullisht nga korriku i vitit 2002, kur italiani Xhuzepe Dosena mori drejtimin e bankinës së Shqipërisë. Ai mbetet i pari në serinë e gjatë të trajnerëve të huaj të emëruar nga FSHF-ja, përmes presidentit Armand Duka. Dosena mbërriti në Shqipëri për të pasuar të shkarkuarin Sulejman Demollari (prill 2002, pas humbjes 2-0 me Andorrën), i fundit trajner shqiptar që ka drejtuar përfaqësuesen. Xhani De Biazi është trajneri i gjashtë i huaj i Kombëtares, qysh kur Dosena e drejtoi skuadrën në vitin 2002. De Biazi paguhet me 22 mijë euro në muaj, ose 440 mijë euro në totalin e saj kontrata dyvjeçare. Ai i paguan vetë ndihmësit italianë të tij. Italiani ka kërkuar Federatës Shqiptare të Futbollit një rritje prej 30% të kontratës, krahasuar me atë që ka firmosur dy vite më parë. Në total, kjo rritje shkon në 1 milionë e 35 mijë euro bashkë me stafin, një shifër jashtë normales për një Federatë të vogël si ajo shqiptare. Por, sa i kushton FSHF-së një trajner i huaj. Italiani Xhuzepe Dosena (01 korrik 2002-16 tetor 2002) nënshkroi një kontratë prej 180 mijë eurosh, por ai braktisi Kombëtaren pas vetëm katër muajsh, teksa FSHF-ja i mori një pjesë të parave me gjyq. Gjermani Hans Peter Brigel u pagua me 400 mijë euro,  për periudhën katërvjeçare: 12 dhjetor 2002-30 qershor 2006 (El. Euro 2004/Botërori 2006). Kroati Oto Bariç u pagua për kontratën e tij 300 mijë euro (01 gusht 2006-21 nëntor 2007; El. Euro 2008), ndërsa holandezi Ari Han e kishte kontratën 300 mijë euro, por mori vetëm 220 mijë euro, pasi u shkarkua në prill të 2009 (3 janar 2008-15 prill 2009). I ndjeri Josip Kuzhe u pagua me 360 mijë euro (20 maj 2009-31 dhjetor 2011, Botërori 2010/ Euro 2012).  Xhani De Biazit i kanë mbetur edhe një muaj kontratë për të drejtuar Kombëtaren e Shqipërisë. Pas dy ndeshjeve të tetorit, ato kundër Zvicrës (11 tetor) dhe Qipros (15 tetor), skadon edhe marrëveshja e italianit me Federatën Shqiptare të Futbollit. Por, cili ka qenë fati i trajnerëve të huaj që kanë drejtuar Kombëtaren tonë. Vetëm tre nga pesë trajnerët e huaj të punësuar në “epokën Duka” (nga viti 2002), gjermani Hans Peter Brigel (2002-2005), kroati Oto Bariç (2006-2007) dhe kroati tjetër Josip Kuzhe (2009-2011) kanë mundur ta përfundojnë kontratën e tyre në drejtimin e Kombëtares, ndërsa nga dy të tjerët, italiani Xhuzepe Dosena (korrik-tetor 2007) e holandezi Ari Han (janar 2008-prill 2009) e kanë ndërprerë atë para kohe: i pari, e braktisi Shqipërinë, ndërkohë që i fundit u shkarkua. Gjermani Hans Peter Brigel, edhe pse pa ndonjë eksperiencë të madhe si trajner, arriti të vendoste shtatë rekorde me Shqipërinë, ku spikat numri 13 i pikëve të grumbulluara, gjë që nuk e ka arritur askush më parë, qoftë ky i huaj apo shqiptar. Kroati Oto Bariç ishte një zgjedhje personale e Armand Dukës, dhe njëherësh nga më befasueset, pasi në kohën që “Oto Maximale” morri përfaqësuesen tonë ishte thuajse 74-vjeç, njëherësh edhe trajneri më i moshuar në botë, që drejtonte një ekip Kombëtar

PAGESAT

Xhuzepe Dosena

Euro 2004

Kontrata: 180 mijë euro

Mori vetëm 60 mijë, pasi u largua pas katër muajve, në tetor 2002, pas humbjes 4-1 me Rusinë në Vollgograd

Hans-Peter Brigel

Euro 2004/Botërori 2006

Kontrata: 400 mijë euro

Nënshkroi dy kontrata, atë për eliminatoret Euro 2004 (10 nga 12 ndeshjet) dhe për Botërorit 2006 (i plotë)

Oto Bariç

Edicioni: Euro 2008

Kontrata: 300 mijë euro

Kreu një edicion të plotë, por dhe pse ra parimisht dakord, nuk rinovoi pas humbjes 6-1 të Shqipërisë në Rumani.

Ari Han

Botërori 2010

Kontrata: 300 mijë euro

Mori vetëm 220 mijë euro, pasi ndërpreu kontratën në maj 2009

Josip Kuzhe

Botërori 2010/ Euro 2012

Kontrata: 360 mijë euro

Nënshkroi një kontratë, për eliminatoret Botërorit 2010 (dy ndeshjet e fundit në grup) dhe për Euro 2012 (i plotë)

Xhani De Biazi

Botërori 2014

Kontrata: 440 mijë euro

Biletat pritet dyfishojnë çmimin në “trgun e zi”. Janë prodhuar me letër speciale në Itali

 8 mijë lekë për të parë Zvicrën

 Biletat e ndeshjes Shqipëri-Zvicër Nga dita e sot do të dalin në treg biletat për ndeshjen Shqipëri-Zvicër. Ndryshe nga kaosi i shkaktuar në prag të ndeshjes me Norvegjinë, këtë herë duket se janë marrë të gjitha masat për të shkuar gjërat normalisht.

