VËSHTRIM HISTORIK MBI ZHVILLIMIN E ARSIMIT NË VLORË

1999
Sigal

Shkolla e Mesme Tregtare e Ujit të Ftohtë, hapur më 8 nëntor 1924, është emërndritur

Arsimi në Himarë si pishtar mendimi për popullatën e Labërisë së Vlorës e më gjerë

Nga Msc. Albert Habazaj

Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore

“Nermin Vlora Falaschi”,

Universiteti “Ismail Qemali”

Vlorë

Shkurtore

Vlora njihet si një nga shtyllat e arsimit shqip. Pikërisht këtë çështje do të mundohemi të trajtojmë nëpërmjet këtij artikulli, duke bërë një vështrim historik mbi zhvillimin e arsimit në Vlorë, duke vijuar udhët e reja të zhvillimit të arsimit bashkëkohor. Në rrjedhat e kohës, qytetarët e Vlorës, banorët e rrethinave, të Myzeqesë së Vogël, të Lumit të Vlorës, kaninjotët, dukatasit, himariotët, Topalltia, Kudhës – Grehoti, gjithë bashkësia vlonjate, që sot përfshihet në rrethin e Vlorës me katër bashki: Vlorën, Orikumin, Himarën dhe Selenicën, janë dalluar si nxënës të mirë të dijes, e kanë dashuruar gjuhën shqipe dhe arsimin për jetën e tyre denjësisht qytetare. Gjithashtu, mund të pohojmë sa me krenari, aq me modesti se gjiri vlonjat ka nxjerrë dritanë të dritës për vete dhe për të tjerët, deri në përmasa kombëtare dhe më gjerë në Rajon e hapësira ndërkombëtare. Mjafton që të kujtojmë se në kohën e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, numri i shkollave shqipe që çeli Qeveria e Ismail Qemalit me Ministër Arsimi Luigj Gurakuqin “në krahinat e lira arriti në 48. Në Vlorë ky numër arriti 9. Në burimet dokumentare gjejmë se, në vitin 1913-1914 u çelën shkolla edhe në fshatrat Kaninë, Vranisht, Kudhës, Dukat, Tragjas, Oshtimë, Drashovicë, Smokthinë [Matogjin, shën. im- A.H] e Tërbaç”. Vlora ka një traditë të pasur arsimore. Shkolla e Mesme Tregtare e Ujit të Ftohtë, hapur më 8 nëntor 1924, është emërndritur jo vetëm në historinë e arsimit në Vlorë, por bashkë me Normalen e Elbasanit, e jo shumë të tjera janë krenari e historisë së arsimit shqiptar të kohës. Kush përfundonte Tregtaren e Vlorës, quhej se kishte mbaruar universitetin. Në traditën arsimore të Vlorës klasifikohen dhe dy shkolla të larta ushtarake, Akademia e Marinës dhe Shkolla e Lartë e Aviacionit, por që sot nuk funksionojnë. Arsimi i mesëm i përgjithshëm i qytetit me gjimnazin “Ali Demi” ballafaqohet me zotësi dhe konkurron më të mirët në Republikë, duke bërë sfida dinjitoze. Edhe arsimi profesional me Industrialen, po i rikthehet traditës së bukur, për të plotësuar brezin aq të nevojshëm të shërbimeve qytetare. Jo vetëm qyteti, por rajoni i Shqipërisë jugperëndimore e më gjerë ka një universitet publik, ndër më të njohurit në vend. Është universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë që sivjet mbush një çerek shekulli jetë dhe hapja e tij më 10 tetor 1994 përbën një nga pikat kulmore të historisë më të re të Vlorës.

Fjalë kyçe: Arsimi, arsimi bashkëkohor, shkolla shqipe, tradita e arsimit, Vlora

 

