Yjet poetike të shkrimtarit disident, Mehmet Myftiu

1253
Sigal

 Prof. Dr. Agron F. Fico HC

 

Mehmet Myftiu është shkrimtar i shquar disident, themelues i letërsisë realiste pas Luftës së Dytë Botërore. Shkrimtari Mehmet Myftiu ishte dhe mbetet Prometeu shqiptar në luftën për liri nga pushtuesit nazi-fashistë. Kundërshtar i dogmave të metodës sovjetike, të quajtur “realizmi socialist”, Mehmet Myftiu vuajti egërsinë e dy diktaturave: të diktaturës naziste, që e dënoi me vdekje në kampin e internimit në Prishtinë dhe të diktaturës komuniste që e dënoi, i hoqi të drejtën e të shkruarit dhe e bëri cigare-shitës.

Ndërsa sot shkrimtari ndeshet me indiferentizmin, harresën e regjimit të tranzicionit të stërzgjatur demokratik, ku nderohen dhe vlerësohen me tituj dhe dekorata të larta lloj-lloj biçimësh, që nga tradhtarë me damkë e gjer sigurimsa emër-zinj. Ky është turp për këta zyrtarë të osmanllinj, që ushqehen me hallvën e kazanit që u jep sulltani. Vitin e kaluar, 2018, nën kujdesin e shkrimtares Besa Myftiu, vajza e Metit, u botua dhe u përurua libri me poezi me titullin “Nuk i dua thinjat”. Libri “Nuk i dua thinjat” përmbledh 21 poezi dhe ka 34 faqe, por në të gjen xhevahire poetike të skalitura me mjeshtëri nga shkrimtari-poet, Mehmet Myftiu. Ja se ç’shkruan në parathënie Besa: “Si shumë prozatorë që e nisin rrugën e tyre në poezi, ai nuk vazhdoi të shkruante më vargje… Kur jeta e tij u ndal, nga që përditshmëria u thye, Meti filloi të shkruante vjersha. Duket sikur poezia kishte pritur këtë stinë në jetën e tij luftarake për t’u shfaqur me gjithë madhështinë e saj…” (f. 6-7). Poezitë e përfshira në këtë libër mbajnë një tregues mjaft domethënës, vend-ndodhjen e internimit. Ja konkretisht: “Nuk i dua thinjat”, internim, Shtyllas, 1954; “Nënës”, internim, Shtyllas, 1954; “I ikuri”, internim, Shtyllas, 1954; “Lamtumirë”, internim, Shtyllas, 1954; “Natën vonë”, internim, Shtyllas, 1954; “Shkrepi dielli”, internim, Shtyllas, 1954. Meti shkruante poezi edhe kur ishte i rrethuar me tela me gjemba nën kërcënimin e bajonetave të rojeve të kampit të internimit, sepse letërsia, poezia ishte njëherazi misionare, thirrje për liri dhe drejtësi shoqërore dhe individuale. Ndërsa “kolegët” e Metit në Tiranë harboheshin në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, rrufisnin nga 2-3 kafe ditën dhe krenoheshin para kurtizaneve, se vjershat e tyre i kishte pëlqyer madje edhe vetë “I madhi”. Këta bejtexhinj të realizmit socialist, në fakt, shkruanin vetëm vargje bajate, pa shije dhe me një emocion përgjumjeje. Një nga këta bejtexhinj socialistë (Z. S.) shkruante:

“Të rritet misri i lartë

Sa të pritet me sëpatë

Për Partinë tonë me nam

E para në Istikam…”

Një tjetër bejtexhi socialist, (A. Ç.) shkarraviste vargjet:

“Punojnë së toku

20 pendë qé

Ashtu Myzeqe.”

Kjo nuk ishte një përplasje, ballafaqim vargjesh, por një betejë e vërtetë idesh, filozofish dhe, mbi të gjitha, metodash. Mehmet Myftiu zgjodhi rrugën e letërsisë kombëtare realiste. Nuk pranoi pasaportën që të studiojë në Bashkimin Sovjetik, dhe diktatura e dënoi. Bejtexhinjtë socialistë kryen një krim kulturor, ata i servirën lexuesit një letërsi të gënjeshtërt, me plot afshe socialiste, për jetën e lumtur dhe lirinë socialiste.

Vëllimi poetik “Nuk i dua thinjat” përcjell tek lexuesi ide dhe emocione të vërteta, një moral të shëndetshëm dhe frymëzon mirësi dhe shpirt të lirë:

 Të falemi ne ty, o Promete!

Në zjarrin tënd e ngrohim zemrën tonë

Dhe shpirti ynë kënaqësinë e jetës

Në dashurinë për njerëzit e kërkon. (“Bijtë e Prometeut”, f. 22).

Metin 12-vjeçar, DEBATIK-asin trim dhe guximtar, e zunë ushtarët gjermanë, e torturuan dhe e shpunë në burgun famëkeq të Prishtinës ku ishte në listën e 104 të dënuarve me pushkatim. Meti i shpëtoi rastësisht ekzekutimit. Në poezinë himn “Shokëve që ranë në Prishtinë” lartëson shpirtin heroik të shokëve të vrarë dhe shpreh besimin, se kujtimi dhe nderimi i tyre do të mbetet i përjetshëm ndër breza:

Do shkojnë pranverat, lisat do të thahen

Natyra do përtërihet pambarim,

Me radhë breznive flokët do t’iu zbardhen

Për ju në zemra kurrë s’do të ketë harrim.

