Ylli Meçe: “Është e jona Shqipëria”! Mirënjohje për heroin e popullit, Vasil Laçi, 80 vjet nga pushtimi i Italisë fashiste

1350
Sigal

Në kuadër të 80-vjetorit të nisjes së operacionit të pushtimit të Shqipërisë nga italianët më 7 prill 1939, Ylli Meçe, një ish-ushtarak i i lartë i Flotës Detare Shqiptare flet për rrethanat dhe kushtet që sollën ardhjen e fashistëve në vendin tonë. Cili ishe roli i Ahmet Zogut dhe personaliteteve të tjera të kohës dhe si u përgatit pushtimi nga Benito Musolini.

Z. Meçe ju si një ushtarak i lartë i Marinës shqiptare, duke qenë se operacioni i pushtimit fashist italian, më 7 Prill 1939 ishte kryesisht një operacion detar, ç’mund të na thoni?

-Së Pari, më duhet të ndalem pak në situatën dhe klimën politike të asaj kohe, pra pak më përpara 7 Prillit të vitit 1939, në opinionin e brendshëm shqiptar, por edhe të diplomacive, qarkullonin fjalë për një pushtim të mundshëm të Shqipërisë prej Italisë fashiste të Musolinit. Kjo nuk ishte e rastësishme, sepse mbreti Zog në atë kohë ishte i lidhur këmbë e kokë me Italinë e Duçes, deri në atë shkallë, saqë ish mbytur në borxhe, edhe pse kishte dhënë italianëve sektorë të rëndësishëm me koncesione. Jo vetëm kaq, por italianët kishin depërtuar aq thellë, saqë në çdo katër oficerë,, njeri prej tyre ishte ushtarak italian. Në këto kushte, kur e gjithë situata kontrollohej nga hierarkëve të lartë, ishte logjike, që një sulm eventual mbi territorin e Shqipërisë, nuk do të haste në një rezistencë shumë të madhe e të organizuar të ushtrisë shqiptare të asaj kohe. Pushtimi i Shqipërisë do të ishte ëndrra e italianëve e parealizuar mirë prej qarqeve të diplomacisë evropiane, të cilët si në Konferencën e ambasadorëve në Londër, më 1913-n, por dhe në Traktatin e dytë të saj, po në Londër (por ky tashmë i arritur në një fshehtësi të plotë) më 1915-n. Gjithashtu situata ndërkombëtare, përkonte me lindjen e fashizmit, i cili si platformë të politikës së jashtme kishte zgjerimin e territoreve. Ëndrra e Italisë nuk ishte vetëm Shqipëria, por i gjithë Ballkani. Veçse që të kalonte në Ballkan, i duhej siguruar porta hyrëse, kontrolli mbi gjithë Adriatikun, për të bërë realitet kështu ëndrrën e vjetër të romakëve të rinj: “Mare nostrum”. (Deti ynë)


Pra, ju mendoni se këtyre pushtimeve iu paraprijnë të tjera masa nga armiku?
Sigurisht që po dhe për përgatitjen e pushtimit, një rol të veçantë parapërgatitor ka luajtur ish-ministri i jashtëm i Italisë Galeazo Çiano, i cili njëkohësisht ishte edhe dhëndër i Duçes, sikurse rol po aq, bile jashtëzakonisht të keq luajti dhe vet Ahmet Zogu, i cili e kish vënë thuajse gjithë ushtrinë nën kontrollin italian, pa folur këtu për shkollat italiane, të cilat ishin përhapur në të gjithë vendin. Kështu që e gjithë propaganda e fashizmit italian u bazua te “lidhjet tradicionale” e të mira midis ilirëve dhe romakëve, te pjesëmarrja e shqiptarëve në betejat e në krah të mbretërve të Napolit, apo dhe lidhjet e Skënderbeut me venecianët, si edhe te lidhjet kulturore e shpirtërore me komunitetin shqiptar arbëresh i cili jetonte kryesisht në jug të Italisë. Kjo propagandë kish kohë që kish filluar, bile dhe vetë F.Noli, që më 1931, duke ironizuar Zogun që i kish dhenë gati çelësat e shtëpisë fashistëve, do të shkruante: “Italia shpejt a vonë do të marrë tapitë mbi Shqipërinë duke i dhenë shkelmin dhe vet Zogut… si një e një që bëjnë dy!” 

