Xhemil Çela: Biri i Çamërisë, Ali Demi u vra heroikisht në Labëri

152

Më 19 dhjetor të 1943-shit ai u kthye natën vonë në bazën e tij në Kaninë, ku e vranë pushtuesit

Ali Demi, biri trim i Çamërisë, rënë heroikisht në Labëri

Xhemil Xh. Çela

Çamëria dhe Labëria, dy krahinat më jugore të Shqipërisë, historikisht kanë ndarë së bashku hidhërimet dhe gëzimet. Armiqtë e Çamërisë kanë qenë njëherazi edhe armiq të Labërisë. Ndaj ato i janë gjendur, historikisht në rrjedhën e kohërave, gjithnjë pranë njëra tjetrës. Kështu ndodhi edhe në Luftën e Dytë Botërore kundër pushtuesve nazifashistë. Formacione luftarake të Çamërisë luftuan e derdhën gjak krahas atyre të Labërisë në krahina të kësaj treve, ashtu sikurse bënë edhe formacionet luftarake të Labërisë në trevën e Çamërisë. Bijtë dhe bijat e të dy krahinave dhanë ndihmesë të ndërsjellë edhe për organizimin e luftës çlirimtare në këto treva e më gjerë. Bilbili i Labërisë Mustafa Matohiti, komandanti legjendar Bexhet Mema apo “Labi i Kuçe”, Jaho Gjoliku etj., dhanë ndihmesë të drejtpërdrejtë në ngritjen e popullit çam në luftë dhe drejtimin e batalionit apo të grupit partizan “Çamëria”. Ndërkohë, biri i Çamërisë së sfilitur nga shovinizmi grek, Ali Demi, do të jepte një ndihmesë po aq të shquar në organizimin e qëndresës popullore kundër fashizmit në krahina të ndryshme të Shqipërisë së Mesme, si në Çermenikë, Kërrabë, Zaranikë dhe së fundi, edhe në Shqipërinë e Jugut në trevën e Labërisë e, kryesisht, në Vlorën e Flamurit.

Aliu u lind në një natë janari të vitit 1918 në një familje të varfër, në Filat të Çamërisë
I ati, Ahmeti, vdiq shpejt. E ëma, Nazja, e rriti me njëmijë mundime. Ajo nuk i këndoi këngë djepi por këngë trimërie. Bashkë me qumështin e nënës i mëkoi edhe ndjenjën atdhetare e dashurinë për popullin shqiptar dhe Shqipërinë, të cilëve u përkisnin. Me këmbënguljen e disa atdhetarëve çam, si Musa Demi, Aliu, bashkë me disa fëmijë të tjerë, u dërgua në konviktin “Çamëria” të Sarandës, në shkollën fillore. Aty ai do të mësonte në gjuhën e bukur shqipe, në gjuhën e të parëve të tij. Në moshën 15 vjeçare, djaloshi çam i etur për dije, do të regjistrohej në gjimnazin e Gjirokastrës.
Krahas literaturës shkollore, Aliu do të studionte edhe literaturë tjetër e sidomos revistat “ABC” dhe “Bota e Re”. Në gjimnaz u njoh edhe me djem të tjerë atdhetar si Themo Vasi e Farudin Imshta etj., dhe filloi të admironte e përkrahte lëvizjen antizogiste. Së bashku me shokët e gjimnazit organizoi edhe shoqatën “Skënderbeu” dhe “Qepa”. Së bashku me shokët e tij Temo Vasi e Njazi Demi u vu në krye të protestës së konviktorëve për trajtesë më të mirë ekonomike e kryesisht kundër përpjekjeve për të futur në shkollë frymën fashiste. Ndaj me vendim të Ministrisë së Arsimit, nuk ishte i pa pritur përjashtimi i tij dhe i dy shokëve nga gjimnazi, me gjithë protestat e shumta të nxënësve.
Me dëshirën e zjarrtë për dije, pas shumë peripecish, Aliu do të arrinte të regjistrohej në gjimnazin e Tiranës. Aty u vu shpejt në lidhje me të rinj të tjerë revolucionarë e, sidomos, me Qemal Stafën e më pas edhe me Vasil Shanton, duke u lidhur kështu edhe me grupin komunist të Shkodrës. Me veprimtarinë e tij këmbëngulëse ai do të bëhej shpejt i njohur në radhët e nxënësve të shkollave të Tiranës. Me përfundimin e studimeve, u bë punonjës provizor në Post-Telegrafën e Tiranës.
Në fillim të muajit prill 1939, Qemal Stafa, duke vlerësuar personalitetin e Aliut, i drejtohet atij nga burgu me një letër, ku në mes të tjerash i shkruante: “Kam marrë vesh se Italia do sulmojë Shqipërinë. Një lajm i tillë po më torturon për faktin se jam në burg. Sulltani (Zogu) sigurisht që do të ruajë lëkurën e tij. Njoftomëni dhe mua për ç’ka do të bëni. Unë jam më JU… ”.
Aliu buçiste si deti me dallgë
Si njeri i aksionit, në këto çaste kritike për Atdheun e popullin, së bashku me shokët, u vu në lëvizje për të ngritur rininë shkollore në demonstrata antifashiste dhe për të kërkuar armë. Por regjimi që përgatiti vet pushtimin, nuk deshi dhe nuk armatosi shqiptarët. Vendi u pushtua. Aliu punonte, me mish e me shpirt, për të sqaruar e ngritur të rinjtë më këmbë. Ai është njëri ndër organizatorët e shfaqjes në ish kinemanë “Gloria”, e cila u kthye në demonstratë, apo edhe të demonstratës së madhe të 28 Nëntorit 1940 në bulevardin qendror të Tiranës. Shtëpia me nr. 66 në Tiranë, ku banonte Aliu, u kthye në një ndër bazat e para kryesore të PKSH në qytet. U bë edhe anëtar i njësiteve guerile të Tiranës. Në kushtet e një dëndurie të lartë veprimtarie të fshehtë, Aliu ra në sy të shërbëtorëve të fashizmit dhe më 20 shkurt 1942 arrestohet. Qëndroi heroikisht në hetuesi duke mos u thyer nga torturat çnjerëzore të fashistëve. Me shpirt të paepur e bindje në fitore, ai shpejt fitoi zëmrat e gjithë të burgosurve. Së bashku me komunistë të tjerë, organizoi të burgosurit edhe për qëndresë. Në qelitë e fashizmit mësoi me dhimbje të madhe rënien heroike të labit Perlat Rexhepi dhe të shokëve të tij në Shkodër. Aty për aty thuri edhe vjershën “PERLATIT”.
Kujtoj, Perlat, çdo çast mjerimi,
Më vjen të plas nga hidhërimi,
Çdo ndjenjë e flakë para luftimit,
Në mënd më sjell ditën e shpagimit.
Kujtimi yt më ngre në çast,
Më shpie lart më lart,
Natë shëndreu, natë në terr të lashtë,
Më ndrit, më ngroh si diell i zjarrtë.
Më jep fuqi që të qëndroj,
Më jep guxim që të luftoj,
Më çon në sulm, me vrap të shkoj,
Me nder të vdes, më nder të rroj.
Edhe pse në burg, Aliu ishte i rrezikshëm për italianët e shërbëtorët e tij
Ndaj së bashku me 9 shokë të tjerë ata vendosën t’i ekzekutojnë. Por vetëm demonstratat e të burgosurve dhe këmbëngulja e tyre deri në sakrificën supreme, detyruan administratën fashiste të tërhiqej me turp nga ekzekutimi i tyre. Më 29 prill 1943, Aliu me 26 të burgosur të tjerë, pas një pune këmbëngulëse dhe në heshtje të plotë, do të hapnin një tunel të nëndheshëm dhe do të arratiseshin nga burgu. Detyra të reja e prisnin djaloshin trim çam. Në fillim u caktua si komisar i një çete në batalionin e Çermenikës duke kryer luftime në Shqipërinë e Mesme dhe, më pas, u emërua fillimisht sekretar i Qarkorit të Partisë Komuniste për Vlorën e më pas edhe Sekretar Politik i tij. Në krye të detyrës së vështirë, Aliu do të gjendej kudo nëpër fshatrat e krahinës së Vlorës. Me fjalën e tij të zjarrtë dhe me shembullin vetjak, ai do të ngrinte popullin në luftën çlirimtare. Trimëria dhe guximi i tij do të spikaste në luftimet e Drashovicës, të Gjormit etj. Po kështu, në krye të organit më të lartë politik antifashist të PKSH në Qarkun e Vlorës, dha ndihmesë të posaçme në përgatitjet për krijimin e Br. V S.

