Ziqiri Mero – Mësuesi gjeneral…

938
Sigal

Për ca ditë ai do të jetë në katin e 99-të të godinës së jetës së tij. Dhe ngjit thuajse çdo ditë 100 shkallë për të shkuar në zyrat e selisë së Komitetit Kombëtar të Veteranëve të LANÇ. Gjë e rrallë, vërtet! I gjatë, i hollë, i fortësi shkop i thatë, i pakërrusur, sqimatar, fare i kthjellët në mendime. I peshon fjala, se e ka të rëndë dhe të gjithë i mbajnë sytë nga ai: ç’do të thotë ai. Është i rrallë nga të rrallët që rrallohen çdo ditë. Tek e sheh ngjan sikur vjen nga një legjendë. Vërtet ky njeri, legjendë e gjallë, vjen nga lufta legjendare Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe quhet Ziqiri Mero. Vjen nga ajo kohë e madhe, nga koha e plumbave, nga koha kur kryqëzoheshin plumbat e mbinin në tokë, në ajër edhe në mishin e luftëtarëve të lirisë…Vështirë, që nga kati i 99-të në një shkrim të përshkruash të gjithë katet e jetës së tij. Për këtë shekullor, do të duheshin vëllime; si student i Normales, si mësues, si antifashist i orëve të para, si partizan e kuadër i Brigadës së Parë legjendare, si kundëradmiral. Por, meqë jemi përpara 7 Marsit “Ditës së Mësuesit” do të ndalem te kjo pjesë e jetës së tij si mësues. Ai doli nga radhët e mësuesve, e misionarëve të diturisë që i dhanë luftës dhe pushkën, dhe penën, edhe shpirtin, për lirinë e Mëmëdheut. Ai është përfaqësues i asaj plejade, që do ta niste jetën si marinar i ABC-së, e do të përfundonte kryemarinar i Shqipërisë, kundëradmiral.
Shpesh pimë bashkërisht kafen e mëngjesit. Ai, qëndron gjithnjë në krye të vendit e, në të shumtën e rasteve hesht e dëgjon. Unë mezi pres që ta ngacmojë ndokush nga të tavolinës që t’i “vjedh” ndonjë episod, se ai është enciklopedi më vete. Në një nga mëngjeset e kafesë, dikush e ngacmoi dhe ai rrëfeu se si e kishte filluar jetën si mësues, këtu e afro 80 vjet të shkuara. Ishte koha kur po qante dhimbja dhimbjen, kur po mbillej rezistenca cep më cep dhe gatitej populli për luftën e madhe kundër pushtuesve. Ishte viti 1940, Sapo kishte mbaruar Normalen. Çdo mbarim ka një fillim të ri. Dhe ai filloi një jetë të re në Panaritin e largët të Korçës, mësues. Në Elbasan me normalistët kishte ndjerë të frynin erërat e luftës, e kishte parë me sytë e tij, se si ja kishte mbathur mbreti Zog, se si kishin kërkuar armë për të shkuar në Durrës për t’u qëndruar grykë më grykë këmishëzinjve, si Mujo Ulqinaku, se sa e rëndë i ishte dukur çizmja e fashizmit mbi tokën tone, në atë 7 prill të ’39-s. Tani, djalosh te të 20-at, i ndjente këto erëra të frynin edhe në Panarit. Ai zjarr që i ishte ndezur në Normale, prushëronte më shumë. Gjeti atje një njeri, Shyqyri Harunin, që dallonte ndër fshatarët, që edhe atij i rrinte ndezur zjarri i antifashizmit, që kishte influencë te fshatarët dhe e ngarkoi mësues Ziqiriun të formonte një grup me nja dhjetë të rinj antifashistë. Edhe mësues edhe organizator i lëvizjes antifashiste në Panarit. Por shkëndija te ndezura i merrte era dhe i shpërndante edhe në fshatrat përreth. Vinte porosia nga Korça, që të mblidhnin armë, se armët gjendeshin rrugëve në Panarit, mbetur nga lufta italo–greke. Edhe pena edhe pushka e mësuesit në veprim. Ai e ndjente se po ndizej përditë lufta, se lufta i ngjan zjarrit që sa nis fryn era e flaka përhapet kudo, të përpin dhe nuk shuhet. E brenda shpirtit të mësuesit çdo ditë rritej edhe zjarri i urrejtjes kundër pushtuesve.