Hyrje

Po t’i hedhim një sy thellësive të historisë së Vlorës, do të gjejmë edhe rrënjët e kulturës, edukatës dhe arsimit të popullit vlonjat. Vlora është e pasur me histori dhe etur për dije dhe kulturë. Nëpërmjet këtij punimi, ne do të bëjmë një vështrim mbi shenjat e arsimit në Vlorë nga Lashtësia deri në vitet e Qeverisë së Ismail Qemal Vlorës. Trashëgimia e gjuhës dhe kulturës, edukatës dhe arsimit kanë një zhvillim të gjerë si në kohë ashtu dhe në territor. Në trevën e Vlorës së lashtë e atë mesjetare janë zbuluar tempuj, skulptura, teatro, gjimnaze, biblioteka, stadium, qyteza, kala, ura, kisha, manastire, xhami, afreske, kodikë e të tjera. Vlera kulturore deri te fjala shqipe e folur dhe e shkruar, pra, janë disa monumente që kanë gjetur mishërim, edukata, ndjenja e dashurisë për mësim, për dije, për jetë të kulturuar, i lirë, i pavarur dhe i përparuar. Populli i Vlorës që ka jetuar në shekuj në brigjet e Adriatikut e të Jonit, krahas armës e parmendës radhiti edhe dijen, edukatën dhe arsimin, të cilët u bënë shokë të pandarë të jetës. Në këtë panoramë të përgjithshme mund të themi se, për të gjetur ose zbuluar rrënjët historike të edukatës dhe të arsimit, arkeologët, gjuhëtarët, historianët, etnologët, albanologët dhe studiuesit e tjerë të fushave që lidhen me këtë objekt, kanë zbuluar disa gjurmë në qytetet ilire të trevës së Vlorës, nga fakti se edukimi ka lindur në shoqërinë njerëzore. Theksojmë se arsimi është zhvilluar në kohën e lashtë e në mesjetë kryesisht në gjuhët latinisht, greqisht, turqisht, megjithëse në trevën e Vlorës kemi edhe shkrimin shqip. Po të shikojmë vetëm dy objekte arkeologjike, “Ylli i Vlorës” dhe “Vajza e Vlorës” që i thonë dhe “Vasha e Vlorës”, futemi në shek. IV p.e.r. dhe, tek skulptura e dytë, njihemi me një nga skulpturat e par me veshje ilire. Sipas historianit Neil Shehu, “këto objekte tregojnë qartë për një kulturë të zhvilluar, për njerëz me kulturë të gjerë, me prirje të mëdha, të cilët, siç dihet, kanë marrë arsim në gjimnazet që kanë qenë karakteristikë për qytetet kryesore si Aulona, Amantia, Orikumi e Kanina”[2]. Historia e arsimit të Vlorës na njeh me faktin se kultura, edukata dhe arsimi kanë marrë një zhvillim të madh në shekujt II dhe III të e. r, kur Vlora bëhet një skelë e madhe dhe lidhet me kulturën evropiane dhe me botën e Mesdheut. Në këta shekuj të lashtësisë qëndrojnë rrënjët e edukatës dhe të arsimit të popullit tonë me tradita të lashta kulturore. Arsimi në Vlorë ka lindur në një etapë të caktuar të zhvillimit shoqëror, është pjesë përbërëse e edukatës.

  1. Lufta për gjuhën e shkruar shqipe gjatë Mesjetës

Në trajtimin që i bën zhvillimi i arsimit në trevat shqiptare gjatë Mesjetës, studiuesi N. Loka na njeh me një fakt shumë të rëndësishëm, se në Durrës, në vitet tetëdhjetë të shekullit XIV është themeluar njëri ndër universitetet e para të Evropës; universiteti i parë mesjetar në Ballkan, (Studium generale) me 9 magjistra dhe 100 nxënës, i cili shërbente si qendër studimesh edhe për Bosnjën, Dalmacinë dhe Hungarinë. Veprimtaria e Universitetit të Durrësit u ndërpre në vitin 1501, kur hordhitë osmane pushtuan qytetin. Më tej autori shkruan: “Një veçori e trojeve shqiptare është se u trashëguan shumë qytete antike, të cilat në Kohën e Vjetër patën arritur nivel të lartë zhvillimi. Qytete të tilla si Durrësi, Shkodra, Lezha, Ulqini, Vlora, Orikumi, [theksimi me bold-yni. A. H] Berati, mbetën qendra të rëndësishme urbane, të arsimit dhe kulturës”.[3] Populli i Vlorës dhe i trevës së saj është me një kulturë të pasur, e cila duke kaluar nëpër shekuj, u pasurua duke pasur një vazhdimësi të pandërprerë. Megjithatë mbi jetën e popullit tonë gjatë Mesjetës kanë rënduar robëria dhe errësira shekullore. Pushtuesit bizantinë, sllavë, normanë, osmanë, mbollën errësirën, padijen në masën e popullatës vendase. Në Mesjetë si qendër e mësimit u bënë manastiret, të cilët ishin pajisur edhe me biblioteka. Duhet theksuar se Vlora, si shumë qytete të vendit tonë, ka pësuar dëme të mëdha në trashëgiminë e pasurive kulturore gjatë shekujve deri në kohët e vona të Luftës së Dytë Botërore. “Sot kemi në dorë disa burime të vlerave kulturore që mundën t’u shpëtojnë valëve shkatërrimtare të dyndjeve të huaja, fatkeqësive të natyrës, tërmeteve, nga ku pësuan përmbytje dhe dëme kolosale shumë qytete të trevës s ë Vlorës si Aulona, Orikumi, Cerja, Olimpia, Kanina, Himara, Amantia dhe shumë vendbanime fshatare”[4].

