Vilson Haxhiraj: Viti 2020- përvjetori i ngjarjeve dhe sfidave të mëdha

154

Lufta e Vlorës dhe Kongresi i Lushnjes përfaqësojnë një unitet organik të pandashëm

VITI 2020-PËRVJETOR I NGJARJEVE DHE SFIDAVE TE MËDHA

 

Vilson Haxhiraj

Viti 2020 që nuk është larg,shënon përvjetorin e 100 të Kongresit të Lushnjës,të Luftës së Vlorës dhe të pranimit të Shqipërisë në organizatën e Lidhjes së Kombeve, ngjarje të mëdha të historisë së Shqipërisë. Prefekti i Vlorës Flamur Mamaj, ka shpallur objektiv të punës së tij, dekretimin e 3 shtatorit, datës se fitores të luftës së Vlorës “Festë Zyrtare”,duke u bërë zëdhënës i opinionit qytetar vlonjat dhe më gjerë. Ky objektiv është edhe i Këshillit të Bashkisë së qytetit të Lushnjes, për datën 21 Janar,përvjetorin e fillimit të punimeve të Kongresit të Lushnjes. Kërkesat e Prefektit të Vlorës dhe Këshillit Bashkiak të Lushnjes janë në vijim të përpjekjeve të intelektualëve shqiptarë për rivlerësim të historisë. Për herë të parë pas 29 vitesh kërkohet jo rivlerësim i individëve, por i ngjarjeve historike, veprim që flet për një hop cilësor në mendësinë e shoqërisë shqiptare. Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës lindën si alarm kombëtar ndaj rrezikut të copëtimit të Shqipërisë, sipas vendimeve të Traktatit të fshehtë të Londrës, të vitit 1915. Dështimi i qeverisë së Durrësit në Paris, në Konferencën e Paqes dhe zbulimi i traktatit të fshehtë antishqiptar Titoni – Venizellos, bindën elitat shqiptare të kohës, se copëtimi i vendit mund të ndalej vetëm me veprime radikale,deri në konfrontim ushtarak. Vendi asnjëherë nuk kish qenë kaq pranë zhbërjes si realitet politik sa në këto vite. Ndarjen e Shqipërisë e kërkonin fitimtaret e mëdhenj të Luftës, mes tyre edhe SHBA. Qëndrimi amerikan do ndërronte më vonë pro Shqipërisë, si pasojë e njohjes më të mirë të çështjes shqiptare.

Të vegjël, të varfër dhe të vetëm kundër të gjithë botës!

 

Kjo ishte sfida që duhej përballur për të siguruar ekzistencën e shtetit shqiptar. Është e famshme shprehja e Marksit, “Komunarët e Parisit sulmuan qiellin”, si tregues dhe vlerësim i heroizmit ekstrem. Por shqiptarët e kaluan këtë cak. Pas fitores të Luftës së Vlorës, që pati shumë jehonë në botë, gazeta “ DIELLI” do të shkruante,“Kongresistët e Lushnjes dhe luftëtarët e Vlorës sulmuan vetë Zotin dhe fituan”. Nuk kish asgjë te tepruar në këtë thënie. Në fund të vitit 1920 shtypi ndërkombëtar do të konsideronte atë qe ndodhi ne Shqipëri si “çudia shqiptare”. Është i njohur dhe i gjithëpranuar nga opinioni publik dhe historiografia shqiptare kontributi i Kongresit të Lushnjes në dobi të atdheut. Ai vazhdoi dhe mbylli me sukses punën e nisur nga Kuvendi i Vlorës dhe qeveria e Ismail Qemalit, krijoi shtetin shqiptar brenda kufijve të vitit 1913 dhe arriti njohjen ndërkombëtare. Në 17 dhjetor 1920 Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve duke shënuar një precedent unik, si i vetmi vend që pranohej në këtë organizëm të rëndësishëm , pa u njohur më parë nga një vend tjetër. Ishte fitorja e Luftës së Vlorës dhe nota amerikane e 6 Marsit, drejtuar Konferencës së Paqes që mundësuan këtë sukses! Ky pranim i hapi vendit rrugën e njohjes ndërkombëtare. Më 11 Nëntor 1921 qeveria britanike njoftonte k/ministrin Pandeli Evangjeli, se “nga ky çast njeh qeverinë aktuale të Shqipërisë, de jure dhe de facto qeveri e të gjithë Shqipërisë.”Dy ditë më pas erdhi njohja nga qeveria franceze dhe italiane. Në fushën e organizimit shtetëror Kongresi i Lushnjes i dha vendit të parin Akt Kushtetues hartuar nga shqiptarët, modelin bashkëkohor të kontrollit dhe balancës së pushteteve, një plejadë te pashoqe deputetësh, që edhe sot mbeten etalon i figurës së parlamentarit atdhetar dhe intelektual. Arritjet e Kongresit të Lushnjes ishin të pazakonta deri në kufijtë e të pamundurës. Por Kongresi ishte një ndër faktorët e mëdhenj të fitores; ai i aksionit të madh politik, diplomatik dhe administrativ. Faktori i dytë vendimtar ishte Lufta e Vlorës, që përfaqëson aksionin e madh luftarak të shqiptarëve. Fitorja e saj mundësoi bashkimin e krahinave të Vlorës, Tepelenës dhe Himarës me pjesën tjetër të vendit, duke e bërë suksesin të plotë.

Lufta e Vlorës dhe Kongresi i Lushnjes përfaqësojnë një unitet organik të pandashëm.