Por hafijet përgjonin e spiunonin. Dhe një ditë, kur sapo kishte filluar ora e mësimit oborri i shkollës u mbush me milicë! Ishin nja dhjetë. Përse kishin ardhur?! Nuk ishte gjë e zakonshme ardhja e tyre në shkollë! Edhe nxënësit e vegjël diçka ndjenë. Sytë u kishin mbetur hapur nga frika se mos u merrnin mësuesin e tyre të dashur. Te dera e klasës u dha një burrë. Ishte Riza Kodheli. I kishte bërë shenjë, që të linte mësimin dhe të dilte pa u vënë re, mbrapa shkollës. I foli pa fjalë. Kështu flet mençuria në botën e luftës.”Kam ardhur të të arrestoj, i kishte thënë pastaj gojë më gojë. Mblidh plaçkat dhe hë,mbathja sa më parë. Mos kalo nga Vithkuqi, po nga Shera, se andej nga Vithkuqi të njohin dhe të kapin. Unë do t’u raportoj atyre të komandës se mësuesin Ziqiri Mero nuk e gjeta asgjëkund në Panarit”.
Iku Ziqiriu nëpër natë nga Panariti bashkë me Riza Harunin me të cilin ishin bërë shokë idealesh. Këtu fillojnë aventurat. Mbërriti në Korçë, pastaj në Devoll. Kërkoi të shkonte në Çetën Partizane “Morava”. Po s’e lanë. Lufta ka rregullat e veta, ka synimet e veta di t’i përzgjedhë njerëzit ku i duhen e pse i duhen. Qarkori i Partisë kishte marrë vendim që të krijohej organizata e partisë për gjithë krahinën e Devollit. E për këtë më të përshtatshëm se mësues Ziqiriu, nuk mund të gjendej tjetër. Filloi punë mësues, në Hoçisht. Do të merrej me të dyja detyrat.
Tregon Ziqiriu për përleshjen e 7 Marsit 1943. U sulmua në Hoçisht nga fashistët e ballistët Çeta Partizane “Morava”. Ishte përleshje nga më të ashprat. Por… (atij i mbushen sytë me lot) në atë përleshje u vra komandanti i Çetës që ishte edhe kushëriri i tij, Fuat Babani. U vranë edhe Demir e Abdulla Progri. Ai e sjell ngjarjen të freskët edhe përmes mjegullës së lotëve.
Pas ndonjë muaji do të merrte mandatin nga Balli. E lajmërojnë se ai dhe gjithë anëtarët e celulës së Partisë ishin dënuar me pushkatim. Dhe nuk e harron atë 9 prill të vitit 1943, Ziqiriu. Tashmë erdhi koha që ta linte mësuesinë. E prisnin malet, se koka e tij dhe e shokëve të tij ishte vënë në shënjestër nga Balli.”Kudo që të jenë janë të dënuar me vdekje”. Që atë ditë do të niste rruga e malit. Shkoi në Korçë te familja e Gjine Rizës, shtëpi pushke e bazë e Luftës. Aty u mor vendimi që Ziqiri Mero të kalonte në Çetën partizane “Morava”. Dhe pushka nuk do t’i hiqej nga supi deri në çlirim e më tej. Pastaj kaloi në batalionin partizan “Fuat Babani”, në Brigadën e Parë Sulmuese, komisar kompanie, më pas komisar batalioni e mandej zv. komisar brigade. Bashkë me brigadën që do të bëhej “tmerr për armikun e shpresë për popullin” do të rritej personaliteti i këtij mësuesi, i këtij luftëtari të paepur, që me jetën, me veprimtarinë, me idealet e tij i bën nder Atdheut, Luftës, ushtrisë, armatës së veteranëve të Luftës dhe armatës së madhe të mësuesve.
Gëzuar Festën e Mësuesit, i dashur Ziqiri!

Kristaq Laka