Apo sikurse ishte edhe njoftimi i Radio-Barcelonës në gjuhën shqipe për brigadat internacionaliste që luftonin kundër Frankos, ku spikeri do të deklaronte: “Nuk ka në Shqipëri një qytetar me pesë pare mend në kokë, që të mos kuptojë, se pas Abisinisë dhe Spanjës, do të jetë populli shqiptar viktima e tretë e lakmisë fashiste. Mjerë Shqipëria po të fitojnë gjeneralët fashistë luftën, që i kanë shpallur Republikës së Shqipërisë”. (S.Luarasi )


Si erdhën ata krejt pa pritur dhe pa i shpallur luftë Shqipërisë?


Joo! Duçja nëpërmjet Çianos dërgoi një dokument prej disa pikash që ishte gati si një ultimatum, ku në dt. 4..5 dhe 6 Prill i kërkonte me ngulm A. Zogut, që të pranonte të gjitha kërkesat e tij, që Shqipëria të kalonte nën protektoratin e Italisë.Ishte shumë vonë për Zogun, ai asgjë nuk mund të bënte përveç arratisjes së tij një ditë para pushtimit, edhe pse ai kish deklaruar se në rast rreziku për Shqipërinë … “Do të mbathte opingat dhe si luftëtar do të dilte në mal”. Ai së bashku me suitën e tij dhe i gjithë karvanin mbretëror, duke braktisur fronin, morën drejtimin e Greqisë, së bashku me valixhet e mbushura me florinj, ndërsa populli që e kish marrë informacionin e një pushtimi të mundshëm nga Italia, kishte dalë në demonstrata duke kërkuar armë sidomos kjo dy ditë para pushtimit.Por çdo gjë ishte e shurdhët. Populli shqiptar ishte tradhtuar nga pjesa më e keqe e bijve të tij.

B. Mussolini për të treguar njëkohësisht dhe forcën e tij, por dhe për t’ju përgjigjur me të njëjtën monedhë, (meqenëse Hitleri nuk e njoftoi aspak për planin që kish, për pushtimin apo, më saktë, aneksimin e Austrisë duke e bashkuar atë me Gjermaninë, si dhe me pushtimin që i bëri Çekosllovakisë, në mars të vitit 1939), ndërhyri me trupa direkt në Shqipëri më dt. 7 prill 1939 me katër skalione në drejtim të Shëngjinit, Lezhës e deri në Shkodër, – në drejtim të Durrësit për të kapur Tiranën, – në drejtim të Vlorës për të kapur jugun deri në Kuçovë dhe në drejtim të Sarandës për të dalë matanë në Devoll. Sikurse shikohet dhe nga mësymja, qëllimi i fashistëve italianë ishte pushtimi i Shqipërisë me anë të forcës ushtarake. Zogu ua lehtësoi dhe më shumë qëllimin, sepse ushtria ngeli pa kryekomandant dhe tërësisht e braktisur dhe në mëshirë të fatit.

Kaq të lehtë e patën fashistët italianë ?

