Zaho Golemi: Për shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë

1148
Sigal

Ushtria Shqiptare, është një Aset Komëbtar në një udhëtim një shekull e gjashtë vite, që është përballur me sfida dhe ka mbijetuar përmes sfidash.

 

SHTABI I PËRGJITHSHËM SHQIPTAR 106 VJEÇAR

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Shtabi i Përgjithshëm ose Shtabi Madhnuer Ushtarak u formua pesë muaj pas krijimit të Ministrisë së Luftës, më 4 maj 1913 në Vlorë, me miratim t Qeverisë së Përkohshme të Vlorës me kryeministër Ismail Qemal Bej Vlora. Emërtimi ishte: “Shtabi Madhnuer”. Kryetar i parë i shtabit Madhnuer ishte 30-vjeçari major Ali Shefqet Shkupi, që kishte qenë Komandant i Garnizonit të Stambollit e që ju përgjigj thirrjes së Ismail Qemal Vlorës për të shërbyer si Kryetar i Shtabit të parë Madhnuer. Ali Shefqeti u përzgjodh për patriotizmin e lartë shqiptar, për zotësinë ushtarake të talentuar si dhe për personalitet i njohur. Ai kishte shkëlqyer në shkollën qytetëse të Selanikut, ishte dalluar në Harp Okullu (shkolla e Luftës) dhe kishte shprehur talent ushtarak në taktikat dhe strategjitë e luftës në Akademi së bashku me Mustafa Kemal Ataturkun. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912 elementët e përparuar shqiptar në Stamboll u bënë objekt i përndjekjes. Për këtë nga Skelat e Stambollit mbërriti në Konstancë, në Bukuresht dhe në mars 1913, Ali Shefqeti mori pjesë në Kongresin e Triestes. Zbritja në Vlorë dhe marrja përsipër e krijimit të një shtabi madhor modern ishte  rast fatlum për kohën. Ndërtimi i Ministrisë së Luftës dhe Shtabit Madhor po bëhej mbi bazën e praktikave europiane. Selia e shtabit ishte me qendër në Vlorë, pranë Ministrisë së Luftës në Skelë të Vlorës. Në fillimet ky shtab ishte fare i vogël, emërohej Zyra e Shtatit Madhnuer të Ushtrisë, pranë Ministrisë së Luftës. Ajo ishte në përbërje e në varësi të Ministrisë së Luftës. Shtabi i Përgjithshëm (Madhnuer) shënoi një nivel të ri organizimi të përparuar, modern e bashkëkohor për kohën. Shtabi dëshmoi për nivelin e lartë kulturor, politik e ushtarak të drejtuesve të shtetit dhe të atyre ushtarakë të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. Për funksionimin  organizativ të Shtabit Madhor u krijuan: Qarqet e Shtatit Madhnuer, Sekretaria e Shtatit Madhnuer, Komisioni i rregulloreve e i ushtrimeve, Komisioni i trajnimit të policisë e të xhandarmërisë dhe Komisioni i ndërtimit. Shtabi Madhor ishte konceptuar, ndërtuar, por edhe veproi teorikisht e praktikisht si një organ bazë i Ministrisë së Luftës. Shtabi ishte përgjegjësi kryesore për organizimin, përgatitjen dhe drejtimin profesional të veprimtarisë luftarake të FA Shqiptare. Hartimi i rregulloreve ushtarake u kthye në prioritet për Shtabin e parë madhor. Kështu Ali Shefqeti nën cilësinë e Shefit të Shtatmadhrisë më 31 maj 1913 informonte Ministrinë e Luftës mbi krijimin e kompanisë model dhe që aktiviteti në vijmësi lidhej me ngritjen e sistemit të detyrueshëm ushtarak. Më 3 qershor 1913 ishte hartuar e para rregullore e milicisë ushtarake, por e shkruar në gjuhën