Zabit Ahmetaj: Epopeja e luftës së Vlorës në këngët popullore

114

Epopeja e Luftës së Vlorës nëpërmjet këngëve popullore

“Evropa shkruajnë thonë, shqiptarët po luftojnë, me një mbret 40 milionë, po me se luftojnë vallë, me sëpatë e me hanxharë, dyfek të lidhur me gjalmë, fishekët në xhep i mbajnë”

 

Zabit Ahmetaj – Sekretari i Komitetit të Veteranëve Gjirokastër

 

Në kuadrin e 75-vjetorit të çlirimit të atdheut një nga ngjarjet me rëndësi historike e ndodhur 99 vite më parë është edhe lufta për çlirimin e Vlorës dhe krahinat e saj nga Italia fashiste e cila filloi më 5 qershor 1920 e mbaroi në shtator të po këtij viti. Në Labëri bëhej një punë sqaruese për kryengritjen me një makinë shkrimi dhe shaptilograf në fshatin Tërbaç të Vlorës. Përgatiteshin e shpërndaheshin materiale propagandistike në fshatrat e Labërisë e më gjerë për të dalë luftëtarë vullnetarë për të siguruar armë e fishekë. Në mbështetje të kësaj lufte kudo organizoheshin mitingje. Në Gjirokastër pjesëmarrësit u shprehën “Dje derdhëm gjakun për të huaj,ne dimë të derdhim gjakun edhe për veten tonë”.Në mitingun e Kolonjës u tha:Jemi gati të bëhemi therorë për atdheun. Ky solidaritet u shpreh në sa e sa fshatra,krahina e qytete. Kudo ndihej gatishmëria për pjesëmarrjen në luftën e Vlorës me vullnetarë,me ndihma në të holla,me armatime,me drithëra buke sikurse edhe nga Labëria fshatrat e Kurveleshit duke dërguar bagëti,dhen,dhi,qumësht e djathë për luftëtarët. Këtë gatishmëri na i japin vargjet e këngës: “Qasu shokë të këndojmë,

se sot a nesër do të shkojmë,

e Vlorën do ta çlirojmë”

dhe populli i uronte nga zemra

“Hajde djem u qoftë e mbara,

tej së zezës është e bardha”.

Ultimatumi që komiteti i mbrojtjes kombëtare të Vlorës i kryesuar nga Osman Haxhiu i dërgon komandës fashiste italiane thuhet: “Sot populli shqiptar i bashkuar më shumë se çdo herë duke mos duruar të shitet si bagëti në pazaret e Evropës si shpërblim italianëve, grekëve e serbëve, vendosi të marrë armët në dorë dhe të kërkojë nga Italia largimin nga Vlora dhe krahinat e saj. Ndërsa qeveria e Tiranës e kryesuar nga Sulejman Delvina organizoi mbrojtjen e forcave vullnetare nga sulmet rebele të bandave sadiste, të cilat kërkonin të godisnin forcat vullnetare të Labërisë. Ajo emëroi në detyrën e Ministrit pa portofol, Bajram Currin dhe më 4 qershor brenda disa ditësh shpartalloi grupet rebele të Esat Toptanit. Komisioni i Beunit që i bëri thirrje luftëtarit të sprovuar Selam Musait na e jep vargu:

“O Selam do vesh në Vlorë”

dhe ky luftëtar që kishte komanduar forcat në luftën me grekun e 1914 siç na e jep vargu

“Kush u hodh proto në lumë,

Selam Musai me gunë,

në Hundëkuq vuri furtunë,

aty vendosi graminë,

O burra për në Janinë” 

dhe ky luftëtar përgjigjet

“Do vete me gjithë forrë,

do ta bëj si në Labovë,

i zura grekërit me dorë,

pre kokën e hidh torvë”

 por edhe një varg tjetër është thurur

“Selami nga Salaria

 mblodhi djemtë e Kurveleshit

 nën komandën e tija,

do të shkojmë për në Vlorë

 me drejtim për te xhamia.”

Në mëngjesin e 4 qershorit 1920 dyfeku i trimave vullnetarë të Labërisë goditi garnizonin Italian në Tepelenë, Mato Hasanaj, në qafën e Llogarasë, në Gjorm, në Kaninë të cilat u shpartalluan ndërsa garnizoni i Kotës që ishte i fortifikuar me mitraloza e me topa na i jep vargu i thurur: “Obobo seç qenka Kota,

mbushur mitrolozë e topa,

lufton Kanani nga Shkoza’.