 

Analet historike kanë të dhëna për hapjen e mësonjëtoreve shqipe, për botimin e librave arabisht dhe përpjekjet e mësuesve që luftonin për të mos u përhapur gjuha e të parëve të tyre. “Në trevat shqiptare që u përfshinë në lëvizjen e madhe të Rilindjes Evropiane shqiptarët kishin shkolla; përmenden qendra arsimore në Vlorë e qendra të tjera si në Tivar, Prizren që në shekullin XIII”.[5] Në shekullin XIV, në qytetin e Kaninës, nëpunësit që merreshin kryesisht me kancelaritë e huaja dinin përveç gjuhës shqipe dhe gjuhët latinisht, greqisht, sllavisht etj. Kjo tregon se këtu kishte një kulturë të gjerë, e cila merrej nëpërmjet shkollave dhe bibliotekave, që qyteti i Kaninës ka pasur një traditë të lashtë për institucione kulturore dhe arsimore. Nga faktet del se përveç të lashta kulturore, në shekullin XI, Kanina u bë dhe peshkopatë. Në Mesjetë institucionet kulturore dhe arsimore, si shkollat, bibliotekat, etj. U përqendruan edhe në manastire që u ngritën në Kaninë, Zvërnec, Selenicë, Qeparo, Dhërmi, Vodicë etj., kurse kisha u ndërtuan në zonën e Himarës, Dukat, Vodicë, Brataj, Ploçë, Risili, Nartë, në qytetin e Vlorës, në qytetin e Kaninës, etj. Vetëm në qytetin e Kaninës ishin ndërtuar 7 kisha. Në manastirin e Zvërnecit që ishte ndërtuar nga imperatorë bizantinë në vitin 1376 ka pasur një shkollë, mendohet edhe një bibliotekë si dhe kodet që ishin grumbulluar për nevojat e manastirit.

Episkopia e Vlorës kishte mbledhur gjithë kodet e qyteteve të moçme përreth si dhe librat e nevojshme për dioqezën e vet duke krijuar një bibliotekë të pasur. Vlora më 1258 ishte një nga qytetet kryesore të vendit. Bazuar në dëshmitë e studimet e fushës, mund të japim mendimin se shkrimi i shqipes në trevën e Vlorës duhet gjurmuar para shekullit XIII. Pushtimi i Vlorës dhe Kaninës më 1417 nga osmanët pati pasoja katastrofike rrënimi edhe për jetën kulturore arsimore të qyteteve të trevës.

Duke u marrë me udhëtimin nëpër shekuj të arsimit në Vlorë, mendojmë të futemi në udhë të panjohura më parë deri në thellësi. Prandaj gjykojmë se një objekt studimi në funksion të këtij punimi është krahina shqiptare e Himarës në vitet 1630-1642, parë nga drita studimore e Profesor Jup Kastratit, duke e ngushtuar në kontributin e Nilo Catalanos (1637-3.06.1694). Profesor Kastrati na prezanton Catalanon si italian, por që veprimtarinë e tij e lidhi kaq shumë me arbëreshët, së fundi, me Shqipërinë, sa mund të vështrohet si një “italian i arbëreshizuar”. Janë të dukshme gjurmët e tij për shkollat e para shqipe në Himarë. Himarë, para disa shekujsh, sidomos pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, quhej gjithë krahina e Labërisë së sotme, d.m.th., duke nisur nga Radhima, në Lekël e në Butrint. Dihet historikisht, se në atë krahinë që i rezistoi pushtuesve osmanë shekuj me radhë, ka çelur shkolla shqipe para tre shekujsh. Dokumenti më i saktë që në Himarë flitej shqip e mësohej vetëm gjuha shqipe, është puna e madhe e Nilo Catalanos. Këto dëshmon në Traktatin “Historia e albanologjisë” profesor Jup Kastrati[6].