osmane, që ju përcoll Ministrit të Brendshëm Myfit Libohovës. Shtabi organizonte kryerjen e luftimeve në mbrojtje në pjesën jugore e juglindore të Shqipërisë kundër shovinistëve grekë, por edhe në pjesën verilindore të vendit. Shtabi Madhor përkujdesej për furnizimin me armatime e municione në zonat e veprimeve luftarake. Në këtë periudhë shtabi merrej me organizimin e forcave dhe strukturave ushtarake, me hartimin e rregulloreve dhe udhëzimeve mbi organizimin, jetesën, stërvitjen dhe veprimtarinë e ushtrisë dhe të Xhandarmërisë; kujdesej dhe ndiqte edhe kompletimin e forcave dhe të reparteve me veshje, me armë të rënda dhe me hartimin e fjalorëve me terma shpjeguese ushtarake në gjuhën shqipe. Më vonë në vitet 20 kemi ringritje të strukturave të reja ushtarake. Në periudhën e Republikës së Parë shqiptare 1925-1928 kemi një konsolidim ushtarak dhe që vijoi edhe në periudhën e Mbretërisë 1.9.1928 deri në 7 prill 1939. Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH u ringrit në kohën e pushtimit të vendit në 10 korrik 1943; Ky shtab drejtoi 24 Brigada Partizane, 8 divizione dhe tre Korparmata. Pas cclirimit u konsolidua dhe udhëhoqi me sukses luftën ndaj provokacioneve të grekut në gusht 1949. Pas çlirimit të vendit, në dhjetor 1944, ashtu si gjithë UNÇSH-ja, edhe Shtabi i Përgjithshëm iu nënshtrua shndërimeve të domosdoshme për një ushtri të rregullt të kohës së paqes. Në gusht të vitit 1946 Kryetar i Shtatmadhorisë u emërua Gjeneral- major Mehmet Shehu, në vend të Gjeneral major Spiro Moisiut. Që nga 1 tetori i vitit 1946, pasi u suprimuan komandat dhe disa seksione dhe u krijuan drejtoritë e seksionet e reja, kaluan në vartësi të drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm 7 Drejtori: e Prapavijës, e Artilerisë, e Ndërlidhjes, e Xhenios, e Mbrojtjes Bregdetare, Operative dhe e Organizim-Mobilizimit, si dhe 10 seksione: e Zbulimit, Sekretariati i Shefit të Shtatmadhorisë, Shërbimi i Brendshëm i Shtatmadhorisë, i Prapavijës i Shtatmadhorisë, i Kimisë, i Tankeve dhe Autoblindave, i Aviacionit, i Stërvitjes Luftarake, i Shifrës, i Topografisë. Riorganizimi i vitit 1966 bëri që Shtabi i Përgjithshëm të kishte 4 drejtori: Operative, e Zbulimit, e Organizim-Mobilizimit dhe e Ndërlidhjes; dhe nga 7 degë autonome: e MKK, e Shifrës, e Topografisë, e Administratës, Ekonomike, e Stërvitjes luftarake dhe e Shërbimit, strukturë,  e cila nuk ndryshoi deri në vitet ’80. Nga Shtabi i Përgjithshëm nuk vareshin Komandat e Korpuseve, Drejtoria Politike, Drejtoria e Xhenios, Komanda e MBL, Komanda e Artilerisë, Prapavija dhe Forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Me krijimin e korpuseve, u lehtësua edhe puna e detyrat e Shtabit të Përgjithshëm për zgjidhjen e problemeve të reparteve apo për vështirësitë e drejtimit elastik të reparteve e nënreparteve. Tani Shtabi i Përgjithshëm merrej me drejtimin dhe udhëheqjen e përgjithshme të veprimtarisë luftarake dhe organizimin e kontrolleve të FA. Në riorganizimin e vitit 1974 të FA Shtabi i Përgjithshëm nuk pati ndryshime esenciale nga struktura dhe detyrat që kryente.