Ne, këngë do t’i thurim trimërisë,

Për ju që i dhatë jetë Shqipërisë. (f. 25).

Në Shqipëri në periudhën 1945-1990 letërsia dhe arti shqiptar zhvilloheshin sipas metodës së realizmit socialist. Madje, metoda e realizmit socialist në Shqipëri erdhi në formën më të keqe dhe dogmatike, në formën e zhdanovizmit. Në Shqipëri u botua në vitet ’60 të shekullit të kaluar libri me titull “Realiteti, jeta, arti”, nga Alfred Uçi. Libri shpaloste gjerësisht parimet e realizmit socialist dhe estetikës marksiste-leniniste.

Shkrimtari Mehmet Myftiu ishte ndër të parët që, me krijimtarinë e vet letrare, nuk ndoqi kërkesat e estetikës marksiste-leniniste dhe as ligjet kanunore të realizmit socialist. Kjo i kushtoi rëndë shkrimtarit Myftiu, atë e kritikuan ashpër dhe e larguan nga organet letrare. Në shtator të vitit 1953 ai u ul në aulat e Institutit të Lartë Pedagogjik si student i vitit të parë, në degën gjuhë-letërsisë shqipe. Ky është viti kur u njoha me Metin. Rrinim zakonisht në të njëjtën bankë dhe me kohë u bëmë shokë e miq, miqësi që e ruajmë edhe sot e kësaj dite. Qëndrimi letrar kundër letërsisë zyrtare të realizmit socialist-sovjetik, refuzimi për të studiuar në Bashkimin Sovjetik, si dhe mbrojtja për shkrimtarin Kasëm Trebeshina, bëri që autoritetet komuniste ta dërgojnë në internim. Më kujtohet qartë ajo ditë internimi e Metit, se mungoi në mësim. Të nesërmen shkova tek shtëpia e tij në rrugën “Siri Kodra”, ku shkoja pothuajse ditë për ditë, se mësonim bashkë. Sa hyra në oborr, përpara më doli e ëma, një grua e imët me shami të bardhë mbi krye, që ngjasonte me nënën time, por ajo mbante shami të zezë. E ëma e Metit dridhej e tëra, qante me dënesë dhe pëshpëriste dhimbshëm: “Meti është i mirë, Agron… Meti është i mirë… i mirë… i mirë…!” Nënat tona, nënat shqiptare, janë hyjni, që bashkë me qumështin kanë ushqyer tek bijtë edhe virtytet e nderit, dinjitetit, trimërisë dhe dashurisë për atdheun. Ato janë të parat që ndjejnë më thellë vuajtjet dhe mundimet e fëmijëve të tyre në luftën për popullin, atdheun dhe shoqërinë.

Tek libri “Nuk i dua thinjat” në poezinë kushtuar “Nënës” ai shpreh pendesën e thellë për dhimbjen që i ka shkaktuar asaj për rrugën e lirisë që ka zgjedhur:
Më fal o nënë! Shumë të mundova.

Aspak gëzim, qetësi nuk të kam dhënë,

Veç vuajtje, lot, brenga të dhurova,

Në ankth gjithë jetën e ke shpënë. (f. 13).

Mehmet Myftiu është arkitekt i lirikës erotike, njohës i thellë i psikologjisë njerëzore të të dashuruarve. Ai është për një dashuri të zjarrtë, por të shëndetshme, të pastër dhe pranverore.

Do iki ndoshta mbushur hidhërim,

Se dashuri askush s’më dha me zjarr.

Por prapë do të kem një ngushëllim;

Në jetë dashurova si i marrë! (f. 11).

E dashura është “me sy të zez”, me “ecje serbes” (ndofta poeti kujton korçaren e bukur, Elsën, bashkëshorten), “trupi i hirshëm”, “qeshje e rrallë”, por si nota të muzikës së Mozartit. Ndërsa kur autori flet për aksione ilegale kundër pushtuesve nazistë, përpjekjet për liri, stili i poetit merr tone të larta, shprehur si “tufane plot tërbim”, “ditë plot tallaze”, “vite me stuhi” etj. Vëllimi është i vogël, por peshon rëndë nga mesazhet, filozofia, metoda dhe stili realist dhe plot hove shpirtërore, atdhetare dhe njerëzore. Me veprën letrare dhe jetën e vet shkrimtari Mehmet Myftiu ka fituar nderimin e përjetshëm, se i ka dhuruar popullit, atdheut dy gjërat më të shenjta: Jetën dhe lirinë krijuese. Ai tashmë ka hyrë në Panteonin e njerëzve të zgjedhur elitarë, të kombit shqiptar, se ka qenë në ballë të historisë:

“Kur gjëmon e shfryn stuhia,

Kur përleshen me guxim

Në vijë të parë, ku thërret buria,

Aty është vendi im.”