Edhe pse situata ishte tejet e rëndë dhe në favor të ushtrisë pushtuese, populli shqiptar dhe bijtë e tij – por edhe ata ushtarakë që në deje kishin gjak shqiptari e pritën okupatorin me pushkë. I tillë ishte Mujo Ulqinaku, i cili me një mitraloz së bashku me shokët e tij i hodhi tre herë në det italianët, deri sa ra dhe vetë në ballë të luftës për të mos vdekur kurrë, ashtu sikurse bëri dhe ra në përballje me fashistët në portin e Vlorës edhe jetimi pa nënë e babë i riu, Hamit Vashko-Gumenica, i cili dha kushtrimin si të parët e viteve 20-të..: “Djema për në Vlorë, përmbi tela të kalojmë – Shqipërinë ta çlirojmë!”, sikurse dhe dëshmori tjetër Mitro Dhimërtika, i cili ra në luftimet e Sarandës, duke u bërë flamur i kuq për betejat e ardhshme që po përgatiste i gjithë populli shqiptar. Prej datës 7 e deri në 10 prill vazhduan luftime sporadike e të pa organizuara, fashistët italianë në përpjekjet për zbarkim e deri sa e pushtuan Shqipërinë humbën gati 90 ushtarë dhe dhjetëra të tjerë të plagosur. Pushtimi i plotë i Shqipërisë u realizua nga pikëpamja territoriale, por shpirti kryengritës i shqiptarit sikurse ka qenë traditë ndër shekuj, nuk mund të pushtohej dot. Shumë atdhetarë të tjerë, si Myslim Peza, me çetën e tij luftarake apo dhe Haxhi Lleshi me çetën e tij të Dibrës, nuk e ndalën pushkën deri sa lufta jonë të bëhej edhe më e organizuar, duke kaluar nga një fazë më e ulët në një më të lartë. Shqiptarët asnjëherë nuk u pajtuan me pushtimin paçka se tradhtarët shkuan në Romë dhe i dorëzuan kurorën e Skënderbeut, mbretit xhuxh Viktor Emanuelit të Tretë. Atentati dhe krisma e kobures së të riut nga bregdeti, Vasil Laçit, do të ishte mesazhi më i qartë e më i hapur për pushtuesit italianë …se ajo krismë njoftonte një epope të tërë luftarake. Në vitet që do të pasonin më vonë.
Krijimi i PKSH nga bijtë më të mirë e luftarakë të popullit, bëri që lufta jonë të merrte karakter të organizuar dhe në Traktin e parë të saj i bëhej thirrje gjithë popullit shqiptar të ngrihej në luftë të armatosur, kundër fashizmit për të fituar lirinë dhe pavarësinë e vendit. Në këtë luftë, ftoheshin të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje, me qëllim që e gjithë toka shqiptare të ndizej flakë e zjarr për armikun. Këtë qëllim pati edhe Konferenca e Pezës, e cila u mbajt në shtator të vitit 1942, për të bashkuar edhe ato forca të tjera politike në luftë kundër armikut të përbashkët e për të formuar kështu një front unik Nacional Çlirimtar.

Çfarë ndodhi me ato forca politike që ju sapo përmendët?

Disa forca politike si ajo e “Ballit Kombëtar” dhe “Legalitetit” fillimisht e pranuan platformën e PKSH dhe partizanëve, por me kalimin e kohës, ata jo vetëm që nuk hodhën pushkë kundër armikut por iu larguan atij fronti dhe nga pikëpamja organizative duke mos marrë pjesë në të. Lufta partizane udhëhequr nga PKSh dhe Enver Hoxha do të vazhdonte, edhe pse “baballarët e Kombit” do të nënshkruanin “paktin paqësor” me pushtuesit fashistë sikurse ishte protokolli “Dalmazzo-Këlcyra”. Pushtuesit italianë mbas Nëntorit të vitit 1941 filloi t’u rrëshqiste toka shqiptare nën këmbë, sepse lufta partizane u ndez e ashpër dhe pa kompromis. Duke kaluar nga një fazë me e ulët në një më të lartë ajo rriti dhe kaliti në beteja të gjitha formacionet luftarake partizane deri në formimin e Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, i cili u bë organi më i lartë ushtarak, që do të merrte në dorë e në mënyrë të organizuar drejtimet e luftimeve. Ky shtab bëri të mundur fitoren deri në kapitullimin e plotë në asaj ushtrie, e cila erdhi jo për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, por bashkimin me të e bëri për qëllime aneksioniste që ta kish më të lehtë, duke i gënjyer shqiptarët, veçanërisht ata të trojeve dardane, se me ardhjen e Italisë në Shqipëri, hapej një epokë e re për të mbrojtur Kosovën e për ta shkëputur atë dhe nga pushtimi serb. Në fakt u bashkua Shqipëria, por tashmë u bë dhe ajo dhe Kosova të pushtuara. Shkurt, Kosova ndërroi një pushtues me një tjetër. Ne na erdhën lakmitarët shekullorë që Vlora me Selam Musain i kish hedhur me kohë në det.Shtatori i vitit 1943 do të shënonte dhe fundin e një ushtrie të pa lavdishme. Pushtuesit do të kapitullonin pa kushte, teksa valë të tjera të hordhive naziste do të derdheshin mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Gjermanët janë një temë tjetër, po sot si do ta konsideroni Shqipërinë në raportet me Italinë? 

