Vangjush Saro: Lufta dhe paqja e Shqiptarëve

675
Sigal

‘Duele’ tranzicioni…

Vangjush Saro

Edhe një protestë tjetër. Edhe një ‘duel’ i ri mes intelektualësh. Edhe një vjedhje e bujshme. Pastaj… gënjeshtra pa fund e shkrime plot banalitete. Shqipëria vazhdon me farsa. Janë dukuri që mediat dhe shtjella të panjohura i faktorizojnë ato, për interesa që nuk janë gjithnjë të qarta. Lufta dhe ‘duelet’ kanë filluar herët. Mund të kujtojmë kështu ato Berisha-Nano, Berisha-Meta, Xheka-Hajdari (për sindikatat); pastaj, ato brenda llojit, Nano-Meta, Nano-Rama, Berisha-Kalakula, Berisha-Hajdari, Berisha… Këtu ka pasur shumë, nuk di ku të kapesh më tej. Sidoqoftë, ishte fjala që kanë ‘hedhur dorezën’ për duel shumë njerëz publikë, edhe deputetë, zyrtarë të zakonshëm, shkrimtarë, gazetarë.
Mund të vazhdojmë edhe me ‘duele’ e ‘luftëra’ të tjera. Kolegu ynë M. Nano gjendet herë pas here në ‘duele’ të tilla. Po ashtu, kolegu tjetër A. Tufa. (Kujtoj atë me publicistin D. Hila.) Etj. Shumë e ndjekur grindja Kadare-Lubonja; (edhe pse i pari nuk nxiton të bëjë replika, por zgjedh momentin për ndonjë sqarim.) Në përgjithësi, në këto duele tranzicioni, që s’kanë të mbaruar, vihen përballë njerëz, të cilët kanë një emër dhe një përvojë. Këto kohë, u shfaqën në debat politikani i vjetruar S. Braho dhe dy shkrimtarë njëfarësoj të ndërkryer në ‘antikomunizmin’ e tyre, A. Tufa dhe G. Kapllani.
Duke mos u marrë posaçërisht me asnjërin nga duelet e përmendura më sipër, pra as edhe me këtë të fundit, por duke parë të përbashkëtën e tyre, mund të them me bindje, se në këtë mes kemi dy çështje të mëdha, përveç vogëlsive; (si, bie fjala, banaliteti në të shkruar e në të folur…) Çështja e parë ka të bëjë me mënyrën se si e shikojmë dhe gjykojmë të shkuarën. Ne jemi viktima të saj, kemi ngecur keq atje. (“Mos e shiko të shkuarën me tërbim apo të ardhmen me ankth, por shiko përreth me kujdes.” Xh. Thurber) E vërteta është që, bie fjala, pjesëmarrja e vendit në Luftën e Dytë Botërore u bë lojë cinglash. Ishte një luftë që më në fund çliroi vendin nga pushtimi nazi-fashist. Pati shumë elemente të një lufte civile, pati shumë përplasje për pushtet. Por në thelb, nuk mund ta mohojmë rreshtimin krah aleatëve.
Po ashtu, edhe për vlerësimin e disa arritjeve të pasluftës. E habitshme, por ja që duket më realist një gazetar i huaj, britaniku Xh. Stil (“The Guardian”) teksa shkruan për një nga librat e snobëve tanë gjoja ‘demokratë’: “Libri nuk ka asgjë për progresin social dhe ekonomik të Shqipërisë në 15 vitet e para të sundimit komunist dhe transformimin e vendit nga një diktaturë feudale dhe klanore, në një shtet modern: me tharjen e kënetave, zhdukjen e malaries, betejën e suksesshme kundër analfabetizmit, zgjerimin e shërbimeve shëndetësore si dhe zhvillimin e industrive nxjerrëse të minerale, edhe pse me një forcë punëtore gjysmë ushtarake”.
Prof. Xh. De Luna (Universiteti i Torinos) me të drejtë flet për nevojën e një ‘pakti’ apo për ‘marrëveshjen se çfarë do të ruhet dhe çfarë do të fshihet nga e kaluara e një kombi’, mbi çka edhe ndërtohet trungu gjenealogjik i tij. Kurse Bernd Fisher, studiues amerikan, gjithashtu është i kujdesshëm kur përmend emra të personaliteve a grupime: “Janë shumë figura të rëndësishme. Ismail Qemali merr një rëndësi të veçantë, pasi ai është babai këtij vendi. Punoi shumë deri sa deklaroi Pavarësinë e Shqipërisë. Kështu, ai meriton të gjitha vlerësimet e dhëna. Edhe Mbreti Zog ka kontributin e tij në krijimin e kombit shqiptar. Nuk duhen përjashtuar edhe komunistët nga dhënia e disa meritave. Pavarësisht regjimit të ashpër që instaluan në Shqipëri, ata kanë kontributet e tyre.”
Ani. Nuk po themi hajde ta mbrojmë atë rend me gjithçka e t’ia mbulojmë vuajtjet e marrëzitë. Ato janë një peng e një brengë për shumë njerëz; veças për ata që e kanë provuar në kurrizin e tyre represionin e shtetit komunist. (“Si mund të gjesh kënaqësi në botë, nëse nuk e ke atë për strehë?” F. Kafka) Por a nuk duhet të dalim më në fund nga kjo grackë? Po bëhet shekulli që nuk shkulemi dot nga e shkuara dhe nga kjo xhybe e vjetër që vjen erë, por ja, gjendemi brenda saj, në një varësi edhe makabre, por edhe të tillë që duket sikur ‘na mban ngrohtë’. Ja ç’thotë diku F. Konica: “E meqë historia nuk ecën kurrë së prapthi dhe ne nuk mund ta zhbëjmë të kaluarën, del që është e kotë të gërmojmë më tej…”