 Pa mbështetjen e gjithanshme të qeverisë së Kongresit, fitorja e Luftës së Vlorës nuk do të ishte e sigurt. Pa Luftën e Vlorës, arritjet e Kongresit do të ishin jo të plota,të brishta dhe të cenueshme. Si çdo ngjarje e madhe Lufta e Vlorës ka pasur vëmendjen e studiuesve,që vazhdon edhe sot. Por vulën e madhështisë këtyre dy ngjarjeve ia dhanë studimet e Akademikëve të shquar, Profesorët Aleks Buda, Kristo Frashëri, Muin Çami, Marenglen Verli, Arben Puto. Ky i fundit konsideron, “si Kongresi i Lushnjes, ashtu dhe Lufta e Vlorës, për nga rëndësia janë të barabartë me Aktin e Shpalljes së Pavarësisë në Nëntor 1912”.

Mit’hat Frashëri ka shkruar: Vlerësimi i ngjarjeve të mëdha nuk është vetëm cilësi që ushqen virtytin, por edhe një detyrim madhor i shoqërisë dhe shtetit ndaj tyre.” Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës kanë qenë Festa Zyrtare deri në vitin 1939. Pas vendosjes së komunizmit ato nuk u rivlerësuan më si të tilla. Enver Hoxha nisur nga kritere klasore,vrau dhe persekutoj jo pak prej drejtuesve të tyre. Të tjerët i dënoj me harresë .Figura qendrore e Luftë së Vlorës u bë Selam Musaj, komandant çete dhe luftëtar i shquar, por shumë larg parametrave dhe kontributeve të anëtarëve të Komitetit Mbrojtja Kombëtare dhe komandantëve ushtarakë te Luftës, rast tipik i deformimit të historisë, që nuk do të ishte i vetmi. Por le “t’i japim Çezarit atë që është e Çezarit.” Regjimi i shkuar në funksion të qëllimeve të tij, i vlerësoj lart dhe më vëmendje maksimale ngjarjet e mëdha të historisë kombëtare ,mes tyre edhe Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Vlorës. Ato festoheshin çdo 10 vjet nga qeveria dhe çdo vit nga pushteti lokal. Është fakt, që të gjithë monumentet dhe memorialët kushtuar këtyre ngjarjeve janë krijuar në atë sistem. Të asaj kohe janë filmat “ Gunat mbi Tela”, “Koncert në vitin 1936”, tabloja epike “Ultimatumi” e Piktorit të Popullit Nestor Jonuzi dhe shumë krijime te tjera. Atyre u duhen shtuar produkti i lartë shkencor i sesioneve të Akademisë së Shkencave dhe prania e përhershme e drejtuesve më të lartë të shtetit në ceremonitë festive, si shenjë nderimi dhe respekti ndaj tyre. 30 vjet më pas kemi një tablo të kundërt: Rivlerësim të merituar të protagonistëve të Kongresit te Lushnjes dhe Luftës së Vlorës, shoqëruar paradoksalisht me harresën ekstreme të vetë ngjarjeve. Është i domosdoshëm krijimi i kuadrit ligjor që rregullon mënyrën e festimit të ngjarjeve të mëdha historike,me dinjitetin e duhur, që do të shmangte voluntarizmin, indiferencën, nënvlerësimin dhe harresën e turpshme dhe të dëmshme të tyre. Rasti është i madhërishëm: Është 100 vjetori i kurorëzimit të këtyre ngjarjeve me një fitore historike, vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë dhe të racës shqiptare! Pa Kongresin e Lushnjes dhe Luftën e Vlorës do ishim kthyer në kurdët e Evropës, pakica nacionale nën presion të egër shtetëror për asimilim dhe ç’kombëtarizim. Kujtojmë gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Malit të Zi ;vrasjet dhe persekutimin e dhjetëra mijë personave, deportimin forcërisht në Turqi të qindra mijë të tjerëve! Ky fat do të ndiqte edhe shqiptarët e Çamërisë pas marrëveshjes turko greke të Lozanës për këmbimin e popullsive, në vitin 1923. Dhjetëra mijë prej tyre u konsideruan turq dhe u deportuan me përdhunë ne Turqi. Edhe më i rrezikshëm ishte projekti Italian për vendosjen e disa milionë kolonëve në Shqipëri. Zbatimi i tij do të ishte ç’kombëtarizim i popullsisë se pakët shqiptare. Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës shpëtuan Shqipërinë nga kjo katastrofë kombëtare. Falë tyre kemi atdheun dhe shtetin tone dhe identitetin e të qenit shqiptar. Kongresi i Lushnjes dhe Lufta e Vlorës mbyllën me sukses dhe përfundimisht, kapitullin dramatik të shtetformimit dhe hapën kapitullin e ri, atë të ndërtimit të shtetit modern shqiptar. Ato janë ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme e këtyre 100 viteve! 

Reflektimi

 Jubiletë e ngjarjeve të mëdha janë mundësi për reflektim, për ndreqjen e gabimeve përmes rivlerësimit. Vendimmarrësit shtetërorë që e kanë këtë tagër ,duhet të konsiderojnë seriozisht dekretimin “Festë Zyrtare” të 21 Janarit dhe 3 Shtatorit. Prej shoqërisë civile, që ka meritën e madhe të rivlerësimit të individëve të shquar të lënë në harresë, pritet të jetë më aktive se kurrë në arritjen e këtij objektivi, ç’ka do të përbënte një sukses kombëtar.