Vepror Hasani: “Birra Korça” dhe Milua i fabrikës së Korçës

2888
Sigal

Ndërsa Bashkia hartonte planin urbanistik të Korçës, Selim Mborja dhe italiani Umberto Uberti projektuan ngritjen e një fabrike të madhe birre në qytetin e Korçës. Ndërtimi i fabrikës nisi në vitin 1929. Ujin e sollën nga mali i Moravës, madje me ujë të pijshëm furnizuan edhe një pjesë të qytetit. Dy vjet më pas, më 1931, filloi prodhimi. Fabrika u pajis me makineri të kohës, të cilat kryenin të gjitha proceset që nga përpunimi i elbit e deri te kthimi i tij në lëng, mbyllur në shishe të vogla dhe të mëdha. Çdo njëra prej shisheve ishte kënaqësi e veçantë dhe po aq e mirë sa ajo e fabrikave të birrës në Gjermani. Por prapë birra “Korça” mbetej e veçantë, pasi siç thuhej, për prodhimin e saj përdorej diçka natyrale që mbahej sekret. Sekreti u mbajt i fshehtë edhe prej Milos që ishte i hapur dhe i sinqertë me të gjithë. Birra “Korça” ishte e pasur në vlera ushqyese, e shëndetshme dhe nuk kishte alkool. Në atë kohë thuhej: “Një shishe birre “Korça” është sikur të kesh ngrënë një drekë”. Birra nuk konsiderohej si pije luksi; ishte pija e të gjithëve. Në ato kohëra fusha e Korçës mbillej me elb.

Që nga dita e e parë e prodhimit të birrës, viti 1929, deri në dhjetor të vitit 1933, shoqëria “Birra Korça” nuk pati detyrime ndaj shtetit me qëllim fuqizimin e saj. Regjistrimi i shoqërisë u bë në Odën ekonomike të Korçës, më 18 dhjetor 1933: “Në bazë të shkresës nr. 2215 datë 18.12.1933 të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, me anë të së cilës urdhërohet transkriptimi i kopjes së aktit konstitues të shoqërisë anonime “Birra Korça” në regjistrin e tregtisë konform nenit 11 të Kodit Tregtar në fuqi, vërtetohet se akti konstitues i shoqërisë anonime “Birra Korça” i omologuar prej Gjyqit Kolegjial të Korçës (dega tregtare) me vendim nr 1, datë 8 nëntor 1933, u transkriptua në radhorin e posaçëm të odës së Tregtisë së Korçës me nr 1 datë 18 dhjetor 1933.”. (Gazeta e Korçës 19 dhjetor 1933).

Kontrata ishte e vlefshme deri më 31 dhjetor 1956. Inaugurimi u bë pas 6 muajve: “Të hënë, më 4 të këtij muaji, më ora 5.30 pasdreke, u bë inaugurimi i fabrikës “Birra Korça” të shoqërisë Umberto – Mborja. Ishte ftuar një shumicë e madhe me autoritetet në krye. Të ftuarit e shumtë vizituan më parë fabrikën, e cila ishte në punim e sipër dhe admiruan makinerinë e fabrikës ku ishin shtruar pa kursim birra me mezera të zgjedhura. Birra Korça është me të vërtetë prej kualiteti më të mirë se shumë birra të huaja, dhe e njëjta më atë të fabrikave më të dëgjuara gjermane. Z. Umberto Uberti dhe Selim Mborja pritën urimet e sinqerta të të gjithëve për mbarëvajtjen e shoqërisë së tyre. Shitja e birrës së Korçës filloi që dje. Çmimi i saj u caktua prej shoqërisë 4 lekë për shishet e mëdha dhe 2 për të vogla.”. (Gazeta e Korçës, e mërkurë 6 qershor 1934).

“Birra Korça” mund të furnizonte gjithë Shqipërinë. Shoqëria punësoi 220 shqiptarë dhe 25 specialistë italianë; kujdesej për çdo gjë që i përkiste shëndetit të punonjësve dhe sigurimit të jetës së tyre. Ndërsa për t’u ardhur në ndihmë fermerëve ngritën dhoma frigoriferike për prodhimet e qumështit. Për herë të parë kjo gjë ndodhi në Korçë. Fabrika u bë e njohur edhe për prodhimin e ujit “Kristal”.

Shoqëria “Birra Korça” ishte e njohur edhe për mikpritjen e saj. Ishin të shumtë ata që e vizitonin. Me pritjen e mysafirëve merrej inspektori mekanik i fabrikës, i njohur ndryshe “Milua i birra Korçës”. Ai ishte njeriu që të shëtiste të shihje makineritë dhe ambientet dhe që të shërbente me birrë të freskët dhe meze. Nuk kishte njeri të mos e njihte Milon, jo vetëm për shëndetin e tij që ngjasonte me një voze birre, por veçanërisht për mirësinë e pafundme që dhuronte dhe çiltërsinë. Nëse mungonte Milua, fabrika dukej sikur nuk ekzistonte.

Rastësisht gjetëm një përshkrim te shkurtër për Milon, ja çfarë thuhet për të: “Pas pak udhëhiqemi nga inspektori mekanik i fabrikës. Ky njeri është dhe propaganda më e mirë e kësaj pije. E shikoj nga përpara me atë trupin e tij të rrumbullak dhe më vjen për të qeshur. Mendoj menjëherë se kush e di sa shishe birre ka pirë ky njeri gjer sot. Por është aq fisnik, aq i mirë me të gjithë. Me gjithë peshën e trupit përpiqet të kënaqë tërë qejfin tonë, ngjitet në shkallë të larta, futet në bodrumet e ndryshme, ku lagështia dhe e flakta e rrethojnë nga çdo anë. Njeri i qetë, i sigurt, dhe gjithmonë gati për çdo shpjegim që kërkon rasti dhe padijenia e jonë mekanike.

Miloja është ai që flet edhe për makineritë dhe si përparon shoqëria. Edhe artikullshkruesi Petrit Avreni, pasi dëgjon shpjegimin e Milos, e sheh veten të frymëzuar: “Makina vigane që s’i kam menduar kurrë. Kurrë s’më ka shkuar mendja se birra ka aq belara. I jepja gjithmonë një thjeshtësi prodhimit që nuk largonte nga punimi i mullirit të thjeshtë. Sa isha i gënjyer! Një sistem i komplikuar, një numër i madh makinash që të humbasin mendjen. Nuk di se nga ku filluam, ç’rrugë kaluam që të përfundojmë në makinat e fundit, ku del birra e përsosur. Në trurin tim qarkullojnë kazanë kolosale, depo me lëngje të ftohta, me mijëra sulina që kalojnë nga dhoma në dhomë, nga makina në mafinë. Erë, elektrik, uji i ftohtë, uj’ i ngrohtë, dhe nuk di se ç’gjë tjetër. Sa i vogël dukem përpara këtyre makinave kolosale! Dhe njëkohësisht sa i madh duket njeriu kur shikon veprat e tij. (Gazeta “Tomorri”18 korrik 1942, f. 195)

Fabrika e birra Korçës ishte industria e parë më e madhja e qytetit të Korçës, e cila i lartësoi emrin e mirë që kishte Korça.