Pse si mendoni ju ato operacionet “Pelikan” “Arkobaleno” apo dhe “Alba” mos ishin rastësi që erdhën? Ato i dërgoi Evropa” gjoja për ndihma” por ata ishin të gjithë të armatosur. Pse nuk dërgoi p.sh., Belgjikën Evropa?! Nuk e dërgoi sepse historikisht dhe ajo vetë ia ka caktuar “patronatin” Italisë dhe të gjitha aktivitetet e këtyre, organizoheshin dhe drejtoheshin nga komanda italiane, bile në krizën e 97-s, vetë ministri i mbrojtjes së Italisë G. Andreatta, mbasi na mbyti djemtë nënat e motrat në Otranto do të deklaronte për interesat jetike të Italisë në Shqipëri.

Ne tani jemi në NATO…


Po mor po, ne çojmë djemtë tanë për paqe në Irak, Afganistan apo kudo dhe ne na ruan NATO-ja sepse s’kemi as avionë, as raketa, as anije luftarake sulmuese e të shpejta, as tanke as helikopterë lufte, as nëndetëse, asgjë prej gjëje. Kemi ministra e zv/ ministra me celularë në duar dhe me të kuq buzësh në çanta.

Është e jona Shqipëria

Heroit të Popullit Vasil Laçi që i bëri atentat Perandorit të Italisë Viktor Emanueli III, më 17 maj 1941

Të drejtë pate dhe ti, or Mbreti Italisë,
Ta shihje nga afër, atë pjesë perandorie,
Kurorën e braktisur, në ditën tonë të zisë,
Ta patën lënë aty, mbi një fron tradhtie.

Ti erdhe një ditë pranvere, që bëri ftohtë,
Ç’pate, ç’të tha mendja, që vendose ashtu?
At’vit pemët s’çelen lule, po derdhën lot
E ti bashkë me Vërlacin, shëtisje tutje e tëhu.

Kuptohet, koronën si gjithë mbretërit vure,
Në at’kokën e vogël, të ngjashme si çibuk,
Me shpatën ngjeshur mbas kërbishtes pa tule,
Perandori që vuan, e mezi ngjitet në kolltuk.

Konti juaj, aq entuziast ju pat premtuar,
Shqiptarët do t’ju prisnin gjith’ gaz e brohori,
Dinaku pushtues! Ofrove bashkimin etnik,
Me ndërrim skllavërie… në tënden perandori.

Ehh, ti mbreti xhuxh, jo i gjatë sa e jotja shpatë!
Ata që të dërguan, si nuk t’i thanë zakonet tona?
Prej një naganti plumbat që dolën vollën flakë,
Përzier fort me thirrjen “Shqipëria është e jona!”

Thonë se mbasi “ia hodhe” përdore ironinë,
-Mësojeni -the – Të qëllojë djaloshin me kobure!
Po cilin shkurtabiq e kap plumbi në makinë,
Paçka se kur zbrite, keq t’u lagën ato potur!

Duçen tënd shastisur keq e kapi ngërçi at’ ditë,
Jo se për mbretin e vet do të ish i shqetësuar,
Pesë plumbat mbi ty, dhuratë për perandorinë,
Prej një dore që tregonte luftën tonë…filluar!

E varët djaloshin atentator pa zhurmë e bujë,
Bile kujdesshëm të dy, ia fshehët dhe vetë Italisë.
Ahh, o mbreti xhuxh më i vogël se vet shpata jote,
Kurorën e Skënderbeut e kemi të Shqipërisë!