16.179 bileta janë prodhuar në Itali këtë herë me shumë elementë sigurie, pasi janë prodhuar në një shtypshkronjë që prodhon me letra speciale si çeqe apo bankënota. Tribuna përkarshi D2 do të kushtojë 3000 lekë, D1 dhe D3 nga 2000 lekë, anësore pas portave nga 500 lekë dhe tribuna A dhe B nga 5000 lekë. Nuk do të ketë asnjë kufizim dhe nuk ka arsye, sipas FSHF-së, për të krijuar sërish kaos. Biletat do të mund të gjenden tek biletaria tek stadiumi “Qemal Stafa” dhe tek “Rruga e Barrikadave” apo siç quhet ndryshe biletaria e 9-katsheve.

 Katër trajnerë kundër zviceranëve

 Xhani De Biazi është trajneri i katërt i Kombëtares shqiptare që do të përballet me Zvicrën, duke marrë parasysh protokollin zyrtar të ndeshjes. I pari ka qenë Zyber Konçi dhe ndeshjet datohen në vitin e largët 1965, ku i humbëm të dyja ndeshjet: 2-0 në Tiranë dhe 1-0 në Gjenevë. Në dy takimet e fundit kundër Zvicrës, ato për eliminatoret e Euro 2004-s, në barazimin 1-1 në Tiranë, në stolin e Shqipërisë ishte italiani Xhuzepe Dosena, ndërsa në humbjen 3-2 në Gjenevë ishte gjermani Hans-Peter Brigel. Në ndeshjen e tij të parë kundër Zvicrës, Xhani De Biazi humbi 2-0 në Lucernë.

SHQIPËRIA

Themelimi si federatë: 1930

Renditja në FIFA: 45

Finale Botërori: 0

Trajner: Xhani De Biazi

ZVICRA

Themelimi si federatë: 1904

Renditja në FIFA: 14

Finale Botërori: 9

Trajner: Otmar Hitzfeld

Bilanci me Zvicrën

11/04/1965, Tiranë

Shqipëri-Zvicër 0-2

02/05/1965, Gjenevë

Zvicër-Shqipëri 1-0

12/10/2002, Tiranë

Shqipëri-Zvicër 1-1

11/06/2003, Gjenevë

Zvicër-Shqipëri 3-2

12/09/2013, Lucernë

Zvicër-Shqipëri 2-0

Në Total: 5 ndeshje;

0 fitore, 1 barazime,

4 humbje, golat: 4-9

 Edhe ti… Kasam?!

 Kombëtarja shqiptare pritet që në “Qemal Stafa” më 11 tetor të luajë… ndaj Shqipërisë. Sigurisht kjo në mënyrë figurative, pasi në Tiranë do të zbarkojnë plot 6 futbollistë me origjinë shqiptare, pasi në orët e fundit trajneri Otmar Hitcfeld ka grumbulluar edhe mesfushorin e Fulhamit, Pajtim Kasami. Për 21-vjecarin kjo është ftesa e parë që i bëhet nga trajneri i kombëtares A. Së bashku me Kasamin tek helvetët janë dhe Xherdan Shaqiri, mesfushori i Bayern Munchen, Valon Behrami dhe Blerim Xhemaili mesfushorë të Napolit, Granit Xhaka i Borusia Monchegladbach si dhe Admir Mehmedi sulmues i Freiburgut. Madje pesë futbollistët stabël në grumbullimet që bën përfaqësuesja Zvicerane, kanë luajtur edhe në ndeshjen e parë në Lucern më 11 shtatorin e vitit të kaluar. Behrami, Xhaka dhe Shaqiri e kanë nisur nga minuta e parë, madje futbollisti i Bayernit realizoi golin e parë të ndeshjes në humbjen 2-0 pas asistit të dhënë nga Xhaka. Ndërsa Xhemaili dhe Mehmedi u hodhën në fushë në pjesën e dytë kur fitorja për Zvicrën ishte siguruar.

 Ujeni Runi: “Januzaj, me perspektivë”

 Deri pak vite më parë e kishte ëndërr të luante përkrah Uejn Runit, ndërsa me dygolëshin që shënoi ndaj Sënderlendit, Adnan Januzaj merr vlerësimet maksimale nga sulmuesi i kombëtares angleze. “Januzaj është një lojtar me shumë perspektivë. Ai e kontrollin topin, vrapon te lojtarët e tjerë dhe është shumë i aftë. Është diçka madhe që trajneri vendosi ta aktivizonte, aq më tepër duke marrë në konsideratë ato që ndodhën në ndeshjet e fundit. Futbollistët e rinj përgjithësisht janë të ndrojtur, por Januzaj ka shumë besim në aftësitë e tij. Eksperienca nevojitet për ndihmuar të rinjtë që të bëhen pjesë e rëndësishme e ekipit”. Mediat britanike njoftojnë se drejtuesit e Mançester Junajtid janë gati t’i ofrojnë rinovimin e kontratës talentit shqiptar, në bazë të së cilës do të përfitojë 60 mijë sterlina në javë.