E ky Kanan Maze që plagoset rëndë në fytyrë i thuret vargu

“Kanan t’u prish bukuria,

le të rrojë Shqipëria”.

Aty u vra edhe luftëtari Zigur Lelua e qysh të nesërmen atë e nderuan me këngën

“Kur ra kometa në Kotë,

u vra Ziguri në portë”

dhe këta luftëtarë kur pushonin e hanin pak ushqim si p.sh., bukë misri me djathë e ndonjë copë mish u drejtoheshin italianëve:

“Dorëzohuni mor breshkamanë,

hidhma mua atë armë

 se do t’ua bëj mëmat me radhë

e kur iu lëshoheshin si vetëtima

 ata thërrisnin ”Mamma mia!”

Luftimet e zhvilluara në Kotë e detyrojnë gjeneral Gotin të kërkonte Piançentinin duke folur në telefon dhe këtë na e jep vargu:

”Kërkon Goti Piançentin,

si do bëjmë ne tani

 se shqiptarët arrinë?”

E ky Got duke vrojtuar me dylbi zhvillimin e luftimeve merret në shenjë nga një largësi 300-400 metra e goditet nga luftëtari Riza Seferi nga Nivica e Kurveleshit duke e shtrirë të vdekur. Si mbas traditës së Labërisë, komandantët prinin vetë në ballë, prandaj edhe ky Selam Musai në krye të 300 djemve niset nga Drashovica drejt Babicës duke thirrur

përpara trima, yxhym

t’i kapim me dorë të gjallë pipinot

ku na e jep vargu:

“U nise nga Drashovica,

o Selam Labi o lule ,

me 300 e ca komita,

me një djalë nga Nivica,

bashkë me Dule Dalanë,

e zure topin nga gryka”

Ky Selam që i flet gjeneralit italian, i cili rrinte në anije në det

“Dil në stere e jo limanit,

të shohësh trimat e vatanit

djemtë e Ismail Qemalit”.

Meraku i Selam Musait ishte Sazani, sepse nuk kishin mjete lundruese e ai shpesh u thoshte luftëtarëve

”Në këtë luftë do të ketë të vrarë,

Vlorën e kemi të marrë,

si do të bëjmë për Sazanë?”

Këta luftëtarë luftonin si rrebesh mbi llogoret e armikut kalonin telat me gjemba duke u hedhur në guna e shirqe, duke u përleshur me pengesat e para në trashet duke përdorur thikat e duke shtrirë disa ushtarë italianë për tokë. Në një përleshje, te ullishtat mbi spital, Selam Musai goditet nga një predhë artilerie në vijën e parë të zjarrit prandaj vargu thotë:

“Të vranë o Selam të vranë

 në ulli përmbi spital”,

por është edhe një varg tjetër:

I shkreti Selam Musai,

 u fut në flakë e s’u pa.”

Kjo luftë mbaroi me fitore dhe Selam Musai mbeti simboli i heroizmit, por edhe shokët Sado Koshena, Kanan Mazja, Zigur Lelua, Toto Hosi, Sino Micolli rreth 100 dëshmorë dhe 150 të plagosur. Italianët kishin në Vlorë 30 000 ushtarë. ndërsa forcat vullnetare ishin rreth 4000 që luftuan me këto forca. Dëmet që pësuan italianët në Vlorë: 700 ushtarë të vrarë dhe gjeneral Goti, 1000 të plagosur, 1500 robër, 8 topa, 58 mitraloza, 48 autoblinda,1000 kuaj, mjaft armë e municione pa përmendur këtu dëmet që pësuan edhe në Tepelenë e krahinat e tjera. Vargu i këngës thotë:

“Evropa shkruajnë thonë,

shqiptarët po luftojnë,

me një mbret 40 milionë,

po me se luftojnë vallë,

me sëpatë e me hanxharë,

dyfek të lidhur me gjalmë,

fishekët në xhep i mbajnë”

 

Kudo ndihej gatishmëria për pjesëmarrjen në luftën e Vlorës me vullnetarë,me ndihma në të holla,me armatime,me drithëra buke sikurse edhe nga Labëria fshatrat e Kurveleshit duke dërguar bagëti, dhen, dhi, qumësht e djathë për luftëtarët. Këtë gatishmëri na i japin vargjet e këngës”

“Qasu shokë të këndojmë,

se sot a nesër do të shkojmë,

e Vlorën do ta çlirojmë “

dhe populli i uronte nga zemra

“Hajde djem u qoftë e mbara,

tej së zezës është e bardha!”

Selam Musait për aktivitetin e tij luftarak i është dhënë titulli “Hero i Popullit”