Duke qenë gjithnjë në lëvizje, Aliu ra sërish në sy të pushtuesit
Në mbrëmjen e 19 dhjetorit 1943 ai u kthye natën vonë në bazën e tij në Kaninë, edhe pse në kalanë e Kaninës kishte trupa gjermano-balliste. Në mëngjesin e së nesërmes do ta ndjente veten të rrethuar bashkë me dy shokë. Thirrjes së ballistëve dhe të gjermanëve për t’u dorëzuar, Aliu me të dy shokët, thirrjes së tyre ju përgjigj me grykën e maliherit. Mbi ta filluan të bien edhe predha artilerie e mortajash. U vra shoku i tij Pano Dhimëgjoka. Plagoset shoku tjetër. Aliu për të mos rënë i gjallë në duart e armikut, vendos të çajë rrethimin. Kalon çezmën e Naties, përroin e Vasunjës e deri te qafa e Dheut të Bardhë, ku edhe goditet për vdekje. Aliu ra për të mbetur gjithnjë i gjallë në mendjet e zëmrat e vlonjatëve dhe të labëve në tërësi, sikur të ishte bir i tyre. Ndaj edhe në proklamatën e botuar me rastin e rënies së tij theksohej: “Fshatarët e Vlorës njohën tek Aliu djalin që punonte e djersitej për të drejtat e popullit; ndau me popullin vuajtje, gëzime e hidhërime; njohën tipin e organizatorit të zgjuar, luftëtarin e pathyer; Aliu ishte i pari në punë, i pari në luftë, kudo ku e thërriste detyra, Aliu s’mungonte…”.
Ndaj, për këto cilësi të larta dhe për aktin sublim në shërbim të fitores, Ali Demi do të ishte ndër të parët që, qysh në korrik të vitit 1945 nga Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar u shpall “Hero Kombëtar”, me motivacionin “Udhëheqës dhe punëtor i palodhur, shembull heroizmi dhe obligacioni të pashoq gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Ishte dhe mbetet një nga figurat më të shquara të brezave të sotëm dhe të së ardhmes së popullit shqiptar”. Më pas, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor u dekorua me dekoratat: “Urdhri i Flamurit”, “Medalja e Çlirimit”, “Medalja e Trimërisë”, “Medalja e Kujtimit”. Emrin e Ali Demit e mbajnë shkolla të ndryshme në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë dhe në Vlorë, si edhe në institucione të ndryshme kombëtare. Në përkujtimin e veprës së tij janë ngritur disa buste.
Në këtë përvjetor të 76-të të rënies heroike të tij, populli i trevës së Labërisë përulet me nderim para veprës së lartë atdhetare të këtij biri të shquar të Çamërisë dhe mbarë Shqipërisë.