1.1. Arsimi në Himarë si pishtar mendimi për popullatën e Labërisë së Vlorës e më gjerë

Himara historike është sinonim i Labërisë. Duke u mendjesuar me gjuhëtarin Rami Memushaj, që vëren se greqishtja është përhapur në këto fshatra “për arsye kulturore – arsimore, fetare e të marrëdhënieve tregtare me Korfuzin e ishujt grekë të Jonit”, me të drejtë mund të themi se bilinguizmi (dygjuhësia) e këtyre banorëve të Bregut Jonik gjen motivim dhe nuk përbën problem, sepse është shenjë e nevojshme komunikimi përditësor dhe mirëshkuarje. Ky bilinguizëm nuk është gogol, nuk është fantazmë, por një sistem tingujsh, rrokjesh, diftongjesh a fjalësh, trajtash e rregullash, që nga ana sintaksore për lidhjen e fjalëve në fjali, bëhet mjeti themelor e më i rëndësishëm që u shërben këtyre njerëzve për të mbrujtur e për të shprehur mendimet dhe për t’u marrë vesh njëri me tjetrin në tregti, kulturë, miqësi, shoqëri, sepse jemi fqinj, ballkanas, mesdhetarë. Ndoshta qysh në mesjetë apo më herët “greqishtja u bë gjuhë e bukës, ndërsa shqipja mbeti gjuha e zemrës”, gjuha e nënës. Himariotët janë ndër banorët shqiptarë që e kanë rrahur më shumë se të tjerët detin; e kanë njohur mërgimin, të paktën, qysh pas Motit të Madh të Kastriotit. Ka pasur më tepër të larguar (emigrimi) dhe më pak ardhës (imigrimi). Në shekuj janë njohur migrimet e brendshme nga zonat më të vështira për një jetë më të mirë, etj. Himara është shënuar edhe për mërgimin e jashtëm. Janë evidentuar kolonitë e vjetra e ngulimet e reja. Kolonitë e vjetra i përkasin fillimshekullit XIX e më parë. Në fillim të shek. XX, në Italinë e Jugut jetonin më tepër se 200. 000 shqiptarë arbëreshë, që mendohet se janë të larguar nga trojet e Shqipërisë JP, pjesë e së cilës është dhe Himara. (Sot kalojnë një gjysmë milion). Me lëvizjen e njerëzve (edhe si individë, dhe si grupe, masivisht) qarkullojnë edhe kulturat. Gjeografia e ka privilegjuar Himarën me të tre qytetërimet, si realitete që zgjasin shumë në kohë. Aty janë përplasur, aty kanë bashkëjetuar, aty janë bërë të njësishme, pasi janë shuar konfliktet e qytetërimeve. Historia na mëson se në Himarë kanë kaluar të tre qytetërimet: Universi i Perëndimit (Krishterimi), Universi Islam dhe Universi Ortodoks, që përfaqësojnë përkatësisht: Qytetërimin Romak Qytetërimin Arab dhe Qytetërimin Grek. Kanë marrë dhe kanë dhënë, janë mbivendosur, kanë përthithur e kanë lënë, sepse u regjistruan në shumëkohësi si qytetërime të strukturuara, të pjekura, të afirmuara. Ka shenja të tyre në fytyrën e saj Himara; ka dhe reminishenca të mbijetojave pagane.

Gjuha shqipe u evidentua si përbërës themelor i etnokulturës shqiptare në hapësirat e banuara nga bashkësia sociale e banorëve himariotë, të paktën, qysh në vitet 1630-1642, kur kemi shkollë shqipe në Bregun e detit të Himarës, në Dhërmi, fakt që argumentohet dhe interpretohet në studimin e Prof. Kastratit për Nilo Catalanon. Problemi qëndron se, mungesa e dokumenteve të shkruara na pengon për të thënë e shkruar gjëra të reja, por jo të kërkojmë e gjithmonë të jemi në kërkim serioz. Shtrojmë një pyetje: shkrimi e bëri njeriun apo njeriu bëri shkrimin?! Patjetër njeriu shpiku shkrimin dhe e përdori atë për paraqitjen grafike të mendimit, të paktën qysh në mesin e mijëvjeçarit IV para erës së re. (datim i lënë nga sumerët, sipas njohurive të derisotme)

[1] ) “Vlora në rrjedhat e kohës”: Konferencë shkencore, Tiranë, Toena, 2001, f. 284.

[2] ) Shehu, Neil: “Edukata dhe arsimi në Vlorë nga lashtësia deri në vitin 1920”, Tiranë, Eurorilindja, 1998 , f. 7.

[3] ) http://limit.al/2018/07/06/zhvillimi-i-arsimit-ne-trevat-shqiptare-gjate-mesjetes/

[4] ) Revista “Hylli i Dritës”, Nr. 4, 1938, f. 75.

[5] ) Osmani, Shefik: “Dëshmorë të lirisë e të diturisë”, gazeta “Drita”, Tiranë, 7 mars 1982.