Këtu po vijmë në çështjen e dytë të madhe, gjithnjë tej vogëlsirave; (si, bie fjala, fyerjet e duelistëve për njëri-tjetrin).Ajo çështje ka një lidhje të padiskutueshme me të parën; shumica e dueleve dhe grindjeve në Shqipëri e përqark, kanë në thelb biografitë, dosjet; së paku, bazohen në to. Biografi dhe dosje, janë pak a shumë e njëjta gjë, në kontekstin e temës ku jemi qasur. Biografia u ngrit në kult gjatë rendit të shkuar; gjer në marrëzi. ‘Testi’ ishte pjesëmarrja në Luftë (Lufta Nacional-çlirimtare) por edhe qëndrimi në ‘punën ndërtimtare’. Pavarësisht ‘devijimeve’, njerëzit përpiqeshin të paraqisnin një biografi të mirë. E shkruanin atë kur kërkonin punë, shtëpi, bursë apo të drejtë studimi për fëmijët etj.
Biografia u bë institucion. Ajo konsiderohej si një nga episodet më të rëndësishme në jetën e gjithkujt; mund të të linte të qetë deri diku, mund të të ngrinte lart, mund të të hidhte edhe kokëposhtë. Një sërë përpiqeshin ta manipulonin biografinë; mënjanonin marrëdhëniet me të afërm apo miq që kishin pasur a kishin probleme me pushtetin, synonin të afroheshin me Partinë, madje edhe të bëheshin komunistë, që më pas, askush të mos ua zinte goje pikat e errëta të biografisë. Varësia prej saj, ishte një mjerim. Kjo ishte pak a shumë pamja në rendin e shkuar.
Për fat të keq, biografia, dosjet, vazhdojnë të trazojnë jetën e shqiptarëve. Kam folur e shkruar disa herë në këtë temë, kur kërkoja të bëheshin publike dosjet dhe biografitë e njerëzve publikë: Zyrtarë, analistë, shkrimtarë; gjithnjë njerëz të rëndësishëm, që mëtojnë të sjellin ndikim në vend. Vetëm të atyre. Po ashtu, kam folur edhe më pas (për hir të së vërtetës, pa iu shmangur termave ‘biografi/dosje’) për z. Berisha, për G. Ruçin, për S. Gjinushin, aq sa shkoi puna të më mërziteshin miq të sprovuar një jetë të tërë. Por unë sërish them se ato dosjet duheshin hapur e jo manipuluar a përdorur për interesa të errëta, siç them se duhej të kishin ikur me kohë e duhet të ikin ata që zura goje më sipër; edhe z. Braho, doemos.
Por në këto tema, gjithsesi, mund të shprehesh, por s’mund të diktosh. Emfaza dhe patetizmi, si unë mendoj, janë episode që të kujtojnë prapambetjen. Duke folur e diskutuar për kohën dhe protagonistët, shoqëria emancipohet. Dhe kur polemika shkon për njëlloj morali apo zgjidh diçka, kur ajo drejtohet kah e vërteta, duke mundësuar interpretime të besueshme, të pranueshme gjerësisht, le të mos mërzitemi. Por kur grindja nuk bëhet për një gjë parimore, nuk respekton argumentet e ndërsjella, nuk lë hapësirë për tjetrin, degjeneron në shpifje e në vrer, them se jemi në farsë; sepse siç nënvizonte Hegeli, “Lufta për interesa të pjesshme, për gjëra të parëndësishme, nuk mund të marrë formën e një konflikti tragjik.”
Më në fund, lufta është kollaj. Por asaj ne ia kemi parë ‘hairin’ deri tani: Të fundit në Evropë e në Ballkan. A bëni dot paqe? Ajo do durim, madje trimëri. Ai që është në gjendje të bëjë paqe, është i bekuar. Kam qenë dhe do të jem gjithnjë për paqen. Por si bëhet ajo? Ju kujtohet (shumë herët) fjalia e famshme e z. Berisha ‘bashkëfajtorë e bashkëvuajtës’? Po përpjekja (gjithaq herët) e një grushti intelektualësh, përfshi të nderuarin R. Qosja, për ‘pajtim kombëtar’? Ngeca këtu. Më vjen keq, por s’kemi përvoja pajtimi e mbrothësie, ndoshta që nga Kuvendi i Lezhës dhe Shpallja e Pavarësisë…
Kështu janë punët me “Luftën dhe paqen” e shqiptarëve; gjer edhe sot, në polemika të veçuara apo në përplasjen pa sens pozitë-opozitë, çka zgjat tranzicionin dhe shtyn integrimin. Por kjo trashëgimi nuk është tabu. Mund të ndryshohet dhe duhet të ndryshohet; duke vlerësuar me drejtësi e pa histerizëm të shkuarën dhe duke u fokusuar më shumë në të sotmen dhe në të ardhmen. Përtej egoizmit dhe cinizmit që nuk prodhojnë zgjidhje. Edhe kjo kërkon durim e trimëri.