Një riorganizim i ri i ushtrisë është ai i vitit 1982-1983, ku nga sistemi me korpuse u kalua me divizione që vijoi deri në vitin 1992

. Në këtë periudhë Shtabi i Përgjithshëm drejtonte ushtrinë shqiptare me një efektiv shumë të madh, si aktiv ashtu edhe rezervist me rreth 16.500 oficerë, 9.000 nënoficerë, 60.000 ushtarë e 8.000 civilë; me rreth 450.000 rezervistë e 230.000 Forca Vullnetare. Me 22 Divizione dhe tre Forca që ishin: Mbrojtja Kundër Ajrore me 34 regjimente të artilerisë kundërajrore pa llogaritur AKA e Brigadave; Flota Luftarako-Detare, që kishte rreth 400 anije; Arma e Aviacionit Luftarak, që kishte 240 mjete fluturuese etj. SHP kishte nën komandë 127 Brigada Këmbësorie, Brigada Artilerie dhe Brigada Sulmuese; rreth 1300 tanke, rreth 4.000 gryka zjarri artilerie tokësore; Pas vendosjes së demokracisë filloi edhe ristrukturimi i plotë ushtarak që zgjati gati dy dekada duke e kthyer Forcat e Armatosura më të vogël dhe më profesioniste duke ecur në një histori suksesi si anëtarë i denjë në NATO që prej 2 prillit 2009. Shqipëria është katër vjeçare anëtare e NATO-s. Ajo nuk është pjesë e Aleancës vetëm për të përfituar nga Artikulli V i saj, por për kontribut në paqen e sigurinë botërore. NATO dhe e ardhmja e saj, lidhet në radhë të parë me sigurinë, stabilitetin, paqen dhe jo mbrojtjen. Shqiptarët ndërtojmë në mënyrë të përbashkët, të ndërsjellët, në mënyrë të sistemuar, në mënyrë të koordinuar e të ndërgjegjshme, ku  vendimet e veprimet lidhen me proceset integruese. Ushtarakët e shtabit të përgjithshëm kanë drejtuar e drejtojnë misionet paqeruajtëse në Çad, Irak, Afganistan, Gjeorgji, Bosnjë Hercegovinë, Mali, Letoni, Deti Egje, Kosovë, Sudani i Jugut, etj, ku përfaqësimi vijon të jetë dinjitoz. Aktualisht vendi ynë vijon kontributin me misionarë paqeje në misionet më prestigjioze të sigurisë botërore, ku numri i ushtarakëve që kanë shërbyer në misione shkon në mbi 6000 ushtarakë që prej misionit të vitit 1996. Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura është dekoruar me rastin e 100 vjetorit të krijimit të Forcave të Armatosura Shqiptare me këtë motivacion: “Për shërbime të shquara për plotësim të misionit kushtetues, në ruajtjen e tërësisë territoriale të hapësirës shqiptare përgjatë një shekulli, për ngritjen dhe konsolidimin e strukturave të vartësisë ushtarake, për harmonizim të veprimtarive të gjithanshme në situata krizash e konfliktesh, për mbështetje të komunitetit në të gjithë aspektet humanitare, për përgatitjen me cilësi të strukturave e kontingjenteve paqeruajtëse si dhe përfaqësim dinjitoz në të gjitha aktivitetet me partnerët euroatlantikë”.

Njëzet e gjashtë Drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm në 106 vjet (1913-2019)

Në 4 Maj 1913, në krye të Shtabit Madhor ishte Major Ali Shefqeti Shkupi, në nëntor 1920 – Gjeneral-brigade Ali Riza Kolonja, në dhjetor 1921 – major Xhavid Leskoviku; në qershor 1923 – major Bajram Fevziu; në Janar 1925, koloneli austriak Gustav Von Myrdac, ndërsa më 7 prill 1939 me pushtimin fashist të Italisë, pushuan së ekzistuari edhe Forcat e Armatosura Shqiptare. Në periudhën 10 Korrik 1943–Gusht 1946 në krye të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH ishte Gjeneral major Spiro Moisiu, në Gusht 1946, Gjeneral-major Mehmet Shehu; në 28 janar 1948 kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Kombëtare shqiptare u emërua Gjeneral -lejtnant Beqir Balluku, në 1952 Gjeneral -major Petrit Dume, në 1954, Gjeneral major Arif Hasko (Mema); në 1956-1974 Gjeneral -lejtënant Petrit Dume, në 1974 Sami Meçollari, në 1975 Veli Llakaj, në vitin 1981, Kiço Mustaqi,  në Shkurt-Qershor 1991 Kolonel Halim Abazi, në Qershor 1991-Gusht 1992, Gjeneral major Kostaq Karoli, në 1992-1994, Gjeneral-lejtënant  Ilia Vasho, në vitet 1994-1997, Gjeneral me katër yje Sheme Kosova; në Korrik-Gusht 1997, Gjeneral-major Adem Çopani, në 1997-2000, Gjeneral Brigade Aleks Andoni, në vitet 2000-2006, Gjeneral -lejtënant Pëllumb Qazimi, në Tetor 2006-Qershor 2008, Gjeneral-lejtënant Luan Hoxha, në Qershor 2008- Korrik 2011, Gjeneral -major Maksim Malaj, më 8.8.2011 deri më 08.11.2013 Gjeneral Xhemal Gjunkshi, Gjeneral-Major Jeronim Bazo nga 8.11.2013 deri më 2016, Gjeneral Dedë Prenga, janar 2017 deri më gusht 2017, Gjeneral Bardhyl Kollçaku, nga 30.8.2017 e në vazhdim, që pritet të vazhdojë këte detyrë të mandantit të parë deri më 30 gusht 2020. Shtabi dhe shtatmadhorët janë një aset kombëtar në një udhëtim një shekull e gjashtë vite, që janë përballur me sfidat dhe kanë mbijetuar përmes sfidash.