Vepror Hasani: Ç’u bënë hebrenjtë e Korçës?

1487
Sigal

Hebrenjtë ishin pjesë e pazarit të vjetër të Mirahorit. Ja 5 dokumentat  mbi komunitetin e hebrenjëve që jetoi në Kazanë e Korçës.

Ç’u bënë hebrenjtë e Korçës, përmenden që nga viti 1695?

 Hebrenjtë e Kazasë së Korçës përmenden që nga viti 1695. Gjithçka është e verifikushme në dokumentet e fundit të dala nga arkivat e Stambollit. Gjithashtu, në këtë kohë hebrenjtë janë të pranishëm edhe në dy kaza të tjera pranë Korçës: në Follorinë dhe në Hurupisht, ku përmenden në vijimësi deri në vitin 1903. Pas këtij viti nuk flitet më për ta. Sipas gjasave, ndodhi kështu sepse Perandoria Osmane gjendej në pragrënien e saj dhe taksat kishin filluar të mos mblidheshin më. Perandoria ishte në shthurje e sipër. Megjithatë, nga viti 1695 deri në vitin 1903, hebrenjtë bashkë me të krishterët e tjerë figuronin pagues të rregullt të detyrimeve. Kjo do të thotë se këto familje kanë qenë të regjistruara, por ne nuk e dimë sa ka qenë numri i tyre, pasi dokumentin nuk e kemi parë të plotë. Gjithashtu, as në vitet që pasojnë nuk i gjejmë më të përmendur në dokumente të ndryshme. Sipas gojëdhënave, ata kishin qenë pjesë e pazarit të vjetër të Korçës, ku me qenëse pazari ishte vakëf, ata kishin mundësinë të merrnin dyqane  me qira. Madje, thuhet se hebrenjtë ishin tregtarë mjaft të zot. Megjithatë, sërish ne nuk dimë kur u larguan saktësisht nga Korça dhe ku shkuan, pasi sot në qarkun e Korçës nuk figuron të ketë hebrenjë.

Hebrenjtë në  Korçë?  


Nisur nga referati i mbajtur prej Prof. Dr. Shaban Sinani në Universitetin “Fan Noli” në Korçë ditën ndërkombëtare të viktimave të Holokausti, rezulton se Shqipëria në vitin 1939, kshte 200 hebrenjë të regjistruar. Kjo do të thotë, (sipas nesh,- V.H), se hebrenjtë e kazasë së Korçës, kryesisht ata që banonin në qytetin e Korçës, mund të jenë larguar diku tjetër, për shkak të luftrave të egra që u zhvilluan në këto treva. Bandat greke, sipas dokumenteve zyrtare nisën ti sulmonin vendasisht që nga viti 1879: “Hajdar bej, ish mytesarifi i Karahisar Şarki, emrohet në vend të mytesarifit të Korçës, për të cilin popullsia e vendit ankohet se është i paaftë të marr masa kundër banditëve grekë dhe vendas”. (Fondi DH.MKT. dosja 97, 28 dhjetor 1879).Megjithatë në vitin 1941 numri i hebrenjve në Shqipëri shkonte në 1200 veta ose edhe më shumë. Gjithnjë sipas prof. dr. Shaban Sinani, historikisht rezulton se hebrenjtë mbërritën në hapësirat shqiptare kur u gjendën të rrezikuar: kjo ndodhi në shekullin e parë; në  mbarim të “Shekullit të Artë”,  i bashkëjetesës mes hebrenjëve, të krishterve dhe myslimanëve në Spanjë, pra pas inkuizicionit të vitit 1492 dhe dekretit të Izabelës portugese, po atë (1492), kur pjesa më e madhe e hebrenjëve u dëbuan nga Evropa. Ndaj hebrenjë të ndodhur në këto kushte mund të kenë mbëritur në Korçë që pas vitit 1492, pasi në tri kazatë e përmendura më sipër (Korçë, Follorinë dhe Hurupisht), të krijojnë idenë se janë komunitete të konsoliduara, që do të thotë se ata kishin mbërritur në këto kaza kohë më parë, dhe ishin po aq të barabartë sa edhe vendasit.

Dokumente mbi hebrenjë e Korçës


Në saj të 5 dokumenteve të vogla që zotërojmë, mund të krijojmë një ide pak më të plotë mbi komunitetin e hebrenjëve që jetoi në Kazanë e Korçës.

Në dokumentin e parë thuhet : “Lista përmbledhëse e llogarive të Ahmet Agait, njeriut të Ali Agait, aga i spahinjve në lidhje me xhizjen e të krishterëve dhe hebrenjve të kazave të Korçës, Follorinës dhe Hurpishtit”. (8 janar 1695)
Dokumenti i dytë: “Të paguhen nga akçat e xhizjeve së të krishterëve dhe hebrenjve të kazasë së Korçës, shpenzimet e kuzhinës perandorake.” (17 dhjetor 1697).

Dokumenti i tretë: “Shkresë në lidhje me xhizjen e të krishterëve dhe hebrenjve të kazasë së Korçës”.  (12 prill 1709).

Dokumenti i katërt:  “Listë përmbledhëse e detyrimeve së të krishterëve dhe hebrenjve në kaza të ndryshme mes tyre edhe atyre në Korçë”. (29 janar 1730).

 Dokumenti i pestë:  “Iloja nga fshati Hoçisht i nahijes së Bilishtit të Korçës ka plagosur me qëllim vrasjeje hebreun Avram nga Kosturi”. (10 dhjetor 1903).  Kazatë e mësipërme janë nën zotërimin e Ali pashë Tepelenës.

Në një dokument tjetër thuhet: “Regjistër në lidhje me shitjet e miellit, bagëtive që ka nën administrim Ali pashë Tepelena në kazatë e ndryshme, mes tyre edhe në Xhumapazar, Ohër, Follorinë, Hurpisht, Korçë etj”. (14 janar 1812).

Megjithatë ajo që vihet re ka të bëjmë me faktin se vendasist dhe hebrenjtë kanë një basahkëjetesë të mirë. Madje Mirahorët zotërues  edhe të pazarit të Korçës, u kujdesën që dita e parazit (panairit – njëherë në javë), të mos ishte dita kur hebrenjtë e kishin pushim, me qëllim që të respektonin edhe ritet e tyre. Për hebrenjtë Shqipëria i mbati dyert hapur, por një shembull i mirë kanë qenë edhe banorët e Korçës për të cilët nuk u fol kurrë.